Në një botë ku fëmijët rriten përballë ekraneve dhe prindërit luftojnë me mungesën e kohës, historia e kësaj nëne do t'ju bëjë të ndaleni dhe të mendoni: çfarë do të thotë vërtet të jesh nënë e përkushtuar?
Ky nuk është thjesht një tregim, por një dëshmi e gjallë se dashuria, përkushtimi dhe edukimi me Kuranin mund të formësojnë breza të tërë.
Një profesor i kiraetit, që punon në një shkollë për mësimin e Kuranit përmendësh rrëfen një ngjarje që e la pa fjalë:
"Ndërsa po qëndroja në zyrat e shkollës, më erdhi një fëmijë i vogël dhe më pyeti nëse mund të regjistrohej për të mësuar Kuranin. Meqë më dukej i vogël në moshë, nisa t'i bëj disa pyetje të përgjithshme, duke menduar se ndoshta kishte ardhur nga rruga ku po luante, ndoshta edhe për shaka.
E pyeta:
- A di ndonjë pjesë të Kuranit përmendësh?
Ai u përgjigj: - Po, di.
Atëherë i thashë:
- Mirë, lexo diçka nga xhuzu 'Amme'.
Djali filloi të lexonte rrjedhshëm dhe saktë. I habitur, e pyeta përsëri:
- A e di ndoshta suren Tebareke?
- Po, - tha ai. Dhe nisi ta lexojë me rrjedhshmëri.
U befasova: aq i vogël, e di dy xhuzë përmendësh!
Më pas e pyeta pa ndonjë qëllim të caktuar:
- A e di suren En-Nahl?
- Po, e di, - u përgjigj përsëri.
Kjo shtoi edhe më shumë habinë time. I thashë me buzëqeshje:
- Po suren El-Bekare, a e di?
Ai qeshi dhe pohoi me kokë.
U dorëzova dhe i thashë:
- Ti qenke hafiz i Kuranit, apo jo?
- Po, unë jam hafiz, - u përgjigj ai me modesti.
Subhanallah, mbeta pa fjalë. I thashë të vinte të nesërmen me babain e tij që ta regjistronim dhe ta njihja personalisht.
Të nesërmen djali erdhi me t'atin. Kur e pashë, mbeta i befasuar - sepse nga pamja e jashtme nuk e prisja të ishte praktikues i madh i sunetit. Ai e vuri re habinë time dhe më tha:
- E di, profesor, nuk më keni imagjinuar kështu, apo jo? Por pas këtij djali që është hafiz, qëndron gruaja ime - një nënë që vlen sa njëmijë burra. Dhe jo vetëm ai: kemi edhe tre djem të tjerë që janë hafizë, ndërsa vajza jonë katërvjeçare tashmë e di të gjithë xhuzin Amme përmendësh!
Nuk dija ç'të thosha. E pyeta me habi:
- Si e ka arritur gruaja juaj këtë?
Ai u përgjigj:
- Ajo i mëson fëmijët që kur fillojnë të flasin. Kur rriten pak, nisin të mësojnë përmendësh. Dhe për t'i motivuar, ajo shpërblen çdo hap të tyre: kush mëson një sure, zgjedh dhuratën ose darkën që do; kush e përsërit më mirë, zgjedh vendin e shëtitjes; kush mëson i pari, zgjedh ku do ta kalojë pushimin e verës. Kështu ajo krijoi një garë të bukur mes fëmijëve në mësimin e Kuranit.
Sa nënë e bekuar! Lum ajo kur të vijë Dita e Gjykimit - do të ketë me çfarë të krenohet dhe kush të ndërmjetësojë për të! Do të qëndrojë me krenari përkrah fëmijëve të saj, ndërsa ata do të recitojnë fjalët e Zotit.
E çfarë shpërblimi e pret?
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
"Atij që mëson Kuranin, e lexon dhe vepron me të, në Ditën e Gjykimit do t'i vendoset një kurorë drite që ndriçon si Dielli. Prindërit e tij do të vishen me petka nderi dhe do të pyeten: 'Pse jemi veshur kështu?' Do t'u thuhet: 'Sepse fëmija juaj ishte i lidhur me Kuranin.'"
(El-Mustedrek, Imam Hakim)
Në një hadith tjetër, Pejgamberi ﷺ ka thënë:
"Do të vijë mbartësi i Kuranit në Ditën e Gjykimit dhe Kurani do të thotë: 'O Allah, nderoje atë!' Atëherë do t'i vendoset një kurorë nderi. Pastaj Kurani do të thotë: 'O Allah, shtoja nderin!' dhe atij do t'i vishet petku i lavdisë. Pastaj do të thotë: 'O Allah, bëhu i kënaqur me të!' dhe Allahu do të jetë i kënaqur me të. Pastaj do t'i thuhet: 'Lexo dhe ngritu!' - dhe me çdo ajet të lexuar ai do të ngritet një shkallë më lart."
(Tirmidhi)
Po ne, sa herë lexojmë Kuranin me fëmijët tanë?
A e duan fjalën e Zotit po aq sa lodrat dhe ekranet?
Të gjithë jemi përgjegjës për zemrat që rriten pranë nesh.
Të gjithë jemi përgjegjës për fëmijët tanë.
Pejgamberi ﷺ ka thënë:
"Secili prej jush është bari, dhe secili është përgjegjës për kopenë e tij."
(Muttefekun alejhi)
Le të jemi edhe ne barinj të mirë për fëmijët tanë.
Le t'u japim atyre dhuratën më të çmuar që mund të marrin nga prindërit - dashurinë për Kuranin.
Sepse një ditë, në një botë ku çdo shpërblim do të peshohet, ndoshta pikërisht një sure që fëmija ynë ka mësuar përmendësh falë nesh - do të jetë drita që na çon drejt Xhenetit.