Gjurmët e paqes së hudejbijes për besimtarët, mynafikët dhe idhujtarë
Shkaku i zbritjes së ajetit (5)
- Transmetojnë Buhariu, Muslimi, Tirmidhiu, Hakimi dhe Ibn Merduvejhi nga Enesi r.a. të ketë thënë: “I ka zbritur Pejgamberit a.s. ajeti: “që Allahu të t’i falë gabimet e mëparshme dhe ato të mëvonshme, ta plotësojë mirësinë e Vet ndaj teje dhe të të udhëzojë në rrugë të drejtë” – (El-Feth, 2), në të kthyer nga Hudejbija, ndërsa i Dërguari i Allahut në lidhje me këtë pati thënë: “Më ka zbritur një ajet, që për mua është më i dashur se krejt çka ka në Tokë”.(1) , Kur i Dërguari i Allahut ua lexoi sahabëve këtë ajet, ata thanë: “I lumi ti (të urojmë) për këtë o i Dërguari i Allahut. Allahu e paska sqaruar se çfarë do të veprojë me ty, po a thua çfarë do të veprojë me neve?”, me ç’rast zbriti ajeti: “Ai (Allahu) ka për t’i futur besimtarët dhe besimtaret në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përjetësisht dhe Ai do t’ua falë gjynahet e tyre. Kjo, tek Allahu, është një fitore e madhe.”(2)
“Është (Allahu) Ai, që zbriti qetësinë (prehjen) në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Ai (Allahu) ka për t’i futur besimtarët dhe besimtaret në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përjetësisht dhe Ai do t’ua falë gjynahet e tyre. Kjo, tek Allahu, është një fitore e madhe. Dhe Ai (Allahu) do t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, që kanë mendim të keq për Allahun. Ata do të rrethohen nga e keqja. Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe ua ka përgatitur Xhehenemin. Eh, sa vend i shëmtuar është ai. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë! - (El-Fet’h, 4-7)
Lidhja e këtyre ajeteve me ato paraprake
Në ajetet paraprake, pamë shumë prej mirësive me të cilat u bekua i Dërguari i Allahut, siç ishte fitorja e madhe diplomatike me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Hudejbijes, pastaj nderimi i Muhamedit a.s. nga ana e Allahut me faljen e mëkatevelëshimeve si të kaluarat, ashtu edhe të ardhmet, dhe plotësimi i mirësive të tjera, duke i dhënë forcë dhe ndihmë për fitore e ngadhënjim ndaj armiqve, tash në këto ajete shohim mirësitë që Allahu xh.sh. ua dhuroi besimtarëve, duke zbritur qetësi në zemrat e tyre, duke ua forcuar imanin dhe njëkohësisht duke iu premtuar atyre shpërblimet e Xhenetit, si meritë për besnikërinë dhe imanin e palëkundur në Zotin Fuqiplotë. Në këtë grup ajetesh, po ashtu flitet edhe për hipokritët dhe për idhujtarët, dhe dënimin të cilin ata do ta përjetojnë për shkak të dyfytyrësisë dhe idhujtarisë së tyre.
Koment:
4. Është (Allahu) Ai, që zbriti qetësinë (prehjen) në zemrat e besimtarëve, për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë.
Allahu i Madhërishëm nga mëshira e Tij, në çastet më kritike për besimtarët, kur në Hudejbije po zhvilloheshin negociata për një marrëveshje paqësore në mes myslimanëve dhe idhujtarëve, zbriti qetësi dhe prehje shpirtërore në zemrat e myslimanëve, për t’ua forcuar edhe më shumë imanin e tyre të palëkundur. Sahabët e kishin dëshmuar me vepra stoicizmin e tyre kur iu besatuan të Dërguarit të Allahut në atë që sot njihet si “Bej’atu-r-Rridvan” se do të luftonin përkrah tij deri në fitore. Për ta më nuk kishte alternativa të tjera, ose do të ngadhënjenin duke çliruar Mekën, ose do të vdisnin, e ta arrinin gradën e shehidllëkut.
Fjala “Es-Sekinetu” - që nënkupton qetësinë, prehjen shpirtërore, sigurinë, mëshirën, nderimin dhe forcimin e besimtarëve për fitore, është përmendur gjithsej gjashtë herë në Kuran; një herë në suren El-Bekare, ajeti 248, dy herë në suren Et-Tevbe, ajetet 26 dhe 40, dhe madje tri herë në këtë sure, El-Fet’h, ajeti, 4, ajeti 18 dhe ajeti 26.
Të përmendurit e qetësisë shpirtërore tri herë vetëm në këtë sure, pa dyshim që bart me vete një urtësi të madhe hyjnore. Myslimanëve, kjo qetësi shpirtërore u erdhi pikërisht në kohën e duhur, kur ata kishin më së tepërmi nevojë që t’u ngrihej morali luftarak, dhe që i Madhërishmi t’ua qetësonte zemrat e tyre të thyera, pasi që u ndaluan dhe u penguan nga vizita e Shtëpisë së shenjtë, për ta kryer umren.(3)
Ata, pa qenë të vetëdijshëm se Marrëveshja e Hudejbijes, në fakt ishte një fitore madhështore për ta, në fillim ishin demoralizuar dhe nuk po mund të pajtoheshin se po ktheheshin në Medinë, pa e kryer umren dhe pa i prerëtherë kurbanet e tyre. Vetëm, pasi Allahu kishte zbritur qetësi në zemrat e tyre, ata e kishin kuptuar largpamësinë e veprimeve të Pejgamberit a.s., në të cilin dimension ata nuk kishin qasje.
Kur jemi te pjesa e ajetit: “për t’ua forcuar besimin, krahas besimit që patën”, Allahu xh.sh. na tregon se pasi që në zemrat e besimtarëve zbriti qetësinë, atyre iu shtua apo forcua edhe më tepër bindja dhe besimi, se krejt atë çka ua ka premtuar Allahu, do të realizohet, pa kurrfarë dyshimi. Kjo qetësi shpirtërore, bëri që ata të shtojnë edhe më shumë veprat e mira, të cilat i afrojnë tek Allahu i Gjithëmshirshëm.
Kurse sa i përket çështjes nëse imani shtohet dhe pakësohet, dijetarët e shkollave akaidologjike kanë dhënë interpretime të ndryshme. Një pjesë e dijetarëve, që ajeteve kuranore iu qasen më sipërfaqësisht nga aspekti etimologjik, mendojnë se imani shtohet dhe pakësohet, duke u thirrur në shumë ajete kuranore si ky ajet, i 4-t, të cilin jemi duke e komentuar dhe të ngjashëm me të. Megjithatë, kolosët e Ehli Sunetit në këtë çështje akaidologjike, mendojnë pak më ndryshe. Imam Ebu Hanifeja në lidhje me këtë është shumë i prerë kur thotë: “Imani i banorëve të qiellit dhe të tokës as nuk shtohet e as nuk pakësohet. Besimtarët janë të barabartë në iman (besim të plotë dhe të prerë në Allahun) dhe tevhid (në deklarimin e Njëshmërisë së Allahut). Ndërsa ata (mund të) kanë epërsi (ndryshim) në mes vete vetëm nga aspekti i veprave.”(4)
Gjithashtu edhe Imam Maturidiu është i mendimit të Ebu Hanifes se në esencë, imani as nuk shtohet e as nuk pakësohet.(5)
Kolosi i madh i shkollës Maturidite, Imam Ebu Muin en-Nesefiu, pasi që i parafrazon mendimet e Ebu Hanifes dhe të Maturidiut, në lidhje me shtimin apo pakësimin e imanit thotë: “Imani as nuk shtohet me kryerjen e obligimeve e as nuk pakësohet me mëkatim, sepse në pyetje është vërtetimi (tasdiku-besimi) me zemër në të cilin nuk ka mangësi e as shtesë. Pra këtu kemi të bëjmë me vërtetim (tasdik) që nënkupton imanin-besimin, dhe me përgënjeshtrim (tekdhib), që nënkupton kufrin-mosbesimin.”(6)
Ajeti përfundon me fjalët: “Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”.
Kjo nënkupton se çdo gjë në këtë ekzistencë është krijim i Tij, dhe çdo gjë vetëm Atij i nënshtrohet. Ushtritë e Allahut janë të shumta, e për to ne dimë shumë pak. Përveç engjëjve, xhinëve dhe njerëzve të zgjedhur, gjithashtu edhe stuhitë shkatërruese, uraganet, cunamit gjigantë, rrëshqitjet dhe dridhjet e Tokës, vullkanet, etj., që të gjitha këto fenomene natyrore hyjnë në sferën e këtij emërtimi, nëpërmjet të cilave, Allahu xh.sh. ka ndëshkuar popujt jobesimtarë. Myslimanët, disa herë gjatë betejave të tyre ushtarake kundër kufrit dhe mizorisë, kanë qenë të fuqizuar me ushtri të tilla të padukshme, si në luftën e Bedrit, në atë të Hunejnit, dhe përgjatë shumë betejave të lavdishme nëpër shekuj. Allahu ua ka premtuar këtë ndihmë besimtarëve të sinqertë, përderisa ata janë në luftë për lartësimin e Fjalës së Allahut, teksa thotë: “Është detyrim Yni të ndihmojmë besimtarët.” - (Er-Rrum, 47).
Kjo pjesë e ajetit bart një mesazh madhështor, se po të donte i Madhërishmi do ta ndihmonte të Dërguarin e Vet, duke i shkatërruar armiqtë e tij me ushtri të padukshme, por Ai dëshiroi diçka tjetër. Ai deshi që kjo fitore të vinte pikërisht nga këta njerëz të zgjedhur që u besatuan në Bej’atu-rr-Rridvan, për t’i futur në Xhenet e për t’i shpërblyer me mirësitë e Tij të pakufishme.(7) S’ka dyshim se në këtë qëndron një urtësi e madhe, sepse Allahu xh.sh. e përfundon këtë ajet pikërisht me fjalët se Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë në çdo veprim të Tij, teksa e drejton dhe e mbikëqyr tërë këtë ekzistencë madhështore.
5. Ai (Allahu) ka për t’i futur besimtarët dhe besimtaret në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj, ku do të qëndrojnë përjetësisht dhe Ai do t’ua falë gjynahet e tyre. Kjo, tek Allahu, është një fitore e madhe.
Ashtu siç pamë edhe nga shkaku i zbritjes së këtij ajeti, Allahu i Madhërishëm i nderoi edhe sahabët duke ua premtuar si shpërblim Xhenetin me të gjitha mirësitë dhe begatitë e tij, në të cilat begati do të qëndrojnë përjetësisht. Allahu për hir të imanit të tyre, do t’ua falë gjynahet, dhe kush e arrin këtë gradë, vërtet është më fatlumi në të dy botët, sepse kjo është një fitore e madhe.
Allahu xh.sh. i ka veçuar besimtarët dhe besimtaret me lloj-lloj nderimesh në këtë dynja, por mbi të gjitha me shpërblime në Ahiret. Ai i zgjodhi këta njerëz, burra e gra, që ta bartnin nëpër shekuj dritën e Islamit, e cila do të qëndrojë si fanar i pa fikur deri në ditën e Kiametit. Në Kuran, në shumë vend, Allahu i ka përmendur besimtarët e këtij ymeti, sidomos përshkrimi në ajetin e 29, ajetin e fundit të kësaj sureje El-Fet’h, është i mahnitshëm: “Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të (sahabët), janë të ashpër me jobesimtarët dhe të mëshirshëm me njëri-tjetrin. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar mirësi prej Allahut dhe kënaqësinë e Tij. Në fytyrat e tyre shihen gjurmët e sexhdes. Ky është përshkrimi i tyre në Tevrat, ndërsa në Ungjill, ata përshkruhen si një farë e mbjellë që nxjerr filiz, e forcohet, pastaj trashet dhe qëndron e fortë në kërcellin e vet, duke i gëzuar kështu mbjellësit. Me ta, Ai ua shton mllefin jobesimtarëve. Kurse atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, Allahu u ka premtuar falje (të gjynaheve) dhe shpërblim të madh.
Shpërblimi i besimtarëve me Xhenet, është diçka madhështore, sepse ata që u besatuan në Hudejbije, do të hyjnë triumfalisht në Xhenet, në cilësinë e muxhahidëveluftëtarëve në rrugën e Allahut, e jo vetëm pse e merituan këtë me besim dhe me vepra të tjera të mira. Allahu tashmë ua ka falur atyre gabimet e kaluara dhe kjo për ta është fitorja dhe suksesi më i madh.(8)
6. Ai (Allahu) do t’i ndëshkojë hipokritët dhe hipokritet, idhujtarët dhe idhujtaret, që kanë mendim të keq për Allahun. Ata do të rrethohen nga e keqja.Allahu është zemëruar me ta, i ka mallkuar dhe ua ka përgatitur Xhehenemin. Eh, sa vend i shëmtuar është ai.
Pasi që i Lartmadhërishmi i përgëzoi besimtarët me Xhenete, të rrethuar me lumenj e kënaqësi të pafundme, duke qenë i kënaqur ndaj tyre, tash u kthehet dy grupeve, të cilat e kanë merituar hidhërimin e Allahut dhe ndëshkimin me zjarr të Xhehenemit. I Plotfuqishmi ajetin e fillon së pari me përmendjen e hipokritëve-mynafikëve, për të dhënë shenjë të qartë, se këta njerëz dyfytyrësh, janë më të rrezikshëm dhe më të këqij sesa idhujtarët.9 Ky grup njerëzish, e të tillë do të ketë në çdo kohë, janë më të dëmshëm për ymetin islam, për vetë faktin se shtiren si myslimanë, e në fakt, veprojnë kundër tyre në fshehtësi. Për këtë arsye, Allahu xh.sh. na ka treguar se këta nesër do të jenë në humnerën më të thellë të Skëterrës: “Vërtet, hipokritët do të jenë në më të poshtmen thellësi të Zjarrit.” - (En-Nisa, 145).
Pas tyre vijnë idhujtarët, të cilët mohuan Njëshmërinë e Allahut duke besuar zota të rremë. Këta po ashtu do të jenë në Skëterrë, sepse nuk e ndoqën dritën e udhëzimit, në të cilën e thirri i Dërguari i Allahut. Një pjesë e madhe e këtyre të fundit parapëlqyen kufrin dhe errësirën, duke ia vulosur vetes fatin e zi, dhe do të jenë përjetësisht banorë të zjarrit. Që të dyja këto grupe do të jenë të rrethuara nga e keqja, nga ajo e keqe të cilën ua mendonin dhe dëshironin besimtarëve, duke pasur mendime të këqija edhe ndaj Allahut. Për këtë arsye, Allahu është i hidhëruar në ta, i ka larguar nga mëshira e Tij, i ka mallkuar dhe do t’i ndëshkojë në Xhehenem, me vuajtje të njëpasnjëshme, përjetësisht.(10)
7. Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës; Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë!
Ashtu si në ajetin e 4-t, edhe tash në këtë ajet, i Plotfuqishmi, tregon se vetëm të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës, në të cilat ushtri siç kemi theksuar më parë, bëjnë pjesë: engjëjt, njerëzit, xhinët, fenomenet natyrore, e shumë gjëra të tjera në të cilat dimensione hyjnore nuk kemi qasje.
Dallimi i vetëm në mes dy ajeteve është pjesa e fundit e tyre. Në ajetin e 4-t ka ardhur: “Ve kane Allahu Alimen, Hakima - Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë”, kurse tash në fund të këtij ajeti, të 7-të, ka ardhur në formën: “Ve kane Allahu Azizen, Hakima - Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”.
Arsyeja pse më parë u përmend emri i Allahut “I Gjithëdijshëm” e tash në këtë ajet ka ardhur “I Plotfuqishëm” është se të Allahut janë ushtritë e mëshirës e edhe ato të ndëshkimit. Nga urtësia e Tij absolute, Ai kur flet për mëshirën që ka ndaj besimtarëve, thotë se është I Gjithëdijshëm dhe i Urtë, ndërsa pasi që në ajetin e 6-të foli ashpër kundër hipokritëve dhe idhujtarëve duke i kërcënuar me zjarr të Xhehenemit, në të cilin do të jenë përjetësisht, tash në ajetin e 7-të, thotë se Ai është i Plotfuqishëm, për të na bërë më dije se ka fuqi dhe kompetencë absolute për të ndëshkuar keqbërësit dhe mohuesit e Njëshmërisë.(11)
Porosia e ajeteve (4-7)
- Allahu xh.sh., përveç mirësive ndaj Pejgamberit a.s. që ia dhuroi pas Marrëveshjes së Hudejbijes, i përshkoi me mëshirën e Vet të pakufishme edhe sahabët që ishin të pranishëm në besatimin e “Bej’atu-r-Rridvan”, duke zbritur qetësi e prehje shpirtërore në zemrat e tyre, duke ua forcuar edhe më bindjen dhe imanin, duke ua falur mëkatet dhe duke ua premtuar atyre Xhenetin si shpërblim.
- Edhe për idhujtarët dhe mynafikët, kjo Marrëveshje pati ndikim dhe impenjim të madh. Allahu për shkak të kufrit dhe hipokrizisë së tyre, do t’i ndëshkojë ata me zjarr të Xhehenemit. Është i zemëruar me ta, i ka larguar nga mëshira e Vet dhe i ka mallkuar.
- Përmendja e kësaj fraze: “Të Allahut janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës...” në ajetet 4 dhe 7, është një frikësim dhe kërcënim i hapët ndaj idhujtarëve dhe mynafikëve, se po të dojë Allahu i Madhërishëm t’i shkatërronte ata, asgjë nuk do ta pengonte në realizimin e këtij kërcënimi hyjnore, sepse të Tij janë ushtritë e qiejve dhe të Tokës, por nga mëshira e Tij, i lë ata edhe për një kohë në këtë jetë, derisa të vdesin e të dalin para Tij në llogarinë e fundit të tyre.
- vijon –
_________________________
1. Imam Sujutiu, Lubabu-n-nukul fi esbabi-n-nuzuli, f. 237.
2. Muhamed Muhamed Salim Muhajsin, Fet’hu -r-Rrahman fi esbab nuzuli-l Kuran, Kajro, 1999, f. 129-130.
3. Dr. Hasen Muhamed Baxhudeh, Lemehat fi i’xhaz suretil Fet’h, Mekë, 2001, f. 7.
4. Për më gjerësisht lidhur me këtë cështje shih: Dr. Orhan Bislimaj, Akaidi Hanefij, botuar nga Forumi i të Rinjve Muslimanë me seli në Sent GalenPrizren, 2008, ff. 407-446.
5. Imam Maturidiu, Te’vilatu-l Kurani, Stamboll, 2007, vëll. XIV, f. 13. (redaktuar nga Muhamed Ma’sum Vanl?o?lu dhe recensuar nga Dr. Bekir Topalo?lu).
6. Ebu Muin en-Nesefij, Tebsiretu-l edil-leti fi Usuli-d-din, Kajro, 2011, vëll. I, f. 112. (redaktuar nga dr. Muhamed el Enver Hamid Isa)
7. Tefsir suretil Fet’h, f. 57.
8. Et-Tahriru ve-t-Tenviru, vëll. XXVI, f. 152.
9. Muhamedin el Emin bin Abdullah el Arumij, Hadaiku r-rrevhi ve-rrrejhan fi revabi ulumi-l Kuran, Bejrut, 2001, vëll. XXVII, f. 236.
10. Mustafa el Mensuri, El-Muktetafu min Ujuni-t-tefasir, Damask-Bejrut, 1996, vëll. 5, f. 41. (Redaktuar nga Muhamed Ali es-Sabuni).
11. Et-Tefsiru-l Munir, vëll. XXVI, f. 483
Sabri Bajgora