Të veçantat e Kuranit dhe rëndësia e tij në jetën e besimtarëve
“Elif, Lam, Mim. Këto janë ajetet e Librit plot urtësi, udhëzim dhe mëshirë për vepërmirët. Të cilët rregullisht e falin namazin dhe japin zekatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër (Ahiretin). Të tillët janë të udhëzuarit nga Zoti i tyre dhe të tillët janë të shpëtuarit” (Llukman, 1-5)
Koment:
1. Elif, Lam, Mim.
Në Kuranin famëlartë janë 29 sure që fillojnë me shkronjat simbolike, në mesin e tyre edhe surja Llukman, e cila fillon me shkronjat (Elif Lam Mim). Këto shkronja të ndara, kanë qenë në fokus të studimit të shumë dijetarëve nëpër kohë, ndonëse asnjëri prej tyre nuk ka ngulur këmbë e të pretendojë se ky mendim është më i sakti apo i vërteti.
Janë dhënë shumë mendime, ndër të cilat po përmendim këto:
- Ibn Abasi mendon se këto janë betime të Allahut dhe janë emra prej Emrave të Tij të Bukur;
- Katadeja anon nga mendimi se këto shkronja janë emra të Kuranit famëlartë;
- Muxhahidi mendon se këto janë vetëm pjesë hapëse, me të cilat Allahu i ka nisur disa sure kuranore;
- Abdurrahman bin Zejd bin Es-lemi thotë se këto shkronja janë emra të sureve, ndërsa
- Suddiu thotë se në këto shkronja fshihet emri më i madh i Allahut.
Ndërsa në këtë rast, ne përkrahim mendimin e shumicës dërrmuese të dijetarëve se këto shkronja paraqesin një sfidë të përhershme nga ana e Allahut, drejtuar çdo mohuesi, që prej kohës së idhujtarëve arabë e deri tek mohuesi i fundit jobesimtar, që do të frymojë mbi këtë tokë. Kjo sfidë do të mbetet e hapur për të gjithë ata që pretendojnë se mund të sjellin diç të ngjashëm me Kuranin, ndonëse rezultati do të jetë gjithmonë zhgënjyes për ata që mendojnë se në këtë Kuran ka dobësi apo fjalë të thurura nga njeriu. Ndërkohë, për besimtarët, Kurani gjithmonë do të mbetet Fjalë e Allahut dhe mrekulli e papërsëritshme deri në Ditën e Gjykimit.
Këto shkronja simbolike të shpërndara në fillim të disa sureve kuranore, si këto në suren Llukman: (Elif, Lam, Mim), dëshmojnë katërçipërisht se pikërisht nëpërmjet këtyre shkronjave nga të cilat përbëhet edhe vetë Kurani, Allahu xh.sh. i sfidoi idhujtarët mekas, e pas tyre kjo sfidë vlen edhe për mohuesit dhe idhujtarët e çdo kohe, që të sillnin një libër të ngjashëm me Kuranin: “A mos ata thonë: “Ai (Muhamedi) e trilloi?” Jo, por ata nuk besojnë! Atëherë le të sjellin një libër të ngjashëm me të, nëse ajo që thonë është e vërtetë !” - (Et- Tur, 33-34)
Pas kësaj, i sfidoi të sillnin dhjetë kaptina si ato të Kuranit, por sërish, ata nuk arritën të bënin një gjë të tillë: Nëse ata thonë: “Ai (Muhamedi) e ka trilluar atë!” Thuaju: “Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!” – (Hud, 13).
E në fund i sfidoi të sillnin të paktën një kaptinë të ngjashme me ato të Kuranit: “Nëse jeni në dyshim në atë që ia kemi zbritur robit tonë, atëherë sillni një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani)” - (El-Bekare, 23), por sërish dështuan, ashtu siç do të dështojnë në çdo kohë, sepse Allahu xh.sh., thotë: “Por nëse nuk mundeni (të sillni diçka të ngjashme me Kuranin) - e as që do ta bëni kurrë - atëherë ruajuni nga zjarri, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për jobesimtarët” - (El- Bekare, 24).
dhe: “Thuaj: “Edhe sikur të bashkoheshin njerëzit dhe xhinët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të bënin si ky, sado që ta ndihmonin njëri- tjetrin” – (El-Israë, 88)”
Këto shkronja simbolike, ndonëse në shikim të parë duken si shkronja të thjeshta me të cilat shkruajnë e komunikojnë njerëzit, megjithatë ato sakaq shndërrohen në shpallje hyjnore duke rrezatuar urtësi dhe mrekulli, por në të njëjtën kohë vazhdojnë të ruajnë atë fshehtësi enigmatike, kuptimin e së cilave Allahu xh.sh. e ka veçuar vetëm për Vete, derisa të mos vendos që këtë fshehtësi t’ia zbulojë ndonjërit prej të dashurve - evliave të Tij.
Për fund, kur jemi te shkronjat simbolike, dijetarët bashkëkohorë, janë unanimë se këto shkronja gjithsesi përmbajnë fshehtësi hyjnore, të cilat vetëm Allahu i di, por kush e di, ndoshta sekretin e tyre një ditë, Allahu do t’ua mundësojë ta zbulojnë e deshifrojnë gjeneratat e ardhshme islame. Ndërkohë, për brezin tonë, ato vazhdojnë të mbesin mrekulli dhe referenca të mjaftueshme të një sfidimi hyjnor për mohuesit e së vërtetës, deri në Ditën e Gjykimit.
2. Këto janë ajetet e Librit plot urtësi,
Ashtu si në shumicën e sureve kuranore që fillojnë me shkronjat simbolike, edhe në këtë sure, menjëherë pas përmendjes së tyre, ajeti pasues fillon me sqarimin se këto ajete kuranore, janë ajete të një Libri (Kuranit) që përmban plotë urtësi. E si të mos jetë i tillë, kur Ai që e ka zbritur është i Urtë dhe i Gjithëdijshëm, është Ngadhënjyes dhe i Gjithëfuqishëm.
Ajeti i dytë i kësaj kaptine, sikur paralajmëron se në këtë sure, do të flitet për urtësi dhe argumente të shumta nga ana e Allahut xh.sh. Ndër këto urtësi pa dyshim janë edhe këshillat e Llukmanit të urtë, drejtuar djalit të vet, të cilat do t’i komentojmë pak më vonë.
Termi “hakim - i urtë”, me të cilin është cilësuar Kurani në këtë ajet, është fjalë që derivon nga rrënja “hakeme”, e cila varësisht nga pozita në fjali, jep kuptime të ndryshme. F.v. “el-hikmetu” - urtësi, “hukm-ahkam” - dispozitë-a, “hakeme”- ka gjykuar, ndërsa në këtë ajet, kuptimi më i afërt i mundshëm është “i urtë” apo libër që përmban urtësi. E urtësia nënkupton gjetjen e së vërtetës në besim, në fjalë, vepra dhe në sjelljen individuale e kolektive. Kurani vërtet është libër që flet me urtësi, prandaj atij nuk mund t’i vishet e pavërteta as nga para e as nga prapa, sepse është zbritje e të Urtit dhe të Lavdishmit, i Cili është i gjithëdijshëm dhe i mirëinformuar për çdo hollësi të kësaj ekzistence: “Atij (Kuranit) nuk mund t’i vishet e pavërteta nga asnjëra anë; është i zbritur prej të Urtit, të Lavdishmit.” – (Fus- silet, 42).
3. udhëzim dhe mëshirë për vepërmirët.
Kurani fisnik, të cilin Allahu xh.sh. e cilësoi si libër të urtë, përveç të tjerash, është udhëzim dhe mëshirë, për ata njerëz-besimtarë, zemrat e të cilëve janë të dëlira e të pastra nga shirku dhe mosbesimi.
Fjala “muhsinin” në këtë ajet, që nënkupton vepërmirët, është pjesë e fjalës “Ihsan”, e cila siç dihet është pika më kulmore e besimit, ashtu siç ka ardhur në bisedën në mes të Dërguarit të Allahut dhe Xhibrilit a.s., kur është pyetur Muhamedi a.s. nga ai se “ç’është Ihasni”, e përgjigjja e tij ishte: “Ihsani është ta besosh Allahun, sikurse je duke e parë, dhe, ndonëse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty”
Në aspektin gjuhësor, fjala Ihsan nënkupton punën e mirë, e cila është e kundërta e keqbërjes. Kjo fjalë ngërthen në vete kuptime të shumta si përkushtimin në punë, sinqeritetin, mirësinë ndaj të tjerëve, devocionin në adhurim, bamirësinë ndaj prindërve, ruajtjen e lidhjeve familjare dhe mëshirën ndaj çdo krijese, qoftë njeri apo gjallesë. Ndërsa nga aspekti i adhurimit, ashtu siç thamë më lartë, Ihsani paraqet afrimin e robit tek Allahu me besim të pastër e të sinqertë, mu sikur je duke e parë Allahun, Krijuesin tënd. Ky besim i pastër, largon çdo zhibël të së keqes në zemrën e njeriut, andaj Allahu xh.sh. dëshiron që zemrat e besimtarëve, t’i përforcojë e fuqizojë në besim edhe me Ihsanin, si shkallën më të lartë të devotshmërisë dhe dashurisë ndaj Krijuesit fuqiplotë e të Gjithëmëshirshëm.
Imam Sharavi, duke tërhequr në paralele në mes këtij ajeti, dhe ajetit të dytë në suren El-Bekare: “udhëzim për të devotshmit” thotë: “Dallimi në mes: “udhëzim për të devotshmit” dhe: “udhëzim dhe mëshirë për vepërmirët”, është se “takvaja”, e kërkon besimin që d.t.th. zbatimin e domosdoshëm të tërë asaj që Allahu e ka bërë obligim, kurse “Ihsani” është shumë më lart mbi kuptim e “takvasë”, dhe nënkupton besimin e përcjellë me dashuri në kryerjen e obligimeve, duke kryer edhe më tepër se ç’të ka ngarkuar i Gjithëmëshirshmi.... Udhëzimi është shenjë për rrugën më të shkurtër në mirësi. Kurani ka zbritur për udhëzimin e një populli të cilët tashmë ishin të përhumbur në idhujtari e mosbesim, e kur Allahu i udhëzoi në rrugën e drejtë duke ua dëftuar e shfaqur dritën e së vërtetës, deshi që me mëshirën e Tij, t’ua ruajë këtë udhëzim, që më kurrë të mos ktheheshin sërish në të”.
4. Të cilët rregullisht e falin namazin dhe japin zekatin dhe besojnë bindshëmnë jetën tjetër (Ahiretin).
Në këtë shoqëri të përzgjedhur të njerëzve vepërmirë, bëjnë pjesë edhe ata që e falin namazin, me përkushtim, devocion dhe përulësi ndaj Krijuesit. Siç dihet, namazi është një prej pesë bazamenteve qendrore të Islamit, sipas hadithit të Pejgamberit a.s. Namazi përveç kësaj konsiderohet edhe si shtyllë fondamentale e Islamit. Ai që e mohon namazin, me unanimitetin e dijetarëve myslimanë, konsiderohet jobesimtar. Madje një gjë e tillë vlen edhe për besimtarin që e nënvlerëson namazin si njërin prej adhurimeve parësore, sepse i Dërguari a.s. ka thënë: “Ndërmjet njeriut dhe shirkut e kufrit, është lënia e namazit (me qëllim)” Andaj nuk është për t’u çuditur pse pikërisht namazi do të jetë i pari, për të cilin njeriu do të japë llogari në Ditën e Gjykimit
Nëpër librat e hadithit është shënuar se kur i Dërguari a.s. gjatë misionit të Thirrjes, e gjente veten në vështirësi, i drejtohej Bilalit r.a., me këto fjalë: “Na qetëso me namaz o Bilal, sepse Allahu na ka thënë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz” - (El-Bekare, 45).
Ata që e kanë zemrën të lidhur me namaz duke frekuentuar xhamitë në kohë të caktuara të faljes me xhemat, të tillët do të jenë nesër në mesin e shtatë grupeve që do të jenë nën hijen e mëshirës së Allahut në Ditën e Gjykimit, ashtu siç ka sqaruar i Dërguari a.s. në hadithin e tij të cilin e përcjell Ebu Hurejra kur thotë: “Shtatë persona (grupe njerëzish) do të jenë nën Hijen e (mëshirës së) Allahut, ditën që nuk ka hije veç Hijes së Tij: Prijësi i drejtë, i riu që rritet me adhurimin e Allahut, personi që zemrën e tij e ka të lidhur me xhamitë, dy persona që u deshën për hir të Allahut, i bashkoi dhe i ndau dashuria për hir të Tij, një person të cilin e fton (për të bërë zina, imoralitet) një grua me pozitë dhe e bukur e ky i thotë: “Unë i frikësohem Allahut!”, një person që jep Sadaka (lëmoshë) dhe e fsheh atë derisa dora e tij e majtë nuk e di se çfarë dha dora e djathtë, dhe një person që përkujton Allahun kur është vetëm dhe sytë i lotojnë.”
Namazi përveçqë qetëson zemrën e trazuar nga hallet e jetës, ai e ndalon besimtarin edhe nga veprimet e shëmtuara që nuk përkojnë me etikën dhe moralin e lartë islam, ashtu siç thotë Allahu xh.sh.: “Vërtetë namazi të ndalon nga shthurja dhe e shëmtuara” - (El-Ankebut, 45).
Namazi na mëson edukatën më të lartë duke na pastruar zemrat nga urrejtja dhe zilia dhe gabimet e tjera të zemrës. Atyre që falin namazin, duke plotësuar të gjitha kushtet e tij, fytyrat do t’u shndrisin si nuri, ashtu siç i ka përshkruar i Lartmadhërishmi:: “Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes” - (El-Fet’h 29).
Pas namazit, Allahu e ka përmendur edhe zekatin, dhënia e të cilit po ashtu është obligim për çdo mysliman të pasur, i cili e arrin nisabin-sasinë e përcaktuar, sasi e cila e bën obligative-farz, dhënien e zekatit.
Edhe zekati, sikurse namazi është një prej bazamenteve kryesore të Islamit dhe është një institucion i cili ndihmon në ngritjen e një shoqërie të shëndoshë islame, shoqëri e cila nuk do të ketë dallime klasore apo sociale, shoqëri e cila secilit individ, ia garanton të drejtën për jetë dhe mirëqenie. Zekati nuk është lëmoshë, e cila përshpirtnisht u jepet të varfërve, por është e drejtë e fukarave dhe e skamnorëve në pasurinë e të pasurve!
Zekati është pastrim i pasurisë, dhe nëse pasuria e një besimtari e arrin nisabin e përcaktuar nga fukahatë, kur bëhet obligim zekati, atëherë nga ajo pasuri duhet të ndajë 2.5 % të saj.
Ia vlen të theksohet se gati sa herë që është përmendur namazi në Kuran, është pasur me zekatin, për shkak të lidhjes së ngushtë që kanë në mes vete këto dy ibadete dhe dy shtylla të Islamit si f.v. në ajetin 43 të sures El-Bekare: “Falni namazin dhe jepni zekatin, dhe përuluni (në ruku’) me ata që përulen”, dhe në shumë e shumë ajete e sure të tjera kuranore.
Ndërsa cilësia e tretë e këtyre besimtarëve shpirtndritur, e cekur në këtë ajet është besimi i fortë dhe i patundshëm në botën tjetër-Ahiretin. Duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë që e kanë mbi supet e
veta, si dhe për amanetin e dhënë Allahut qysh në Ezel, këta besojnë pa kurrfarë dyshimi se pas vdekjes do të ringjallen dhe do të japin Llogari për veprat e tyre, gjithnjë duke qenë në mes druajtjes dhe shpresës, nëse vërtetë e kanë plotësuar besatimin e tyre të vjetër. Sigurisht, që e ardhmja e tyre në botën e Ahiretit është e ndritshme, sepse për të tillët ka përgëzime e shpërblime, ngaqë ata e jetuan jetën e kësaj bote në dëlirësinë më të pastër shpirtërore, duke mos e thyer asnjë urdhër të Allahut, por duke qenë gjithnjë të përulur, të devotshëm dhe mbi të gjitha falënderues për mirësitë e Allahut ndaj tyre.
5. Të tillët janë të udhëzuarit nga Zoti i tyre dhe të tillët janë të shpëtuarit
Ky ajet, tregon se mëshira e Allahut ndaj robërve të Vet është e pakufishme. Ai ua dërgoi udhëzimin e Tij nëpërmjet Kuranit që përmban urtësi të shumta, dhe njëkohësisht është mëshirë për ata njerëz vepërmirë, të cilët falin namazin, japin zekatin dhe besojnë bindshëm në jetën pas vdekjes. Me një besim të tillë të rrënjosur në zemër, këta njerëz besimdrejtë, vërtet, me plot të drejtë shpresojnë në mëshirën e Allahut dhe shpërblimin e tyre me Xhenet. Ky është nderimi më i madh për këta njerëz, sepse për ta dëshmon Vetë Allahu xh.sh. se janë në udhëzimin e Tij, dhe do të jenë prej të shpëtuarve në jetën e Ahiretit.
Porosia e ajeteve (1-5)
- Shkronjat simbolike në fillim të sureve kuranore, përbëjnë sfidën hyjnore drejtuar idhujtarëve dhe mohuesve, në çdo kohë, deri në Ditën e Gjykimit. Ata, jo që nuk do të arrijnë të sfidojnë Fjalën e Allahut, përkundrazi, gjithmonë do të thyhen e do të munden, para madhështisë së Kuranit famëlartë.
- Ajetet e Kuranit famëlartë për bajnë në vete urtësi të shumta dhe
largpamëse, sepse janë Fjalë të Zotit. Kurani famëlartë është Kushtetutë hyjnore e vlefshme për çdo kohë. Nëpërmjet leximit dhe zbatimit në praktikë të urdhëresave hyjnore të shprehura nëpërmjet ajeteve kuranore, ne do ta meritojmë mëshirën e Allahut në këtë dhe në botën tjetër, sepse Kurani përveçqë është shërues i zemrave tona, është edhe mëshirë për ata që veprojnë punë të mira dhe të lavdëruara.
Të përshkruarit e Kuranit si “libër i urtë” në fillim të sures, jep shenjë se këtë sure në tërësi e përshkon fryma e urtësisë.
- Njerëzit të cilët Allahu i Madhërishëm i ka cilësuar si “muhsiniin”- vepërmirë, janë pikërisht ata që e falin rregullisht namazin, që janë të përqendruar në të me meditim e thellësi shpirtërore, si dhe ata që, nga pasuria e tyre, japin zekatin për të varfrit dhe skamnorët. Përveç kësaj, ata janë të bindur plotësisht në jetën pas vdekjes, pra në ringjalljen dhe llogarinë para të Madhit Zot, i Cili nuk i bën të padrejtë askujt.
- Ata besimtarët që kanë besim kaq të fortë, duke qenë edhe të devotshëm e vepërmirë, të tillët do të jenë nën hijen e mëshirës së Allahut dhe do të shpëtojnë nga azabet e Ahiretit.
- vijon –
1. Muhamed Nebih, Abiru-l Ukhuvan fi tefsiri sureti Llukman, pa vend dhe vit botimi, Shih kopjen elektronike në: www.aboarafat.com; Për më gjerësisht shih edhe: Imam Kurtubiu, El-Xhamiu li ahkami-l Kuran, Bejrut, 2006, vëll. 1, ff. 237-242.
2.. Muhamed el Mekkij en-Nasirij, Et-Tejsiru min ehadithi-t-tefsir, Bejrut, 1985, vëll. V, ff. 58-59.
3. Buhariu (50); Muslimi (9).
4. Muhamed Mutevel-li esh-Shar- avi, Havatiri havle-l Kurani-l Kerim, Kajro, 1991, vëll. 19, ff. 11570-11571.
5. Muslimi: (82); Ndërsa tek Tirmidhiu (2618): “Ndërmjet kufrit dhe besimit është lënia e namazit”. 6. Transmetojnë: Imam Buhariu (660); Muslimi (1130) dhe Tirmidhiu (2391)
Sabri Bajgora