Islami ka kërkuar prej atyre që mund të punojnë, të ecin nëpër viset e tokës, për të ngrënë nga furnizimi i Allahut në të, dhe të shpërndahen nëpër anët e saj, për të kërkuar mirësitë e Tij. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ai jua ka bërë tokën të përdorshme, andaj ecni nëpër viset e saj dhe ushqehuni me atë, që ju ka dhënë Ai. Si të ringjallemi, do të kthehemi tek Ai.” (El Mulk, 15).
Po ashtu Ai xh.sh. thotë: “Dhe, kur të përfundojë namazi,, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, në mënyrë që të shpëtoni.” (El Xhumua, 10).
Islami i ka dhënë punëtorit të drejtën për rezultatin e punës së tij, se pasuria e tij është fryt i përpjekjes dhe angazhimit të tij, kështu që puna është shtylla e parë në shpërndarjen e pasurisë në shoqërinë islame.
Megjithatë, anëtarët e shoqërisë – d.m.th. shoqëria – nuk janë të gjithë punëtorë, që e f itojnë furnizimin e tyre me punën e tyre dhe e bëjnë plotësimin e nevojave të tyre me mundin dhe djersën e tyre. Por, ka edhe të atillë, që nuk janë në gjendje të punojnë dhe të fitojnë, as nuk kanë dikë që kujdeset nga të afërmit e tyre, siç janë fëmijët jetimë, gratë e veja, pleqtë e moshuar, të sëmurët rëndë, personat me nevoja të veçanta, si dhe të çmendurit dhe të verbrit. Të gjithë këta, nuk janë në gjendje ta fitojnë kafshatën e bukës dhe ta sigurojnë furnizimin e tyre për jetë.
Ka edhe të atillë që i mbyllin dyert e punës para syve të tyre, ndonëse kanë aftësi dhe mundësi për ta bërë atë, pastaj shkojnë dhe kërkojnë mundësi për të punuar në sektorin shoqëror dhe atje nuk e gjejnë, kështu që ata nuk kanë asnjë burim jetese, as burim të ardhurash, përveç punës, sikur që ka edhe nga ata që punojnë, por nga puna e tyre fitojnë më pak sesa që janë nevojat e tyre, për shkak të pagave të ulëta, apo ngarkesave të tyre të shumta.
Këto grupe nuk marrin hise të pasurisë në bazë të punës, sepse disa prej tyre janë të paaftë për punë, disa prej tyre nuk gjejnë punë, disa prej tyre gjejnë punë, por ajo nuk ju mjafton. Për këtë shkak, Islami e ka bërë nevojën dhe paaftësinë e tyre justifikim për të pasur të drejtë në paratë e zekatit, të cilin Allahu e bëri farz në Kuranin famëlartë. Atë pastaj e ka sqaruar me gjuhën e Pejgamberit të Tij a.s., duke shpjeguar se kush janë ata që përfitojnë nga zekati, kush e ka detyrim dhënien e tij, kush përfiton nga dhënia e tij, nga cilat pasuri jepet zekati, cila është shuma për të cilën duhet të jepet zekati, kur është koha e kryerjes së tij, cila është mënyra e pagimit dhe shpërndarjes së tij, etj..
Zekati në Islam nuk është bamirësi, me të cilën personi i pasur e ndihmon të varfrin nëse dëshiron, ose nuk e ndihmon nëse dëshiron, por përkundrazi, ai është obligim i njohur të cilin Allahu i Plotfuqishëm e ka urdhëruar në pasurinë e të pasurve, dhe zbatimin e tij e ka bërë shtyllë të tretë të Islamit dhe njërën nga bazat më të rëndësishme të fesë, duke e obliguar komunitetin mysliman që të bashkëpunojë në zbatimin e tij. Ai këtë e bëri një nga shërbimet më të rëndësishme, të cilat i kryen shteti islam dhe një nga detyrat më të shenjta me të cilën Allahu e ngarkoi udhëheqësin e myslimanëve.
Transmetohet nga Abdullah bin Omeri, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi a.s. ka thënë: “Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): Në të dëshmuarit se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, haxhillëkun dhe agjërimin e ramazanit.” (Buhariu dhe Muslimi).
Kujdesi i Islamit në detyrimin e zekatit ka arritur gjer në atë masë, saqë dhënien e tij e ka bërë dëshmi të hyrjes në fe dhe pranimit të besimit, siç janë edhe braktisja e politeizmit dhe falja e namazit. Në lidhje me politeistët, të cilët e luftonin zekatin, Allahu i Plotfuqishëm thotë: “... por, nëse pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë i lini të qetë! Vërtet, Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” (Et Tevbe, 5).
Pendimi nga politeizmi (shirku), falja e namazit dhe dhënia e zekatit janë ato që e mbrojnë gjakun e politeistëve luftëtarë, e ndalojnë luftimin e tyre dhe justifikojnë pranimin e tyre në komunitetin mysliman, ku e shijojnë vëllazërinë, garancinë dhe solidaritetin, pastaj aty e shijojnë edhe drejtësinë dhe bamirësinë. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Megjithatë, nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe...” (Et Tevbe, 11).
Së këndejmi, parimet e ekonomisë janë inkorporuar në prioritetet e Islamit dhe në rregullat e fesë. Në këtë mënyrë, garancia e shoqërisë për anëtarët e saj, të cilët nuk janë në gjendje të punojnë është shtyllë nga shtyllat e fesë dhe rregull nga rregullat e Islamit. Nuk pranohet pretendimi i besimit pa të. Nuk konsiderohet pjesëtar i komunitetit mysliman, ai i cili nuk e pranon atë dhe nuk e kryen me bindje të plotë dhe me gjithë zemër. Nuk ka asnjë ndryshim, në këtë aspekt, midis zekatit dhe namazit. Për këtë arsye, zekati në Kuranin famëlartë ka ardhur gjithmonë bashkë me namazin. Transmetohet nga Ibën Zejdi r.a., se ka thënë: “Namazi dhe zekati janë bërë obligim së bashku, nuk është bërë dallim mes tyre. Pastaj ka lexuar: “E, nëse ata pendohen, dhe falin namazin e japin zekatin, (atëherë) për nga besimi janë vëllezër me ju.” - dhe nuk e ka pranuar namazin përveçse me zekatin. Dhe ka thënë: Allahu e mëshiroftë Ebu Bekrin, sa horizont të gjerë që kishte!” (Tefsiri i Taberiut).
Allahu i Lartëmadhërishëm, pagesën e zekatit e ka bërë kusht që individi të hyjë nën ombrellën e besimit dhe ta realizojë të drejtën e shpëtimit të madh dhe Xhenetit Firdevs, të cilin Allahu e ka përgatitur për besimtarët. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Me të vërtetë, janë të shpëtuar besimtarët, të cilët janë të përulur në namazin e tyre, të cilët shmangen nga fjalët e kota, të cilët japin zekatin.” (El Muminun, 1-4).
Dhënia e zekatin është mënyrë e udhëzimit dhe shkak për lajme të mira. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Udhërrëfyesi dhe lajm të mirë për besimtarët, të cilët falin namazin, ndajnë zekatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër.” (En Neml, 2-3).
Kështu që udhëzimi, të cilin Allahu ua dha besimtarëve dhe sihariqi të cilin ua premtoi atyre, është falja e namazit dhe dhënia e zekatit. Dhënia e zekatit e bën individin një nga bamirësit, të cilëve Allahu ju ka përgatitur mirësi të pakufishme. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “(I cili) është udhërrëfyes dhe mëshirë për punëmirët, që kryejnë namazit, japin zekatin dhe besojnë bindshëm në jetën tjetër.” (Lukman, 3-4).
Abdylvehab el Karash
Përkthim nga arabishtja: Miftar Ajdini
Dituria Islame 411