Sot, me 20 gusht ose më saktë në xhumanë e dytë madhështore të Muajit të Shenjtë Ramazan, u varros fryma e fundit e ulemave me peshë, për këtë rrethine dhe për mbarë trojet shqiptare.
Kahdo që të shkoje në Luginë tingëllonin fjalët e popullit : “Mulla Fejza e ka lejuar, ose Mulla Fejza e ka ndaluar!” Kur thuhej kështu dihej se më ajo gjë ishte e rregulluar m’u ashtu siç e kërkonte Allahu, dihej se kjo fetva (konkluzë) kishte marrë përfundimin ashtu sikur që e kërkojnë dispozitat (hukmet) e Allahut të Plotfuqishëm.
Kahdo që të kaloje nëpër Luginë, nuk do të shpëtoje pa e vërejtur një plak të kërrusur, jo të kërrusur nga hallet e jetës, por nga dituria e shumëfishuar mbi supet e tija. E veneroje tek ecte rrugës, me hapa të shpejtë, me shallin e hoxhës mbi kokë, e dije se me të vërtetë ky është Mulla Fejza i shquar i kësaj ane.
Mulla Fejza u lind më 1920 në fshatin Geraj, në një familje me tradita dhe kulturë fetare. Prindërit e tij ushqenin dashuri të madhe ndaj fesë, andaj edhe kjo dëshirë e tyre bëri që birin e tyre ta orientojnë për studimin e Shkencave Fetare- Islame. Vlen të potencohet se Mulla Fejza këtë përkrahje e kishe edhe nga Mulla Ejup efendi Mustafa, Myftiu me renome të madhe në këto troje. Myftiu që për njëzet vite me radhë kishte përfunduar studimet në Stambollin e famshëm të Perandorisë Osmane të asaj kohe. Andaj tradita nuk humbet ajo trashëgohet vazhdimisht.
Mulla Fejza ixhazetin e mori në Medresenë e Myderrizit të shquar te kësaj ane Hafëz Nexhati efendi Ahmedit, ku e përfundoi në vitin 1952. Rahmetliu, Hafëz Zihni Ahmedi, babai im, mbaj mend kur tregonte se Mulla Fejza nuk shquhej vetëm për dituri, ai gjithashtu shquhej edhe për elan të fortë, vullnet të mirëfilltë, ku çdo ditë ngrihej herët në mëngjes e falte sabahun dhe fillonte të punonte punët e fushës. Pas përfundimit të tyre fillonte udhëtimin në këmbë nga fshati Geraj për në Preshevë, në mënyrë që të merrte shkencë dhe dituri tek alimi dhe myderrizi i mirënjohur Hafëz Nexhatiu. Pas përfundimit të mësimit sërish kthehej në këmbë për në fshat. Ky fshat nuk është shume afër me Preshevën ai është thuaja 12 km larg, por dëshira e madhe për përvetësimin e diturisë e bënte të veten, nuk ngopej hoxha me dituri, madje këtë traditë e vazhdoi gjer në vdekje deri në ditën e sotme kur vdiq në natën e Shenjtë të Xhumasë, në natën e pranimit të lutjeve, në xhumanë e dytë të Muajit Madhështor të Ramazanit. Vdiq duke lexuar Kur`an, sepse këtë ibadet e kryente çdo ditë, pas namazit të sabahut nuk shtrihej të pushonte, por vazhdonte e qetësohej në bisedë me Allahun Fuqiplotë, lexonte dhe studionte ajetet e Kur`anit të Madhëruar. Gjersa po jetonte çastet e fundit të jetës së tij, ishte duke lexuar Kur`an, për një moment e thirri të birin Haxhi Vahidin, i thotë, biri im diçka më sillet ky ajet nëpër kokë, ka dy herë që e lexoj, si duket më erdhi fundi dhe pas pak çasteve vdes. Vdiq pa mos lënguar fare, bile edhe duke u kujdesur për të tjerët deri në momentin e fundit. Sa vdekje e shenjtë, sa vdekje prekëse, sa vdekje e rehatshme. O Allah, renqethem gjersa po shkruaj, sepse më kujton vdekjen e dijetarëve.
Me vite të tëra organizoi shkuarjen në Haxh, gati njëzet vite me radhë u mundësoi haxhinjeve që të udhëtojnë për në Haxh. Gjatë këtij udhëtimi, ai nuk lodhej, gjatë tërë rrugës vazhdonte t`ju shpjegonte atyre rregullat fetare. Ata që udhëtonin me të do të dëshironin që sërish të udhëtonin, sepse për secilin send u shpjegonte në detaje.
Pas vetes la edhe një numër te madh talebesh duke filluar nga djali i tij Mulla Vahid Salihu, Mulla Shenasi Fejzullahu, Mulla Xhemali i Rainces, Mulla Qemal Hebibi, Mulla Nijaziu i Bilacit, etj. Në fund edhe e përgatiti për hifz Hafez Llukman Ibrahimin i cili e përfundoi hifzin (mësimin përmendësh të Kur`anit) në vitin 2001.
Gjatë gjithë kohës së tij ai merrej me studime, ishte nga ata dijetarë që e pasonte fjalën e Pejgamberit a.s.: “Kërkoni diturinë nga djepi e deri në varr.” Ishte njohës i shkëlqyeshëm i Fikhut (Jurisprudencës Islame), madje nga njohësit e thellë i cili mund të garonte me dijetarët me renome botërore. Poashtu ishte njohës i shkëlqyeshëm i gramatikës së Gjuhës Arabe, sintaksës dhe morfologjisë (nahv dhe sarf), tefsirit (shkencave të Kur`anit), hadithit (fjalës, veprave dhe punëve të Pejgamberit a.s.), faraizit dhe mirasit (shkencës së ndarjes së trashëgimisë), Usuli Fikhut (Hyrje në Shkencat e Jurisprudencës Islame), Akaidit (apologjetikës Islame), Ahlakut (Moralit Islam), Texhvidit (Rregullat për leximin e Kur`anit), Historisë Islame, Historisë së Pejgamberit a.s., e Historisë Osmane, Gjuhës Osmane, Gjuhës Perse, ngjarjeve dhe tregimeve të shumta Islame që i tregonte me shumë vullnet pa përtese dhe me dashuri. Ai kurrë nuk ndalej së predikuari dinin e Allahut, ia donte zemra, nuk lodhej, posa ulej vetëm fillonte të ligjëronte, me plot të drejte them se e kaloi jetën duke e shpërndarë fjalën dhe frytin e besimit. Sa kuriozitet, sa mallëngjim, sa bukuri, i lumi ai për veten dhe shpirtin e tij.
Familjaret e tij e kujtojnë me mall, ata ia kujtojnë sjelljet e tij të mira, sepse nuk e mundonte kurrë askënd, as një gotë ujë nuk e kërkoi nga askush. 91 vjet jetoi pa mos e munduar dhe penguar askënd. Qajtën të gjithë në këtë ditë sepse me mall përkujtuan gjestet e tij të mira.
Mbaj mend kur shkoja tek dajët unë e thërrisja : “Daja Hoxhë”, ndërsa fshati në përgjithësi e thërrisnin: “Baba Hoxhë”, këtu kishin për synim se ky hoxhë ishte baba i Islamit, baba i dinit të Allahut Fuqiplotë.
Ishte dijetar, por edhe punëtor i papërtueshëm. Një herë gjersa erdhën të rrinin tek ne i shërbyem me molla, babai im (Hafez Zihniu) rahmet pastë i ulej afër e dëgjonte e pyeste, i vlerësonte mendimet e tija. Për një moment e pash se e kapi mollën në pjatën e babit tim dhe filloi t`ia qëronte mollën dhe t`ia ndante në dilima. Babai im rahmetliu ishte fëmijë i rritur me naze, Mulla Fejza qëronte molle ndërsa babai hante. Unë isha e re, u habita, më erdhi disi e çuditshme, mendova mos po mundohet Mulla Fejza. Iu drejtova : “Daja Hoxhë, mos u mundo i qërojmë ne, vazhdo ti e ha pa u munduar !”.
“Jo !”, më tha babai, “Dëshiroj të ha nga dora e dijetarit (alimit)”. Qesha unë, por edhe të gjithë të tjerët. Na erdhi mirë shumë ky gjest i babait.
E çmonte shumë vizitën (ziaretin), para namazit të xhumasë çdo herë vinte të vizitonte babanë. E dinim ishte koha kur vinte ai, por në këtë kohë na e rifreskonte mendjen me tregimin e ndonjë ngjarjeje islame, me shpjegimin e ndonjë ajeti (verseti Kur`anor) apo hadithi (fjale të Pejgamberit a.s.), ose shtjellimin e ndonjë hukmi sher`ijje (dispozitë të Sheriatit).
Shquhej për sabrin e madh që kishte, para disa vitesh e përcolli për në Botën e Amshueshme (Ahiret), vajzën e tij të madhe Mukadesin. Nuk vëreheshin gjurmët e mërzisë tek ai, jo që nuk mërzitej, por nga bindja e madhe që kishte tek Allahu. Kur e pyesnin a u mërzite për vajzën, thoshte: “Po, por Allahu e din më së miri, Allahu e zgjodhi!”, vazhdonte jetën i qetë pa i shqetësuar të tjerët për brengën dhe mërzinë. Ishte tipik i besimtareve të sinqertë arabë dhe turq që sabrin kanë burim të veprave të tyre. Këta njerëz në rast mërzie nuk thonë: “Ç`na gjeti neve, nuk e gjeti kënd!”, por: “Inna lil-lahi ve inna ilejhi haxhiun”, “Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi“. Kjo bindje, kjo përqendrueshmëri, kjo mosluhatje dëshiron kohë, dëshiron imunitet të bazuar në fe dhe në dije. Andaj ishte nga ata dijetarë që Allahu në Kur`an thotë: “Vërtet Allahut i frikësohen robërit e Tij, dijetaret.”
Në çdo tubim (mexhlis) që behej në Luginë të Preshevës, nuk ishte e mundur që aty të mos ishte prezent Hoxha, alimi, myderrizi dhe imami i shquar Mulla Fejzullah efendi Salihu. Madje kur ai ndodhej prezent nuk e bënte askush pos tij lutjen përfundimtare (duanë përmbyllëse) të kelimes, mevludit, Hatmes.
Njëherë gjersa ishte për vizitë tek ne e tregoi një ngjarje që nuk e harrova më kurrë. Tregoi për Imam Birgiviun, komentuesin e mirënjohur të Kur`anit Famëlartë. Imam Birgiviu shquhej edhe se ishte njeri i zgjedhur, evlija. Filloi tregimin: “Imam Birgiviu hyri në një dhomë ku falej njëri prej njerëzve. Kur hyri e përshëndeti me selam. Pasi që dha selam personi që falej, e kritikoi Imamin duke i thënë: “Si më jep ti mua selam, kur po e shihje se unë po falesha ?!“ Më fal i tha Imami ti nuk faleshe. por po mendoje këtë dhe këtë çështje të dynjasë“. Njeriu nuk pati se ç’ti thotë, heshti meqë ishte e vërtetë ajo që i tha Imam Birgiviu.“
Tregonte shumë, sa herë që vinte tregonte ngjarje të reja, tregonte diçka që nuk e kisha dëgjuar, më vinte interesat.
Kjo ditë më kujton edhe vdekjen e babai tim, sepse edhe ai u varros në të njëjtën ditë, në xhumanë e dyte të Muajit Ramazan. E deshën shumë njeri- tjetrin, vdiqën në ditë të mira dhe të shpërblyera tek Allahu.
Sa i lumtur është sot Mulla Fejza. Dihet se Allahu i ka sihariqëzuar këta njerëz me fjalët e Tija duke u thënë: “O shpirt i qetësuar. Kthehu tek Krijuesi Yt, i kënaqur me ty dhe ti i kënaqur me Atë. Hyr ne radhën e robërve të zgjedhur (të mirë), hyr në Xhennetin Tim.” Allahu na e mundësoftë takimin me të në Xhennet, inshaallah. Namazi i xhenazes së tij u fal sot në namazin xhumasë në fshatin e lindjes së tij në Geraj.
Dr. Hatixhe Ahmedi