Në Amerikën Latine do të hapet një Universitet Islamik

• Fillimisht me bazë në Brazil dhe Meksikë, plani është që të ketë degë edhe në vende tjera

• Synimi është për të edukuar çdo person që dëshiron të thellojë njohuritë e Islamit, thotë zëvendëskryetari për Arab News

Shoqatat islamike të Amerikës Latine ditë më parë u mblodhën në qytetin brazilian Sao Paulo që të nënshkruajnë një marrëveshje për krijimin e Universitetit Islamik të Amerikës Latine dhe Karaibeve.
Institucioni akademik do t'i lejojë udhëheqësit e ardhshëm myslimanë të studiojnë në rajonin e tyre, pa pasur nevojë të shkojnë në vendet e Lindjes së Mesme dhe vendet tjera muslimane.
Imamët në Amerikën Latine prej vitesh e kishin diskutuar këtë ide. Tani, Qendra braziliane për përhapjes e Islamit në Amerikën Latine, e njohur me akronimin portugez CDIAL, dhe Këshilli i Lartë i Imamëve dhe Çështjeve Islame në Amerikën Latine dhe Karaibe më në fund e kanë mundësuar këtë.
CDIAL dhe këshilli kanë bërë marrëveshje me Universitetin Islamik të Minesotës, i cili do të sigurojë kurse akademike dhe materiale për institucionin e ri.
Fillimisht, selinë do ta ketë në Sao Paulo, me kurse në portugalisht dhe në Mexico City, me kurse në spanjisht.
“Po fillojmë me qytetet me numër më të madh studentësh potencialë. Por, ideja jonë është që në të ardhmen vendet tjera të krijojnë degët e tyre,” tha për Arab News nënpresidenti i CDIAL Ziad Saifi.
Ai tha se programi ishte frymëzuar nga kurset tradicionale islame si ato të ofruara nga Universiteti Islamik i Medinës në Arabinë Saudite dhe Universiteti Al-Azhar në Egjipt.
"Qëllimi i universitetit nuk është vetëm edukimi i sheikhëve të ardhshëm, por i çdo personi që dëshiron të thellojë njohuritë e tij ose të saj për Islamin," shtoi ai.
Edhe studentët jomuslimanë do të kenë mundësinë të regjistrohen, tha Sheikh Abdelhamid Metwally, i lindur në Egjipt, i cili do të jetë presidenti dhe drejtor akademik i universitetit.
“Ne duam t'i edukojmë njerëzit në kulturën dhe traditën islame. Sigurisht që do të mund të punojmë në formimin e sheikhëve. Studentët që dëshirojnë të ndjekin një rrugë të tillë do të mund të vazhdojnë studimet e tyre”, shtoi ai.
“Ne thjeshtë duam që t'i edukojmë njerëzit për Islamin. Edhe muslimanët dhe jomuslimanët duhet ta kuptojnë më mirë fenë tonë.”
Duke jetuar në Brazil për 15 vjet, Metwally beson se është e dëshirueshme që udhëheqësit fetarë që do të punojnë në rajon të trajnohen në Amerikën Latine.
Ky është edhe mendimi i Sheikh Mohamed Mansour, i cili do të koordinojë kurset e gjuhës spanjolle në Mexico City.
“Ne duhet t'i edukojmë njerëzit këtu në mënyrë që ata të mendojnë nga këtu. Shumë herë, njerëzit shkojnë në Lindjen e Mesme për të studiuar dhe kur kthehen, duan të imponojnë kulturën e Lindjes së Mesme në Amerikën Latine. Kjo nuk është e mundur,” tha ai.
Islami është rritur në të gjithë Amerikën Latine dhe Karaibe, “por ne nuk do të rritemi mirë nëse nuk kemi njohuri të vërteta”, tha Mansour. "Ne kemi nevojë për një bazë akademike, diçka që shkon përtej mësimit në xhamia."
Në Meksikë, shpjegoi ai, gjatë mësimit mund të flitet vetëm spanjisht, përveç kurseve të gjuhës arabe - nëse një profesor ose instruktor mund të flasë vetëm arabisht, një përkthyes do të jetë i pranishëm. “Dhashtë Zoti, së shpejti do të kemi edhe kurse master dhe doktoraturë”, shtoi ai.
Saifi tha se shumë sheikhë dhe komuniteti mysliman në tërësi kanë mbështetur krijimin e universitetit.
“Fatmirësisht, njerëzit kohën e tyre e tyre ua kanë kushtuar këtij projekti dhe po punojnë në përkthimin e materialeve edukative dhe detyrave të tjera”, shtoi ai, duke shprehur shpresën se kurset do të fillojnë në gusht.
Grupi koordinues po punon për akreditimin zyrtar të universitetit në secilin prej vendeve të rajonit.
Në fillim universiteti do të funksionojë me mësim në distancë, duke pasur parasysh numrin në rritje të rasteve me COVID-19 në shumicën e vendeve të Amerikës Latine. Por, një lokacion fizik është duke u përzgjedhur në Sao Paulo, tha Saifi.
Nuk do të bëhet asnjë dallim mes studentëve sunitë dhe shiitë, njëjtë do të mund të regjistrohen edhe meshkujt dhe femrat.
Saifi shpreson se në të ardhmen, dega braziliane do të mirëpresë studentë që vijnë nga vendet tjera që flasin gjuhën portugeze si Angola dhe Mozambiku.
“Ne kemi ende një numër të ulët xhamish në Brazil, por numri i tyre po rritet. Sigurisht që do të kemi nevojë për më shumë sheikhë dhe njerëz të arsimuar për Islamin,” tha ai.
Metwally është pajtuar, duke thënë: “Në komunitetin tim në Sao Paulo, ne kemi anëtarë që tashmë janë të interesuar të regjistrohen. Ne do të edukojmë muslimanë të mirë.”