Bazat e edukimit dhe të mësimit në misionin e da'ves


Ajete të shumta na e kujtojnë formën dhe metodologjinë edukative që duhet pasur në raport me masën e gjerë. Madje tekstet hyjnore japin mesazhe me anë të metodologjive marramendëse. Edukata (edeb) ka kuptimin e të qenit i moralshëm dhe estetik. Së këtejmi rezulton se Kurani i ka kushtuar vëmendje edukatës dhe këtu kemi për synim estetikën, hollësinë dhe bukurinë e shprehjeve kuranore që për qëllim kanë njeriun. Sa për ilustrim këtu kemi mendimin e Zekershiut, i cili, në veprën e tij "El Burhan", thotë se Kurani dëshiron që t'ia tërheqë vëmendjen njeriut për diçka, mirëpo për të mos mbjellë frikë e as ofenduar, dedikimi i bëhet të Dërguarit a.s..
O ti Pejgamber, qëndro i fortë në besnikëri ndaj Allahut e mos i përfill jobesimtarët dhe hipokritët, se vërtet Allahu është i gjithëdijshëm, i di çështjet në hollësi. (El Ahzabë,1).
Kurse nga ana tjetër mësimet kuranore ngrenë lart nderin e Muhamedit a.s. dhe mbrojnë atë nga shpifjet e ndryshme njerëzore, Allahu xh.sh. e vendos Veten si garant të tij dhe në vend që të thotë: Pejgamberi im nuk kërkon prej jush asfarë shpërblimi për thirrjen (daven) që jua bën për t'u bërë rob të Zotit", Ai thotë:
Unë nuk kërkoj prej tyre ndonjë furnizim e as dëshiroj të më ushqejnë ata. Allahu është furnizues i madh, Ai fuqiforti. (Edh-dharijat, 57-58).
Me anë të kësaj shprehjeje të fuqishme kuranore, Allahu xh.sh. e pastron dhe e purifikon figurën e Muhamedit a.s. prej çdo cilësimi në aspekt të interesit apo përfitimit material. Themi kështu se Allahu xh.sh. nuk ka nevojë për ushqim dhe pije dhe se simbolika e argumentit ka të bëjë me përpikërinë e Muhamedit a.s., në këtë çështje(1).
Po ashtu në vargun e gjatë të sureve që flasin për individët që kanë ardhur dhe u janë bashkëngjitur mësimeve të të dërguarve a.s., është rasti edhe i një personi besimtar në njëshmërinë e Allahut, i cili kishte dëgjuar për ardhjen e të dërguarve nga ana e Zotit për të sjellë ndër mend kujdesin ndaj popullit dhe që prej skajit tjetër të qytetit ka ardhur për t'u ofruar ndihmë atyre. Mënyra e komunikimit që ka përdorur ky person gjatë thirrjes që populli i qytetit t'u bashkëngjitet mësimeve të të dërguarve pasi ata janë në rrugë të drejtë e të vërtetë, mbetet një shembull i estetikës, mësimit e edukatës në thirrjen islame. Këtë ngjarje e hasim në suren Jasin, ku Allahu xh.sh. sjelljen e butë të personit që tregon ndaj njerëzve që janë sjellë me mendjemadhësi e arrogancë ndaj të dërguarve të Tij, duke mos përjashtuar situata kur ata edhe kanë përgatitur komplote e vrasje ndaj tyre, e justifikon duke e përmendur në Kuran dhe duke e shndërruar në metodë të amshueshme kujdesin e tij që të mos ofendojë dhe të thyejë zemrat dhe shpirtat e atyre të cilëve u drejtohet gjatë komunikimit me ta. Ja se si e paraqet këtë ngjarje Kurani:
Dhe prej skajit më të largët të qytetit erdhi një njeri që ngutej e tha: "O populli im, dëgjoni të dërguarit!" Dëgjoni atë që nuk kërkon prej jush ndonjë shpërblim dhe janë udhërrëfyes! E, ç'kam unë që të mos e adhuroj atë që më krijoi dhe te i cili ktheheni. A mos do të pranoj zota të tjerë pos Tij, e nëse do Mëshiruesi të më godasë me ndonjë të keqe, ndërmjetësimi i tyre nuk do të më vlejë asgjë e as që do të më shpëtojnë. Unë do të jem atëherë në një humbje të hapët. Unë i kam besuar Zotit tuaj, pra më dëgjoni. Atij i është thënë: "Hyr në Xhenet!" e ai tha: "Ah, sikur ta dinte populli im, për çka më fali Zoti im dhe më bëri prej të nderuarve!" (Jasin, 20-27).
Po ashtu në argumentet kuranore sjellin modelin e edukatës së lartë që kishin figurat e të dërguarve a.s., që me sjelljet e tyre u bën që pasardhësit të ndjekin këtë rrugë për të ruajtur lart nderin, krenarinë, pastërtinë familjare e shoqërore. Rast më të mirë në këtë drejtim kemi Jusufin a.s., i cili ishte në burg dhe kur komentoi ëndrrën e mbretit dhe iu propozua të dalë nga burgu, ai së pari kërkoi që të gjendej fajtori dhe të vërtetohej pafajësia e tij dhe njëkohësisht këtu shihet edhe fakti se Jusufi a.s, për dhjetë vjet sa ka qëndruar në burg nuk e ka përmendur emrin e personit që e ka bërë veprën e keqe për të cilin ai e vuajti burgun. Pra, edhe pse kishte qëndruar vite të tëra në burg, prej edukatës dhe mësimit hyjnor nuk e përmend emrin e zonjës.
E mbreti tha: "Më sillni mua atë (Jusufin)!" Dhe kur i shkoi atij (Jusufi) i dërguari (i mbretit), ai itha: "Kthehu te zotëria yt dhe pyete atë: ç'është puna e atyre, që i prenë duart e tyre? Vërtet, Zoti im e di shumë mirë dredhinë e tyre". Ai (mbreti) tha: "çka ishte puna juaj kur ju vetë e dëshiruat (iu vërsulët) Jusufin?" Ato thanë: "Zoti na ruajt, ne nuk dimë ndaj tij asnjë të keqe!" Gruaja e ministrit tha: "Tash doli në shesh e vërteta, e unë iu vërsula atij me dashuri, e ai është nga të drejtët!" (Jusuf,50-51).
Pasi ai nuk u lëshua në detaje të rrëfimit, por parashtroi pyetjen "se çka u bë me ata që i prenë duart" dhe me të fsheh fajin e shoqërisë femërore të Egjiptit të atëhershëm. Por rrëfimi i Kuranit na sinjalizon se kjo ngjarje nuk ka lidhje së afërmi me burgosjen e Jusufit a.s..
Një grup nga gratë e qytetit thanë: "Gruaja e zotërisë (e ministrit) i vërsulet marrëzisht shërbëtorit të vet, atë e ka kapluar në shpirt dashuria e ne jemi të bindura se ajo është në humbje të hapët. E kur ajo dëgjoi për ato pëshpëritjet e tyre, dërgoi t'i thërrasë ato, u përgatiti vendmbështetje dhe secilës prej tyre i dha nga një thikë e tha: "Dilu para atyre!" Kur e panë atë, ato u tronditën dhe i prenë duart e tyre e thanë: "Allahut i qofshim falë! Ky nuk është njeri, ky nuk është tjetër veçsese ndonjë engjëll i lartë!" (Jusuf, 30-31).
Edukata e lartë që Jusufi e ka treguar për mbrojtjen e zonjës së tij ka ndikuar thellë te Zelihaja dhe ajo pa drojë e ka pranuar fajin dhe ka përshkruar moralin e lartë të Jusufit. Ky model i thirrjes në fe duhet të jetë mësim dhe praktikë për të gjithë predikuesit fetarë. Një edukatë kaq e lartë dhe estetikë e sjelljes superiore do të kishte ndikuar mbi të gjithë njerëzit, pasi sjellja e bukur e personit lë mbresa të mira te njerëzit edhe nëse e takojnë vetëm një herë.(2) Muhamedi a.s. kishte çmuar vetitë dhe karakterin e Jusufit a.s., duke treguar me këtë se është mësim dhe edukim për thirrësit në islam. Ai me një rast pati thënë: "Allahu e lartësoftë Jusufin a.s., unë habitem me durimin e tij kur u pyet për lopët e dobëta dhe të majmet. Sikur të isha unë në vendin e tij, nuk do të kisha komentuar ëndrrën para se të kushtëzoja lirimin tim prej burgut. Gjithashtu, habitem me rastin pas ardhjes së të dërguarit të mbretit, kur ai tha: "Kthehu te zotëria yt".Unë sikur të isha në vendin e tij, pas qëndrimit kaq vite në burg, menjëherë do ta pranoja propozimin e tij dhe nuk do të prisja që të provohet pafajësia ime. Por, ai ishte një person që sillej me butësi dhe maturi.(3)
Po në këtë vazhdë sa mësime të tjera kuranoe janë shembuj në aspektin e formimit me edukatën dhe me mësimet kuranore që duhet të pajisen punonjësit në fushën e daves. Sa për ilustrim po përmendin disa ajete që flasin në lidhje me këtë pikë.
A të ka ardhur ty rrëfimi i Musait? Kur Zoti i tij e pati thirrur në luginën e bekuar Tuva (rrëzë kodrës Turi Sina). Shko te faraoni se vërtet ai e ka tepruar. Dhe thuaj: "E ke ndër mend të pastrohesh?" Unë të udhëzoi te Zoti yt e ti t'ia kesh frikën Atij! (En-Naziat, 19-15).
Nga kjo ngjarje mësojmë po ashtu se thirrja e Musait drejt Faraonit nuk ishte akt i kryer, por një trajtë- "A ke ndonjë anim, dëshirë, qëllim? A e ke ndër mend që të pastrohesh prej veseve të liga dhe të begatohesh e të ngrihesh?"- në të cilën do të tregohet respekt i madh për vullnetin e tij dhe do të mbrohet krenaria e tij.
Ky verset kuranor jep mesazhin e qartë se secili njeri duhet të bëjë zgjedhjen me vullnetin e lirë pa ndërhyrje nga jashtë. Kjo metodë e vetëzgjedhjes është nga metodat e reja, që ka filluar të aplikohet në psikologjinë pedagogjike, ndërsa si e vërtetë kuranore e tregon strategjinë e pashembullt të Kuranit në kultivimin e njeriut.
Georg Kerschensteiner, pedagog gjerman duke folur për vërtetësinë e këtij parimi thoshte: "Individi me karakter vetë duhet ta gjejë njëshmërinë e vullnetit. Kjo më së miri realizohet nëpërmjet aktiviteteve të lira. Ky parim paraqet njërin prej zbulimeve më të vlefshme të pedagogjisë moderne". Gjithashtu thotë: "Ka metoda edukative të tilla që e vazhdojnë respektin e jashtëm dhe absolute deri në periudhën e fëmijërisë së dytë dhe të rinisë, e vështirësojnë lirinë e lëvizjes së nxënësve dhe përpiqen t'i bëjnë të pranueshme kërkesat morale dhe fetare. Kjo trajtë e edukatës e pengon përsosjen e karakterit të vërtetë te shumë nxënës, në veçanti tek ata që kanë ashpërsi individi. Sakrifikimi i intelektit për shkak të mospërdorimit të arsyes hyjnore si respekti i jashtëm nuk e thyen vetëm shtyllën kurrizore të karakterit, por nga aspekti i ndikimit të jashtëm, analizon edhe anën e dashur dhe të vlefshme të tij".
Pikërisht për këtë, fetë qiellore dhe përfaqësuesit e tyre kanë pasur ndikim të madh tek individët dhe shoqëritë njerëzore dhe kaun paraqitur shembujt e veçantë të historisë së njerëzimit. Ata kanë bërë transformime gjigante në shpirtrat e njerëzve dhe në mënyrë fascionante kanë përballuar kushtet e vështira të jetës, kaun treguar vullnet të hekurt dhe kanë qëndisur në fletët e historisë sakrifica të pashembullta për udhëzimin e njeriut në rrugë të drejtë.(4)
Duke u nisur nga fakti se dituria shikuar nga vizioni i fesë islame asnjëherë nuk ka qenë kundër mësimeve të besimit (imanit) dhe kjo gjë asnjëherë nuk ka ardhur në konsideratë ashtu siç është komunikuar kjo frymë në vendet e Evropës në periudhën e errët të mesjetës. Në atë kohë, në ata shekuj kisha kishte qëndrime negative, ngase i përkrahte paragjykimet (legjendat) ndërkaq e luftonte shkencën, i ndihmonte ngritjen dhe gojëdhënat (traditat), rezistonte mendimin e lirë, shpikjet dhe zbulimet, mbrohej me forcën dominuese të sunduesve dhe feudalëve si dhe qëndronte përballë popujve dhe grupeve të vogla. Islami në historinë e vet nuk njeh këso farë grindjesh ndërmjet diturisë dhe besimit. Kjo bindje nuk ka vend në mësimet islame, nuk ekziston në aspektin tekstual as në atë shpirtëror.(5)
Studiuesi i njohur Alexis Carrel-i thotë se sjellja e mirë e emocionon njeriun më tepër se bukuria natyrore dhe shkencore. Sjellja e mirë pronarit të vet i jep forcë dhe guxim(6). Madje më parësore nga të gjitha gjërat me butësi (tolerancë) është edukimi. "Dijetarët, siç thotë El Mevrudi, - duhet të jenë tolerantë me nxënësit, të mos e urrejnë të riun, të mos e konsiderojnë të vogël fillestarin, sepse kjo shkakton revoltë te ta, të jenë modestë ndaj tyre, t'i nxitin në dëshirë (vullnet) në atë që ata (mësuesit) posedojnë."(7)
Kur është çështja për bazat e edukimit dhe mësimit, ndër më kryesoret numërojmë:


1. Besimi i sinqert


Besimi i sinqertë ashtu siç e ka sqaruar apolegjetika islame e sikurse e ka sqaruar Kurani e edhe syneti i Muhamedit a.s., si besim në Zotin, melaiket, të dërguarit, ditën e fundit si dhe vendimet dhe caktimet e Tij.


a. Imani i cili trashëgon frikë në zemra


Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave e të mos jetë Ai i katërti; e as mes pesë vetave e të mos jetë Ai i gjashti, e as mes pak vetave dhe as në shumë vetave e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë. Pastaj, në ditën e Kiametit i njeh ata me atë që kanë punuar. Allahu ka përshirë çdo send në dijen e vet. (El Muxhadele, 7).


b. Besimi i cili mbjell siguri në zemrat e të vegjëlve dhe të të mëdhenjve si dhe përforcon hapat drejt punëve të mira dhe të vërteta.


Abdullah ibën Abasi r.a. thotë: "Isha hipur në një kafshë pas Profetit a.s., i cili më tha: "O djalosh, do t'i mësoj ca fjalë (do t'i jap ca këshilla): Ruaje Allahun, Allahu të ruan ty, ruaje Allahun do ta kesh në anën tënde, nëse kërkon gjë, atëherë kërkoje atë prej Allahut, mos harro se, sikur i tërë njerëzimi të bashkohen për të të sjellë ndonjë dobi që Allahu nuk e ka caktuar për ty, atëherë nuk do të kenë mundësi të ta bëjnë atë të mirë, dhe në të kundërtën, nëse mblidhen për të të bërë ndonjë të keqe asgjë, nuk mund të të bëjnë përveç asaj që Allahu e ka caktuar. Janë ngritur lapsat dhe janë tharë letrat (në të cilat është shkruar caktimi-kaderi)."8


c. Besimi i cili të drejton kah objektivat e njerëzve të mëdhenj


Besimi i cili të drejton kah objektivat e njerëzve të mëdhenj që feja e tërë të jetë për Zotin dhe Fjala e Tij të jetë më e larta, ndërsa fjala e atyre që nuk besuan të jetë më e ulëta dhe krenaria të jetë për Zotin të Dërguarin dhe besimtarët. Kjo cilësi arrihet duke qenë largpamës dhe duke shoqëruar dhe jetësuar mësimet hyjnore të Kuranit në jetën e përditshme, dhe përpos kësaj ai i përjeton këto si të shenjta. Kjo po ashtu arrihet me anë të shembullit të mirë mu ashtu siç e ka shpjeguar edhe i dashuri i Zotit e po ashtu edhe me shoqëri të përzgjedhur.
Muhamedi është i dërguar i Allahut e ata që janë me të (sahabët) janë të ashpër kundër jobesimtarëve, janë të mëshirshëm ndërmjet vete, ti i sheh kah përulen (në ruku), duke rënë me fytyrë në tokë (në sexhde), e kërkojnë pre Allahut që të ketë mëshirë dhe kënaqësinë e Tij ndaj tyre. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e gjurmës së sexhdes. (El Fet'h,29)
Po ashtu në një vend tjetër që transmetohet nga Ebu Seid r,a., se Muhamedi a.s. pati thënë: Mos i shani shokët e mi, se, për Atë, në Dorën e të Cilit është jeta ime, nëse ndonjëri prej jush do të jepte (do të shpenzonte) sasi ari sa kodra e Uhudit, nuk do ta arrinte mirësinë e asnjërit prej tyre, madje as gjysmën." (Buhariu)
Gjithashtu, thënia e të Dërguarit a.s të cilën e transmeton Imran bin Husajn r.a.: "Njerëzit më të mirë janë ata të shekullit tim, pastaj ata që vijojnë, pastaj ata që vijojnë këta" . Po ashtu thotë: "Pastaj do të vijnë popuj që do të dëshmojnë atëherë kur nuk u kërkohet dëshmia, do të tradhtojnë, nuk do të jenë besnikë, do të premtojnë dhe nuk do të realizojnë, do të përhapen ndër ta dëshira për të ngrënë e për të pirë tepër dhe pozita(9)


(vazhdon)


____________________________
1. Said Nursi, Lem'alar (lem-a e njëzet e tetë),Istanbul, 1976,f.254.
2. Hayati Aydin, Metoda kur'anore të bindjes psikologjike,Shkup, Logos-A, 2001,f.26.
3. Mahmud Omer Zemahsheri, El Keshaf an hakaiki-t-enzil ve ujuni-l- ekavil fi vuxhuhi -t-te'vil, Dar el marife, Bejrut, 2012,v.2.f.478.
4. Hayati Aydin, f.28.
5. Jusuf Kardavi, Erresul ve-l- ilm, daru-l- furkan,Aman,1996,f.21.
6. Alexis Carrel, Insan denen mechul (përkth. në turq. Refik Ozdek, Istanbul, 1973, f.156-157.
7. Muhamed Abdurreuf el Menavi, Fejdu -l kadir,Daru- l- marife, bot. i dytë, Bejrut,1972 vëll.4,f.326.
8. Tirmidhiu nr.2518, hadithi është i kategorisë hasen sahih. Po ashtu këtë hadith e transmeton edhe Ahmedi në Musnedin e tij me nr.2669 me sened sahih. Xhamië el usul,11,685.
9. Transmeton Buhariu (5/19).Muslimi (2535), Tirmidhiu (2222).Ebu Davudi (4657), Nesaiu (77-18) nga sahabiu Imran ibn Husejni r.a., gjithashtu transmeton Buhariu (5\191),Muslimi (2533).Tirmidhiu (3858).nga sahabiu Abdullah ibn Mes'ud r.a.


Dituria Islame 358


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)