Si pasojë e largimit nga mësimet hyjnore individi dhe shoqëria po kalon një jetë të ashpër, ku nëpërkëmben vlerat dhe gjithnjë e më shumë kemi rënie dhe shfrenim moral. Në këto ditë të materializmit të ashpër, në zemrat e njerëzve mungon drita e imanit dhe dominon errësira që ka rezultuar me një gjendje të rëndë, me boshllëk shpirtëror dhe me johumanizëm.
Mënyra jonë familjare në shumëçka është larguar nga dispozitat islame dhe në familjet tona janë futur sjellje dhe dukuri joislame. Janë përhapur sharjet, ofendimet, paturpësia, shfrenimi, çoroditja, mosrespekti dhe imoraliteti. Në mënyrë të veçantë sot ndihet kriza e rëndë morale dhe e njerëzillëkut. Prandaj, për t'i ruajtur të rinjtë nga këto cilësi negative, duhet që të rinjtë të edukohen në frymën e fesë islame. Faktorët që ndikojnë për sjellje jo të mirë në familje janë alkooli, droga dhe varfëria, joedukimi, mungesa e edukatës fetare etj.
Psikologët thonë se “devijimi i të rinjve shfaqet në disa forma, sikurse janë: konsumimi i pirjeve dehëse, droga, vjedhja, etj. Këto gjëra e çojnë një të ri madje edhe deri tek ushtrimi i dhunës ndaj prindërve.
Shumë prindër konsiderojnë se fëmijët e tyre, që nuk sillen si duhet, janë një sprovë nga Zoti. Ndërkaq ata sikur harrojnë se janë vetë ata që mbajnë përgjegjësinë, sepse nuk i kanë edukuar si edhe sa duhet fëmijët.
Ndërkaq, një i ri që rritet në një familje me moral të lartë, ku nuk përdorën fjalë fyese, ku falet namazi dhe lexohet Kur'ani, nuk ka mundësi që të mos sillet mirë me prindërit e tij. Rëndësinë që i kushton Islami edukimit të rinisë në frymën fetare e kuptojmë nga ky hadith: “Urdhëroni fëmijët tuaj, që të falin namazin kur të jenë 7 vjeç, kurse kur t’ bëjnë 10 vjet madje edhe goditini për ta falur namazin.”
Fëmijët imitojnë dhe përsërisin modelin e sjelljeve të prindërve të tyre. Prandaj kur shohim gjendjen në të cilën është katandisur rinia jonë, lirisht mund të konkludojmë se shumë prindër nuk janë shembull i mirë dhe nuk janë duke e kryer detyrën e tyre të shenjtë dhe të vështirë. Allahu thotë: “O ju, që besoni! Ruajeni veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (Et Tahrim: 60).
Muhamedi a.s. thotë: “Prindi nuk mund t’i lërë dhe t’i dhurojë fëmijës së tij asgjë më të mirë se edukimi i mirë”. Abdullah Ibën Omer në një thënie thotë: “Edukoje fëmijën tënd sepse do të merresh në pyetje se si e ke edukuar dhe çka i ke mësuar, kurse ai do të pyetet se a është sjellë me mirësi ndaj teje dhe a të ka dëgjuar”.
Dëgjueshmëria e fëmijëve ndaj prindërve është një urdhër dhe dispozitë e obligueshme fetare. Kjo ngase fëmijët duhet të jenë të dëgjueshëm dhe të sjellshëm ndaj prindërve, t’i respektojnë dhe t’i duan ata dhe gjithashtu janë të obliguar të përkujdesen materialisht ndaj tyre nëse ata janë të varfër.
Mu për këtë, fëmijët qysh herët në familjet e tyre duhet të mësohen që t’i respektojnë të rriturit dhe më të moshuarit. Përgjegjësia e fëmijëve dhe mirësjellja ndaj prindërve është domosdoshmëri dhe obligim që duhet të tregojnë të rriturit ndaj prindërve.
Njashtu sikurse prindërit që janë përpjekur dhe e kanë pasur për detyrë që ta mbikëqyrin dhe ta rrisin në mënyrë sa më të mirë fëmijën, njashtu edhe fëmijët e kanë për detyrë që të përkujdesen për prindërit e tyre, duke i vlerësuar dhe duke i respektuar ata.
Prindërit investojnë shumë mund që të shprehin përkushtim dhe dashurinë e tyre me qëllim që t’i bëjnë të lumtur fëmijët, t’i mbrojnë dhe t’u ofrojnë prehje e siguri. Ata sakrifikojnë çdo gjë për ta: kohën, rahatinë, gjumin, pasurinë, shëndetin, madje janë në gjendje të japin edhe jetën e tyre dhe këtë e bëjnë me kënaqësi dhe vetëdëshirë, kurse fëmija shpejt e harron këtë, prandaj Allahu i madhërishëm na e kujton këtë në Kur’anin famëlartë: “Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës....“ (El Isra: 24).
Duke u sjellë me përgjegjësi të dy palët mund të formojnë një atmosferë ku edhe prindërit edhe fëmijët të kenë respekt për njëri-tjetrin. Ndonëse të dy palët duhet të sillen si palë të pjekura dhe të përgjegjshme, s’duhet harruar se ka raste kur djemtë duke marrë përsipër përgjegjësinë ndaj prindërve dhe plotësimit të nevojave të tyre, jo rrallë herë duhet të sillen ndaj tyre sikurse ata që janë sjellë në vogëli me ta.
Duke pasur parasysh se prindërit sakrifikojnë për ne më shumë se kushdo tjetër, edhe sjellja jonë ndaj tyre duhet të jetë në nivelin e sakrifikimit të tyre. Madje është e pamundur që t’iu kthehet prindërve gjithë ajo që ata bëjnë për fëmijët e tyre.
Prindërit nuk duhet të shihen dhe as të shikohen me inat, por me mirësi dhe simpati. Nuk duhet të ngrihet zëri ndaj tyre. Kur të ecet të mos ecet para tyre. Duhet të respektohet e shkuara dhe përvoja e prindërve dhe të vizitohen miqtë e tyre. Duhet të kërkohet falje për ta pas vdekjes së tyre. Në një hadith thuhet: “Njeriu do të lartësohet në xhenet. Ai do të pyesë “prej nga kjo?” Do t’i përgjigjet: “Kjo është nga kërkimi i faljes së fëmijës tënd për ty!”
Sot ka raste kur fëmijët nuk përkujdesen për prindërit të tyre, por i lënë nën përkujdesjen e institucioneve sociale, sikurse është azili i pleqve dhe i privojnë ata nga kujdesi dhe ngrohtësia që duhet të tregohet ndaj prindërve të moshuar. Madje nuk janë të rralla rastet kur fëmijët ushtrojnë dhunë psikike e fizike ndaj prindërve.
Se sa rëndësi i jep Islami sjelljes sonë ndaj prindërve, duke na kujtuar sakrificën dhe gjithë atë që kanë bërë ata ndaj nesh, mund ta kuptojmë nga hadithi që e transmeton Abdullah b. Amër, r.a, ku Pejgamberi a.s. thotë: “Kënaqësia e Allahut është në kënaqësinë e prindërve, kurse zemërim i Allahut është në zemërimin e prindërve!”. Pra, mirësia ndaj prindërve paraqet njërën nga veprat më të dashura për Allahun.
Sjellja e mirë vjen menjëherë pas besimit në Allahun: “Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj as “uh”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti.” (El Isra: 23). Pra, nga ky ajet kur’anor shohim se mosdëgjueshmëria dhe sjellja jo e mirë ndaj prindërve është radhitur menjëherë pas shirkut dhe mosbesimit.
Sikurse transmeton Ebu Derda, Pejgamberi a.s ka thënë: “Prindërit janë dera e mesme e xhenetit, nëse dëshiron lëre, nëse dëshiron ruaje atë!”
Kur është pyetur Pejgamebri a.s. për veprat e dalluara ka thënë: “Namazi në kohën e vet”. Pastaj ka thënë “Mirësia ndaj prindërve” dhe më pas ka thënë “Xhihadi në rrugën e Allahut”.
Mjerisht sot sjellja e shumë muslimanëve ndaj prindërve dhe ndaj njerëzve më të moshuar shkakton zemërimin e Allahut në vend që ata të fitojnë xhenetin dhe bukuritë e tij të paimagjinueshme.
Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi a.s. njëherë tha: “I përbuzur qoftë!” dhe këtë e përsëriti tri herë. Pyetjes së sahabëve: “Kush është ai, o i Dërguari i Allahut?”, Pejgamberi a.s. u përgjigj: “Ai që arrin pleqërinë e prindërve, apo njërit prej tyre, dhe për shkak të tyre nuk hyn në xhenet!”