Elemente artistike letrare nga sureja Jusuf


Si çdo fe tjetër, edhe feja islame ka librin e saj të shenjtë – hyjnor. Ai libër është Kurani – fjalë e Zotit e kthyer në arabishte të pastër. Kurani – libri i shenjtë i muslimanëve, është mrekullia – mu’xhiezja më e lartë (madhe) e Pejgamberit tonë Muhammedit a.s.

Sa i përket definicionit mbi Kuranin, dijetarët muslimanë dhe jomuslimanë kanë dhënë një mori fjalish brenda të cilave “përfshihet” ajo që quhet Kuran. Një nga ata definicione është me sa vijon:
“Kurani është libër hyjnor, fjalë e Zotit, e zbritur te i dërguari Muhammed a.s nëpërmjet melekut Xhibril, i shkruar nëpër mus’hafe, i përcjellur besnikërisht brez pas brezi me leximin e të cilit bëhet ibadet (adhurim)”.
Të flasësh për Kuranin, nuk është e lehtë sa duket, sido që ta shikosh, qoftë nga aspekti teologjik, apo ai shkencorë. Nuk është e lehtë për shumë arsye si:

- Është libër i shenjtë i muslimanëve
- Është fjalë e Zotit
- Është libër i cili përmban një mori qasjesh shkencore
- Është libër me stilin më të lartë gjuhësorë i njohur deri më tani
- Është libër që pos denotacionit, edhe gjuhën konotative e posedon mjaft shumë. Etj.


Sureja Jusuf

Allahu i Lartmadhërishëm për Jusufin (Paqja e Allahut qoftë mbi të!) dhe për atë që ka ndodhur me të, ka shpallur një sure të tërë në Kuranin Fisnik, në mënyrë që të përsiatet për mësimet e këshillat e tij, për urtësitë e edukimit të bukur të tij.
Sureja Jusuf ka zbritur në Mekke, pas sures Hud dhe ka 111 ajete.
I tërë tregimi në këtë kaptinë i është kushtuar ndodhisë rreth Jusufit, vështirësive që përjetoi ai dhe babai i tij, mundimet që i vuajti prej vëllezërve, mundimet që përjetoi në burg, si jetoi në shtëpinë e zotriut të tij në Egjipt, ndodhisë me gruan e zotriut të tij, dhe bashkimit të familjes dhe jetesës në lumturi.
Trajtimi i temave të sipërcekura është i veçantë në këtë sure, si për nga forma, ashtu edhe për nga kuptimi. Do ta zbulojmë në nëntitullin Elementet letrare në suren Jusuf, ku do të bëjmë një shtrirje më të gjerë të zbërthimit (analizës) të kësaj sureje.
Sureja i është shpallur Muhammedit a.s. në kohën kur ballafaqohej me vështirësitë e njëpasnjëshme, në kohën kur i vdiq axha dhe bashkëshortja, në vitin e pikëllimit, që të ishte si një mehlem dhe ngushëllim për të.
Kjo kaptinë ishte edhe një ngushëllim për Muhammedin a.s. dhe besimtarët se pas çdo vështirësive dhe mundimi vjen lehtësimi dhe çlirimi.
Veçanti e tregimit të Jusufit përkrah tregimeve të pejgamberëve tjerë në Kuran është se, ky tregim nuk përsëritet askund në Kuran, siç ngjet me tregimet tjera.
Pos tjerash, kjo sure trajton tema mjaft të rëndësishme dhe ndjeshme si, dashuria e madhe prindërore e Jakubit a.s. ndaj Jusufit a.s., dashuria, morali etj.


Elementet artistike letrare në suren Jusuf

Arti është një pasqyrim i veçantë i natyrës. Është pasqyrim i jetës i shoqëruar nga imagjinata, mendimi dhe ndjenja e artistit (krijuesit) . Ky pasqyrim në një veprën poetike realizohet veçanërisht si dhe tok me disa elemente të pasqyrimit të natyrës në arte tjera.
Kurani është vepër me një stil shumë të lartë artistik, me një muzikalitet të veçantë dhe domethënës që e bënë të jetë valid edhe sot pas 1450 vjetësh zbritje.
Secila shkronjë, secila fjalë, secili ajet, secila faqe, secila sure e Kuranit pos vlerës dhe rëndësisë që ka si libër i shenjtë i muslimanëve, ka edhe vlerën dhe domethënien e saj artistike dhe strukturore të ndërtimit të Kuranit si tekst.
Në këtë vështrim nuk do t’i cekim figurat stilistike që ka sureja, jo për arsye të mosnjohjes, por, për të mos iu ndryshuar mënyra e shtjellimit dhe e trajtimit këtij punimit. Kjo nuk do të thotë se sureja nuk ka figura, përkundrazi, ajo është plot me figura letrare.

Nga elementet e veçanta që mendojmë se i posedon sureja Jusuf do t’i sjellim në vijim në mënyrë më të shtjelluar:

1. Rrëfimi i shkurtër por që mbulon një periudhë kohore mjaft të gjatë;
Ky element është ndër elementet e veçanta të kësaj sureje. Koha që përfshinë në vete kjo sure është mjaft e gjatë (sipas Hafidh ibën Kethirit është njëqindenjëzet vjeçare). Përkundër gjithë kësaj kohe që ngërthen në vete kjo ngjarje, rrëfimi në këtë sure është ndërtuar mjaft shkurtimisht. E gjithë ngjarja zhvillohet në 111 ajete, të përmbledhura në trembëdhjetë faqe e gjysmë. Rrëfimi është i ndarë në katër forma, mënyra të qasjes së rrëfimit.

2. Dashuria;
Në këtë sure dashuria është e trajtuar në dy tabore;
1. Dashuria e madhe prindërore e Jakubit ndaj Jusufit
2. Dashuria e madhe e Zelihasë ndaj Jusufit
Dashuria prindërore e Jakubit ndaj të birit Jusufit është e trajtuar veçantë dhe dallueshëm nga ajo e Zelihasë ndaj Jusufit.
Jakubi, dashurinë e madhe ndaj Jusufit e ushqen me mirësi dhe sjellje të butë, me lot dhe ngashërim derisa verbohet, përkundër dashurisë së Zelihasë, e cila, që ta bëjë për vete Jusufin, monton lloj - lloj dredhish si shqyerja e këmishës, gënjeshtra për dhunim, e të tjera si këto.
Pra, dashuria e Zelihasë ishte jo e drejtë, e verbër dhe nuk njihte rrugë paqësore që të triumfojë, prandaj edhe shfrytëzonte çdo mënyrë.
E veçantë në trajtimin e temës së dashurisë prindërore në këtë sure është fakti i dashurisë së madhe që Jakubi (prindi) ka për Jusufin (të birin). Dashuria prindërore është mrekullia më e madhe që ka krijuar Zoti. Ajo është jeta, edukimi, prehja, qetësimi, suksesi dhe vazhdimi i jetës sonë. E trajtuar si një dashuri që verbon sytë nga pikëllimi i vazhdueshëm i të atit për të birin, kjo dashuri tejkalon horizontet dhe nuk gjen prehje pos në ritakim.

3. Përshkrimi moral – edukativ; Mënyra se si jemi mësuar t’i dëgjojmë ose lexojmë përshkrimin e akteve amorale në jetën tonë të përditshme është mjaft jo edukative dhe zaten edhe amorale.
Në këtë sure, Allahu xh.sh. gjatë përshkrimit të cytjes që i bën Zulejhaja Jusufit a.s. për të bërë amoralitet, zgjedh një gjuhë të veçantë dhe reduktuese nga fjalori i zakonshëm dhe ai fjalor që përdor në suret tjera. Që ta rris kuptimin e asaj se amoraliteti është një vepër e ndyrë dhe jo e drejtë, Allahu xh.sh. i jep krah anës morale duke përdorur një gjuhë shume të pastër dhe të thjeshtë. Mospërdorimi i fjalëve në mënyrën e drejtpërdrejtë, por, duke e lënë të vetëkuptohet, është forma e cila shquan këtë sure për një mësim etik të veçantë që na jep. Kjo edhe konsiderohet si vlerë artistike e shprehjes.

4. Muzikaliteti që i shkon për shtati frymës kuptimore – ideore;
Kurani shquhet për muzikalitetin e veçantë që ka. Ajo që e bën të veçantë muzikalitetin e Kuranit nga veprat tjera poetike është lidhja e anës fonologjike (tingullore) me atë semantike (kuptimore) që ka ky libër.
Te sureja Jusuf ky fakt është mjaft i dukshëm. Është një muzikalitet që i përshtatet aq mirë frymës kuptimore. Në rastet kur ka dramaticitet (kur është i hidhëruar Jakubi a Jusufi ose dikush tjetër) ngjarja bëhet më e rëndë siç janë dhe tingujt. Ndërsa, ku përshkruhet çlirimi, lumturia, tingujt lehtësohen dhe janë aq të lehtë sa që edhe ata që s’e kuptojnë gjuhën arabe, në vija të trasha arrijnë të kuptojnë se çfarë po ndodhë, ose mund ta kuptojnë notën shpirtërore të zhvillimit të ngjarjes.

5. Mënyra e ndërtimit të rrëfimit;
Në këtë sure rrëfimi është i ndarë në disa referenca (forma). Rrëfimi fillon me shkronja simbolike duke vazhduar më tej me paralajmërimin që Allahu i bënë Muhammedit a.s. së po ia zbret rrëfimin më të mire (më të bukur). Më tej vazhdon biseda vetëm në mes Jusufit dhe Jakubit a.s. .
Nga ajeti i shtatë, tregimit i ndërrohet kahja dhe tregimi del më universal dhe i referohet mbarë njerëzimit. Deri te ajeti i njëzetenëntë tregimi ngërthen shitjen e Jusufit, shkuarjen në Egjipt, cytjen e Zulejhasë për amoralitet, dhe gjykimin nga një i afërm i saj. Në ajetin e tridhjetë tregimit i ndërrohet prapë kahje dhe kalon në masë, përkatësisht, fjalët që barten nëpër popull se “Gruaja e zotriut i vërsulet marrëzisht shërbëtorit të saj”. Ajeti i pesëdhjetë e dytë është ajeti që Jusufi shpallet i pafajshëm para mbretit, pas daljes nga burgu. Pas këtij ajeti ka një kahje tjetër tregimi, emërimi i Jusufit në pozitë dhe si i veçuar i mbretit. Deri te ajeti i shtatëdhjetë e shtatë tregimit nuk i ndryshohet kahja, derisa në këtë ajet Jusufi ndalon vëllanë e tij Benjaminin me trukun që i bën, dhe vëllezërit tjerë deklarojnë se, edhe ky paska vjedhur si i vëllai i tij (Jusufi). Dhe në fund, në ajetin e njëqind bëhet thyerja e fundit e rrëfimit në këtë sure. Ajeti i njëqind flet për realizimin e ëndrrës së Jusufit duke iu përulur vëllezërit. Aty tek ajeti i njëqindedytë rrëfimi i kthehet Muhammedit a.s. .
Nëse do të shikonim edhe më thellë në këtë sure si, në numërimin e shkronjave të rënda ose të lehta qoftë nëpër ajete ose jo, do ta kuptonim edhe më mirë vlerën artistike dhe semantike që ka kjo sure.
Ajeti i fundit i kësaj sureje flet për faktin se ky rrëfim ka mësime të qarta dhe me vlerë për të gjithë ata që duan të jenë vepërmirë dhe të shpëtuar në këtë botë dhe të shpërblyer në botën tjetër, nëse jemi ata që e dimë, siç thotë Allahu xh.sh.


Ndikimi i sures Jusuf në letërsi

Nga rrëfimet që përmban Kurani në vete janë frymëzuar shumë shkrimtarë e poetë të krijojnë vepra poetike letrare. Ndër shumë shkrimtarë të të gjithë botës është edhe shkrimtari shqiptar i periudhës së letërsisë Alhamiado (bejtexhinjve) Hasan Zyko Kamberi.

Hasan Zyko Kamberi, i frymëzuar nga ky rrëfim kur’anor shkroi kryeveprën e tij Jusufi e Zelihaja, vepër kjo e vlerësuar si mjaft e arritur nga aspekti artistik letrar.
Dallimi i rrëfimit kur’anor nga rrëfimi në këtë vepër letrare është se autori këtu, vende - vende ku nuk ka përshkrim të ambientit, imagjinon dhe krijon tekst për personazhet.

Ndoshta, arsyeja pse e zgjodhi këtë rrëfim, lidhet edhe me jetën e tij.
Hasan Zyko Kamberi jetoi për më shumë se një decenie në Egjipt, ku edhe kaloi kohën më të mirë të tij, rininë. Aty jetoi larg familjes dhe farefisit. Duke pasur një ngjarje të përafërt me të Jusufit a.s., Hasan Zyko Kamberin, mund ta ketë shtyrë që të krijojë një vepër poetike letrare me të njëjtën fabul. Ndoshta, kjo është edhe arsyeja që vepra është kaq e arritur artistikisht. Një fakt i tillë është i mbështetur edhe nga teoricienët më të mëdhenj të letërsisë.
Por, megjithatë, vepra Jusufi e Zelihaja, e Hasan Zyko Kamberit, është fakt se tematikën e ka të nxjerrur nga Kurani, dhe kjo është një e pamohuar.


Njohuritë që mund t’i nxjerrim nga ky punim

- Njihemi me Kuranin dhe vlerën e tij gjuhësore dhe jogjuhësore te muslimanët.
- Njihemi më mire me definicionin e Kuranit si libër i shenjtë i muslimanëve.
- Mësojmë për historinë e Jusufit a.s. .
- Mësojmë më gjerësisht për suren Jusuf.
- Mësojmë konceptin mbi artin dhe ekzistimin e tij në librin e shenjtë të muslimanëve, Kuranin pra.
- Njihemi më për së afërmi me elementet e veçanta artistike letrare që ka sureja Jusuf.
- Njihemi më për së afërmi me veçoritë e sures Jusuf dhe ndikimin e tyre në jetën tonë.
- Mësojmë për ndikimin e historive që gjenden në Kuran që kanë në letërsinë tonë, e veçanërisht sureja Jusuf. Etj.


Literatura e konsultuar

1. Kurani, Përkthim nga Sherif Ahmet
2. Hafidh ibën Kethir, Rrëfime për të Dërguarit e Allahut,
3. Hasan Zyko Kamberi, Jusufi e Zelihaja
4. Ismail Faruku, Mrekullia gjuhësore e Kuranit
5. Gani Luboteni, Teoria e letërsisë
6. Internetin , Wikipedia, Islamic Awareness etj.



Besnik Jaha