Shëndeti dhe falënderimi


Qenia njerëzore e krijuar nga dheu u ekspozohet gjithnjë gjërave që e rrethojnë. Sikurse shëndeti, ashtu edhe sëmundja janë pjesë e jetës së njeriut dhe ato thuajse janë në luftë me njëra-tjetrën për të dominuar trupin e njeriut. Vlerat shpirtërore e mbajnë njeriun në lartësinë metafizike, kurse vlerat trupore si faktorë fizikë, e stabilizojnë njeriun në sferën tokësore. Njeriu si krijesa më e respektuar tek Allahu xh.sh., duhet të shprehë mirënjohje dhe falënderim të veçantë Atij Që i dha shëndet, begati dhe nimetet, të cilave, sado që të mundohet t’i numërojë ato, njeriu s’do t’ua gjejë kurrë fundin. “Dhe kur të sëmurem ai më shëron” (Esh-Shuaraë, 80). 
Çdo sëmundjeje, me përjashtim të pleqërisë dhe vdekjes, Allahu xh.sh.i ka caktuar edhe ilaçin. Resulullahu, në lidhje me këtë, shprehet: “Allahu nuk ka zbritur sëmundje, për të cilën të mos ketë zbritur edhe shërim”. (Buhariu, 5246). 
Patjetër që shëndeti trupor ndërlidhet shumë ngushtë me shëndetin e zemrës. “Në trup gjendet një copë mishi, e cila, kur është në rregull, është në rregull i gjithë trupi dhe, me prishjen e saj, prishet i gjithë trupi. Ajo është zemra!” (Muslimi). 
Ekzistojnë dy lloje sëmundjesh: sëmundja e zemrës dhe sëmundja e trupit dhe që të dyja këto i paraqet Kur’ani shumë qartë. Zemrat e shëndosha prodhojnë edhe trupa të shëndoshë. 
Ajete të shumta flasin për shërimin e zemrës. “.... e juve ju ndihmon kundër tyre dhe shëron zemrat e njerëzve besimtarë”. (Et-tevbe, 14); “ O Ju njerëz! Juve ju erdhi nga Zoti juaj këshilla (Kur’ani) dhe shërimi i asaj që gjendet në kraharorët tuaj (në zemra)..”(Junus, 57) “... dhe në të cilin ka shërim (bar-ilaç) për njerëz”.(En-Nahl, 69); “Ne të shpallëm Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët, kurse jobesimtarëve nuk u shton tjetër përveç dëshpërim”. (El Israë, 82); “Dhe kur të sëmurem, ai më shëron”. (Esh-Shuaraë, 80); “Thuaj:”Ai është për besimtarët udhëzues e shërues”.(Fussilet, 44) 
Sëmundjet e trupit janë të dukshme, e sëmundjet e zemrës ndahen në dy grupe: sëmundja e dyshimit a e pandehjes dhe sëmundja e epshit apo që shpie në rrugë të shtrembër, dhe që të dyja janë të cekura në Kur’an. Në këtë vazhdë Allahu xh.sh., për sëmundjet e dyshimit (shybes), sjell ajetin “Në zemrat e tyre kanë sëmundje, e Allahu u shton sëmundje edhe më shumë..”. (El Bekare, 10), kurse në një ajet tjetër thotë: “...dhe ata që zemrat i kanë të sëmura dhe jobesimtarët, të thonë: ”Çfarë deshi Allahu me këtë shembull?”..(El Muddeththir, 31). 
E kur ftohen që e drejta e Kur’anit dhe synetit të jetë gjykatës në mes tyre, ata refuzojnë këtë gjykim. “E kur thirren që ndërmjet tyre të gjykojë Allahu dhe i dërguari i Tij, një grup prej tyre nuk i përgjigjet asaj. Po, nëse është (fakt) që e drejta u takon atyre (në atë gjykim), ata i shkojnë atij të bindur e me respekt. A thua janë të sëmurë në zemrat e tyre apo mos dyshojnë (në të dërguarin), ose mos frikësohen se Allahu dhe i dërguari i Tij do të gjykojnë në mënyrë të padrejtë kundër tyre? Por jo, ata vetë janë zullumqarë”. (En-Nurë, 48-50). 
Kurse, për sa u përket sëmundjeve të epshit apo që shpien në rrugë të shtrembër, Allahu në Kur’an thotë: ”O gratë e Pejgamberit, ju nuk jeni si asnjë grup tjetër, nëse keni kujdes e ruheni, andaj mos u llastoni në të folur e të lakmojë ai që ka sëmundje në zemrën e tij”..(El Ahzab, 32). 
Kurse, kur jemi tek sëmundja e trupit (fizike), individi përpiqet derdh edhe pasurinë e tij, për të gjetur ilaçin dhe shpeshherë krijon bindjen se filan mjeku a filan personi, më shëroi, duke harruar shëruesin e shëruesve, pra Allahun në zemrat e tyre. Pra, në këtë fazë, kur njeriu harron se Allahu ka vënë sebepet që njeriu të gjejë ilaçin, atëherë besimi i tij me të vërtetë dobësohet shumë. Thelbësore është që zemrat të zhvishen nga adhurimi i Zotit dhe të mos drejtohen nga Ai Që meriton adhurimin e saktë. Kur shërohen zemrat, atëherë lidhen me Të, dhe atyre u jepet një shëndet dhe furnizim në këtë dhe në Botën tjetër. 
Në një meditim më të thellë, në ngjarjen e Ibrahimit a.s. kur i tha popullit të tij: “A po shihni se ç’po adhuroni? Ju dhe prindërit tuaj të mëparshëm. Në të vërtetë, ata (që adhuroni ju) janë armiq të mi, përveç Zotit të botëve (nëse përveç idhujve adhuroni edhe Atë). Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua. Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pi. Dhe, kur të sëmurem, ai më shëron” (Esh-Shuaraë, 75-80). 
Për shëndet të mirë, qoftë shpirtëror a fizik, myslimani nuk kursen falënderimet, lutjet dhe përuljet para të Gjithfuqishmit xh.sh.. 


 


Editoriali
Dituria Islame 262