Taxhikistani - Përhapja e fesë islame në Taxhikistan


Të dhëna statistikore

* Emri ndërkombëtar në anglisht: Republic of Tajikistan.
* Emri zyrtar: Republika e Taxhikistanit.
* Sistemi i qeverisjes: Republikë.
* Sipërfaqja: 143,100 km².
* Numri i banorëve: 8.000.000 (2013).
* Dendësia: 48.6 (banorë në 1 km²).
* Feja: Muslimanë 98% (prej tyre 95% suni, 3% shi’i dhe 2% sufi), 2% të tjerë.
* Kryeqyteti: Dushanbe (konsiderohet qyteti më i madh i vendit).
* Qytete të tjera: Khujand, Kulob, Istaravshan, Konibodom, Isfara, Panjakent, Nurak, Toboshar, Sarband etj..
* Grupet etnike: Taxhikë 79.9%, Uzbekë 15.3%, Rusë 1.1%, Kërgizë 1.1%, etni të tjera 2.6%.
* Gjuhët kryesore: Taxhike (gjuhë zyrtare) dhe ruse.
* Njësia monetare: Somoni (1.00 TJS = 0.149854 EUR).
* Data e pavarësisë: më 9 shtator 1991 (nga Bashkimi Sovje-tik)
* Festë kombëtare: 9 Shtator (Dita e pavarësisë).

Pozita gjeografike

Republika e Taxhikistanit si një nga shtetet aziatike ndodhet në skajin jugor të grupit të shteteve të Azisë Qendrore. Lumi kryesor i vendit është lumi Amu Darya (ar. Xhejhun), rrjedha e sipërme e të cilit formon pendën më të madhe në botë, me lartësi deri në 300 m, që është në territorin e Taxhikistanit. Republika e Taxhikistanit, për nga sipërfaqja, llogaritet shteti më i vogël i Azisë Qendrore. Populli i Taxhiki-stanit llogaritet i vetmi në rajon (Azinë Qendrore) që flet gjuhën persiane, përderisa popujt e shteteve të rajonit flasin gjuhën turke. Republika e Taxhikistanit nga lindja kufizohet me Xinjiang (Turkistanin Lindor) – Krahinë Kineze – me një gjatësi deri në 414 km, nga jugu me Afganistanin - në një gjatësi prej 1206 km, nga veriu me Kirgizistanin - në një gjatësi prej 870 km, nga veriu dhe perëndimi me Uzbekistanin - me një gjatësi deri në 1161 km. Vendi nuk ka vijë bregdetare, prandaj nga të gjitha anët është i mbyllur me kufijtë e shteteve fqinje. Më shumë se nëntë të dhjetat e topografisë të vendit janë tokë malore. Malet e larta të vendit gjatë tërë vitit janë nën borë. Njëra ndër luginat më të njohu-ra të vendit është lugina Fergana

2. Natyra e klimës së Taxhikistanit është e njëjta si në të gjitha vendet malore. Pra, klima në vend ndryshon varësisht nga lartësitë e mëdha, e zonat e thata shtrihen kryesisht në rajone të ulëta, përkatësisht në jug-perën-dim të vendit dhe në kufi me Afganistanin. Zona më e ulët në Taxhikistan është lugina Fergana, aty ku gjendet lumi Syr Darya (ar. Sejhun). Në këto zona të ulëta, tem-peraturat më të larta regjistrohen gjatë verës dhe mund të arrijnë deri në 50 gradë celsius, ndërsa temperaturat gjatë dimrit janë të ulëta. Ndërkaq, në zonat malore në lindje dhe në veri të vendit gjatë verës temperaturat sillen prej 15 deri në 20 gradë celsius, kurse gjatë dimrit temperaturat ulen prej minus 20 deri në minus 50 gradë celsius. Të reshura stinore ka gjatë dimrit dhe pran-verës; shirat më të shpeshta janë kryesisht nëpër zonat malore, siodmos në ato lindore të vendit.

3. Dushanbe: Kryeqyteti i Taxhikistanit, si qyteti më i madh i vendit, shtrihet në pjesën jugperëndimore të vendit. Ky qytet llogaritet qytet i ri, që e ndërtu-an vendësit atëherë kur aty zbuluan se kishte naftë. Formimi i qytetit filloi me bashkimin e tri fshatrave të vogla në vitin 1926, kur u formua qyteti Dushanbe. Mirëpo, qeveria e Taxhikistanit në vitin 1929 ndryshoi emrin e këtij qyteti dhe e riemëroi me emrin Stalin Abad – për nder të kryetarit të atëhershëm të Bashkimit Sovjetik Josif Stalin. Më vonë, si pjesë e fushatës kundër idesë së Stalinit në vitin 1961, qytetit iu kthye emri i mëparshëm Dushanbe. Me kalimin e kohës ky qytet konsiderohej një qendër e rëndësishme industriale dhe tregtare, sepse aty prodhoheshin nafta, gazi natyral dhe disa minerale, si argjendi, ari, hekuri dhe qymyr. Banorët e këtij qyteti merren edhe me bujqësi, dhe sido-mos banorët përreth brigjeve të lumenjve. Tani numri i banorëve të këtij qyteti arrin afërsisht 679.400 banorë (sipas vlerësimeve statistikore të vitit 2008).

Përhapja e fesë islame në Taxhikistan

Sipas vlerësimeve të historianëve muslimanë, del që Feja Islame në zonat e Taxhikistanit kishte arritur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të parë hixhri. Gjatë periudhës së viteve 94 – 99 hixhri / 712 – 717 miladi komandanti i njohur Kutejbe ibn Muslim El Bahilij (49 – 96 h / 669 – 717) çliroi luginën Fergana dhe vazhdoi përtej në drejtim të lindjes, derisa arriti tek kufijtë e Kinës. Çlirimin e Ferganës e kompletoi vëllai i Kutejbes, Salih ibn Muslim El Bahilij. Lugina e njohur Fergana gjatë historisë islame përfshinte një pjesë të Republikës së Taxhikistanit të sotëm, dhe pjesa më e madhe e Ferganës binte në Republikën e Kirgizistanit të sotëm. Megjithatë, thirrja islame vazhdoi të përhapej gjatë tërë kohës emevite. Ndërkaq, gjatë periudhës abasite ishin shtuar lidhjet e halifëve abasinj me Farisin dhe me Azinë Qendrore, kur Me’muni (170 – 218 h / 786 – 833 m) njëri prej halifëve abasinj forcoi lidhjet e abasinjve me banorët e këtyre zonave. Mandej, edhe halifi tjetër i abasinjve Mu’tesimi (179 – 227 h / 794 – 842) shumicën e ushtrisë së tij e kishte nga radhët e turqve. Me kalimin e kohës, atëherë kur Dinastia Abasite ishte dobësuar, në skenë politike doli Shteti i familjes së Samaninjve (261 – 389 h / 874 – 999 m) në Azinë Qendrore. Shteti i Samaninjve në kuadër të vendeve të Azisë Qendrore sundoi edhe luginën e Ferganës, një pjesë e së cilës ishte Taxhikistani i sotëm. Pastaj, sundimin e këtyre rajoneve e mori shteti i Gaznevinjve (351 – 582 h / 962 – 1186 m), të cilët u trashëguan nga shteti i Selxhukëve (428 – 585 h / 1037 – 1194 m). Mandej mongolët pushtuan këto zona dhe, në kohën e dobësimit të tyre, iu lehtësua Rusisë Cariste pushtimi i të gjitha zonave të Azisë Qen-drore, e kështu Taxhikistani në vitin 1897 m iu nënsh-trua pushtimit rus. Më vonë, gjatë sundimit sovjetik në territoret e Taxhikistanit u formua Republika Federale me kryqytetin Dushanbe. Gjatë sundimit rus, zonat e Taxhikistanit i goditi çfarë i goditi edhe vendet tjera përreth me reduktimin e xhamive, dobësimin e arsimit fetar dhe me përhapjen e grupeve ateiste, të cilat moho-nin dhe sulmonin Islamin në forma të ndryshme.

Historia e Taxhikistanit

Duke u bazuar në të dhënat historike, theksohet se në Lindje në vitin 330 para epokës së re Taxhikistani ka qenë pjesë e Perandorisë së Aleksandërit të Madh të Maqedonisë. Ndërsa në shekullin VIII miladi taxhikët u shfaqën si një grup etnik, me karakteristika të veçanta dhe të shtrirë në zonat e tyre, ku edhe jetonin si gjysmë të pavarur, nën mbikëqyrjen e uzbekëve në perëndim. Kurse në shekullin XIII Xhingis Kani, ndër vendet që pushtoi, përfshiu edhe zonat e Taxhikistanit, dhe kështu hyri në kuadër të Perandorisë së Mongolëve. Mandej, gjatë viteve 1860 – 1900 veriu i Taxhikistanit iu nënshtrua sundimit të carëve rusë. Më pastaj, përgjatë viteve 1917 – 1918 u bënë përpjekje për të vënë zonat e Taxhikistanit nën kontrollin sovjetik menjëherë pas Revolucionit bolshevik në Rusi, për se në fillim hasën në rezistencë nga njerëz të armatosur. Mirëpo, në vitin 1921 Taxhikistani u bë pjesë e Republikës së Turkistanit Socialist Sovjetik, e cila gëzonte autonomi. Më 1924 u formua Republika Sovjetike Socialiste e Taxhikistanit, që gëzonte autonomi, mandej më 1929 Taxhikistani u bë njëra nga republikat themeluese të Bashkimit Sovjetik. Më vonë, në vitin 1978 13.000 thaxhikistanezë morën pjesë në aktet e dhunës dhe trazirave kundër Bashkimit Sovjetik, si dhe në fund të viteve tetëdhjetë ndodhi vetëdijesimi kombëtar në radhët e njerëzve vendës, për t’i themeluar në vitin 1989 Fronti Popullor për Rigjallërim, e për t’u shpallur gjuha taxhike si gjuhë zyrtare e vendit. Në vitin 1991 kryetari i vendit Kahar Mahkamov (lindi më 16 prill 1932, kryetari i parë i Taxhikistanit të pavarur) u angazhua për pavarësimin e Taxhikistanit. Ai ishte udhëheqësi komunist i vendit që nga viti 1985, prandaj më 9 shtator 1991 Kahar Mahka-mov arriti ta shpallte të pavarur Taxhikistanin.

Gjendja ekonomike

Ekonomia e Taxhikistanit mbështetet në kultivimin e kulturave bujqësore, duke përfshirë pambukun, perimet, frutat dhe në prodhimin e aluminit me cilësi të lartë (më shumë se 400 mijë tonë në vit). Duke pasur parasysh se Taxhikistani është një vend malor dhe falë burimeve ekzistuese të ujit që janë të mëdha, ky vend zë vendin e tetë në nivel bote dhe vendin e parë në nivel të shteteve të Azisë Qendrore për sasinë e madhe të ujit, sepse nëpër territorin e vendit kalojnë 65% e burimeve ujore në rajonin e Azisë Qendrore. Si rezultat i tërë kësaj, kapacitete prodhuese nga rezervat e vendit për ripërtëritjen e energjisë prej burimeve ujore, arrijnë në 527 miliardë kilovatë orë në vit. Mirëpo, vendi prak-tikisht nga këto burime të mëdha mund të shfrytëzojë vetëm 6%, prandaj, për të shfrytëzuar nga këto burime, qeverisë i duhet të ndërtojë hidrocentrale të energjisë për të prodhuar energji elektrike, që të plotësojë nevojat e brendshme dhe të eksportojë tepricën në Afganistan, Pakistan, Indi dhe në vende të tjera fqinje.
Kulturat kryesore bujqësore në vend janë: gruri, elbi, pambuku (nga llojet më kualitative të tij), perimet dhe frutat. Vendi posedon edhe pasuri blegtorale: lopë, dele, dhi dhe kuaj. Gjithashtu, Taxhikistani gëzon edhe burime minerare, si: qymyr, zink, plumb, hekur, uranium, ar, argjend, gurë të çmuar, fusha të naftës dhe gazit. Po ashtu ka një industri të zhvilluar të aluminit, tekstilit të pambukut dhe mëndafshit, prodhimtari ushqimore, çimento etj..


_______________________________
1) Vladimir Zoto, Enciklopedi gjeografike e botës, f. 237. Dasara, 2007, Tiranë. Amir B. Ahmeti; Atlas o Botës Islame f. 68, 69. Logos-a, 2009, Shkup. Muhammed Atris; Muxhem Buldan El Alem, f. 398, 368. Mektebetul Adab, 2007, Kajro. 2) Muhammed Atris; f. 398. 3) vb.almastba.com 4)Amine Ebu Haxher; Mevsuatu-l- Muduni-l- Islamij-jeti, f. 338. Daru Usame, 2010, Aman, Jordani. www.marefa.org/index.php. 5) Dr. Muhammed Mahmud Es-serjani; El Vexhiz fi Gjugrafia El Alem El Islami, f. 150. Dar Alem El Kutub, 1997, Rijad. 6) Muhammed Atris; f. 398, 399. 7) ar.wikipedia.org



Mr. sc. Samir B. Ahmeti


Nuk ka artikull pas ketij.