Një ditë, mësuesi dhe nxënësi i tij gjendeshin në pyll. Teksa bridhnin të mrekulluar nga bukuritë e pyllit, nxënësi ndjeu një shqetësim që i përsëritej shpesh dhe që kishte të bënte me faktin se mendja e tij ishte goxha e trazuar, plot zhurma e mendime kaotike.
Duke shfrytëzuar praninë vetëm me mësuesin e vet, nxënësi e pyeti:”Mësues! Përse shumica e njerezve kanë mendje që u gumëzhijnë nga mendimet, të zhurmshme dhe që nuk u gjejnë prehje? Përse vetëm pak njerëz kanë mendje të qetë? Çfarë mund të bëjë dikush që ta qetësojë mendjen e tij?”
Mësuesi i hodhi një shikim nxënësit të tij të devotshëm, i buzëqeshi dhe i tha: ”Do të tregoj një histori. Një elefant po qëndronte pranë një peme duke ngrënë nga gjethet e saj. Vjen një mizë dhe i afrohet tek veshi duke i zukatur pa pushim. Elefanti, me një përplasje veshësh e largoi, por miza iu qas sërish dhe përsëri elefanti e largoi me veshët e tij të mëdhenj.
Duke parë se miza nuk po i hiqej qafe dhe nuk po e linte rehat, elefanti ndërhyri dhe i tha: ”Përse nuk rri rehat dhe je kaq e zhurmshme?”
Miza iu përgjigj menjëherë: ”Më tërheq gjithçka që më shohin sytë, që më dëgjojnë veshët dhe që nuhat hunda. Pesë shqisat e mia dhe gjithçka që ndodh përreth më shtyjnë në të katër drejtimet dhe unë nuk u rezistoj dot. Cili është sekreti jot? Si mund të qëndrosh kaq i qetë dhe i paqtë?”
Elefanti i la gjethet e shijshme të pemës dhe i tha: ”Dëgjo moj mizë! Nuk janë pesë shqisat e mia ato që e komandojnë vëmendjen time. Unë e kam në kontroll të plotë vëmendjen dhe e drejtoj andej nga dua unë. Kjo më ndihmon që të jem i përqendruar totalisht në atë që veproj dhe ta mbaj mendjen të fokusuar dhe të qetë. Tani që po ushqehem për shembull, jam totalisht i zhytur në këtë proces. Kështu, unë e shijoj në maksimum ushqimin dhe e bluaj atë më mirë. Unë e kontrolloj vëmendjen dhe jo e kundërta, gjë e cila më ndihmon të ruaj qetësinë dhe paqen me veten.”
Kur dëgjoi këto fjalë, nxënësi hapi sytë i mrekulluar nga ajo që iu tha dhe një buzëqeshje iu shfaq në fytyrë. Ai vështroi mësuesin në sy dhe i tha: ”E kuptoj! Mendja ime nuk do të reshtë dhe të gumëzhijë nga zhurmat e zërat, nëse pesë shqisat e mia dhe gjithçka tjetër që ndodh në botën rreth meje vazhdojnë ta kontrollojnë atë (mendjen). Nga ana tjetër, nëse unë i marr nën kontroll të pesë shqisat, i aftë për të shpërfillur ngacmuesit e jashtëm, mendja ime do të jetë e qetë dhe në harmoni.”
“Po, e vërtetë” iu përgjigj aty për aty mësuesi “Mendja zhurmon dhe shoqëron vëmendjen kudo që shkon. Po të kontrollosh vëmendjen ke kontrolluar mendjen!”
Elmaz Fida