Paraqitja pozitive e islamit në Evropë


Shqyrtimi hyrës Islami për myslimanin nuk është vetëm besim, bindje, doktrinë e brendshme, ritual i caktuar, por është edhe mënyrë e jetës, sistem i jetës, platformë mbi të cilën ndërtohen njerëzit, përkatësisht karakteret e tyre, por edhe vetë historia, në nivel lokal, rajonal apo edhe më gjerë. Nëse njeriu Islamin e ka përqafuar si synim jete, vështirë që të mos arrijë rezultatin e synuar. Këto synime duhet të jenë në pajtim me ligjet pozitive të shtetit ku jeton, por pa e lënduar ndonjë parim apo shtyllë të fesë islame.
Gjatë shekullit XX shumë myslimanë kanë arritur të shkojnë për të jetuar në Evropë, e jo ta përdorin Evropën vetëm si trampolinë për të ikur në ndonjë vend tjetër. Shekulli 178 XXI karakterizohet me një trend edhe më të theksuar, sidomos për shkaqe të pasigurisë nga luftërat, vështirësitë ekonomike apo për ndonjë synim shëndetësor, shkencor e intelektual. Tani kemi myslimanë në Evropën perëndimore si brez i dytë apo i tretë. Përkundër këtij fakti se ata janë myslimanë të lindur në Evropë, se janë pjesë fizike e Evropës, deshëm ne apo jo, pas çdo incidenti apo edhe pas ndonjë konflikti lokal të një lagjeje, me ndërlidhje myslimane-kristiane, gjendja e myslimanëve vjen në gjendje shqetësuese, madje kërcënuese, herë-herë edhe me pasoja fatale.(1)
Duke e marrë parasysh këtë gjendje, përpjekja duhet të shkojë drejt paraqitjes së rolit të myslimanëve në Evropë dhe më gjerë dhe manifestimit të besimit të tyre në jetën e përditshme të vendeve evropiane.(2) Myslimanët gjenden në situatë të vështirë: ta pranosh fenë e tyre apo ta ruash fenë tënde dhe tërë atë që e përbën këtë fe. Edhe pse është gjendje e rëndë, megjithatë nuk është e pakapërcyeshme. Në përgjithësi, myslimanët kanë si prioritet arsimimin e lartë dhe inkuadrimin në shërbimet dhe detyrat publike të cilitdo lloj. Me këtë veprimtari, ata synojnë të tregojnë se Islami, por edhe myslimanët nuk janë “çfarë” dhe “si” paraqiten ata nëpër thuajse të gjitha mediet vendore dhe perëndimore, qeveritare apo joqeveritare. Në përgjithësi, në jetën private të tyre myslimanët kanë një gjendje relativisht të mirë dhe nuk detyrohen në veprime antiislame, por ata (feja e tyre) ende nuk njihet si fe zyrtare, siç është rasti me hebraizmin, dhe shumë aspekte të fesë së tyre mbesin në rrafshin emocional dhe rigorozisht privat.(3)

Të kuptuarit e Islamit në kohën bashkëkohore

Manifestimi dhe zbatimi i Islamit në Evropë duhet të bazohet në vlerat më serioze nga e kaluara e myslimanëve. Çdo “reformë” e pamatur do të sjellë pasoja për të ardhmen. Brezi i parë, por edhe 2-3 brezat vijues, do ta kenë më vështirë, por më tutje do të jetë më mirë dhe më lehtë, nëse Islami do të jetohet në mënyrë më aktive dhe më të gjallë. Me këtë nënkuptojmë, të formohet bindja se ritualet islame afrojnë te Zoti dhe mbajnë gjallë përshpirtësinë dhe nuk ekzistojnë vetvetiu, sa për të thënë, apo për të qenë pengesë në jetën njerëzore.(4)
Bukur e ka thënë një intelektual se për myslimanët në Evropë më me rëndësi është metodologjia e të drejtës islame, e cila do t’ju ndihmojë t’i gjejnë përgjigjet në çështjet e reja sesa fetvatë (decizionet juridike), tashmë ekzistuese të disa juristëve islamë, të cilat për kohën dhe vendin ku jetojnë janë të rëndësisë së dytë. Për ta është me rëndësi parësore rishtazi ta perceptojnë shkencën islame, siç ndodhi në fillim të Islamit, dhe të hulumtojnë nga thesari i pasur rreth përgjigjeve të duhura, që më herët nuk janë trajtuar. Këtë përgjigje nuk mund ta ofrojnë dijetarët nga larg në kohë dhe hapësirë, por dijetarët nga vetë rrethi dhe mjedisi ku jetojnë myslimanët evropianë. Në këtë mënyrë ata duhet t’i tregojnë Evropës se Islami nuk është “problemi” i Evropës dhe botës, madje t’u dëshmojnë se myslimanët kanë ide dhe potencial shumë serioz për një të ardhme optimiste të njerëzisë.(5)

Manifestimi i Islamit në Evropë

Islami do të mund të manifestohej në Evropë plotësisht, sikur të plotësoheshin disa kushte: liria e fesë, dobishmëria për bashkësinë dhe dëshmia e shpalljes. Edhe pse me ligjet pozitive evropiane myslimanët nuk janë të detyruar të kryejnë punë të paligjshme, megjithatë, rrethanat tjera shpesh i detyrojnë myslimanët të zgjedhin mes alternativës së refuzimit të punës apo shkeljes së dispozitave islame. Sidomos kjo gjendje vështirësohet kur një numër myslimanësh shkelin rregullat, dhe atëherë myslimanët korrekt vijnë në pozitë të keqe, sepse cilësohen si “radikal”, kundrejt këtyre myslimanëve të “moderuar” që shkelin rregullat për interesa personale dhe përfitime të përkohshme.(6)
Por, kjo gjendje e të drejtave të kufizuara të myslimanëve në evro-perëndim nuk është më e keqja. Më e keqja është në sfidat e materializmit, të veshur nën petkun e shekullarizimit, laicizmit, kulturalizmit etj. Do ta shtrojmë problemin kështu: nuk është problemi te perëndimorët përse ne nuk falemi as agjërojmë! Nuk është problemi i tyre që ne nuk e flasim gjuhën e tyre edhe pas një qëndrimi 2-3 dekadash pos frazave më të zakonshme! Nuk është problemi i tyre që pjesa jonë e ndjeshme pas 2-3 dekadash e harrojmë gjuhën e prindërve! Duke harruar rëndësinë e familjes, ne bëhemi viktimë e mjedisit dhe rrethanave. Prandaj, këtu është faji jonë.(7)
Por, a ka rrugëdalje që myslimanët mos të viktimizohen nga të tjerët dhe të bëhen bashkëpunues e të dobishëm. Po, sipas asaj që ofron feja islame dhe burimet e saj, myslimanët mund të ndihmojnë sidomos në disa pikëpamje:
1) Mund të shërbejnë si urë lidhëse ndërmjet grupimeve të ndryshme etnike, kulturore, besimore në shoqëri;
2) Mund të ndihmojnë në prezantimin e subtilitetit dhe mirëkuptimit në zhvillimin e dialogut ndërmjet grupimeve të ndryshme e të shumta;
3) Mund të ndihmojnë në rimëkëmbjen e përshpirtësisë dhe vlerave tjera;
4) Mund të bëjnë profilizimin e arsimimit shumëkulturor.(8)
Edhe pse Islami në aspekt të shtyllave dhe parimeve është një, në aspekt të perceptimit të tij, përkatësisht interpretimet e tij janë të shumta. Mos interpretimi përkatës i Islamit në Evropë ka bërë që të moshuarit të përpiqen ta ruajnë Islamin “e tyre” tradicional në dhe të huaj, ndërsa të rinjtë edhe pse po përvetësojnë traditat perëndimore në brendi të tyre ndihen dyfish të huajësuar: në shtëpitë e baballarëve të tyre nuk ndihen rahat, por as në shtëpitë e reja të tyre nuk ndihen rahat. Përse ndodh kjo është vështirë të gjendet përgjigje e saktë, por mendohet se kjo ndodh për shkak të mungesës së interpretimit bashkëkohor të Islamit. Improvizimet janë treguar të dështuara, kurse interpretime burimore nuk ka pasur. E kaluara është bërë klishe që ka penguar të ardhmen, rahatinë shpirtërore dhe avancimin para. Por, zërat për ndryshim edhe pse të paktë, nuk mungojnë. Zëri i Muhammed Abduhusë(9) , Xhemaludin Afganiut(10) dhe Muhammed Ikballit(11) në botën arabe-islame dhe e Husein Gjozos(12) në Ballkan nga shekulli i parakaluar dhe i kaluar ende është i gjallë. Këta (dhe të tjerë) shumë herët kanë pohuar se reinterpretimi i Islamit, duke u bazuar në burime, është urgjent. Vetë struktura e Kuranit prej disa qindra ajetesh juridike dhe mbi gjashtë mijë të tjera besimore dhe etiko-morale çojnë në përfundim se interpretimet e klasikëve janë të shkëlqyeshme, por jo edhe të vetmet dhe me karakter dogmatik. Mendimet e tyre janë përmendore të gjalla frymëzimi por jo “ikona” të paprekshme, të padiskutueshme, të paalternativë. Prandaj, Tarik Ramadani(13), një mohikan thuajse i vetmuar në Evropë, ka të drejtë në insistimin e tij për reforma në perceptimin e problemeve aktuale. Ai pohon se Evropën nuk duhet parë si rival të cilin duhet luftuar, por si rival me të cilin duhet bashkëpunuar, me intelektualitet, në frymën e shpirtit dhe mësimit islam, njëkohësisht në paqe dhe pse jo në bashkëpunim me fetë tjera.
Për të sendërtuar këtë synim, bashkësitë myslimane në Evropë duhet të integrohen në shoqëritë e atjeshme. Natyrisht, kësaj klime integrimi duhet ndihmuar edhe shtetet evropiane, e jo të ndërmarrin veprime përjashtuese, çfarë bëri Franca me ligje kundër veshjes islame, apo shtetet tjera me ligjet getoizuese, përbuzëse madje dhunuese kundër myslimanëve. Dialogu ndërfetar duhet të jetë i sinqertë, i hapur dhe pa kushtëzime. Evropa është e të gjithëve, sepse asnjë nga fetë monoteiste zanafillën nuk e ka në Evropë, por në Azi dhe të gjitha fetë duhet të kenë të drejtë të barabartë.
Në vend të ndezjes së fitilit të zjarrit në Perëndim kundër myslimanëve, evro-perëndimorët duhet t’u shpjegojnë banorëve të vet se problemet aktuale në botën arabe-myslimane nuk janë prodhim i fesë islame, por i vetë perëndimorëve dhe kolonës së pestë (tradhtarëve) brenda myslimanëve në ato vende. Perëndimorët e pasionuar pas resurseve materiale të Azisë dhe Afrikës janë verbuar kështu që ndjekin metodat makiaveliste për sendërtimin e synimeve të tyre. Gjithashtu, duhet theksuar edhe synimet kristianizuese në shkallën e fanatizmit të skajshëm.(14) Ky është shkaku kryesor, ndërsa reagimi i myslimanëve është pasojë e këtyre shkaqeve. Ngatërrimi i tyre i bënë myslimanët në sytë e euro-perëndimorëve monstrumë, gllabërues, duke mbuluar fajin e vet me pamflete altruiste, iluministe, humane etj. Popullit perëndimor duhet treguar natyrën e vërtetë të myslimanëve, dikur dhe sot e jo vetëm veprimet kamikaze të disa myslimanëve të frustruar e të traumatizuar në të shumtën e rasteve nga vetë perëndimorët. Nga perëndimorët myslimanët duhet të trajtohen si “ne” jo si “ata”, sepse kështu formohet kompleksi i inferioritetit dhe kështu na lindin qytetarët e rendit të dytë.(15)
Rritja e numrit të myslimanëve në Evropë, nëpërmjet lindjeve brenda Evropës apo nëpërmjet shpërnguljeve nga jashtë në Evropë, është rast i mirë që myslimanët të trajtohen mençurish. Sjellja e panatyrshme e evropianëve (sidomos e djathtistëve) ndaj myslimanëve ka bërë që shpesh të shpërngulurit në vend të ri mos të përshtaten plotësisht në bashkësinë e re dhe t’i ruajnë me xhelozi traditat e tyre. Po ashtu, te kjo gjeneratë vërehet edhe dëshira për praktikumin e Islamit jo vetëm në familje, por edhe në vende publike. Por, 11 shtatori 2001 në Nju Jork bëri një kthesë globale, të cilën myslimanët nuk janë të gatshëm ta pranojnë. Ata nuk mund të pajtohen me faktin që duhet të bartin pasojat e një personi diku në skaj të botës, i cili vepron në emër të myslimanëve, por pa pajtimin e tyre. Si do të ishte që një Skandinavi e tërë të vihet në shënjestër dhe të ndëshkohet për shkak të një fanatiku kristian dhe nacisti Brejvik, i cili lavdërohet me vrasjen e myslimanëve.(16)
Me rëndësi është që në këto zhvillime, myslimanët nuk guxojnë të tërhiqen nga jeta publike, intelektuale e shoqërore. Përkundrazi, duhet të marrin pjesë në çdo aktivitet shoqëror, politik, intelektual... Myslimanët kanë arritur rezultate epokale në shumë fusha të shkencës e artit, të politikës e ekonomisë dhe deri në shekullin XVIII ata paraqisnin njërin prej faktorëve me rëndësi të botës së deriatëhershme. Vetëm pas shekullit XVIII myslimanët ngecën, madje “kapën” tatëpjetën(17), që do të rezultojë me kolonizimin e tyre nga evropianët gjatë shekullit XIX-XX, të cilët në këtë kohë ishin në kulmin e zhvillimit dhe prosperitetit. Si fuqi e vetme, Evropa dhe pastaj edhe SHBA, u vendosë si orientues i botës, si kriter mes të mirës dhe të keqes, ndërsa shumë myslimanë, duke vlerësuar gabimisht çka është vlerë e çka pavlerë, importuan dhe përvetësuan shumë ideologji të huaja, duke braktisur identitetin e vet fetar, moral, kulturor e shkencor. Kush është fajtorë për këtë gjendje, feja islame apo mungesa e fesë islame nga jeta jonë private, shoqërore, intelektuale e myslimanëve. Për fat të keq, para vetes kemi në të shumtën e rasteve pasues të Islamit në letër, pasues të vlerave islame të papërcaktuara “humaniste”, por që nuk janë reprezentues të denjë të Islamit. Sepse, Islamit i nevojiten intelektualë të mirëfilltë, me ndjenja fetare dhe atdhetare, kurse këta janë të paktë e të rrallë por edhe halë në sy për të dyja palët, edhe për myslimanët artificialë edhe për kundërshtarët e Islamit.(18)

Vlerat e mirëfillta perëndimore nuk injorohen

Çdo përparim teknik e teknologjik është i mirëseardhur për njerëzit, e edhe për myslimanët. Periudha e hershme myslimane tregon se myslimanët e kanë kuptuar drejt obligimin e përparimit. Çdo gjë shkencore kineze, hinduse, persiane, greke, egjiptiane e kanë pranuar, zhvilluar, për t’ia përcjellë atë dituri të përparuar gjinisë njerëzore. Prandaj, edhe sot, përvetësimi i të arriturave perëndimore, i metodave të tyre shkencore, duke i shtuar frymën islame, mund të prodhojë përparim material dhe shpirtëror të jashtëzakonshëm. Përparimi teknik nuk guxon të bëhet synim në vete, sepse do të bëheshim vegël e makiavelizmit, por ky zhvillim do të duhej të ishte instrument për lehtësimin e jetës në përgjithësi. Nëse mjetet materiale do të viheshin nën kontrollin e synimeve humane, rezultatet pozitive do të ishin të pashmangshme, ndërsa zhvillimi do të quhej modernizim (bashkëkohorizim) e jo shekullarizim dhe vesternizim.(19) Me fjalë tjera, përgjigjja myslimane ndaj Perëndimit duhet të jetë sikurse përgjigjja e Perëndimit ndaj myslimanëve. Përgjigja myslimane duhet të jetë kreative, duke i kuptuar sfidat perëndimore dhe duke ofruar alternativa në ato sfida. Përgjigjja nuk bën të ngushtohet vetëm në aspektin politik sepse edhe dominimi perëndimor nuk është vetëm politik. Islami duhet të paraqitet në formën e vet të plotë, fetare, politike, ekonomike, sociale etj.(20) Nëse përgjigjja duhet të jetë elitare, atëherë bota myslimane duhet të formojë inteligjencë të re e cila di të ndiejë dhe mendojë në mënyrë islame, të integrojë politikën, shkencën, etikën, ekonominë, kulturën etj. E tërë kjo duhet të përshkohet me punë të sinqertë ekipore, konsultuese, pa kushtëzime rajonale e etnike, pa pengesa racash e gjuhësh, ngjyrash e dallimesh tjera. Kriter i dallimit duhet të jetë takvallëku, vetëdija jonë e vazhdueshme për Krijuesin dhe veprimi në atë frymë. (El Huxhurat, 13).
Kjo elitë intelektuale, e pajisur me dije fetare, duhet ta arsimojë masën dhe ta zgjojë nga letargjia e ngecja. Ajo duhet ta islamizojë masën, por jo ta modernizojë(21), reformojë(22) apo të ketë koncepte të afërme me këto në mënyrën perëndimore, sepse specifikat e Islamit nuk lejojnë kopjimin e thjeshtë të modernizmit evropian, reformizmit evropian apo fundamentalizmit evropian. Elita duhet të bëhet bindëse dhe e qartë intelektualisht dhe racionalisht, duke e ringjallur dhe avancuar arsimimin mysliman, i cili do të dijë t’i qaset Perëndimit. Myslimanët duhet të arsimojnë intelektualë diplomatë, ekonomistë, tregtarë, filozofë, teologë. Kësaj duhet shtuar edhe vetëdijen e re dhe vullnetin e ri për synimin e ri, gjatë së cilës gjendje do të shfaqin gatishmërinë dhe guximin për vepra të guximshme dhe të sakrificës. Në këtë gjendje të re, vetëdije të re pushojnë kriteret e përditshme të së mundshmes, kurse fillojnë kriteret ku individi dhe grupi ngrihen në shkallën e sakrifikimit për ideal. Po nuk u plotësuan këto dhe kritere të ngjashme e të afërta, nuk mund të presim ndryshime të gjendjes dhe të ndjenjës, vetëdijes për më shumë, për më lart. Në tërë këtë, individi është strumbullar. Ai duhet të pajiset me moral, kulturë, urtësi, aftësi, dije, sepse kjo e fundit (dija) është kurora dhe çelësi i suksesit. Individi duhet ta rritë numrin e individëve në grup, e grupi në bashkësi më të madhe. Gjuha e individit, e grupit dhe e bashkësisë duhet të jetë bashkëkohore, intelektuale, e përshpirtshme dhe profane. Kur të ngadhënjehet vetvetja, nga brenda, mund të mësohen edhe të tjerët me vlerat që e kanë karakterizuar dikur Islamin, siç është besimi, mësimi, kultura, edukimi, qytetërimi.(23)



Çfarë mund t’i ofrojë Islami botës euro-perëndimore

Është e diskutueshme se çfarë mund t’i ofrojë Islami botës euro-perëndimore! Myslimanët kanë ofertat e tyre, gjithashtu, edhe perëndimorët refuzimet e tyre. Por, nëse do të përpiqemi të flasim objektivisht, duke lënë anash emocionalizmin nonshalant lindor dhe racionalizmin materialist të skajshëm perëndimor, Islami mund t’u ofrojë partnerëve të vet një varg gjërash, të cilat Murad Hofmann, diplomat gjerman, i ka propozuar para disa viteve, e ato të përmbledhura janë:
1. Perëndimi vuan nga paragjykimet racore kudo. As Islami nuk arriti ta eliminojë në tërësi nga vetvetja këtë të keqe, por nuk ekziston religjion tjetër i cili ka treguar rezultate më të mira në luftë kundër racizmit. Gjithashtu, përku ndër urdhrit kristian “duaje fqinjin tënd sikur vetveten”, Perëndimi përfundimisht vuan prej ftohtësisë së marrëdhënieve shoqërore e familjare. Disa njerëz nuk kanë madje as kontakte me fqinjin e vet. Umeti mysliman dhe myslimanët në Perëndim, sidomos nëse trajtohen më mirë, do ta demonstrojnë këtë ngrohtësi, miqësi dhe gatishmëri të munguar për ndihmë, të cilët kështu i mungojnë fëmijëve perëndimor.
2. Të rinjtë në Perëndim mbrojnë hierarkitë në të gjitha fushat, duke përfshirë këtu punën, kishën dhe familjen e tyre. Islami është pluralist dhe madje nuk njeh sakramentet të cilat priftërinjtë duhet kryer. Nuk ka papë në Islam, as mundësi ndërmjetësimi, sepse këtë e bëjnë drejtpërdrejt duke iu drejtuar Allahut në sexhaden e tij të lutjes, prandaj edhe myslimani është besimtari më i lirë që mund të imagjinohet.
3. Perëndimi feston racionalitetin. Mirëpo, dogmat si: mëkati i lindjes, trinia, personifikimi hyjnor, janë ato të cilat Islamin e veçojnë si religjionin më racional: libri i shenjtë mysliman thërret njeriun në meditim, vrojtim dhe përsiatje ndërsa për gabimet eventuale ekspertin edhe e shpërblen. Gjithashtu, nga natyra myslimanët janë njerëz të kthjellët, gjithnjë të gatshëm të dalin para Krijuesit dhe botës. Myslimanët janë shpresa e vetme për lagjet e ndotura nga varësitë e ndryshme. Rol në këtë ka familja, e cila është thelbi i shoqërisë dhe shtetit. Po u rrënua familja do të rrënohet edhe shteti edhe shoqëria. Prandaj, myslimanët duhet ta mbrojnë familjen që ta mbrojnë shoqërinë dhe njerëzinë.
4. Perëndimi, sidomos pjesa femërore e tij, përpiqet ta mbrojë dinjitetin e femrës, mirëpo gjatë kësaj përpjekjeje bën gabime, sepse kopjon meshkujt apo edhe garon me ta. Ato gabimisht vlerësuan se vendi i punës dhe pavarësia ekonomike e mbron dinjitetin e saj. Në të shumtën e rasteve, këto parime moderne evropiane e zhvlerësuan femrën, e sfiduan me ngarkesa që nuk mund t’i bartë. Femra në Perëndim, me synim të barazimit me meshkujt dhe me synim të lirisë absolute, u bë objekt shfrenimi e perversiteti edhe më shumë edhe më vrazhdë se më parë. Jemi dëshmitarë se femra perëndimore, por jo vetëm ajo, çdo ditë e më shumë ka nevojë për mbrojtje psikiatrike. Atë nuk e ndihmon pavarësia ekonomike, as liria e lëvizjes, e të shprehurit, e zgjedhjes së partnerëve e tjera. Islami ofron alternativë kundrejt vetmisë, tëhuajësimit, konfuzionit. Këtë e bënë sidomos nëpërmjet namazit, agjërimit, zekatit, nëpërmjet arsimimit edukativ dhe edukimit arsimues, menaxhimit të mirë të kohës, familjes, rrethit etj.
5. Me plakjen e popullsisë perëndimore, me grumbullimin e pasurisë te pleqtë, sidomos te të vejat, sistemi ekonomik perëndimor rrezikon të humb vitalitetin. Sidomos në kohën kur mjetet rrezikojnë të humben, për shkak të investimeve jo të sigurta nga luftërat lokale e rajonale dhe nga sistemi kamatar rrënues. Sistemi islam i investimeve ofron lehtësi për investuesit, sepse me parimin e ndarjes së fitimit dhe humbjes, ofron më shumë siguri ndër palët kundrejt fitimit fiks paraprak. Njëkohësisht, Islami mundet sërish ta njoftojë Perëndimin me konceptin e tij se drejtësia shoqërore dhe dinjiteti njerëzor ka përparësi kundrejt synimeve johumane ekonomike. 6. Njeriu perëndimor është gjithnjë e më i vetëdijshëm për rrezikun e marrjes së llojeve të rrezikshme të ushqimit. Ata do të mund të zbulojnë se myslimanët tërë kohën kanë qenë në të drejtë, duke refuzuar të përdorin mishin jo të shëndetshëm të derrit.(24)
Në brengosjen e tyre në rritje për shëndetin e bazuar në kontrollimin e peshës dhe parimet dietaliste, perëndimorët do të mund ta zbulonin Islamin dhe shtyllën e tij - agjërimin si një gjë vërtet mjaft moderne.”(25) Këto janë disa kontribute të cilat myslimanët do të mund t’ia ofronin perëndimorëve. Pranimi dhe absorbimi i këtyre parimeve dhe aplikimi qoftë në rrafshin individual apo kolektiv, nënkupton revolucion shoqëror dhe moral. Kristianizmi e ka humbur kredibilitetin ndër kristianët për ndonjë ndryshim pozitiv, ndaj Islami ka shansin për këtë. Ka potencial besimor, moral, shoqëror e ekonomik për ndryshim. As ...izmat tjerë në Evropë nuk mund të bëjnë revolucion, sepse kanë karakter të përkohshëm, të kufizuar, trend çasti të të pakënaqurish, dhe jo platformë të qëndrueshme.

Përfundim

Gjallëria marramendëse, dinamika agresive, e gjallë, me shumë ndryshime dhe dallime e karakterizon kohën e fundit. Të tillë janë edhe njerëzit e kësaj kohe, sepse të tilla janë ligjet e natyrës. Por, nëse rrethanat ndryshojnë esenca megjithatë mbetet e njëjtë dhe si rezultat i kësaj njeriu vazhdimisht është në kërkim të fatit, prehjes, lumturisë, gëzimit. Bota, me specifikat e saj, e rrëgjon, e pengon arritjen e këtij synimi duke e shndërruar njeriun në qenie të kësaj bote dhe të varur nga kjo botë materiale. Rrëgjimi i aspektit shpirtëror të njeriut, ai element që njeriun e bën njeri, e shndërron njeriun në vlerë të parëndësishme, krijesë njëtrajtëshe, pa aspektin frymor, i cili njeriut i jep dimensionin e lartë, metafizik. Këtu edhe qëndron problemi i njeriut, paaftësia e harmonizimit të aspektit fizikë dhe frymorë, ose injorimi i njërit aspekt në dëm të tjetrit. Problemi që njeriun e shtynë në ekzistimin e tij fizikë dhe problemi që njeriun e shtynë në ekzistimin metafizikë. Vënia nën kontroll e ekzistimit fizikë nga ekzistimi frymor e çon njeriun drejt burimores, drejt të lartës, hyjnores.


________________
Literatura:
1. Ali Kose, Evropa dhe Islami, Logos-A, Shkup, 2015.
2. Enes Kari?, ?ekaju?i Evropu, Sarajevë-Zagreb, 2015.
3. Enes Kari? (ed.), Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997.
4. Enes Kari? (ed.), Tuma?enja Kur’ana i ideologije XX stolje?a, Sarajevë, 2002.
5. Ferid Muhiq, Identiteti islam i Evropës, Logos-A, Shkup, 2013.
6. Fuat Sezgin, Epoka e madhe e panjohur – Nga historia e shkencës dhe e teknologjisë islame, Logos-A, Shkup, 2015.
7. Hajredin S. Muja, Në fenë e të parëve, Logos-A, Shkup, 2013.
8. Hidajet Hasanovi?, Zna?aj iskazivanja islama u Evropi, në: http://www.medzlis-rijeka.org/default/index/a/id/64. (Qasja më: 29. 06. 2016).
9. Husein Djozo, Izabrana djela, I-V, Sarajevë, 2006/1427 h.
10. Ibrahim Kalin, Islami dhe Perëndimi, Logos-A, Shkup, 2011.
11. M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, II, Zagreb, 1988.
12. Muhammed Abduhu, Risalet-ut-tevhid, botimi I, Bejrut, 1994/1414 h.
13. Muhammed Ikballi, Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, Logos-A, Shkup, 2008.
14. Murad Hofmann, Islam kao alternativa, Zenica, Bemust, 1996. 194
15. Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet islamo-shqiptare gjatë shekujve, botimi V, Zëri Ynë, Prishtinë, 2011.
16. Nexhat Ibrahimi, Myslimanët në kërkim të Islamit, Logos-A, Shkup, 2008.
17. S. H. Nasr, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevë 1994.
18. S. H. Nasr, Vodi? mladom myslimanu, Sarajevë, 1998.
19. Sabir Tuajmeh, El-Islamu ve mushkilat’us-sijasijjeh, Bejrut, 1974/1394.
20. Tarik Ramadan, Të jesh mysliman evropian, Logos-A, Shkup, 2011.
21. Tariq Ramadan, Radical Reform – Islamic Ethics and Liberation, Oxford University Press, 2009.
22. Tariq Ramadan, Western Muslims and the Future of Islam, Oxford University Press, 2005.


_________________________________
1. Nexhat Ibrahimi, Myslimanët në kërkim të Islamit, Logos-A, Shkup, 2008, fq. 445 dhe 473 e tutje.
2. Vetë titulli i artikullit është defanziv, apologjetik e kjo për shkak të pozitës inferiore të Islamit në Evropë. Tituj të tillë nuk do të ndeshësh për katolicizmin, protestantizmin as ortodoksizmin etj. Edhe si nocion shoqëror e filozofik, politik e ekonomik por edhe si nocion semantik titulli dhe shkrimi manifeston një lloj geto, njëlloj pajtimi të detyrueshëm, të dhunshëm, të imponuar të Evropës me Islamin. Shih gjerësisht: Enes Kari?, ?ekaju?i Evropu, Sarajevë-Zagreb, 2015, fq. 43 e tutje.
3. Ali Köse, Evropa dhe Islami, Logos-A, Shkup, 2015, fq. 23 e tutje.
4. Hidajet Hasanovi?, Zna?aj iskazivanja islama u Evropi, në: http://www.medzlis-rijeka.org/default/index/a/id/64.
5. Shih: Ibrahim Kalin, Islami dhe Perëndimi, Logos-A, Shkup, 2011, fq. 47- 59.
6. Shpesh herë shtrohet pyetja, madje edhe nga laikët tonë: Nëse mundet myslimani i caktuar ta konsumojë këtë e këtë, përse ti nuk e konsumon. Përse ti bëhesh ma katolik se papa!
7. Hidajet Hasanovi?, po aty.
8. Hidajet Hasanovi?, po aty.
9. Muhammed Abduhu, Risalet-ut-tevhid, botimi I, Bejrut, 1994/1414 h.; Kate Zebiri, Mahmud Šeltut i islamski modernizam, në: Enes Kari? (ed.), Kur’an u savremenom dobu, II, Sarajevë, 1997, fq. 335-505.
10. M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, II, Zagreb, 1988, fq. 455-460. Enes Kari? (ed.), Tuma?enja Kur’ana i ideologije XX stolje?a, Sarajevë, 2002, fq. 7-32.
11. Muhammed Ikballi, Ripërtëritja e mendimit fetar në Islam, Logos-A, Shkup, 2008.
12. Husein Djozo, Izabrana djela, I-V, Sarajevë, 2006/1427 h.
13. Shih hollësisht: Tarik Ramadan, Të jesh mysliman evropian, Logos-A, Shkup, 2011; Tariq Ramadan, Western Muslims and the Future of Islam, Oxford University Press, 2005; Tariq Ramadan, Radical Reform – Islamic Ethics and Liberation, Oxford University Press, 2009.
14. Shih: Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet islamo-shqiptare gjatë shekujve, botimi V, Zëri Ynë, Prishtinë, 2011; Hajredin S. Muja, Në fenë e të parëve, Logos-A, Shkup, 2013.
15. Sabir Tuajmeh, El-Islamu ve mushkilat’us-sijasijjeh, Bejrut, 1974/1394, fq. 139 e tutje.
16. Ferid Muhiq, Identiteti islam i Evropës, Logos-A, Shkup, 2013, fq. 35 e tutje dhe vepra në përgjithësi.
17. Murad Hofmann, Islam kao alternativa, Zenica, Bemust, 1996, fq. fq. 24. Ali Köse, po aty, fq. 67 e tutje.
18. Shih: S. H. Nasr, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevë 1994, fq. 78.
19. Fuat Sezgin, Epoka e madhe e panjohur – Nga historia e shkencës dhe e teknologjisë islame, Logos-A, Shkup, 2015.
20. Interpretuar sipas: Khurshid Ahmad, Priroda islamskog preporoda, në: Enes Kari?, Kur'an u savremenom dobu, II, po aty, fq. 69.
21. Modernizmi islam është lëvizje shpirtërore islame që përkrah reformën e institucioneve themelore islame, shoqërore dhe politike, në pajtim me mësimin islam, por që frymëzimin për këtë e gjen edhe në mendimin dhe praktikën perëndimore dhe duke e aplikuar metodologjinë perëndimore. Gjerësisht shih: Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet islamo-shqiptare, po aty, fq. 166 e tutje.
22. Reformizmi islam është lëvizje shpirtërore islame që përkrah metodën e revitalizimit të mendimit dhe praktikës islame, që më tepër bazohet në buri met fundamentale të Islamit sesa në inspirimin e epokës moderne, që është karakteristikë e modernizmit islam. Gjerësisht shih: Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet islamo-shqiptare, po aty, fq. 169 e tutje.
23. S. H. Nasr, Vodi? mladom muslimanu, Sarajevë, 1998, str. 302.
24. Hidajet Hasanovi?, po aty.
25. Murad Hofmann, po aty, fq. 24.



Takvim - 2017


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Pak, por e vazhdueshme