A e dini se cilat kafshë janë përmendur në Kuran?


Kur’ani dhe Suneti i Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem, flasin për pjesët kryesore të natyrës: tokën, ujin, botën bimore e shtazore, si dhe kohën.

Gjashtë kaptina kur’anore titullohen me emra të gjallesave të ndryshme të Allahut: El-Bekare (lopa), En-Neml (milingona), El-Fil (elefanti), En-Nahl, (bleta), El-Ankebut (merimanga), ndërsa bota shtazore në Kur’an dhe hadith përmendet në kontekste të ndryshme.
Ekziston numër i madh urtësish të përmendjes së kafshëve në Kur’an dhe hadithe të Pejgamberit, salallahu alejhi ve selem. Në to përfshihen edhe urtësitë e natyrës sheriatike, duke marrë parasysh se për statutin e kafshëve ndërlidhen norma të caktuara të fikhut, duke filluar nga konsumimi i mishit të tyre, shfrytëzimit të kafshëve për gjueti, mbajtjes në pronësi, etj.
Arsyet e krijimit të tyre sipas mësimeve islame janë si në vijim:
- Përbërësit e natyrës janë krijuar për të mirën e njeriut dhe atij i janë lënë në dispozicion: "Ai (All-llahu) është që për ju krijoi gjithçka që ka në tokë, pastaj vullnetin e vet ia drejtoi qiellit dhe i përsosi ata shtatë qiej. Ai është i Gjithëdijshmi për çdo gjë."(Kur'an, El-Bekare, 29)
- Përbërësit e natyrës janë dëshmi e fuqisë së Allahut: "Ai është që juve tokën ua bëri të përshtatshme, andaj ecni nëpër pjesë të saj dhe shfrytëzoni begatitë e Tij, meqë vetëm te Ai është e ardhmja.” (Kur'an, El-Mulk, 15)
Vlen të përmendet se metoda Islame e përdorimit të resurseve natyrore dhe edebi në marrëdhëniet me qeniet tjera të gjalla reflektohet si në vijim:
- Burimet natyrore i përkasin të gjithë njerëzve. Burimet natyrore janë një nga bekimet më të mëdha të Allahut për njeriun dhe për këtë arsye i Plotfuqishmi u dha të drejtë të gjithë njerëzve shfrytëzimin e tyre. Prandaj, nuk lejohet që ato të mira të shfrytëzosh vetëm nga disa grupe të caktuara të njerëzve.
- Njeriu obligohet për kujdesin e natyrës, por nuk është pronar i saj. Ndalohet lëndimi i qenieve tjera të gjalla, përveçse në gjendje të jashtëzakonshme ose të nevojshme.
Nga Hisham ibn Zejd ibn Enes ibn Maliku r.a. transmetohet të ketë thënë: "Kam hyrë një herë bashkë me gjyshin tim Enes ibn Malikun r.a., në shtëpinë e El-Hakim ibn Ejubit. Aty pamë disa njerëz duke i përdorur pulat si shënjestër. Enesi u tha: "I Dërguari i Allahut, salallahu alejhi ve selem, ka ndaluar që kafsha shtëpiake të përdoret si shënjestër dhe të gjuhet." (Muslimi)
Në këtë shkrim do të përmendim 16 kafshë dhe insekte të përmendura në Kur'an, duke i cituar vargjet e caktuara ku ato përmenden.
Bleta: “Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke i thënë): Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtetë që kjo është shenjë për ata që persiatin. (Kur’an, En-Nahl, 68 – 69).
Lopa: “(Shërbëtori) i tha: “O Jusuf, o njeri i drejtë! Na shpjego (ëndrrën) për shtatë lopë të majme, të cilat hahen prej shtatë lopëve të dobëta dhe për shtatë kallinj të gjelbër e shtatë të tjerë të tharë, që të kthehem te njerëzit e ta dinë edhe ata.” (Kur’an, Jusuf, 46).
Deveja: “Vallë, a nuk i shohin devetë, se si janë krijuar?! (Kur’an, Gashijeh, 17).
Elefanti: “Vallë, a nuk ke dëgjuar ti se si bëri Zoti yt me njerëzit e elefantit.” (Kur’an, Fil, 1).
Merimanga: “rasti i atyre, që zgjedhin mbrojtës të tjerë në vend të Allahut, është si rasti i merimangës që zgjedh rrjetën e vet për shtëpi. Por shtëpia më e dobët është pikërisht rrjeta e merimangës. Veç sikur ta dinin!” (Kur’an, Ankebut, 41).
Kali: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” (Kur’an, Ali Imran, 14).
Gjarpri: “Hidhe shkopin tënd!” Kur e pa se shkopi po lëvizte shpejt, si të ishte gjarpër, u zmbraps me të shpejt, pa shikuar pas, ndërsa iu tha: “O Musa! Afrohu dhe mos u frikëso, sepse ti je i mbrojtur.” (Kur’an, Kasas, 31).
Zogu: “A nuk i shohin shpendët mbi kokat e tyre, se si i hapin dhe i mbledhin krahët? Askush nuk i mban ata, përveç të Gjithëmëshirshmit; Ai, me të vërtetë, sheh çdo gjë.” (Kur’an, Mulk, 19).
Delja: “Ç’është ajo që mban në dorën e djathtë o Musa?” Ai u përgjigj: “Ky është shkopi im, me të cilën mbahem dhe shkund gjethe për dhentë e mia; më shërben edhe për punë tjera.” (Kur’an, Ta’ha, 17-18).
Qeni: “Dhe (po të kishe qenë atje), do të mendoje se ata ishin zgjuar, por ata ishin në gjumë. Ne i rrotullonim ata herë në krah të djathtë e herë në krah të majtë, kurse qeni i tyre rrinte shtrirë me dy këmbët e para në hyrje të shpellës. Sikur t’i kishe parë, ti do të ikje nga ata dhe do të kaplonte frika. (Kur’an, Kehf, 18).
Sorra: “Allahu dërgoi një sorrë që rrëmihte në tokë, për t’i treguar se si ta mbulonte kufomën e të vëllait. (Kabili) tha: “I mjeri unë, a nuk qenkam i zoti të bëhem si kjo sorrë e ta mbuloj trupin e tim vëlla?!” E u bë nga të penduarit. (Kur’an, Maide, 31).
Milingona: “Kur arritën në Luginën e Milingonave, një milingonë tha: “O milingona, hyni në banesat tuaja, që të mos ju shkel Sulejmnai dhe ushtria e tij, duke mos ju parë!” (Kur’an, Neml, 18).
Dhia: “Ai ju ka dhënë tetë lloje bagëtish në çifte. Merr dy lloje për dhentë dhe dy për dhitë. Thuaju: “A i ka ndaluar Allahu dy meshkujt ose dy femrat, ose atë që mbajnë në bark dy femrat?”. Lajmëromëni mua me dije të saktë, nëse ajo që thoni është e vërtetë! (Kur’an, El-En’am, 143).
Balena: “Pastaj atë e gëlltiti një balenë, se ai kishte bërë diçka të gabuar, dhe, po të mos ishte nga ata që i luten Allahut, me siguri do të mbetej në barkun e saj deri në Ditën e Ringjalljes.” (Kur’an, Saffat, 142-144).
Miza: “O njerëz, është sjellë një shembull, andaj dëgjojeni atë: “Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk mund t’ia marrin. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edh ai të cilit i përgjërohen (idhulli).” (Kur’an, El- Haxh, 73).



Nedim Botiç


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)