Cilësitë e robërve të sinqertë të Allahut

Sedat ef.Islami

IV- Frika nga zjarri i Xhehennemit

Rezymeja e hutbes: 1. Nuk mashtrohen me atë që kanë bërë; 2. Përse frika nga zjarri i Xhehennemit; 3. Të parët dhe frika e tyre nga zjarri i Xhehennemit; 4. Ndërmjet frikës dhe shpresës.

***

Besimtarë të nderuar!
Robërit e sinqertë të Allahut, ani pse përvetësuan një thesar të tërë virtytesh, ani pse në llogaritë e tyre deponuan aq shumë të mira: ishin modest, të vetëpërmbajtur, falnin madje edhe namaz nate, ata as edhe për një çast të vetëm nuk ia lejuan vetes të bien në grackën e asketëve injorantë. Përkundrazi, ata vërtetuan se krahas devotshmërisë, kanë thithur edhe nektar diturie, dhe në kohën kur shohim të tjerët tek mbështetën ne adhurimin e tyre dhe pretendojnë një lloj sigurie dhe komoditeti nga Xhehennemi, këta ndiejnë një frikë për çka i drejtohen Allahut me lutje:
“وَالَّذِينَ يَقُولُونَ رَبَّنَا اصْرِفْ عَنَّا عَذَابَ جَهَنَّمَ إِنَّ عَذَابَهَا كَانَ غَرَامًا (65) إِنَّهَا سَاءَتْ مُسْتَقَرًّا وَمُقَامًا
Edhe ata që thonë: "Zoti ynë, largoje prej nesh vuajtjen e xhehennemit, e s'ka dyshim se vuajtja në të është gjëja më e rëndë". 66. Ai, vërtet është vendqëndrim dhe vendbanim i keq.” el-Furkan, 65-66.

Vëllezër të dashur!
Nuk mashtrohen me atë që kanë bërë
Kështu është puna e besimtarit të sinqertë. Sado që të jetë i devotshëm, sado që të jetë në shërbim të fesë dhe fjalës së Allahut, ai asnjëherë nuk pretendon pavarësi prej Tij. Madje jo vetëm kaq, por edhe e di se një gjë e tillë është mëkat, që sipas terminologjisë profetike, mban rrezikun e shkatërrimit. Thotë Pejgamberi, alejhi’s selam:
“ثلاث مهلكات و ثلاث منجيات و ثلاث كفارات و ثلاث درجات ; فأما المهلكات : فشح مطاع و هوى متبع و إعجاب المرء بنفسه و أما المنجيات : فالعدل في الغضب و الرضا و القصد في الفقر و الغنى و خشية الله تعالى في السر و العلانية ; و أما الكفارات : فانتظار الصلاة بعد الصلاة و إسباغ الوضوء في السبرات و نقل الأقدام إلى الجماعات ; و أما الدرجات : فإطعام الطعام و إفشاء السلام و الصلاة بالليل و الناس نيام
Tri gjëra janë shkatërruese, tri të tjera janë shpëtuese, tri janë shpaguese - fshirëse dhe tri janë gradime:
- Tri shkatërrueset janë: koprracia e respektuar, epshi i pasuar dhe mashtrimi i njeriut me vetveten (me veprat e tij);
- Tri shpëtueset janë: drejtësia kur të jesh i hidhëruar, pajtimi dhe mesatarja në varfëri dhe pasuri, dhe frika prej Allahut në vetmi e shoqëri;
- Kurse tri shpagueset janë: pritja e namazit pas namazit, marrja e abdesit me përpikëri në ftohtë të madh, dhe eja për në xhemate (namaz me xhemat);
- Ndërsa tri gradimet janë: dhënia ushqim, përhapja e selamit dhe falja e namazit natën kur njerëzit flenë”[1].
Nëse shpëtimi nga Xhehennemi si produkt i veprës nuk i qe garantuar as Muhammedit, alejhi’s selam, krijesës më të devotshme, atëherë ku mbetet vend për të tjerët të shpresojnë apo mbështeten në veprat e tyre. A nuk ka thënë Muhammedi, alejhi’s selam:
“مَا مِنْ أَحَدٍ يُدْخِلُهُ عَمَلُهُ الْجَنَّةَ فَقِيلَ وَلَا أَنْتَ يَا رَسُولَ اللَّهِ قَالَ وَلَا أَنَا إِلَّا أَنْ يَتَغَمَّدَنِي رَبِّي بِرَحْمَةٍ
Askënd vepra e tij nuk mund ta fus në Xhennet! A as ty o i dërguari i Allahut?!- e pyetën me habi. As mua, përveç nëse Allahu me mbulon me mëshirë- u përgjigj ai”[2].
Nëse do ta kuptosh këtë figurativisht, atëherë shfleto pakëz me mua historinë e dy legjendave te gjalla, njihu me qëndrimet e dy prej njerëzve më të mirë, Omerit dhe Othmanit, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Omeri thoshte:
“لو نادى منادٍ من السماء : أيها الناس ، إنكم داخلون الجنة كلكم إلا رجلاً واحداً لخفت أن أكون أنا هو
Sikur të thërriste prej qiellit një thirrës: O ju njerëz! Që të gjithë do të hyni në Xhennet me përjashtim të një njeriu, do të kisha frikë se mos unë jam ai”.
Po Othmani, dhëndri i Pejgamberit, alejhi’s selam, si mendoni se ishte gjendja e tij? A mendoni se do ta arsyetonte veten se krahas shoqërisë së Muhammedit, alejhi’s selam ai është edhe dy herë dhëndër i tij? Jo, për Zotin, ai me gjithë këto, prapë kishte frikë të madhe, saqë pati thënë një fjalë, që për ata që nuk janë si Othmani, duhet të jetë mësim i madh. Ai pati thënë:
“لو أني بين الجنة والنار ، ولا أدري إلى أيتهما يُؤمر بي ؛ لاخترت أن أكون رماداً قبل أن أعلم إلى أيتهما أصير
Sikur unë të isha ndërmjet Xhennetit dhe Xhehennemit, e pastaj të mos e dija se për ku do të urdhërohem, do të preferoja të bëhem hi para se ta di se për ku do të urdhërohem”.
Nga këtu nuk është çudi kur te shohësh ndjerin nga selefi - gjeneratat e para – tek dëshmojnë se:
“لئن أبيت نائما وأصبح نادما أحب إلي من أن أبيت قائما وأصبح معجبا
Po të buja fjetur dhe të ngrihesha me keqardhje do të më ishte më e dashur se sa të buaj duke u falur e të gdhijë i mashtruar me atë që kam bërë (të ndiej sikur kam bërë shumë punë të madhe).”
Kjo për faktin se, siç është sqaruar nga Imam Gazaliu[3], vetëmashtrimi - të mendosh se ke bërë mirë shumë-, njeriun e bën t’i anashkaloj dhe harrojë mëkatet, e kështu bie thellë në humnerën e mëkateve.

Vëllezër besimtarë!
Përse frika nga zjarri i Xhehennemit?
Çfarë e bënë atë aq të rrezikshëm saqë besimtari të ketë frikë të madhe prej tij?
Pse si tipar shquhen me të robërit e sinqertë të Allahut?
Përgjigjen e këtyre dhe pyetjeve të ngjashme do e gjejmë -inshaAllah – në vijim.
- Ngase është adhurimi më i mirë. Vehb b. Munebbihi pati thënë: “Allahu nuk është adhuruar me diç të ngjashme sikur frika.” E për ta kuptuar sekretin e kësaj forme adhurimi, i kthehemi fjalës së Sulejman ed Daranit, i cili shpjegon se ”Bazë e çdo të mire në dynja dhe ahiret është frika ngase një zemër që nuk është e mbushur me frikë prej Allahut, ajo është gërmadhë.”
- Ngase, për rrezikun që paraqet, edhe Pejgamberi, alejhi’s selam lutej në çdo namaz për tu mbrojtur prej tij. Nëse kihet parasysh se kush është Muhammedi, alejhi’s selam dhe cila ishte pozita e tij tek Allahu, atëherë sqarimet duhet të mjaftojnë me kaq. Imam Muslimi transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“إِذَا فَرَغَ أَحَدُكُمْ مِنْ التَّشَهُّدِ الْآخِرِ فَلْيَتَعَوَّذْ بِاللَّهِ مِنْ أَرْبَعٍ مِنْ عَذَابِ جَهَنَّمَ وَمِنْ عَذَابِ الْقَبْرِ وَمِنْ فِتْنَةِ الْمَحْيَا وَالْمَمَاتِ وَمِنْ شَرِّ الْمَسِيحِ الدَّجَّالِ
Kur ta kryejë dikush prej jush teshehuudin e fundit, le të kërkojë mbrojtje tek Allahu prej katër gjërave: prej ndëshkimit të Xhehennemit, prej ndëshkimit të varrit, prej sprovës së të gjallëve dhe të vdekurve dhe prej sherrit të Mesihut Dexh-xhall”.
- Ngase takimi me Xhehennemin, çfarëdo që të jesh, i mirë apo i keq, i sinqertë a mëkatarë, është i pashmangshëm. Allahu ka thënë:
“وَإِنْ مِنْكُمْ إِلَّا وَارِدُهَا كَانَ عَلَى رَبِّكَ حَتْمًا مَقْضِيًّا (71) ثُمَّ نُنَجِّي الَّذِينَ اتَّقَوْا وَنَذَرُ الظَّالِمِينَ فِيهَا جِثِيًّا
Dhe nuk ka asnjë prej jush që nuk do t'i afrohet atij. Ky (kontaktim i xhehennemit) është vendim i kryer i Zotit tënd. 72. Pastaj, (pas kalimit pranë tij) do t'i shpëtojmë ata që ishin ruajtur (mëkateve), e zullumqarët do t'i lëmë aty të gjunjëzuar.” Merjem, 71-72.
Dijetarët kanë polemizuar se ç’kuptim ka afrimi Xhehennemit. Disa thanë se bëhet fjalë për kalim pranë tij e të tjerë thanë se hyrja në të është për qëllim[4]. Sido që të jetë, neve për kuptimin e tyre do t’i ktheheshim njërit që këto ajete ia kishin humbur gjumin për kohë të gjatë. Ibni Ebi Mejsere kur shkonte të flinte qante shumë dhe thoshte: Ah sikur nëna të mos më lindte fare! Kurse e ëma e cila e dëgjoi tek qante dhe tha këtë fjalë iu drejtua: Po përse kështu o biri im? A nuk të ka bërë mirë Allahu?! A nuk të ka udhëzuar në Islam?! Po, nënë e dashur, por Allahu na ka treguar se ne doemos do të ndalemi tek zjarri e pastaj nuk na ka treguar se a do të dalim prej tij apo jo- ia ktheu ai.
Ne fakt, Allahu ka përmendur se ata që ia kanë patur frikën Atij do të shpëtojnë prej Xhehennemit, por ah sikur ta dinim se a jemi prej tyre apo jo!
- Ngase zjarri i Xhehennemit është diç që nuk zmbrapset dot nga asnjë forcë. Allahu ka thënë:
“إِنَّ عَذَابَ رَبِّكَ لَوَاقِعٌ (7) مَا لَهُ مِنْ دَافِعٍ
Është e vërtetë se dënimi i Zotit tënd patjetër do të ndodhë. 8. Atë nuk ka kush që mund ta largojë.” Tur, 7-8.
Një natë, gjersa kalonte Omeri pranë një xhamie, dëgjoi një njeri të devotshëm, i cili kishte zgjedhur xhaminë për namaz nate, e dëgjoi tek lexonte këto ajete. Për një çast u ndal. Mendoi e mendoi e pastaj tha: ” Pasha Allahun, Zotin e Qabes, ky është një betim i vërtetë! Omeri u sëmur nga ky kërcënim hyjnor dhe për një muaj mbeti në shtrat pa lëvizur fare. Njerëzit e vizitonin por nuk e dinin se prej çfarë ankonte. E sigurisht se këtu ishte edhe mbështetja e Ibrahim b. Ed’hemit, i cili kur qe pyetur nga një njëri për pamundësi largimi nga mëkatet, ndër tjera, i pati thënë: Kur të vijnë engjëjt e Xhehennemit të të marrin mos shko me ta. E si të mos shkojë me ta kur nuk më pyesin, më marrin me forcë, desha apo nuk desha unë- pyeti me habi njeriu. Atëherë më thuaj si ke menduar për shpëtimin tënd- e pyeti po kështu habitshëm Ibrahimi[5].
- Ngase dënimi në të është i pafund. Kjo sigurisht se për pabesimtarët dhe hipokritët porse një gjë e tillë vlen mësim edhe për besimtarin. Se për çfarë në të vërtetë bëhet fjalë do të mësojmë nga këto ajete kur’anore:
“إِنَّ الْمُجْرِمِينَ فِي عَذَابِ جَهَنَّمَ خَالِدُونَ (74) لَا يُفَتَّرُ عَنْهُمْ وَهُمْ فِيهِ مُبْلِسُونَ (75) وَمَا ظَلَمْنَاهُمْ وَلَكِنْ كَانُوا هُمُ الظَّالِمِينَ (76) وَنَادَوْا يَا مَالِكُ لِيَقْضِ عَلَيْنَا رَبُّكَ قَالَ إِنَّكُمْ مَاكِثُونَ (77) لَقَدْ جِئْنَاكُمْ بِالْحَقِّ وَلَكِنَّ أَكْثَرَكُمْ لِلْحَقِّ كَارِهُونَ
Ndërkaq, kriminelët janë në vuajtje të përjetshme të xhehennemit. 75. Atyre as nuk u lehtësohet (vuajtja) dhe aty janë të dëshpëruar. 76. Ne nuk u bëmë atyre padrejtësi, por ata vetë kanë qenë horra. 77. Dhe ata thërrasin: "O Malik, le të na e marrë shpirtin Zoti yt!". Ai thotë: "Ju do të jeni aty përgjithmonë!" 78. Ne u patëm sjellë të vërtetën, por shumica prej jush ishit urrejtës të së vërtetës.” ez Zuhruf, 74-78.
E shihni, ata kërkojnë edhe vdekjen, e duan atë më shumë se çdo gjë, duan t’i japin fund jetës, por jo, vdekje më nuk ka. Allahu thotë:
“يَتَجَرَّعُهُ وَلاَ يَكَادُ يُسِيغُهُ وَيَأْتِيهِ الْمَوْتُ مِن كُلِّ مَكَانٍ وَمَا هُوَ بِمَيِّتٍ وَمِن وَرَآئِهِ عَذَابٌ غَلِيظٌ
Përpiqet ta përbijë, po jo nuk mund ta gëlltisë atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët (sipas shenjave shkatërruese), po ai nuk vdes (e të shpëtojë prej vuajtjeve), atë e pret dënim shumë i rëndë.” Ibrahim, 17.
- Ngase vetëm atje është pikëllimi dhe mërzia. Nga këtu nuk është vështirë ta shohësh besimtarin tek pret me maturi çdo sprovë, per vet faktin se ajo çfarëdo që të jetë, në krahasim me zjarrin e Xhehennemit është zero. Mu për këtë, timonin e shpirtit ia lë në dorë vetë shpirtit e jo epsheve. Një poet pati recituar:
كل نعيم دون الجنة حقير وكل عذاب دون النار عافية
Çdo e mirë përveç Xhennetit është e pavlerë
Dhe çdo sprovë përveç Xhehennemit është shëndet
Pastaj jo vetëm kaq. Allahu na ka mësuar në Kur’anin Famëlartë se besimtarët doemos duhet të sprovohen, ndryshe nuk mund të hyjnë në Xhennet. Allahu thotë:
“وَقَالُوا الْحَمْدُ لِلَّهِ الَّذِي أَذْهَبَ عَنَّا الْحَزَنَ إِنَّ رَبَّنَا لَغَفُورٌ شَكُورٌ
E ata thonë: "Falënderuar qoftë All-llahu që largoi prej nesh brengat; vërtet, Zoti ynë është që falë shumë dhe është bamirës" Fatir, 34.
Ibrahim b. Tejmi ka thënë: “Ai që nuk është pikëlluar – mërzitur duhet të ketë frikë se mos është nga banorët e zjarrit” duke përmendur më pas ajetin që ne e cituam sipër.
Fakt tjetër që dëshmon për dëshpërim, pikëllim dhe mërzi, është edhe hadithi në vijim.
“يرسل البكاء على أهل النار فيبكون حتى تنقطع الدموع ثم يبكون الدم حتى يصير في وجوههم كهيئة الأخدود لو أرسلت فيه السفن لجرت
Iu lëshohet të qarit banorëve të Xhehennemit dhe qajnë derisa t’iu shteren lotët. Pastaj qajnë me gjak derisa ne fytyrë t’iu bëhen sikur hendeqe, që po të lëshoheshin edhe anijet në to do të lundronin.”[6]
Fakt tjetër që vërteton dëshpërimin është biseda me Allahun. Po, biseda me Allahun, e cila për besimtarin e sinqertë është kënaqësia më e madhe derisa për hipokritin dhe pabesimtarin është e kundërta. Pejgamberi, alejhi’s selam rrëfen:
“إِنَّ اللَّهَ يَقُولُ لِأَهْوَنِ أَهْلِ النَّارِ عَذَابًا لَوْ أَنَّ لَكَ مَا فِي الْأَرْضِ مِنْ شَيْءٍ كُنْتَ تَفْتَدِي بِهِ قَالَ نَعَمْ قَالَ فَقَدْ سَأَلْتُكَ مَا هُوَ أَهْوَنُ مِنْ هَذَا وَأَنْتَ فِي صُلْبِ آدَمَ أَنْ لَا تُشْرِكَ بِي فَأَبَيْتَ إِلَّا الشِّرْكَ
Allahu i drejtohet njeriut me dënimin më të lehtë në Xhehennem: Sikur të ishte e jotja çdo gjë që është në tokë, a do e jepje që të shpëtosh? Po- përgjigjet njeriu. Po Unë kam kërkuar më pak derisa ti ishe ende në kurrizin e Ademit; (kam kërkuar) që të mos më përshkruash shok në asgjë kurse ti refuzove veç ta bësh”. Buhariu dhe Muslimi.
- Ngase ka pamje trishtuese dhe një imazh, që po të arrihej pikturimi i tij, çdokush që do ta shihte do të binte në komë për të mos thënë se do vdiste fare.
- Ka thellësi shumë të madhe. Për atë që flet e nuk i kushton rëndësi asaj që flet, Pejgamberi, alejhi’s selam tha se futet thellë në zjarrë të Xhehennemit në distancë kohore të ecjes 70 vjet[7].
Madje ka edhe lugina të tilla. Allahu ata që nuk falin namazin i kërcënoi me këto lugina. Në kaptinën Merjem, ajeti 59 qëndron:
“فخَلَفَ مِنْ بَعْدِهِمْ خَلْفٌ أَضَاعُوا الصَّلَاةَ وَاتَّبَعُوا الشَّهَوَاتِ فَسَوْفَ يَلْقَوْنَ غَيًّا
E pas tyre (të mirëve) erdhën pasardhës të këqij, që e lanë namazin e u dhanë pas kënaqësive (trupore), e më vonë do të hidhen në çdo të keqe (ose në Gaja).”
Ibni Mesudi në koment të këtij ajeti ka thënë: Është një lugine në Xhehennem, e cila ka thellësi të madhe dhe shije jashtëzakonisht të hidhur.
- Nxehtësia e tij është e papërballueshme. Allahu ka thënë:
“قُلْ نَارُ جَهَنَّمَ أَشَدُّ حَرًّا لَوْ كَانُوا يَفْقَهُونَ
...Thuaju: "Zjarri i xhehennemit ka vapën edhe më të fortë, nëse janë që kuptojnë!”. Et Teube, 81.
Kurse Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
“نَارُكُمْ هَذِهِ الَّتِي يُوقِدُ ابْنُ آدَمَ جُزْءٌ مِنْ سَبْعِينَ جُزْءًا مِنْ حَرِّ جَهَنَّمَ قَالُوا وَاللَّهِ إِنْ كَانَتْ لَكَافِيَةً يَا رَسُولَ اللَّهِ قَالَ فَإِنَّهَا فُضِّلَتْ عَلَيْهَا بِتِسْعَةٍ وَسِتِّينَ جُزْءًا كُلُّهَا مِثْلُ حَرِّهَا
Zjarri juaj ky që e ndez njeriu është 1/70 pjesë e nxehtësisë së Xhehennemit. O i dërguari i Allahut! Edhe po të ishte siç ehte ky zjarri ynë do të ishte shume- i thanë. Po, por ai është 69 herë më i nxehtë: çdonjëra prej tyre është e nxehtë sa është zjarri juaj”. Buhariu dhe Muslimi.
- Banorët janë të prangosur. Gjendjen e tyre të mjeruar e përshkruan Allahu në këto ajete:
“إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلْكَافِرِينَ سَلَاسِلَ وَأَغْلَالًا وَسَعِيرًا
Ne për jobesimtarët kemi përgatitur zinxhirë, pranga e zjarr.” el Insan, 4.
“ثُمَّ فِي سِلْسِلَةٍ ذَرْعُهَا سَبْعُونَ ذِرَاعًا فَاسْلُكُوهُ
Mandej lidheni atë me një zinxhirë të gjatë shtatëdhjetë kutë.” el Hakkah, 32.
- Ushqimi i tyre është nga më të fëlliqtë të mundur. Në Kur’an janë dhënë detaje të këtij ushqimi:
“فَلَيْسَ لَهُ الْيَوْمَ هَاهُنَا حَمِيمٌ (35) وَلَا طَعَامٌ إِلَّا مِنْ غِسْلِينٍ
Ai sot nuk ka këtu ndonjë mik. 36. As ushqim tjetër përveç të të shplarave.” el Hakkah, 35-36.
“إِنَّ شَجَرَةَ الزَّقُّومِ (43) طَعَامُ الْأَثِيمِ (44) كَالْمُهْلِ يَغْلِي فِي الْبُطُونِ (45) كَغَلْيِ الْحَمِيمِ
Është e vërtetë se pema e Zekumit, 44. Do të jetë ushqim i mëkatarëve. 45. Vlon si katrani (si pezhgveja) në barqet. 46. Ashtu si vlon uji i valë.” ed Duhan, 43-46.
” إِنَّ لَدَيْنَا أَنْكَالًا وَجَحِيمًا (12) وَطَعَامًا ذَا غُصَّةٍ وَعَذَابًا أَلِيمًا
Se me të vërtetë te Ne ka pranga e zjarr. 13. Edhe ushqim që nuk gëlltitet edhe dënim të dhembshëm.” el Muzzemmil, 12-13.
- Pija e tyre është po ashtu e ndyrë. Allahu na mëson për pijet e tyre në Kur’an e thotë:
“وَقُلِ الْحَقُّ مِنْ رَبِّكُمْ فَمَنْ شَاءَ فَلْيُؤْمِنْ وَمَنْ شَاءَ فَلْيَكْفُرْ إِنَّا أَعْتَدْنَا لِلظَّالِمِينَ نَارًا أَحَاطَ بِهِمْ سُرَادِقُهَا وَإِنْ يَسْتَغِيثُوا يُغَاثُوا بِمَاءٍ كَالْمُهْلِ يَشْوِي الْوُجُوهَ بِئْسَ الشَّرَابُ وَسَاءَتْ مُرْتَفَقًا
E ti thuaj: "E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë. Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.” El Kehf, 29.
“مِنْ وَرَائِهِ جَهَنَّمُ وَيُسْقَى مِنْ مَاءٍ صَدِيدٍ (16) يَتَجَرَّعُهُ وَلَا يَكَادُ يُسِيغُهُ وَيَأْتِيهِ الْمَوْتُ مِنْ كُلِّ مَكَانٍ وَمَا هُوَ بِمَيِّتٍ وَمِنْ وَرَائِهِ عَذَابٌ غَلِيظٌ
E pas tij (kryelartit) është xhehennemi, në të cilin i jepet ujë i ndyrë (që rrjedh prej lëkurave të djegura), 17. Përpiqet ta përbijë, po jo nuk mund ta gëlltisë atë, atij i vjen vdekja nga të gjitha anët (sipas shenjave shkatërruese), po ai nuk vdes (e të shpëtojë prej vuajtjeve), atë e pret dënim shumë i rëndë.” Ibrahim, 16-17.
“مَثَلُ الْجَنَّةِ الَّتِي وُعِدَ الْمُتَّقُونَ فِيهَا أَنْهَارٌ مِنْ مَاءٍ غَيْرِ آَسِنٍ وَأَنْهَارٌ مِنْ لَبَنٍ لَمْ يَتَغَيَّرْ طَعْمُهُ وَأَنْهَارٌ مِنْ خَمْرٍ لَذَّةٍ لِلشَّارِبِينَ وَأَنْهَارٌ مِنْ عَسَلٍ مُصَفًّى وَلَهُمْ فِيهَا مِنْ كُلِّ الثَّمَرَاتِ وَمَغْفِرَةٌ مِنْ رَبِّهِمْ كَمَنْ هُوَ خَالِدٌ فِي النَّارِ وَسُقُوا مَاءً حَمِيمًا فَقَطَّعَ أَمْعَاءَهُمْ
Shembulli i xhennetit, i cili u është premtuar atyre që janë ruajtur (të devotshëm), në të cilin ka lumenj me ujë të mirë për pije, lumenj nga qumështi me shije të paprishur, lumenj nga vera e shijshme për njerëz, lumenj nga mjalti i kulluar, ata kanë aty edhe gjithfarë lloj pemësh, kanë edhe falje nga Zoti i tyre (a është i njëjtë) a si ai që është përgjithmonë në zjarr dhe u shuhet etja me ujë të valë që ua copëton zorrët e tyre?” Muhammed, 15.
“هَذَا فَلْيَذُوقُوهُ حَمِيمٌ وَغَسَّاقٌ (57) وَآَخَرُ مِنْ شَكْلِهِ أَزْوَاجٌ
Ky është ujë i valë dhe i ndyrë; le ta shijojnë atë! 58. I presin edhe dënime të tjera të llojllojta sikurse ai.” Sad, 57-58.
- Rrobat i kane nga zjarri dhe katrani e te tilla edhe mobiliet dhe orenditë ku do ta kalojnë jetën e pafund. Allahu thotë:
“وَأَنْذِرِ النَّاسَ يَوْمَ يَأْتِيهِمُ الْعَذَابُ فَيَقُولُ الَّذِينَ ظَلَمُوا رَبَّنَا أَخِّرْنَا إِلَى أَجَلٍ قَرِيبٍ نُجِبْ دَعْوَتَكَ وَنَتَّبِعِ الرُّسُلَ أَوَلَمْ تَكُونُوا أَقْسَمْتُمْ مِنْ قَبْلُ مَا لَكُمْ مِنْ زَوَالٍ (44) وَسَكَنْتُمْ فِي مَسَاكِنِ الَّذِينَ ظَلَمُوا أَنْفُسَهُمْ وَتَبَيَّنَ لَكُمْ كَيْفَ فَعَلْنَا بِهِمْ وَضَرَبْنَا لَكُمُ الْأَمْثَالَ (45) وَقَدْ مَكَرُوا مَكْرَهُمْ وَعِنْدَ اللَّهِ مَكْرُهُمْ وَإِنْ كَانَ مَكْرُهُمْ لِتَزُولَ مِنْهُ الْجِبَالُ (46) فَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ مُخْلِفَ وَعْدِهِ رُسُلَهُ إِنَّ اللَّهَ عَزِيزٌ ذُو انْتِقَامٍ (47) يَوْمَ تُبَدَّلُ الْأَرْضُ غَيْرَ الْأَرْضِ وَالسَّمَوَاتُ وَبَرَزُوا لِلَّهِ الْوَاحِدِ الْقَهَّارِ (48) وَتَرَى الْمُجْرِمِينَ يَوْمَئِذٍ مُقَرَّنِينَ فِي الْأَصْفَادِ (49) سَرَابِيلُهُمْ مِنْ قَطِرَانٍ وَتَغْشَى وُجُوهَهُمُ النَّارُ
Dhe ti tërhiqju vërejtjen njerëzve për ditën kur atyre do t'u vijë dënimi, e ata që ishin mizorë thonë: "Zoti ynë! Na jep afat për një kohë të shkurtër t'i përgjigjemi thirrjes Tënde (për besim) dhe t'i pasojmë të dërguarit!" A nuk u betuat ju më parë se për ju nuk ka lëkundje (prej Dunjasë në botën tjetër)? 45. Dhe ju u vendosët në vendbanimet e atyre që e dëmtuan vetveten (e Ne i shkatërruam) dhe e kishit të qartë se si vepruam Ne me ta, dhe ju sollëm shembuj edhe juve. 46. (megjithatë) Ata përgatitën kurthin e tyre, por kurthi i tyre gjendet në duar të All-llahut, qoftë ai kurthi i tyre që shkulen edhe kodrat nga ai. 47. E kurrsesi mos mendo se All-llahu e shkelë premtimin e vet që ua dha të dërguarve të Tij. All-llahu është triumfues që ndërmerr masa ndëshkuese. 48. (ndëshkon kundërshtarët) Ditën kur toka ndryshohet në tjetër tokë, e edhe qiejt (në tjerë qiej), e ata (njerëzit) të gjithë dalin sheshazi para All-llahut, Një, Mbizotërues. 49. E idhujtarët atë ditë i sheh të lidhur në pranga. 50. Petkat e tyre janë nga katrani (pezhgveja - zifti), kurse fytyrat e tyre do t'i mbulojë zjarri.” Ibrahim, 44-50.
“لَهُمْ مِنْ جَهَنَّمَ مِهَادٌ وَمِنْ فَوْقِهِمْ غَوَاشٍ وَكَذَلِكَ نَجْزِي الظَّالِمِينَ
Për ata është përgatitur shtrat nga zjarri dhe mbulojë (nga zjarri). E kështu pra i shpërblejmë zullumqarët.” El A’rafë, 41.

Besimtarë të respektuar!
Si ishte puna e të parëve me përkujtimin e Xhehennemit?
Si reagonin ata?
Sa linte gjurmë përkujtimi i tij në shpirtrat e tyre?
Të parëve tanë zjarri i kësaj bote ua përkujtonte atë të ahiretit. Zaten Allahu ka thënë:
“نَحْنُ جَعَلْنَاهَا تَذْكِرَةً وَمَتَاعاً لِّلْمُقْوِينَ
Ne e bëmë atë si përkujtim (për zjarrin e xhehennemit) dhe të nevojshëm për ata në vende të pabanuara (në shkretëtirë).” el Vakiah, 73.
Ndoshta kjo bënte që kur Omeri i afronte duart pranë zjarrit të ndezur t’i fliste vetes: O biri i Hattabit! A mund ta durosh këtë?
Herem b. Hajjani ndonjëherë dilte natën dhe thërriste me zë të larte: Çuditem me Xhennetin, si flenë kërkuesi i tij! Çuditem me zjarrin, si flenë ikësi prej tij! Pastaj recitonte ajetin:
“أَفَأَمِنَ أَهْلُ الْقُرَى أَنْ يَأْتِيَهُمْ بَأْسُنَا بَيَاتًا وَهُمْ نَائِمُونَ
A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë kur ata ishin fjetur (natën)?” el A’rafë, 97.
Seid b. Xhubejrit përkujtimi i zjarrit të Xhehennemit ia kishte zhdukur të qeshurit. Kur u pyet: “Jemi informuar se ti nuk ke qeshë kurrë?”, pati thënë: si të qesh kur zjarri është ndezur, prangat janë përgatitur kurse Zebanijet (melaqet e Xhehennemit) janë në gjendje gatishmërie?!

Vëllezër muslimanë!
Ndërmjet frikës dhe shpresës
Ndarjen me ju, pas kësaj frike që sqaruam dhe pas këtij përshkrimi që i bëmë Xhehennemit, nuk do e bëjmë shpejt, ngase nuk duam që tek ju të krijohet përshtypje a bindje të gabuara. Po kështu, nuk duam as që të bëheni pesimist e të humbni nga e vërteta. Duam tua sqarojmë pozicionin që besimtari duhet ta këtë dhe kursin që duhet ta ndjekë përkitazi me frikën nga Xhehennemi por edhe shpresën në Xhennet.
Islami fton që të ndiqet një mesatare ndërmjet tyre. As nuk thërret në frikë, e cila të shpien në pesimizëm, por as në shpresë, e cila do ia bënte shumë të thjeshte rrugën e mëkateve. Megjithatë, për shkak se instinktivisht ngacmohet nga epshet, që për pasojë ndonjëherë edhe bie në mëkate, per të mos thënë se ca të vogla i bëhen edhe traditë, caktoi që frika t’ia paraprijë shpresës tek njeriu sa të jetë gjallë ndërsa kur të vjen momenti i dhënies shpirt, atëherë shpresa t’ia paraprije frikës në mënyrë që të del nga kjo botë duke ndarë mendime të mira për Allahun. Apo, ai duhet të jetë, sipas shembullit të hoxhës së nderuar, Muhammed Husejn Jakubit, sikur një shpend, që nuk mund të fluturojë dot pa lëvizur që të dy krahët.

Vëllezër të nderuar!
Le të jenë frika dhe shpresa krahët tonë, të cilët në rrugëtimin tonë do të na shpien tek Allahu në formën më të sigurtë ë mundshme. Le të kujtojmë se Allahu nuk është vetëm Falës, por edhe ndëshkues dhe ndëshkimi i Tij është shumë i ashpër.
O Zoti ynë!
Na dhuro të mira në dynja dhe ahiret dhe na ruaj nga zjarri i Xhehennemit neve, familjet tona dhe mbarë besimtarët!
Amin![8]


________________________________________
[1] Hadithi është hasen. Shih: Sahihu’l xhamii, 3045.
[2] Muslimi.
[3] Shih: Tehdhibu meuidhati’l mu’minine, Muhammed Xhemaluddin el-Kasimijj, Daru Ibni Haldun, Aleksandri, Egjipt, pj.2, f.112.
[4] Per me gjerësisht, shih Tefsirin e Taberiut, Allahu e pastë mëshiruar, rreth këtyre ajeteve.
[5] Ja rrëfimi ne tërësi: O Ebu Is'hak! Unë e kam vështirë t'i kontrolloj epshet e mia andaj më këshillo! Ibrahimi i tha: Nëse i pranon pese kushte dhe i praktikon ato, epshet tua nuk do te bëjnë aspak dem. Cilat janë ato- pyeti me kureshtje njeriu? Ibrahimi: Kur dëshiron ta kundërshtosh Allahun mos ha nga rrizku i Tij. Njeriu: Si te mos kur çdo gjë është e Tij?! Ibrahimi: A është e drejte te hash nga rrizku i Tij e pastaj t'ia thyesh urdhrat Atij?! Njeriu: Cili është kushti i dyte? Ibrahimi: Kur dëshiron ta kundërshtosh Allahun largohu nga toka e Tij. Njeriu: Si të largohem nga toka kur çdo gjë, ne toke e ne qiell, është e Tij?! Ibrahimi: A është e drejte te hash nga rrizku i Tij, te jetosh ne token e Tij e pastaj te mos i bindesh Atij?! Njeriu: Cili është kushti i trete? Ibrahimi: Kur dëshiron ta kundërshtosh Allahun shko ne një vend ku Ai nuk te sheh dot. Njeriu: Si të shkoj unë kur Allahu me sheh kudo qe te jam dhe Atij nuk mund t'i fshihet asgjë?! Ibrahimi: A është e drejte te hash nga rrizku i Tij, te jetosh ne token e Tij, te bindesh se Atij nuk i fshihet asgjë e pastaj ta kundërshtosh Atë?! Njeriu: Ke te drejte. Cili është kushti i katërt? Ibrahimi: Kur te vije meleku i vdekjes thuaji le te pres pak sa te besh ndonjë vepër te mire? Njeriu: Por ai nuk me dëgjon mua?! Ibrahimi: Nëse e di se meleku i vdekjes nuk bën lëshim, nuk te jep kohe qe te pendohesh dhe te besh ndonjë vepër te mire, me thuaj, si mendon te shpëtosh?! Njeriu: Cili është kushti i peste? Ibrahimi: Kur te vijnë engjëjt e Xhehennemit të të marrin mos shko me ta. Njeriu: Ata nuk me pyesin, me marrin me forcë, desha apo nuk desha unë. Ibrahimi: Atëherë me thuaj si ke menduar për shpëtimin tënd? Njeriu: Mjaft! Pendohem tani tek Allahu dhe kërkoj falje për mëkatet e mija. Njeriu vërtet u tregua i sinqerte dhe me nuk i beri mëkat Allahut derisa vdiq.
[6] Hadithi është hasen. Shih: Sahihu’l xhamii, 8083.
[7] Hadithi është autentik. Shih: Sahihu’l xhamii, 1618.
[8] Referenca të këtij punimi:
1. Akidetu Ehli’s Sunneti ve’l Xhemati, mefhumuha, hasaisuha, hasaisu ehliha, Muhammed b. Ibrahim el Hamd, b.2, Dar Ibnu Huzejme, Rijad, Saudi, 1998.
2. Sherhu’l Akideti’t Tahavijjeh, Ibu Ebi’l Izz ed Dimehskijj, tahkik, ve ta’lik ve Tahrixh Dr. Abdullah b. Abdul Muhsin et Turkijj & Shuajb Arnaut, b.2, Muessesetu’rr Rrisaleh, Bejrut, Lubnan, 2001.
3. Vasfu’n Nar, Mahmud el Misrijj, b.1, Muessesetu’l Kurtubeh, Kajro, Misr, 2001.
4. El Xheza: el Xhennetu ven Nar, Nimet Sidkijj, Daru’l Itisam, Kajro, 1975.
5. El itibar bi vasfil Xhenneti ven nar fi daui’l kitabi ve’s sunneti ve’l athar, Ebu AbduRrahman Muhammed b. Amir, b.1, Daru’l Iman, Aleksandri, Egjipt, 14133 h.
6. Hutabu’sh Shejhi’l Kardai, Halid es Sa’d, b.1, Muessesetu’rr Rrisale, Bejrut, Lubnan, 2000.



Kjo hutbe është publikuar në Diturinë Islame, nr. 242.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme