Format më të njohura të ligjërimit në dave

Objektivi tek Allahu xh.sh., është komunikimi i mesazhit të i secilit thirrës për Zotit dhe kuptimi i tij nga ana e masës dhe jo shpalosja e aftësisë së të folurit nga vetë ana e thirrësit nëpër ligjërimet e tij apo edhe shprehjet elokuente dhe rimimi i fjalëve, ofrimi i shembujve imagjinativ që nuk
perceptohen e as nuk kuptohen, si dhe formulimi i shprehjeve dhe nocioneve që nuk kapen nga të gjitha shtresat e masës (xhematit).
Andaj Allahu xh.sh., i ka dërguar pejgamberët nga mesi i popullit që të kuptojnë dhe t’u flasin në gjuhën e qartësuar dhe kjo mbetet arsyeja pse e bëri këtë. Ajeti në vazhdim na e argumenton këtë çështje: “Ne asnjë nga të dërguarit nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtu që ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë). E Allahu e lë të humbur atë që do, dhe e udhëzon në rrugë të drejtë atë që do. Ai është i fuqishmi, i urti.”.(Ibrahim, 4).
Meqenëse njerëzit dallojnë nga njëri-tjetri në të kuptuar e në përdorimin e shqisave dhe meqenëse ndodhin ngjarje nga më ta larmishmet dhe njeriu vihet në pozicione të ndryshme, është e domosdoshme që thirrësi t’i japë larmi stilit të tij dhe ta ndryshojë ligjërimin, që t’u përshtatet të gjitha situatave. Kështu ai nuk bëhet i mërzitshëm dhe informacioni shkon te të gjitha shtresat e njerëzve. Llojet e formave të komunikimit të mesazhit islamë janë të shumta dhe të larmishme si p.sh.: hytbeja, dersi, ligjërata, debati, urdhri në të mirë e ndalimi nga e keqja, thirrja individuale, këshilla, fetvaja, artikulli, mesazhi, libri etj.

Hytbeja (El-hutbe)

Hytbeja mbetet mjeti i shkëlqyeshëm i daves në komunikimin e mesazhit apo sqarimin e një mendimi të caktuar. Ajo është një nga elementet e mëdha, të cilat e ngritin dhe forcojnë personalitetin e thirrësit në islam, e bëjnë pikë reference e respekti, pëlqimi e dashurie, e autoriteti e figura e tij rrezaton shpresë e besim te masa si ligjërues i sinqertë e këndshëm që zotëron artin e të komunikuarit, elokuencë e “dridh” mimberin me fjalimin e tij dhe që zgjon masën dhe emocionet e tij duke përdorur argumente të forta si fetare, ashtu edhe shkencore dhe që e bëjnë edhe më të besueshëm ligjërimin e tij në mimber.(1)
Hytbeja mbetet një mjet i mirë e praktik për transmetimin e mesazhit hyjnor, që zakonisht mbahet kur njerëzit janë të tubuar e ndoshta edhe shumicën e tyre ligjëruesi nuk i njeh. Nga analizat që dalin nga kjo fushë, që një hytbe të jetë e suksesshme është që te thirrësi të jenë konceptet e caktuara e të cilat dëshiron t’i prezantojë e sqaroj te të pranishmit. Ajo që rekomandohet është që gjatë këtij fjalimit (hytbes) të rrahet ndonjë tematikë që ka të bëjë me gjendjen aktuale të njerëzve duke e bërë ndërlidhjen me konceptet e besimit islam.
Pra, nëse në një mes shihet se është i shtrirë ideja për fanatizëm fisnor, atëherë duhet ligjëruar për dëmet dhe pasojat që ka ky fenomen dhe se çfarë është qëndrimi i fesë islame karshi këtij fenomeni. Në këtë rast, duhet shpjeguar faktin se besimtari nuk ofron ndihmë të afërmit të tij, pos kur ai ka të drejtë dhe se myslimani duhet të jetë i kënaqur me atë çfarë ka caktuar feja islame që të kihet vëllazëri islame dhe që të largohet elementi i fanatizmit fisnor. Po ashtu thirrësi, sipas mendimit të profesorit Abdulkerim Zejdanit,(2) gjatë mbajtjes së htybes duhet të ketë parasysh edhe këto çështje:

1. Gjatë hytbes të sjellë argumente të bollshme nga ajetet uranore, hadithet e të Dërguarit a.s., (në origjinal), e më pas duke i shtjelluar ato, por të ofrojë edhe nga veprimet e historia e të dërguarve të tjerë, ashtu siç kanë vepruar sahabët e nderuar, gjë që do të krijonte një ambient dhe do t’i jepte kuptim ajeteve dhe haditheve që të lejë ndikim e dëshmi pas vetës.

2. Të sjellë tregime që janë cekur në Kuranin famëlartë (El-kisas) dhe sunet dhe kjo edhe më tej do ta shtonte vlerën e hytbes duke pasqyruar konceptet në formë narrativi dhe sjelljes së shembujve sikurse përmend edhe hadithi i Muhamedit a.s.: “Çfarë mendoni ju, sikur dikush prej jush të ketë para derës së shtëpisë një lumë dhe në të të lahet pesë herë në ditë, vallë a do të mbetet tek ai ndyrësi?” Të pranishmit i thanë: “Jo, o i dërguar i Allahut.” Ai më pas tha: “Kështu është namazi (i pastron mëkatet).”

3. Mos ta zgjasë fjalimin (hytben) shumë. Kjo vërtetohet me thënien e Muhamedit a.s.: “Vërtet zgjatja e namazit edhe shkurtimi i hytbes është një shenjë se ai është i kuptueshëm (që i kupton çështjet), prandaj zgjateni namazin dhe shkurtojeni hytben.”(3)
Prandaj duke komentuar këtë hadith, posaçërisht për hytben që mbahet gjatë ditës së xhumasë, por që në këtë bëhet analogji dhe hytbeja në raste të tjera, përveç kur e kërkon nevoja e jashtëzakonshme për t’u zgjatur ajo.

4. Të jetë atraktive dhe mos të kalon në mërzi. Kjo argumentohet më Ebu Vail Shefiki bin Selem, ka thënë: Ibën Mesudi na rikujtonte çështjet e fesë për çdo ditë të enjte. E atij njëri i kishte thënë: “O Ebu Abdurrahman, unë kam dëshirë që çdo ditë të na rikujtojë çështjet e fesë.” Ai është përgjigjur: “Ajo që më pengon ta bëjë këtë për çdo ditë është se urrej që t’ju mërzisë juve, unë zgjedh kohën e përshtatshme për t’u këshilluar, ashtu si ka vepruar i Dërguari a.s., i cili na këshillonte në kohë të përshtatshme nga frika se mos po mërzitemi.”(4)

5. Fjalimi të jetë sa më i qartë dhe më i thjeshtë, i përshtatshëm për masën e gjerë. Kjo buron nga fakti se ndjekësit e hytbes nuk janë të gjithë të një kategorie shkollimi, kulture apo formimi intelektual si dhe të kuptuarit e ligjërimit në hytbe. Andaj në këtë rast do të ndihmonte shumë që të përzgjidhen fjalitë sa më të shkurtra e përmbajtjesore, në mënyrë që ligjëruesi të kuptohet drejt dhe mos të krijon assesi dikitomi.

6. Thelbësore në hytbe mbetet që ligjëruesi t’ua rikujton të pranishmëve Krijuesin e tyre, t’ua tërheq vërejtjet për dukuritë negative e gjynahet që mund t’i bëjë ndonjëri. Këtë e argumentojmë me fjalën e Muhamedit a.s. ku në një rast u tha sahabeve, adhurojeni Allahun dhe braktiseni adhurimin ndaj kujtdo tjetër, pos Tij. Po ashtu, theks të veçantë i kushtonte gjithmonë faktit se myslimanët doemos duhet të jenë të devotshëm ndaj Allahut dhe të veprojnë për botën tjetër, Ahiretin. Këtu kemi shembullin e tregimit mbi Musaun a.s., se si ka përsëritur bazat e besimit dhe konceptet e tij.

7. Është mirë që ligjërimi (hytbeja) të filloj me diçka që u tërheq vëmendjen e njerëzve me ndonjë tregim që ka ngjarë apo ndodhi që e ka lexuar, ose ndonjë ide që i ka lindur atij pasi që të arrijë të tërheq vëmendjen e dëgjuesve, atëherë ligjëruesi fillon dalëngadalë që të tërheq vërejtjen rreth ndonjë çështjeje që të motivojë për veprimin e ndonjë segmenti të caktuar të jetës sonë sociale, ekonomike, kulturore etj.

8. Thirrësi në Islam duhet të zotërojë aftësi dhe të identifikojë problemet “sëmundjet” që e fillojnë të shtrihen në mesin e masës, qofshin ato shpirtërore apo materiale. Të jetë shërues i zemrave dhe shpirtrave të tyre. Gjithmonë duke i drejtuar ata drejtë mësimeve të pastra islame, e duke i larguar nga çdo rrugë e dyshimtë që shpie apo ndiqet për ilaç ndaj gjendjes së tyre që për fat të keq sot në mjedisin tonë shqiptar janë shtuar me të madhe. Në këtë pikë, ai duhet t’ua rikujtojë atyre edhe metodologjinë e frikës dhe shpresës duke ua rikujtuar gjithmonë faktin se kjo botë është e shkurtër dhe mashtruese. Përgatitja më e mirë është përkushtimi i plotë ndaj Allahut xh.sh., dhe furnizimi më i mirë mbetet devotshmëria ndaj Krijuesit drejt rrugës së Tij. “Dhe përgatituni me furnizim (për rrugë), e furnizimi më i mirë është devotshmëria, e ju të zotët e mendjes keni dronë Time.” (El-Bekare, 197).
Kënaqësia e momentit që rrjedh nga mëkati është e shkurtër, por përfundimin e saj e ka të hidhur gjatë jetës në vijim. I mençur mbetet ai që duron dhe përmbahet nga kënaqësia e haramit, e cila nuk zgjatë shumë duke përzgjedhur kënaqësinë e hallallit, e cila zgjatë dhe e shpëton nga dënimi i xhehenemit. Ndërkaq kur ta vërej thirrësi (daiu) te të pranishmit se ata ndjehen pesimistë dhe kanë humbur shpresën tek Allahu, atëherë ai duhet t’ua përmend atyre madhështinë e mëshirës së Krijuesit dhe se ai pranon pendimin e bërë me sinqeritet. Këtu kemi ajetin kuranor ku Allahu na ka rikujtuar neve: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është mëshirues!” (Ez-Zumer, 53).
Po ashtu këtu mund t’ua prezantojë atyre tregimin e vrasësit, i cili kishte vrarë njëqind persona dhe se një i ditur e kishte udhëzuar atë se si të pendohej te Krijuesi dhe të kthehet te vendbanimi i njerëzve të mirë

9. Thirrësi në islamë duhet të ofrojë sqarime të bollshme rreth ajeteve dhe haditheve në mënyrë që mos të krijojë keqkuptime në mesin e masës. Si p.sh. kemi fjalën e Muhamedit a.s.: “Kush thotë nuk ka Zot tjetër pos Allahut me zemër të sinqertë do të hyjë në xhenet.” Në këtë pikë thirrësi duhet ta shpjegojë hadithin derisa ta kuptojë dëgjuesi në mënyrë të saktë.

10. Të tregoj seriozitet dhe paraqitje të bukur para masës dhe mos të ndikohet nga emocionet që gjatë elaborimit të temës të ngrit zërin dhe të nxitoj në të shprehur, ashtu siç mund dhe po ngjanë me disa ligjërues që janë bërë viktima e të folurit të tyre. Këtu ligjëruesve mund t’u ndihmoj shumë literatura e librat që kanë të bëjnë me të folurin në publik që mund të ngrenë performancën e tyre dhe të jenë në nivelin e përgjegjësisë së plotë, e aq më shumë sot kur hytbetë incizohen e ndoshta edhe transmetohet direkt nga masa në rrjete sociale. Andaj këtu duhet një seriozitet dhe paraqitje sa më e mirë e imamit (thirrësit) dhe të dijë saktë se media nuk të falë gabimin e bërë në publik.

11. Hytbeja duhet të ketë synim që të ofroj shembuj konkret dhe është e rëndësishme që të gjithë të kuptojnë domosdoshmërinë e unitetit dhe bashkimit të mendimit të aktivistëve në shërbim të Islamit dhe problemeve të tij edhe nëse ndryshojnë vizionet dhe mendimet e tyre për gjëra të pjesshme në disa çështje, sepse nëse ndryshojnë mendimet e tyre, nuk është e domosdoshme që të ndryshojnë edhe zemrat. Mu ashtu siç thotë dijetari i famshëm i Islamit, prof. dr. shejh Jusuf Kardavi në librin e tij “Rizgjimi Islam, nga adoleshenca drejt pjekurisë”, ku sqaron se ne kemi synime të mëdha me të cilat synojmë që të zgjojmë ymetin mysliman dhe ta ngremë materialisht dhe shpirtërisht dhe ta vëmë në pozi-cionin e saktë mes popujve të tokës, si ymet i të mesmes dhe me cilësinë e tij si (populli më i mirë që ka dalë për njerëzimin). Ne duam që ta ndryshojmë ymetin nga brenda tij për të rregulluar vetat tona, që Allahu i Madhërishëm sipas ligjit të Tij ta ndryshojë gjendjen tonë. Ne kërkojmë që të rrisim një individ të devotshëm, një familje të devotshme, një shoqëri të devotshme, një komb të devotshëm, një shtet të devotshëm dhe të gjitha këto janë synime të mëdha për realizimin e të cilave duhet që të bashkojmë të gjitha përpjekjet, të mendojnë së bashku të gjitha mendjet dhe të bashkojmë të gjitha forcat. Një njeri i vetëm është pak, por bashkë me vëllain e tij bëhet shumë. Dora e Allahut të Madhërishëm është me bashkësinë dhe myslimani për myslimanin është si një ndërtesë, tullat e së cilës shtrëngojnë njëra-tjetrën. Punët individuale me gjithë shpërblimin e madh që kanë, nuk munden që të vetme të mbajnë detyrat e mëdha. Prandaj, Islami na ka ftuar për të bashkëpunuar dhe na ka urdhëruar për të duke thënë: “..Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e assesi në mëkate e armiqësi...” (El-Maide, 2).
Ne shikojmë se si armiqtë e Islamit punojnë të organizuar në grupime të mëdha, sepse kështu u mundësohet realizimi i qëllimeve të tyre rajonale dhe botërore me anë të bashkëpunimit, përkrahjes dhe sakrificës për njeri-tjetrin. Kështu ata realizojnë atë që ne na e ka obliguar feja jonë. Edhe po të mos kishte qenë kjo e urdhëruar nga feja, ne duhej që ta përfitonim atë prej tyre dhe të mos mbetemi prapa. Nëse disave mund t’u lejohet që të ndryshojnë në mendime dhe të debatojnë në gjendje të zakonshme dhe në pozitat e fitimtarit, kjo kurrsesi nuk lejohet që të ndodhë në kohë të vështira të sprovave. Njerëzit e përçarë zakonisht në kohët e vështira bashkohen dhe të dëmtuarit bashkohen nga fatkeqësitë, siç ka thënë edhe një poet i vjetër: “Në kohë të vështira harrohen mëritë”. Në këtë kohë, ne po kalojmë sprova të vështira dhe goditje të forta kudo në vendet tona dhe në gjithë ymetin në tërësi dhe sidomos pas ngjarjeve të shtatorit 2001, ku i gjithë ymeti nga Lindja e deri në Perëndim ka hyrë në një sprovë të vështirë dhe në një pozicion të rrezikshëm, që na e bën të detyrueshme për ymetin në mënyrë të përgjithshme dhe për dijetarët, ftuesit që t’i harrojnë debatet dhe betejat e tyre anësore dhe të qëndrojnë ne një front të vetëm të bashkuar në betejën me të cilën përballet Islami dhe ymeti.5)
Sigurisht që bashkë me zgjedhjen e një teme, nevojitet të përcaktosh edhe qëllimin e përgjithshëm të fjalimit (hytbes). Zakonisht, ky i përket njërës prej dy kategorive, që përkojnë pjesërisht me njëra-tjetrën të informosh ose të bindësh.

Përcaktimi i qëllimit të përgjithshëm

Bashkë me zgjedhjen e një teme, nevojitet të përcaktosh edhe qëllimin e përgjithshëm të fjalimit. Zakonisht, ky i përket njërës prej dy kategorive, që përkojnë pjesërisht me njëra-tjetrën, të informosh ose të bindësh. Kur qëllimi yt i përgjithshëm është të informosh, atëherë sillesh si mësues ose si lektor. Qëllimi yt është përcjellja e informacionit, përcjellja e qartë, e saktë dhe interesante. Kur qëllimi i përgjithshëm është të bindësh, sillesh si mbrojtës (avocate) ose përkrahës (partisan). Ti kalon nga dhënia e informacionit në përkrahjen e një kauze. Dëshiron të ndryshosh ose të strukturosh qëndrimet apo veprimet e audiencës. Dallimi midis informimit dhe bindjes është dallimi midis shpjegimit dhe nxitjes. Nëse mundohesh t’i bindësh dëgjuesit se ata duhet të fillojnë një program të rregullt, natyrisht, nuk mund ta bësh këtë pa dhënë infor-macion, por qëllimi yt kryesor është të bësh që dëgjuesit të përqafojnë këndvështrimin tënd, pra të bësh që
ata të besojnë diçka ose të bëjnë diçka si rrjedhojë e fjalimit tënd. Në fjalimet në klasë, qëllimi kryesor, zakonisht, specifikohet si pjesë e detyrës. Ndërsa për fjalime jashtë klasës, duhet ta gjesh vetë qëllimin e përgjithshëm. Zakonisht, kjo është e lehtë për t’u bërë. Po shpjegon, po raporton apo po vërteton diçka? Atëherë qëllimi yt i përgjithshëm është të informosh. Po shet, po përkrah apo po mbron diçka? Atëherë qëllimi yt i përgjithshëm është të bindësh. Por pavarësisht situatës, duhet të jesh i sigurt për çfarë shpreson të arrish me anë të të folurit. Njohja e qëllimit të përgjithshëm është hapi i parë. Hapi i dytë është përcaktimi i qëllimit specifik.6 E cekëm më herët se ligjëruesi (hatibi) duhet të orientohet që një ide apo temë të caktuar, duhet ta elaborojë sa më mirë që mundet në mënyrë që hytbeja të kuptohet sa më drejtë nga të pranishmit. Por për të arritur këtë duhet t’u përmbahet disa elementeve:

Hyrja – Patjetër që hyrja duhet të jetë sa më tërheqëse dhe atraktive, ngase ajo përbënë titullin që çdo gjë ndërtohet mbi të, duke përfshirë këtu shtrirjen e ideve të cilat arrijnë deri te zemra e dëgjuesit dhe ndjenjat e tyre si p.sh.: të hap me këtë tekst fetar kur Muhamedi a.s., e ka mbledhur popullin e tij në kodrën Safa dhe ka thënë: ““Çfarë mendoni, po t’ju thosha se në luginë gjendet kalorësia e cila do t’ju sulmojë, a do të më kishit besuar?” Ata u përgjigjën: “Ne do të besonim, se ti kurrë nuk na ke gënjyer.” “Atëherë”, - ai tha, - “dijeni se unë jam i dërguar te ju që t’ju tërheq vërejtjen për vuajtjet e rënda dhe ndëshkimin që ju pret.”, tha: “Unë jam qortues për ju…” (Buhariu dhe Muslimi).
Apo hyrja mund të përmbajë edhe falënderim në adresë të xhematit për ndonjë aksion të caktuar bamirës, e kjo do të tërhiqte dhe përvetësonte dashurinë dhe dëgjimin e hytbes. Gjithsesi se hyrja duhet të përmbajë këto gjëra:

1.Të jetë e shkurtër përmbajtjesore në mënyrë që dëgjuesi mos të shpërqendrohet me atë që nuk kërkohet;
2.Të përmbajë elemente atraktive; dhe
3.Të jetë ndihmëse e temës e jo të jetë larg saj.(7)

Po ashtu një element tepër me rëndësi për hatibin është fakti se ai duhet t’i shmanget meseleve dhe mendimeve divergjente të dijetarëve që ka nga ato që janë mendime jo kompakte dhe të çuditshme, sikurse duhet t’u shmanget disa tregimeve imagjinatave që janë të çuditshme apo edhe bien ndesh me konceptin e fesë. Po ashtu duhet ligjëruar në nivel të tyre përndryshe do t’u bëjë njerëzve sprovë në fe. Një element tepër me rëndësi është edhe dukja e ligjëruesit (pamja e jashtme). Veshja e tij të ketë shije, të reflektoj seriozitet e uniforma për këtë rast është veshja më e mirë dhe ndikimi e përvetësimi i masës do të jetë edhe më shumë. Po ashtu veshja nuk duhet të jetë në kundërshtim me shijen e ambientit social ku zhvillon thirrjen islame.
P.sh. nuk i lejohet ligjëruesit të vishet me veshje të tinejxherëve apo të vishet me rroba të cilat i urrejnë njerëzit. Prandaj, uniforma është reprezentative për ligjëruesin. Folësit e mirë janë të përqendruar tek audienca. Ata e dinë se qëllimi i bërjes së fjalimit është të fitohet reagimi i dëshiruar nga dëgjuesit. Kur punon me fjalimet e tua, ki parasysh tri pyetje: “Kujt po i flas? Çfarë dua që dëgjuesit të mësojnë, të besojnë apo të bëjnë si rezultat i fjalimit tim? Cila është mënyra më efektive e ndërtimit dhe e prezantimit te fjalimit tim, për të përmbushur atë qëllim?” Fjalimet e tua në klasë do të jenë rast i shkëlqyer për t’u përballur me këto pyetje, në mënyrë që të mendosh për shokët e tu të klasës si një audiencë reale. Për të qenë folës efektiv, duhet të dish diçka rreth psikologjisë së audiencës. Perceptimi i auditorit është përzgjedhës. Edhe kur dëgjuesit kushtojnë vëmendje, ata nuk e marrin mesazhin e folësit ashtu siç e synon folësi. Njerëzit dëgjojnë që të duan të dëgjojnë. Njerëzit janë edhe egocentrikë. Qasja e tyre ndaj një fjalimi është pyetja tipike: “Perse kjo është e rëndësishme për mua?” Ndaj duhet të studiosh audiencën dhe t’ua përshtatësh fjalimin tënd bindjeve dhe interesave të saj. Hapi i parë në njohjen e audiencës (xhematit) është ndërmarrja e një analize demografike. Kjo përfshin tipare të rëndësishme identifikuese të audiencës, si mosha, gjinia, feja, përkatësia grupore, racore, etnike apo kulturore. Hapi i dytë në njohjen e audiencës tënde është zhvillimi i një analize të situatës së audiencës. Këtu përfshihen tipare unike identifikuese në varësi të kontekstit, si madhësia e audiencës, mjedisi fizik dhe prirja e audiencës ndaj temës, ndaj folësit dhe ndaj qëllimit. Brenda mundësive, merrni mendimin e atij që ka mbajtur fjalime me të njëjtën audiencë më parë.
Me të përfunduar analizën e audiencës, duhet t’ua përshtatësh fjalimin tënd asaj, në mënyrë të qartë e bindëse për dëgjuesit. Mbaji ata vazhdimisht në mendje, kur përgatit fjalimin (hytben). Vendose veten në vendin e tyre. Përpiqu ta dëgjosh fjalimin siç do ta dëgjonin ata. Parashiko çështje dhe kundërshtime dhe përpiqu t’u përgjigjesh përpara. Kur mban fjalim, kushtoji vëmendje reagimit të audiencës. Nëse vëren pakënaqësi apo mëdyshje në fytyrat e dëgjuesve tu, mund të të duhet një rishikim. Ashtu si aspekte të tjera të përshtatjes me audiencën, kjo mund të jetë e vështirë në fillim, por, nëse përpiqesh, shpejt do të shohësh rezultatet.8 Në fund të hytbes duhet të bëjë një përmbledhje të asaj që ka shtjelluar përgjatë hytbes në pika të shkurtra.



1. Abdullah Nasih Ulvan, Medresetu-d-duatifusulun hadife fi fikhi-d-aveti ve d-aveti, v.1, Daru-s-elam, bot.1, Kajro, 2001, f. 447.
2. Abdulkerim Zejdani, Usulu-d-ave, Muesesetu errisale, botimim i IX-të, Bejrut, 1999, f. 575.
3. Rijadu-s-alihin, f. 297.
4. Rijadu-s-alihin, f. 297.
5. Jusuf Kardavi, Rizgjimi Islam nga adoleshenca drejt pjekurisë, Furkan, 2007, Shkup, f.341.
6. Stephen E. Lucas, Arti i të folurit publik, Uetpress, Tiranë, 2010,f.121.
7. Tevfik el Vaië, Eddavetu ilall-llah, Darul jekin, botim i dytë, Mensure, 1995, f.278. 8. Stephen E. Lucas, Arti i të folurit publik, Uetpress,Tiranë, 2010, f.165.


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Kumtesa e Dr. Valon Myrta në Dëgjesën - Konfigurimi i zbatimit të Islamit për një shoqëri në ndryshim