Ebu Hurejra r.a. tregon se Resulullahu s.a.v.s. ka thënë: "Kushdo që ia zgjidh besimtarit një brengë prej brengave të kësaj bote, Allahu do t'ia zgjidhë një brengë prej brengave të Ditës së Kiametit. E kush ia lehtëson (barrën) atij që ka vështirësi, Allahu do t'ia lehtësojë atij në këtë botë dhe në botën tjetër. E kush ia mbulon myslimanit (të metat e tij - mëkatet), Allahu do t'ia mbulojë atij në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu është në ndihmë të robit përderisa robi është në ndihmë të vëllait të vet. Kush e pason rrugën për të kërkuar diturinë, Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në xhenet. Dhe nuk janë tubuar një grup njerëzish në një shtëpi prej shtëpive (xhamive) të Allahut të Lartësuar duke e lexuar dhe duke ia mësuar Kuranin njëri-tjetrit, përveçse atyre u zbret qetësi (shpirtërore), mbulohen me mëshirë, rrethohen me melekët dhe Allahu i përmend tek ata (tek Pejgamberët, melekët e respektuar). E kush neglizhon punën e tij, nuk do t'i bëjë dobi gjenealogjia (farefisi - përkatësia)."
Pozita e dijes në hadith
Në hadith thuhet: "Kush pason rrugën për të kërkuar diturinë; Allahu do t'ia lehtësojë rrugën për në Xhenet. "
Ky urdhër për diturinë është i përgjithshëm për çdo lloj diturie të dobishme për njerëzit, e cila fillon në emër të Zotit për dobinë e njerëzve në të dyja botët. Përparësi ka dija fetare e cila të mëson hal-lallin dhe haramin, pastaj vijojnë dijet varësisht prej rëndësisë që kanë për jetën e besimtarëve dhe të njerëzve në përgjithësi. Pastaj vjen dija për moral, etikë, mjekësi, astronomi, arkitekturë, ndërtimtari, urbanizëm, linguistikë, letërsi, histori, etj.
Dija në këtë hadith paraqitet si rruga më e shkurtër për të arritur në Xhenet. Ky hadi th njëherazi u jep përparësi njerëzve të ditur për të hyrë në Xhenet duke ua lehtësuar në veçanti këtë rrugë të mun-dimshme. Njeriu, dijetari, shkrim-tari, mjeku, astronomi..., do të vdesin, ndërsa dija e tyre do të qarkullojë edhe pas vdekjes së tyre. Njerëzit e ditur, në emër të Zotit, në botën tjetër do të trashëgojnë dhoma të veçanta për durimin që kanë treguar në arritjen e dijes. Rruga e dijes është rrugë e durimit dhe përkushtimit. Allahu xh.sh. për këta njerëz të kësaj rruge thotë:
"Ata do të shpërblehen me dhoma (të larta në Xhenet) për durimin e tyre." (El-Furkan, 75)
Dija nuk merret nga interneti, facebook-u, mjetet e informimit, por ajo merret nga hulumtimi, stu-dimi dhe prekja me dorë nga afër. Këtë kuptim ka edhe fjala "lemsë" në këtë pjesë të hadithit. Dija është diçka objektive, ndihet, hulumtohet dhe preket nga afër me dorë.
Dija më e mirë është ajo në grupe kolektive
Në hadi th thuhet: "Dhe nuk ndodh që të tubohen një grup njerëzish në një shtëpi prej shtëpive (xhamive, universiteteve, fokulteteve, kolegjeve) të Allahut të Lartësuar duke e lexuar dhe duke ia mësuar Kuranin njëri-tjetrit e që të mos u zbret qetësi (shpirtërore), të mos mbulohen me mëshirë, të mos rrethohen me melekë dhe që të mos i përmend Allahu tek Ai (para pejgamberëve, melekëve të respektuar etj.). "
Kjo tregon se mësimi më i mirë bëhet atëherë kur njerëzit ulen pranë njëri-tjetrit në grupe kolektive, klasa, dhe mësojnë njëritjetrin. Vetëm në këtë mënyrë nxenesit dhe studiuesit e dijes plotësojnë njëri-tjetrin. Kjo formë mësimi te myslimanët daton para një mijë e katërqind e tridhjetë vjetëve. Forma e mësimit në grupe kolektive në xhami e universitete është njëra prej çështjeve, për të cilat myslimanët i kanë paraprirë botës. Sot të gjitha llojet dhe modelet e universiteteve janë marrë pikërisht nga myslimanët e Spanjës në shekullin e dymbëdhjetë.
Në hadith një vlerë e veçantë i jepet leximit të Kuranit në xhami, edhe pse kemi versione të tjera të hadi theve që tregojnë se shpërblimi i leximit të Kuranit arrihet në çdo vend ku lexohet. Dija më e mirë është ajo e Kuranit, ngase sa më shumë që ta pasojmë Kuranin, aq më tepër do të ngrihemi lart. Dija në Kuran nuk mjafton vetëm si teori, por duhet të ndiqet me praktikë, siç është dija e adhurimeve, e ndalesave, urdhëresave etj. Vetëm kështu dija bëhet argument për ty e nuk bëhet argument kundër teje. Dija kuranore krijon qetësi shpirtërore dhe fizike tek njerëzit. Allahu xh. sh. thotë: "Ai është që zbriti qetësinë në zemrat e besimtarëve, që atyre t'u shtohej besimi bashkë me besimin që patën." (El-Feth, 4)
Në leximin e Kuranit shtohet qetësia, zemra pastrohet, errësira largohet dhe drita zgjerohet.
Aty ku punët kryhen në kolektiv edhe begatitë janë më të mëdha. Një prej begative është edhe përfshirja dhe mbulimi i dijes kolektive me mëshirën e Allahut xh.sh .. Vetë fjala el-gashije (mbulim) është një sinonim i Ditës së Kiametit për shkak të përfshirjes së të gjitha krijesave nga tmerri dhe ankthi. Gjithashtu dija në kolektiv, në grupe e klasa është e rrethuar me melekë, si nder dhe respekt ndaj studiuesve. Melekët rrethojnë vetëm vendet e larta me vlerë. Allahu xh.sh. thotë: "Dhe do të shohësh melekët të rrethojnë Arshin (e Allahut) nga të gjitha anët duke lartësuar lavditë e Zotit të tyre (Allahut) ... " (Ez-Zumer, 75)
Shprehja në hadith: "dhe Allahu i përmend tek Ai", aty ku janë pejgamberët, melekët e respektuar, melekët e Arshit etj .. Këtë e sqaron edhe ky hadith kudsi: "Kush më përmend Mua në një grup të lartë, e përmend atë në një grup të lartë, më të mirë se ai."(1)
Shpërblimi vjen vetëm nga vepra që njeriu e bën vetë
Nëse njeriu nuk vepron dhe nuk lëviz vetë për të bërë vepra të mira, ato nuk do të ndikohen nga vlera e përkatësisë dhe prejardhjes së tij nga prindërit, gjyshërit, farefisi apo origjina familjare. Kështu Resulul-lahu s.a.v.s. e përfundoi këtë hadith: "E kush e neglizhon punën e tij, për ahiret (Xhcnet), atij nuk do t'ia shpejtojë përkatësia e tij." Në mënyrë metaforike Pejgamberi a.s. tregoi se njeriu për t'u afruar tek Allahu xh.sh. nuk duhet të bazohet në përkatësinë e tij autoritative, origjinën patriotike të prindërve dhe stërgjyshërve, por afërsia tek Allahu arrihet me vepra të mira, nijete të pastra, sinqeritet dhe vepra vetëm për hir të Allahut Fuqiplotë, ashtu sikurse njeriu nuk do të bartë barrën dhe krimin e tjetrit nga përkatësia dhe prejardhja familjare:
"Nuk e bart përgjegjësinë e krimit përveçse krimineli.”(2)
______________
1. "Sahihu Muslim”; vëll. XIII, fq. 191, nr. 4851; "Sahih ibn Hibban", vëll. IV, fq. 116, nr. 813.
2. "Sunen Et-Tirmidhij”, vëll. X fq. 353, nr. 3012.