Fushata e nismuar nga OKB në Republikën e Maqedonisë së Veriut “Fuqishëm kundër thashethemeve” është nxitur nga nevoja për t’i dhënë fund stigmatizimit të grave në shoqëri bazuar në histori dhe paragjykime përplot informacione të paverifikuara, dyshime dhe gënjeshtra.
Fushata ka të bëjë me një seri mesazhesh motivuese, nën hashtagun #SecilaËsht?EVlefshme, si dhe promovim histori suksesi të personaliteteve që dëgjohen zëshëm në shoqëri. Për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, fushata gjithashtu përfshin vizita të drejtpërdrejta në rajone në mbarë vendin duke organizuar aktivitete dhe debate publike për këtë çështje, me qëllim depërtimi deri tek palët e prekura, si dhe të edukojë pjesëmarrësit e drejtpërdrejt në këtë dukuri negative në shoqëri.
Prioriteti kryesor i fushatës “Fuqishëm kundër thashethemeve” është të nxisë ndryshime pozitive me qëllim promovimin të të drejtave të barabarta dhe përmirësimin e statusit të grave në shoqëri. Kjo, përmes angazhimit kundër diskriminimit në bazë të gjinisë, si dhe kundër përhapjes së thashethemeve lidhur me grupe të ndryshme të grave: gra rome, gra me aftësi të kufizuara, gra që vijnë nga zonat rurale si dhe gra të reja, të cilat thashetheme ekzistojnë si rezultat i stereotipeve gjinore të rrënjosura ndër vite si dhe paragjykimeve gjinore në shoqërinë tonë.
Fushata ka prioritet gjithashtu që njëkohësisht të eliminojmë gjuhën e urrejtjes.
Disa ndër këto histori suksesi janë edhe dy shqiptare që kanë një profesion të përbashkët por hobi dhe ëndrra të ndryshmë. Njihuni me këto dy personazhe motivuese me një prezantim të shkurtër mbi vetet e tyre:
Lindita Bilal-Abdullahu
[IMG]http://www.islamgjakova.net/uploads/lindita_1598011307.jpg[/IMG]
“Emri im është Lindita Bilal-Abdullahu, përkthyese dhe zhytëse profesionale. Dita ime zakonisht fillon me zgjimin dhe organizimin e fëmijëve për në shkollë. Pastaj ulem të pij kafe dhe filloj me angazhimet e punës. Vendi im i punës është gjithmonë në mjedis të ndryshëm. Si përkthyese, unë jam pjesë e ngjarjeve, punëtorive apo diskutimeve të fundit mbi temat në lidhje me sfidat më të reja në shoqëri, vend, etj. Pjesa tjetër e tregimit tim ka të bëjë me sportin. Kam dëgjuar thashetheme se vendi i një gruaje nuk është në sport, konkretisht në rastin tim, në zhytje. Kur kalova provimet e zhytjes, isha e vetmja grua në grup. Paragjykimet të tilla i tejkalova me shumë durim dhe punë. Mendoj se gruaja e ndjen më shumë barrën e dëshmimit të vlerës së saj, ndërsa burri mund të mos mendojë fare në atë drejtim. Prandaj mendoj se gratë janë edhe më të vlefshme dhe më të përgjegjshme kur punojnë, pikërisht për faktin se do t’u drejtohet gishti nëse nuk janë të suksesshëm në atë që bëjnë. Sipas mendimit tim, kjo është një nxitje që do t’u japë atyre energji shtesë për të arritur sukses, për të duruar ose luftuar për atë që duan të bëjnë. Ekziston një kënaqësi kur vërteton që disa kanë gabuar në lidhje me ty dhe mandej si rezultat i kësaj, e vëren ndryshimin te ata. Ne mund ta arrijmë atë. Këtë ua them edhe vajzave të mia, gjithçka mund të arrihet, nëse punojnë me ndershmëri, me dashuri dhe mund, sepse #SecilaËsht?EVlefshme”
Luljeta Ademi
[IMG]http://www.islamgjakova.net/uploads/luljeta_1598011345.jpg[/IMG]
“Unë jam Luljeta Ademi, me profesion jam përkthyese dhe interpretuese. Për shkak të pandemisë, tani më disa muaj vendi im i punës është tavolina ime e punës në shtëpi, kështu që kur mund t’ia lejoj vetes, punoj edhe në ndonjë kafene me një atmosferë produktive për punë. Aktivitetet e mia të preferuara pas një ditë pune të vështirë janë ngjitja në mal dhe noti. Ngjitja e majave malore ishte një lloj rezistence ndaj paragjykimeve të shoqërisë dhe këshillave “Mos!”, “Nuk mundesh!”, “Mos ec në këmbë!”, me të cilat gratë me aftësi të kufizuar shpesh përballen në jetë. Alpinizmi për mua ishte një ëndërr pothuajse e paarritshme deri në çastin kur thashë “Unë mund ta bëj këtë”. Për të ngjitur një majë mali nuk të nevojiten këmbë të përsosura, fuqia është në shpirt dhe këmbëngulje, kështu që ai shpirt i pamposhtur më çoi edhe në majën e Trigllavit, 2.864 metra të lartë, me ndihmën e jashtëzakonshme të guidës Mishko Taneski. Kështu u bëra gruaja e parë me aftësi të kufizuar fizike që arriti ta bëjë këtë arritje historike. Në nivel profesional, nga përvojat e mëparshme, natyrisht, ka pasur paragjykime dhe thashetheme të ndryshme për faktin që jam grua, edhe atë me pengesa. Nuk ishte aspak e lehtë të kalohet nëpër atë proces. Fatmirësisht në institucionin ku tani punoj, nuk kam dëgjuar thashetheme se një pozicion i caktuar nuk është i përshtatshëm për një grua. Për herë të parë në institucionin President, kemi grua Agjutante të Komandantit Suprem të forcave të armatosura në Shtabin e përgjithshëm të Armatës. Të jesh grua është një sfidë e madhe dhe e bukur, të jesh grua me nevoja të veçanta do të thotë rrezik i diskriminimit të shumëfishtë. Por kurrë, kurrë mos hiqni dorë dhe realizoni ëndrrën tuaj sepse #SecilaËshtëEVlefshme!”
Nada Dosti