Haxhi, obligim jetësor i myslimanit

 


“Dhe thirr ndër njerëz për haxhin, se të vijnë ty këmbësorë e edhe kalorës me deve të rraskapitura, që vijnë prej rrugëve të largëta.” (El-haxhxh, 27)
Ishte kjo thirrja me të cilën Allahu i Lartmadhërishëm iu drejtua të dërguarit të tij, Ibrahimit a.s., pasi kishte përfunduar ndërtimin e Shtëpisë së Shenjtë-Qabesë, në vendin e shenjtë në Mekë. Kjo thirrje kumboi fuqishëm në zemrat e atyre që kishin besuar Zotin e asaj Shtëpie, i bëri ata që t’i përgjigjeshin ftesës me plot respekt, përulje dhe kënaqësi. Të Shtëpisë së Shenjtë, së cilës, gjatë gjithë epokave historike, iu drejtuan njerëzit në përgjithësi, kurse besimdrejtët në veçanti, në shenjë madhërimi e shenjtërimi për vendin e begatshëm, dhe vendzbritjen e shumicës së dërgesave hyjnore Shpalljeve të Allahut Fuqiplotë. Ata e mësynë Qabenë, ndërtimi i së cilës është realizuar, sipas transmetimeve më të sakta, nga babai i njerëzimit, Ademi a.s., po që është rindërtuar më vonë nga Ibrahimi a.s. dhe i biri i tij, Ismaili a.s. Sido që të jetë, shenjtëria i është dhënë Qabesë dhe rrethinës së saj; Mekës, qysh kur Allahu xh.sh. krijoi qiejt dhe Tokën.


Haxhi, përkufizimi dhe obligueshmëria e tij


Në jurisprudencën islame, me Haxhin nënkuptojmë “Vizitën e Qabesë me qëllim të pastër për Allahun, për të kryer rituale të caktuara, duke vizituar vende të caktuara, dhe kjo në kohë të caktuar”. Madje ky përkufizim është shumë i përafërt edhe me kuptimin gjuhësor –etimologjik të fjalës Haxh, e cila thelbësisht ka domethënien e të synuarit të vazhdueshëm drejt një gjëje që e madhëron njeriu . Prandaj përzgjedhja ishte shumë adekuate nga ana e Ligjvënësit, që këtë shtyllë të Islamit ta quante me këtë emër, ngase secili besimtar synon udhëtimin drejt Mekës së Shenjtë, sepse ajo ka zënë një vend të veçantë në zemrën e tij, duke e konsideruar vendin më të dashur mbi faqen e Tokës. Haxhi është obligimi dhe shtylla e pestë e Islamit, dhe Allahu i obligoi besimtarët që atë ta kryejnë një herë në jetë. Për obligueshmërinë e tij flasin disa versete Kur'anore, prej të cilave: 
1.Fjala e Allahut xh.sh.:“E kryeni haxhin dhe umren për hir të all llahut,..” (El-Bekare, 197). Ky është një urdhër, dhe urdhri nënkupton obligueshmërinë për të ngarkuarit me normat sheriatike, nëse nuk ekziston ndonjë argument që e zbret atë urdhër nga shkalla e obligueshmërisë.
2. Pastaj, edhe më i drejtpërdrejtë dhe më decidiv është verseti, ku Allahu xh.sh. thotë :” Për hir të All llahut, vizita e shtëpisë (Qabesë) është obligim për atë që ka mundësi shkuarjeje tek ajo, e kush nuk e beson (ai nuk e viziton); All-llahu nuk është i nevojshëm për (ibadetin që bëjnë) njerëzit.”(Ali Imran, 97). Po ashtu Muhamedi a.s. e bëri të qartë këtë obligueshmëri për besimtarët në hadithet e tij, duke e konsideruar atë prej shtyllave mbi të cilat është ngritur Islami. Ai në hadithin e tij të mirënjohur që e transmeton Abdullah ibn Umeri r.a. thekson: ”Islami është ndërtuar mbi pesë shtylla: Shehadetin –dëshminë se s’ka zot tjetër përveç Allahut, dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguar i Tij, …duke përmendur në fund ” dhe shkuarjen në Qabe për atë që ka mundësi” . Njëkohësisht obligueshmëria e Haxhit është konstatuar me konsensusin e të gjithë dijetarëve islamë, prandaj nuk ka hapësirë për mëdyshje ose kontestim të tij. Por, për dallim nga obligimet e tjera, Haxhi është një obligim jetësor, që nënkupton se, nëse e kryejmë një herë në jetë, do të lirohemi nga obligimi, e nëse e kryejmë më shumë se një herë gjatë tërë jetës, atë e bëjmë vetëm si nafile-ibadet vullnetar, me se Allahu nuk na ka ngarkuar. Këtë e bën të qartë për ne muhamedi s.a.v.s. në hadithin që e transmeton Ebu Hurejre r.a. duke thënë: ”O ju njerëz, Haxhi është bërë obligim për ju, prandaj kryejeni atë”. Njëri e pyeti:”A është obligim për çdo vit, o i Dërguar i Allahut? Muhamedi a.s. heshti derisa e përsëriti ai tri herë pyetjen, e pastaj u përgjigj: ”Sikur të thosha po, do t’ju obligohej për çdo vit dhe ju nuk do të kishit mundësi ta kryenit” . Pra, mëshira e Allahut në këtë obligim është evidente, nga se janë marrë parasysh rrethanat dhe mundësitë tona skajshmërisht, duke na obliguar me këtë shtyllë madhështore vetëm një herë gjatë jetës.


Urtësitë dhe dobitë e Haxhit si shtyllë e Islamit


Është shumë i qartë fakti se Allahu nuk i ngarkon njerëzit me asnjë obligim, dhe as i ndalon ata nga çfarëdo ndalese përveç nëse në to fshihen urtësi, mirësi dhe begati madhështore, pavarësisht se a i dimë apo nuk i dimë ne ato. dihet se esenca e Haxhit është tubimi i një numri të madh njerëzish që synojnë Çiltërimin e shpirtit të tyre në një kohë e cila u kujton atyre të kaluarën interesante të një grupi njerëzish që i ka begatuar Allahu me dhuntitë e Tij, e këtu hyjnë pejgamberët, të sinqertët, dëshmorët dhe bamirësit. Ky tubim bëhet në një vend ku ekzistojnë fakte të fuqishme e të gjalla, të cilat pa dyshim që manifestojnë Madhërinë e Krijuesit tonë. Myslimanët nga bota anekënd synojnë ato vende që ishin ëndërr e secilit prej tyre, i vizitojnë ato duke shprehur përuljen, shpresën dhe dëshirën e flaktë për faljen e Allahut Fuqiplotë për mëkatet e tyre të shumta. kështu, pra, kur aspiratat njerëzore tubohen për një qëllim të tillë dhe në një vend të tillë e në një kohë të tillë, s’ka dyshim se mëshira dhe falja e Zotit zbret mbi ta, një gjë që e vë në dukje edhe hadithi i Muhamedit a.s.: ”Asnjëherë nuk është parë djalli i mallkuar më i poshtëruar, e as më i nënçmuar, e as më i zemëruar sesa në Ditën e Arafatit”. është i zemëruar dhe i poshtëruar, sepse sheh që njerëzit po i kthejnë shpinën atij, largohen nga pasimi i rrugës së tij të devijuar dhe mësyjnë ecjen drejt shtigjeve të sigurta që i do Allahu, dhe njëkohësisht ka garantuar falje për ata që me sinqeritet kanë arritur në ato vende të shenjta. Në këto vende myslimani e liron vetveten nga të gjitha brengat e preokupimet e kësaj bote, qoftë edhe përkohësisht, duke synuar kështu një rrugëtim jete, çmimi i të cilit është falja, mëshira dhe kthimi në shtëpi i liruar nga barra e rëndë e mëkateve, të cilat realisht kishin vështirësuar tej mase jetën e tij shpirtërore. Kjo është një ëndërr dhe aspiratë e çdo besimtari, prandaj me realizimin e saj, ai vëren një lehtësim të mahnitshëm shpirtëror, që i mundëson atij një jetë të lumtur deri në vdekje, por gjithsesi shpërblim madhështor pas vdekjes, atëherë kur do ta takojë Allahun e Madhërishëm, e Ai të jetë i kënaqur me të.
Ndërsa, në aspektin politik e social, Haxhi i ngjason një kongresi të madh ndërkombëtar, ku besimtarët tubohen për t’u informuar nga afër për progreset dhe të arriturat e vëllezërve të tyre anekënd botës, në njërën anë, por edhe të marrin vesh drejtpërsëdrejti për problemet, vështirësitë, preokupimet dhe sfidat me të cilat ballafaqohen ata nëpër rajonet ku jetojnë, në anën tjetër. është ky një rast ideal edhe për prijësit shpirtërorë e politikë të Botës Islame, që të qajnë hallet e popullatës që ata udhëheqin, si dhe t’i ofrojnë njëri-tjetrit përvoja konstruktive e të mirëfillta, nëse ato ekzistojnë. Ata, me këtë rast, do të diskutojnë gjithsesi për zgjidhjen e problemeve të ndryshme bashkëkohore. Ndërsa aty, dijetarët dhe shkencëtarët myslimanë kanë mundësinë optimale që të ofrojnë dhe të prezantojnë arritjet në fushat e tyre akademike, dobia e të cilave do të duhej të zgjerohej e të përhapej, në mënyrë që të përfshijë edhe rajonet e tjera, ku ata nuk veprojnë dhe as jetojnë.


Ritualet e Haxhit


Ashtu siç njihet në Sheriatin islam, se çdo shtyllë ose obligim fetar ka farzet -gjërat pa plotësimin dhe kryerjen e të cilave ai do të ishte i papranuar tek Allahu i lartmadhërishëm, po ashtu edhe Haxhi ka farzet ose shtyllat e veta, të cilat, sipas shkollës juridike hanefite, janë dy: 
a) Qëndrimi në Arafat dhe 
b) Tavafi i vizitës-Haxhit (Tavafu ez zijareh) 
E vaxhibet e Haxhit, për moskryerjen e të cilave obligohemi të therim kurban, janë: 
a) Vrapimi në mes Safasë dhe Merves Sa’ji; 
b) Qëndrimi në Muzdelife; 
c) Gjuajtja e guralecëve tek Xhemeratet për tri ditë radhazi; 
ç) Shkurtimi ose rruarja e flokëve; dhe
 f) Tavafi Lamtumirës(Tavaful-Veda’).