E zbritur në Meke, pas sures El-Buruxhë, 8 ajete
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!
“Pasha fikun dhe ullirin!
Dhe (kodrën) Turi Sina-en!
Dhe këtë qytet të sigurisë!
Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur.
Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve.
Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; ata kanë shpërblim të pandërprerë.
E pas gjithë kësaj, ç'të shtyri të përgënjeshtrosh ditën e shpërblimit (përgjegjësisë)?
A nuk është All-llahu më i urti i gjykuesve?”
E vërteta kryesore që prezanton kjo sure është e vërteta për natyrën e drejtë me të cilën Allahu e krijoi njeriun, përputhshmëria e karakterit të tij me natyrën e imanit, si dhe zbritja e njeriut në greminë kur largohet nga natyra e besimit të drejtë.
Allahu i madhërishëm betohet në fikun, ullirin, kodrën e Sinait dhe qytetin e sigurtë. Ky betim siç kemi parë në shumë sure të këtij xhuzi është korniza në të cilën prezantohet kjo e vërtetë.
Kodra e Sinait është vendi ku ishte ftuar Musai a.s. Qyteti i sigurtë është Meka. Disa kanë thënë: Fiku është aluzion në kodrën Tin pranë Damaskut. Disa kanë thënë: Ky është aluzion në drurin e fikut nga i cili Ademi dhe Hava kanë marrë gjethet për të mbuluar vendet e turpshme në Xhennet. Disa tjerë kanë thënë: Vendi i prejardhjes së fikut ku u ndal anija e Nuhut a.s. Për ullirin disa kanë thënë se është aluzion në kodrën Zejt në Kuds. Disa tjerë kanë thënë se është aluzion në Bejtul-Makdis.
Fiku përmendet një herë vetëm këtu, ndërsa ulliri në shtatë vende. Padyshim, përmendja e fikut dhe ullirit është aluzion në vendet e lidhura për fe dhe besim.
Pastaj kaptina vazhdon:
“Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur.”
Allahu i madhërishëm çdo send e ka krijuar në formën më të bukur, e njeriun në veçanti në pikëpamje të konstruksionit dhe formës më të bukur, baraspeshës dhe harmonisë së përkryer, çka tregon për kujdesin e potencuar të Allahut xh.sh. ndaj njeriut.
Pra, kjo bukuri e formësimit të njeriut është jo vetëm në konstruksionin e tij trupor, në skajshmëri preciz dhe i komplikuar, por edhe në strukturën e tij unikale mendore, si dhe mahnitëse në sferën shpirtërore.
Këtu bëhet fjalë për karakteristikat e tij shpirtërore. Këto janë ato që e rrokullisin në ulësitë më të ulëta, atëherë kur ai largohet nga natyra burimore dhe shmanget nga imani.
Në këto cilësi shpirtërore zbulohet superioriteti i konstruksionit shpirtëror. Ai ka aftësi të arrijë lartësitë që i tejkalojnë pozitat e melekëve të zgjedhur. Siç dëshmon rasti i Miraxhit kur Xhibrili a.s. u ndal në pozitën e caktuar, ndërsa Muhammed ibn Abdullah, s.a.v.s., njeri, u ngrit në pozitë më të lartë.
Në anën tjetër, ky njeri bie në greminë në të cilën nuk bie asnjë krijesë tjetër: “Pastaj e zbritëm atë në më të ultin e të ultëve.”
Atëherë kafshët janë në poztë më të lartë se ai, ngase vazhdojnë në natyrën e tyre, të inspiruara nga Zoti i tyre dhe e kryejnë funksionin e tyre në harmoni me Udhëzimin. Ndërsa njeriu i krijuar në imazhin më të bukur, mohon Zotin e vet dhe bie aq ulët saqë kafsha nuk rrëshqet kështu.
Vërtet, Ne e krijuam njerin në formën më të bukur - sipas natyrës dhe predispozicionin. Pastaj do ta kthejmë në imazhin më të shëmtuar, atëherë kur dezorientohet nga natyra e tij që e ka udhëzuar Allahu dhe shpjeguar këtë rrugë duke e lënë të zgjedhë.
Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira - ata mbesin në natyrën e drejtë, duke plotësuar besimin e tyre me veprat e mira, duke u ngritur kështu deri në përsosmërinë e paraparë, derisa nuk arrijnë nga jeta e përsosur në Shtëpinë e përsosur.
Ata kanë shpërblim të pandërprerë - i vazhdueshëm, i pandërprerë, i përherë. Ndërsa ata që me natyrën e tyre rrëshqasin në greminë në fund të saj në Xhehennem, humbasin njerëzoren dhe bien në ultësinë e ultësive.
Pra, këto janë dy natyra të njeriut. Ose vazhdimësia në natyrën e drejtë, reale, të mbushur me besim dhe ngritje me vepra të mira dhe kjo natyrë arrin në fund deri te përsosmëria në jetën e përhershme të Xhennetit. Ose largim nga natyra e drejtë dhe ndërprerje e lidhjes me Allahun dhe në këtë rast arrin në jetën e xhehennemit.
Kështu në këtë sure qartë tregohet vlera e imanit në jetën e njeriut. Imani është ngritës me të cilin natyra e drejtë e njeriut arrin deri te kulminacioni i përsosmërisë së vet.
Imani është litar i cili lidh njeriun me Krijuesin. Imani është dritë i cili zbulon pozitën e hapave të tij drejtë jetës së përhershme dhe njerëzve të zgjedhur.
E kur ndërpritet ky litar dhe shuhet kjo dritë, pasojë e domosdoshme është rrëshqitja në greminat e errësirës dhe humbjes së epitetit njeri.
Nën hijen e kësaj të vërtete, Kurani e thërret njeriun:
“E pas gjithë kësaj, ç'të shtyri të përgënjeshtrosh ditën e shpërblimit (përgjegjësisë)?”
Çfarë të shtyri të mohosh fenë pas kësaj të vërtete?
Çfarë të shtyri të mohosh vlerat e besimit në jetën e njerëzimit?
Përse nuk kërkojnë dritën e Udhëzimit?
Përse nuk kapen fuqishëm për litarin e Allahut?
“A nuk është All-llahu më i urti i gjykuesve?”
A thua Allahu nuk është më i drejti gjykues?
A thua urtësia e Allahut nuk është e mbushur me gjykim ndaj besimtarëve dhe jobesimtarëve?
Drejtësia është e qartë. Urtësia e dukshme.
Ebu Hurejre r.a. e transmeton hadithin në të cilin Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur dikush e lexon suren Et-Tinë dhe vie në fund, le të thotë: - Gjithsesi, edhe unë jam prej atyre që dëshmojnë.”
Sejjid Kutb - Nën hijen e Kuranit
Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi