Imam Adham Ebu Hanife përveç se ishte shumë i zënë me veprimtaritë edukative, ai ishte edhe një person i pasur që merrej me tregti. Ky njeri i madh nga mëngjesi deri në drekë jepte mësim në xhami, pa pushuar asnjë moment. Ndërsa pas drekës merrej me punët e tregtisë.
Një ditë, teksa po jepte mësim, në xhami erdhi një burrë dhe i tha:
- O imam, anija jote u fundos!
Imam Adhami ngurroi për disa çaste pastaj tha: - Elhamdulillah.
Pas pak erdhi përsëri i njëjti njeri dhe i tha:
- O imam, ka ndodhur një gabim. Anija që është fundosur nuk ka qenë e jotja.
Imami edhe për këtë lajm tha: - Elhamdulillah.
Burri që solli lajmin u çudit dhe e pyeti:
- O imam edhe kur të thashë se anija është fundosur ti falënderove Zotin, edhe kur të thashë që nuk është anija jote ti përsëri falënderove Zotin. A mund të ma shpjegosh pak?
Imam Adhami iu përgjigj:
- Kur më solle lajmin e fundosjes së anijes unë kontrollova zemrën time, në të nuk kishte asnjë gjurmë që të tregonte mërzitje për pasurinë e kësaj bote. Për këtë arsye unë e falënderova Allahun. Kur më solle lajmin se anija e fundosur nuk ishte anija ime, unë bëra të njëjtën gjë dhe kuptova se në zemrën time nuk kishte dashuri për pasurinë e kësaj bote. Për këtë arsye falënderova Allahun që ma ka larguar interesin për gjërat e kësaj bote.