Nana Esma bint Osman Fodio


Ishtë njëra ndër pionieret e letërsisë arabe nigeriane.
Ndikimi i saj në shoqërinë nigeriane ishte shumë i madh, duke qenë se ishte bija e njërit ndër dijetarët më të shquar nigerian. Ka lindur në vitin 1793. Babai i saj ishte dijetari dhe mësuesi, Muhamed Osman Fodio, i cili edukoi të gjithë fëmijët e tij. Më pas, bashkëshorti i saj pati një ndikim të fuqishëm në rrugën që ndoqi. Ajo ishte hafëze e Kurani Kerimit, mësoi bazat e fikhut, leximin dhe shkrimin, shkencat islame. Të gjitha këto i bëri duke e shfrytëzuar bibliotekën e pasur të babait të saj. Kur ajo ishte 11 vjeçe, babai i saj u dëbua prej vendit, gjatë kohës kur shpërtheu lufta civile, e cila shkaktoi mijëra të vdekur. Nana Esma e gjeti veten mes një muri të lartë grash vejusha, të cilat kishin humbur kujdestarin e tyre, e të cilat nuk njihnin as shkrim, as këndim, e as ndonjë zanat. Atëherë ajo vendosi të ishte nismëtare e krijimit të kurseve të ndryshme në mësim-lexim dhe mësim të zanateve të ndryshme, të cilat do tu hynin në punë grave për ta mbajtur veten e tyre, si bluajtëse drithërash etj. Shkroi një numër të madh poezish për tua lehtësuar grave mësimin e rregullave të fikhut, bazave të texhvidit etj.

Frytet e punës së saj

Një ndryshim ndodhi tek ato gra të cilat merrnin mësim tek ajo, ato u rritën si nga ana intelektuale, ashtu edhe nga ajo materiale. Kërkesat për të mësuar gratë të tjera ishin në rritje. Por, pavarësisht dëshirës së saj për t'i mësuar, ajo e kishte të pamundur ta përballonte atë fluks. Për këtë ajo vendosi të trajnonte gratë që kishin marrë mësim prej saj, për mënyrën se si tu jepnin mësim, si t’ua transmetonin grave të tjera dijet që i morën prej saj. Pas kësaj, ato i shpërndau në fshatrat dhe krahinat e tjera për ta luftuar analfabetizmin mes grave, tua mësonin atyre Kuranin dhe bazat e fesë. Gjithashtu, këto gra filluan të trajnonin gra të tjera për të dhënë mësim, e kështu u krijua një rrjet i gjerë i grave të mësuara, hafëze dhe mësuese, duke qenë kështu modeli i duhur deri te fëmijët të cilët filluan tu jepnin mësim. Shkonin dhe trokisnin deri te dyert e grave të varfra për tu dhënë mësim në bazat e fesë së tyre. Ajo zotëronte katër gjuhë në mënyrë të shkëlqyer. Shkroi mbi 60 libra dhe u bë këshilltare e guvernatorit të rajonit, i cili njëkohësisht ishte edhe vezir i Perandorisë Islamike Sokoto. Merrej me shkrimin e mesazheve drejtuar emirëve të qyteteve, me anë të të cilave i këshillonte ata. Shkroi edhe poezi ku përmendte vlerën e grave sahabike dhe të brezave të më vonshëm. Shkroi për dijetaret në rajonin e Sudanit dhe të Hausas (rajon në jug të Nigerisë dhe në veri të Nigerit). Është i dokumentuar mësimi dhe edukimi i disa prej dijetarëve të njohur, prej tyre dijetare femra, dhe njëra prej tyre është Esma.
Në librin “Kultura arabe në Nigeri” janë përfshirë një numër poezish të kësaj dijetare. Ka qenë aktive me artikuj të botuar në gazetat e kohës së saj, si dhe shkrime të cilat kanë ardhur deri në ditët tona, si “Zgjimi (ngritja) e punëtorëve”, “Mbi karakteristikat e sureve të Kurani Kerimit” etj. Poezitë e saj anojnë drejt këshillave, porosive, ligjërimeve etj., duke përdorur një gjuhë e cila ndikonte mbi dëgjuesin. Në shkrimet e saj ka përdorur edhe dialektin, krahas përdorimit të gjuhës standarde. Ka luajtur një rol të rëndësishëm në themelimin e studimeve islame arabe. Shkroi punime letrare të cilat prekin tematika të ndryshme në gjuhën arabe. Bëri klasifikimin e letërsisë në atë melankolike, të mesazheve, të lavdërimit dhe të lutjeve. Në vitin 1864 vdes Nana Esma. Xhenazen e saj e shoqëruan mijëra gra e burra prej të gjitha krahinave. Trashëgimia që ajo la në dituri vazhdon edhe sot. Edhe sot kanë mbetur metodat e mësimdhënies të cilat vazhdojnë të praktikohen në mësimin e dijeve dhe të shkencave islame. Vazhdon të përmendet për dobinë që i solli shoqërisë, veçanërisht grave, me arsimimin e tyre në fushat e dijes së shkencave islame, si dhe të pro- fesioneve të ndryshme, me anë të së cilave mbajnë familjet e tyre. Disa prej veprave të saj janë të përkthyera në disa gjuhë të huaja, e po ashtu edhe jeta dhe veprimtaria e saj studiohet në shumë prej univer- siteteve islamike, si një model i gruas myslimane afrikane. Shumë prej shkollave dhe organizatave të femrave janë emërtuar me emrin e saj si shenjë nderimi për rolin e kësaj dijetareje.



Përktheu: Klodiana Xhaferaj
Burimet: Bashkimi i dijetareve afrikane
DITURIA ISLAME 360