Kryeimami Sahiti mori pjesë në seminarin - Java e Xhamive dhe Shërbyesve Fetarë


Të premten, më 1 tetor 2021, në Edirne të Turqisë u hap “Java e Xhamive dhe Shërbyesve Fetarë”, e organizuar nga Presidenca për Çështjet Fetare të Republikës së Turqisë.

Në këtë ngjarje nga Bashkësia Islame e Kosovës mori pjesë kryeimami Vedat ef. Sahiti, së bashku me përfaqësuesit e tjerë të bashkësive islame nga shtetet e Ballkanit.

Ceremonia e hapjes së programit të Javës së Xhamive dhe Shërbyesve Fetarë u mbajt në oborrin e xhamisë historike Selimije të arkitektit të njohur, Mimar Sinanit në Edirne.

Në të njëjtën ditë, u mbajt takimi i tetë konsultativ i përfaqësuesve të Bashkësive Islame të Ballkanit me përfaqësuesit e Dijanetit, gjatë të cilit u diskutua mbi organizimin e jetës fetare, me theks të veçantë mbi përgatitjen e shërbyesve fetarë dhe infrastrukturën e objekteve fetare, si dhe për sfidat me të cilat përballen institucionet fetare në Ballkan.

Kryeimami Sahiti në fjalimin e tij, vëmendje të veçantë i kushtoi përgatitjes dhe ngritjes profesionale të zyrtarëve fetarë dhe rolit të tyre në interpretimin dhe shpjegimin e saktë të besimit dhe fesë tonë, si dhe potencoi angazhimin e Bashkësisë Islame në ngritjen e infrastrukturës së objekteve fetare për të ofruar ambiente multifunksionale në shërbim të besimtarëve e qytetarëve.