Komentimi i sures Muhamed – (VIII)


Sprovat e besimdrejtëve dhe mjerimi i jobesimtarëve


“Ne do t’ju vëmë në provë derisa t’i njohim ndër ju, luftëtarët (muxhahidët) dhe të qëndrueshmit, dhe derisa t’i vërtetojmë të bëmat tuaja. Ata që nuk besojnë, që pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe që kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është bërë i qartë udhëzimi i vërtetë, ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun. Ai do t’i zhvlerësojë veprat e tyre. O ju që keni besuar! Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit, e mos i çoni dëm veprat tuaja! Pa dyshim, ata që nuk besojnë, dhe pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut pastaj vdesin si jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë”.(Muhamed, 31-34)

Shkaku i zbritjes së ajetit të 33-të

ransmetojnë Ibn Ebi Hatimi dhe Muhamed bin Nasr el Mervezij, nga Ebul Alijeh të ketë thënë: As’habët e
Resulullahut s.a.v.s. ishin të bindur se një mëkat nuk e dëmton dëshminë: “La ilahe il-la Allah”, ashtu siç mendonin se nuk ka vlerë as vepra e mirë, kur njeriu bën shirk.
E pasi që kur zbriti ky ajet “O ju që keni besuar! Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit, e mos i çoni dëm veprat tuaja!”, ata filluan të frikësoheshin që mëkatet të mos ua zhvlerësonin (dëmtonin) veprat e tyre.1

Shkaku i zbritjes së ajetit të 34-të

- Imam Hazini thotë se ky ajet: “Pa dyshim, ata që nuk besojnë, dhe pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut pastaj vdesin si jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë”, ka zbritur për parinë e kufrit të varrosur në gropën e Bedrit në krye me Ebu Xhehlin, të cilët kishin mbetur të vrarë në betejën e njohur të Bedrit, e pastaj ishin hedhur në një gropë të madhe në atë vend.2

Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake

Në ajetet paraprake, shihen qartë tendencat armiqësore të mynafikëve, të cilët tashmë kishin lidhur një aleancë të fshehtë edhe me jobesimtarët nga radhët e Ehli Kitabit (hebrenjtë), prandaj i Madhërishmi ia tregon qartë mynafikët të Dërguarit a.s., duke ia dëftuar mënyrën e njohjes së tyre, madje edhe nga zëri, për ta përfunduar me një mesazh shumë domethënës: “Allahu i di mirë veprat tuaja”. Kjo pjesë e ajetit i përfshin të gjitha krijesat, dhe nënkupton se të Lartmadhërishmit nuk mund t’i fshihet asnjë vepër e krijesave, dhe ndërlidhet fuqishëm me ajetet në vazhdim, ku tash Allahu xh.sh. iu drejtohet besimtarëve me njoftimin se do të sprovohen në këtë botë, derisa të dallohen qartë ata me besim të pastër e të paluhatshëm në Allahun Fuqiplotë, e njëkohësisht duke ua bërë me dije jobesimtarëve të cilët pengojnë nga rruga e Allahut dhe, vdesin si jobesimtarë, veprat e tyre do t’u asgjësohen dhe do të jenë banorë të Xhehenemit.

Koment:

31. Ne do t’ju vëmë në provë derisa t’i njohim ndër ju, luftëtarët (muxhahidët) dhe të qëndrueshmit, dhe derisa t’i vërtetojmë të bëmat tuaja...
Nëpërmjet këtij ajeti, Allahu i Gjithëpushtetshëm proklamon programin jetësor që duhet ndjekur besimtari gjatë jetës në këtë botë, sidomos nga aspekti i obligimeve sheriatike, duke ia bërë me dije krijesës njerëzore se kjo dynja është vend i sprovave të mëdha. Në lidhje me këtë, Allahu i Lartmadhërishëm na ka dhënë shenjë edhe në shumë ajete të tjera kuranore, sepse vetëm nëpërmjet sprovave, do të dallohen njerëzit që besimin e kanë vërtet të sinqertë, nga ata që e kanë sa për sy e faqe. Prandaj, edhe ky ajet kuranor,
synon të shpërfaq besimtarët e vërtetë, të cilët zbatojnë urdhrat e Allahut në çdo sferë të jetës, e ndër to edhe luftën në rrugën e Allahut, e cila nuk nënkupton doemos vetëm luftën në kuptimin klasik të fjalës, por luftën me nefsin, me egot, me epshin etj. Vetëm kështu do të dallohen besimdrejtët dhe durimtarët nga mynafikët, të cilët iu bishtnojnë detyrimeve fetare sapo t’u jepet mundësia, duke i shkaktuar dëme shoqërisë islame por edhe kauzës së besimit në përgjithësi.
Pjesa e fundit e ajetit, “dhe derisa t’i vërtetojmë të bëmat tuaja”, nënkupton se Allahu Fuqiplotë do t’ia shfaqë secilit njeri veprat që ai i bën, qofshin ato të mira apo të këqija, në mënyrë që të dihet e të shihet puna e tij dhe që secili ta shohë veten se ku është në raport me Krijuesin e tij.
Në lidhje me këtë sprovim të shfaqjes së veprave nga ana e të Lartmadhërishmit, Ibrahim ibn Esh’ath ka thënë: “Kur Fudajl ibn Ajadi e lexonte këtë ajet, qante dhe thoshte: “O Allah, mos na sprovo, sepse po na sprovove, do të na dalin në shesh të këqijat tona, dhe do të na griset perdja e mbulesës Sate.”3
32. Ata që nuk besojnë, që pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut dhe që kundërshtojnë të Dërguarin, pasi u është bërë i qartë udhëzimi i vërtetë, ata nuk mund ta dëmtojnë aspak Allahun. Ai do t’i zhvlerësojë veprat e tyre.
Në këtë ajet, shohim një kërcënim të hapët nga ana e të Plotfuqishmit ndaj jobesimtarëve, në këtë rast ndaj hebrenjve të Medinës, përkatësisht pjesëtarëve të dy fiseve të tyre, Benu Kurejdha dhe Benu Nadiir,4 të cilët përveçqë mohuan Njëshmërinë e Allahut, u pozicionuan haptazi kundër fesë dhe rrugës së drejtë, duke i penguar njerëzit me metoda të ndryshme, vetëm e vetëm t’i prapësojnë ata nga drita e Islamit. Ata mbanin një qëndrim armiqësor ndaj të Dërguarit të Allahut, i cili po i ftonte në besimin e pastër, larg besimit të kotë e të devijuar të tyre. Kjo armiqësi e tyre ishte shkak i inatit dhe i ngurtësisë së zemrave të tyre. Ata, si pjesëtarë të Ehli Kitabit, kishin njohuri se ishte afruar ardhja e Profetit të fundit, i kishin dëgjuar fjalët e Pejgamberit a.s., kishin qenë dëshmitarët të mrekullive të tij, por prapëseprapë, në zemrat e tyre të ndryshkura me kufër, nuk po arrinte të depërtonte drita e besimit. Me gjithë këtë vrazhdësi të tyre që po e
shfaqnin haptazi dhe kudo, megjithatë ata nuk mund ta dëmtojnë Allahun aspak, sepse Ai është i Larti, Madhështori dhe i Gjithëpushtetshmi. Në Dorën e Tij është çdo gjë. Ai mban rregullin e kësaj gjithësie dhe para Tij do të bëhet Llogaria e fundit. Jobesimtarët, në këtë rast hebrenjtë e Medinës, me këto veprime të tyre armiqësore, shkaktuan hidhërimin e Allahut ndaj tyre, e Ai, do t’ua zhvlerësojë çdo vepër të tyre të mirë që e kanë punuar në këtë botë. Në Mizanin e Allahut, atyre nuk do t’u peshohet asnjë vepër e mirë, por Libri i tyre pas një gjykimi të drejtë hyjnor do të mbyllet me verdiktin final, me destinacionin e fundit - zjarrin e Xhehenemit.
33. O ju që keni besuar! Binduni Allahut dhe binduni të Dërguarit, e mos i çoni dëm veprat tuaja!
Në ajetin paraprak, pamë se jobesimtarëve do t’u zhvlerësohen veprat, tash i Lartmadhërishmi, iu drejtohet besimtarëve, të cilët e besuan Allahun, të Dërguarin dhe Ditën e Gjykimit, që t’i bindeshin Allahut dhe të Dërguarit të Tij, duke i respektuar urdhrat hyjnorë, në mënyrë që të mos u zhvlerësoheshin edhe atyre veprat, nga ndonjë vepër e shëmtuara siç janë mëkatet e mëdha, syfaqësia, mendjemadhësia dhe veprimet e tjera të këqija që të shtyjnë drejt greminave të mëkatimit.5
Siç pamë nga shkaku i zbritjes, as’habët e Resulullahut s.a.v.s. ishin të bindur se kur njeriu thotë “La ilahe il-la Allah”, këtë dëshmi imanore nuk e dëmton ndonjë mëkat, ashtu siç mendonin se nuk ka vlerë as ndonjë vepër e mirë, kur njeriu bën shirk – d.t.th. është idhujtar. Por pasi që zbriti ky ajet, besimtarët filluan të kishin frikë që të mos binin në ndonjë mëkat të madh, që do t’ua zhvlerësonte punët e tyre të mira.
Transmetohet nga Katadeja r.a. të ketë thënë: “Allahu e mëshiroftë atë rob që nuk e shkatërron veprën e tij të mirë me ndonjë punë të keqe”, ndërsa nga Ibn Abasi është transmetuar të ketë thënë: “Mos i shkatërroni (asgjësoni) veprat tuaja të mira me syfaqësi, mendjemadhësi, dyshim a hipokrizi.”6
34. Pa dyshim, ata që nuk besojnë, dhe pengojnë (të tjerët) nga rruga e Allahut pastaj vdesin si jobesimtarë, Allahu nuk do t’i falë kurrë.”
Ashtu siç pamë edhe nga shkaku i zbritjes, ky ajet ka zbritur për jobesimtarët e vrarë në luftën e Bedrit, e në krye të tyre, Ebu Xhehli. Këta idhujtarë-jobesimtarë jo vetëm që nuk e pranuan dritën e udhëzimit, por përveç kësaj, edhe i penguan edhe të tjerët që të përudheshin në rrugën e së vërtetës, prandaj, atyre që vdiqën në kufër, pa u penduar, Allahu nuk do t’ua falë kurrë.7 Dispozita e këtij ajeti është e përgjithshme për krejt jobesimtarët, në çdo vend dhe kohë. Ndëshkimi i tyre do të jetë i tmerrshëm. Dita e Gjykimit do të jetë dita kur
ata do të përballen me drejtësinë hyjnore, dhe do ta shijojnë dënimin e merituar.
I Gjithëmëshirshmi, ka treguar qartë në Kuranin fisnik, se Allahu i fal të gjitha gjynahet përveç shirkut: “Vërtet, Allahu nuk e fal (gjynahun) që të adhurohet dikush tjetër veç Tij, ndërsa gjynahet e tjera ia fal kujt të dojë. Kushdo që i bën shok Allahut (në adhurim), ka bërë gjynah të madh.” - (En-Nisa’ë, 48).
Nga kjo shihet se mohimi i Allahut apo adhurimi i dikujt tjetër në vend të Tij, i mbyll të gjitha dyert për jobesimtarët. Për ta nuk do të ketë mëshirë e as dhembshuri. Skëterra do të jetë vendqëndrim i tyre i përjetshëm.

Porosia e ajeteve (31-34)

- Besimdrejtët, Allahu xh.sh. do t’i vë në sprovë në këtë botë, derisa të dallohen luftëtarët në rrugën e Allahut. E këtë mirësi, mund ta arrijnë vetëm ata që janë të qëndrueshëm dhe durimtar në sprova.
- Jobesimtarët e të gjitha ngjyrimeve ideologjike, përkundër mllefit që mbajnë në zemra ndaj besimtarëve, do të jenë të humbur. Allahu do t’ua zhvlerësojë edhe ndonjë vepër të mirë që e kanë bërë në këtë botë, në mënyrë që dënimi i zjarrit të jetë meritor për ta. Kufri apo mosbesimi i tyre, në asnjë mënyrë nuk mund ta dëmtojë Allahun, sepse Ai është Krijuesi i çdo gjëje dhe po ashtu Mbikëqyrësi i kësaj ekzistence.
- Bindja dhe nënshtrimi ndaj urdhrave të Allahut dhe respektimi i porosive të Pejgamberit a.s., është cilësia që i veçon besimtarët nga të tjerët. Këta, duke iu bindur Krijuesit të tyre dhe duke pasuar Pejgamberin a.s., e ndjejnë në zemër e në shpirt kënaqësinë dhe ëmbëlsinë e besimit-imanit. E vetmja brengë e tyre është që Allahu dhe i Dërguari i Tij, të jenë të kënaqur ndaj tyre, dhe që të ruhen nga rënia në mëkate të mëdha, qoftë edhe nga mosdija, të cilat pastaj mund t’ua dëmtojnë veprat e tyre të mira.
- Ata njerëz që vdesin si jobesimtarë, duke mohuar Allahun si krijues të tyre, për ta nuk ka falje e as mëshirë. Ata do të jenë përjetësisht banorë të Zjarrit, sepse dera e pendimit sa ishin në këtë botë, ka qenë gjithmonë e hapur për ta.

- vijon –


1 Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukuli fi esbabi-n-nuzuli, ff. 234-235.
2 Hazini, Lubabu-t-te’vil fi meani-t-tenzil, Bejrut, 2004, vëll. 4, f. 150.
3 Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 450.
4 Ibn Adil ed-Dimeshkij el-Hanbelij, El-Lubab fi ulumi-l Kitab, Bejrut, 1998, vëll. 17, f. 68.
5 Shih më gjerësisht: Ebu Bekr el-Xhezairij, Ejserut-t-tefasir li kelami-l Alijji-l Kebir, Medinë, 1997, vëll, 5, ff. 90-91.
6 Et-Tefsiru-l Munir, vëll. 26, f. 456.
7 Mufti Mahmud bin Muhamed Nesib el Hamzavi el Hanefij, Durru-l esrar fi tefsiri-l Kurani bil hurufi-l muhmeleti, Bejrut, 2011, vëll. II, f. 409.



Sabri Bajgora