Edukimi Modern dhe Edukimi Islam

Një nga rrafshet ku lehtësisht duket mospërputhja e Islamit me modernizmin është edukimi.

Madje aq e thellë është gremina që i ndan ata të dy sa vetë nocioni edukim ka të paktën kuptime shumë të ndryshme në të dy vështrimet përkatëse dhe përfundimisht reflektime shumë të ndryshme në praktikën edukuese të secilit syresh.
Kjo do të thotë se edukimi i kuptuar në mënyra të ndryshme në votëvështrimet e ndryshme implementohet si funksion krejt i ndryshëm dhe arrin e përmbush objektiva e qëllime të ndryshme te njeriu dhe shoqëria njerëzore.
Feja islame dallohet nga fetë e tjera nga një tipar mjaft i spikatur. Ndaj krishterimit dhe feve lindore që e tejtheksojnë dashurinë si qasje ndaj Zotit e të tjerëve dhe hebraizmit si një qasje rebeluese ndaj Zotit dhe të tjerëve, Islami shkëlqen me Urtësinë dhe Dijen si qasje me të njëjtin rol me të sipërpërmendurit.
Sipas kësaj qasjeje, është njohja intelektuale që e ndihmon myslimanin dhe shoqërinë islame t'i afrohet Zotit dhe të përmbushë të Vërtetën, pa e cenuar rolin e dashurisë dhe lirisë së vullnetit në këtë udhëtim.
Nga ky pikëvështrim, modernizmi ngjan më shumë me hebraizmin. Nisur nga tipari intelektual i fesë islame, qytetërimi mysliman u ngrit dhe u zhvillua, ashtu sikundër edhe ra, duke ndjekur një udhëheqje të padiskutueshme të edukimit shumëdisiplinor. Me një referim të tillë, kjo trajtesë nuk synon e as nuk rrezikon të jetë romantike, por të lexojë edukimin tradicional i cili është më afër natyrës së Islamit se ai modern.


Edukimi Modern

Edukimi modern, i cili në fakt është thjesht arsimim, apo akoma më keq, thjesht aftësim profesional, ka si tipar kryesor ateizmin. Nuk është laicizmi, sepse për disa shekuj ky model edukimi ruajti një bazë ideologjike të padiskutueshme darviniste dhe jo thjesht asnjanëse. Ky tipar i dijes moderne e bën kërkimin dhe përvetësimin e saj, një mision për të fituar mbi të tjerët dhe jo për të pasuruar intelektin, personalitetin dhe atë portofol dijesh praktike, që e ndihmojnë shoqërinë njerëzore të përmbushë misionin e përfaqësimit dhe reflektimit hyjnor. Edukim vetëmevete është një objektiv i kotë dhe i pavlerë, pasi nuk ka një destinacion absolut dhe përfundimtar drejt të cilit ai mund të çojë. Tipar tjetër i edukimit modern është zëvendësimi i shkencës me inxhinieringun.
Aplikacionet e teknologjisë së lartë, bioteknologjisë, nanoteknologjisë, etj., kanë zëvendësuar atë përparim që u vu re në fillim të epokës së modernizmit. Në fakt ato zbulime në shkencat materiale ishin vazhdimi i emancipimit të pandërprerë gjatë epokës së antikitetit dhe mesjetës në qytetërimet indiane, kineze, egjiptiane, babilonase, greke e më në fund myslimane. Gradualisht shkenca i la vendin inxhinieringut, ndërsa çdo ditë shpallet se shkencëtarët arritën të hedhin në hapësirë një anije kozmike, apo arritën të klonojnë një gjallesë apo organ. Të gjitha këto janë aplikacione që për shkak të ngjashmërisë me eksperimentin ngatërrohen me shkencën apo kërkimin shkencor.
Tipari i tretë i edukimit modern është orientimi nga tregu. Nevojat e tregut për burime njerëzore përcaktojnë edhe programet kualifikuese dhe aftësuese më të kërkuara. Si pasojë e kësaj dhe mbivlerësimit të inxhinieringut ndaj shkencës ka një fokusim shumë të lartë në shkallët më të specializuara të arsimimit dhe neglizhimin e arsimit bazë.
Në sektorin publik, buxheti ndan pjesën e luanit për arsimin e lartë gjë që do të thotë më shumë investime në burime njerëzore dhe logjistikë.
Nuk është vetëm buxheti që dëshmon vëmendjen më të lartë të botës moderne ndaj tregut dhe inxhinieringut. Programet edukimore të arsimit bazë kanë për qëllim të aftësojnë njerëzit të kryejnë kalkulime, të memorizojnë dhe të krijojnë një arkivë informative, e cila duhet të përditësohet shpesh për shkak të jetëshkurtësisë së informacioneve që arkivohen aty. Edukimi bashkëkohor nuk i aftëson intelektualisht njerëzit, sepse në kohën kur duhet trajnuar ajo shqisë intelektuale e njeriut që e bën atë të aftë të njohë dhe jo thjesht të nxërë, atij i ofrohen vetëm mundësi aftësimi teknik. Edukimi modern prodhon profesionistë (zanatçinj), por nuk kultivon intelektualë. Atëherë produkti përfundimtar i arsimimit modern është një profesionist i aftë dhe i pavlera humane. Nuk është më aq e nevojshme të shpjegohen pasojat e këtij fenomeni.
Nga këto tipare të dijes moderne sfondi intelektual modern ka dy pasoja të drejtpërdrejta:
1. kultivimi i një njeriu vlerë-neutral, dhe
2. përparim inxhinierik dhe stanjacion shkencor.
Njeriu vlerë-neutral supozohet të jetë një qenie pa parime religjioze, vlera shpirtërore dhe skrupuj moralë. Vlerë-neutral nuk do të thotë të jesh në anën e një vlere dhe kundër një tjetre, por do të thotë i zhveshur prej tyre: pa vlera.


Edukimi Islam

Islami e nis me edukimin. Këtu nuk është fjala për keqkuptimin shkencist dhe modernist të fjalës së parë kuranore ikra' (recito), por me domosdoshmërinë që arritja e Zotit, të Vërtetës, të kalojë përmes njohjes intelektuale.
Nisur edhe nga kuptimi i komandamentit 'ikra', pra recito, tregon se njohja e Zotit së pari dhe përfundimisht arrihet përmes udhës që vetë Ai shpalos. Pra, Burimi i Epërm i dijes është Hyjnor, shpallja e shprehur apo e heshtur e Zotit, përmes të folurit të drejtpërdrejtë apo përmes krijesës së Tij pasive. Që këtej, tipari kryesor i edukimit islam është burimi hyjnor i dijes. Dija Hyjnore e shpallur në Kuran është e drejtpërdrejtë dhe, për pasojë edhe më e epërmja. Ajo ushqen thelbin intelektual ('akl) dhe kultivon e ruan natyrën burimore (fitra) të krijesës. Prandaj, leximi dhe memorizimi i tij pasiv është një ndër dijet më të hershme që përvetëson një fëmijë në familjen/shoqërinë myslimane. Disa shoqëri myslimane e kanë mjaft të zhvilluar këtë traditë të memorizimit të Kuranit, ku shumica e fëmijëve e kanë plotësuar mbamendjen e tij përpara se të nisin ciklin bazë të arsimit. Nëse do të krahasonim ndërmjet dy botëkuptimeve, edukimi islam nis nga lart, nga Dija e Epërme, dhe, në vijim, zbret drejt truallit njerëzor dhe tokësor në shkallën që specializimi është i nevojshëm. Ndërsa edukimi modern e nis nga trualli, si e dhënë parësore për dijen dhe tenton lartësimin specialist, sipas botëkuptimit të tij materialist.
Tipari i dytë i edukimit islam, jo për nga rëndësia, është udhërrëfimi drejt të Vërtetës Unike dhe Unikale. Teuhidi, si parimi kryesor i fesë, shpall dhe nënkupton Unitetin dhe Unicitetin e Zotit, dhe që këtej, Unitetin dhe Unicitetin e së Vërtetës, meqë emri El-Hakk (e Vërteta) është një nga emrat kryesorë të Zotit. Që këtej, ai është edhe tipari kryesor i edukimit islam. Arsyeja gjendet në faktin se Zoti është burimi i gjithë ekzistencës, i njeriut dhe natyrës, si dhe i botëve paralele me atë humane. Njohja e realitetit të këtyre botëve dhe shkallëve të ekzistencës arrihet vetëm përmes njohjes së Tij, përftimit të Dijes prej Tij dhe hulumtimit në rrafshet e panjohura përmes Tij. Tipari i tretë i edukimit islam është dobishmëria. Kjo mund të ngatërrohet me tiparin e orientimit nga tregu të edukimit modern, por gjithsesi nuk është e njëjta gjë. Ndërsa edukimi modern niset nga tregu për të kuptuar dhe plotësuar nevojat për dije dhe profesionalizëm, edukimi islam e nis nga nevojat reale të njeriut dhe shoqërisë njerëzore, në përputhje me Vullnetin Hyjnor, dhe në këtë mënyrë edukon edhe tregun.



Vehap S. Kola