Mulla Xhemajli Efendi Bytyqi (1929-2010)
Mulla Xhemajli Efendi Bytyqi ishte burrë i urtë, i mençur, i ditur dhe i devotshëm, i matur dhe i fjalës, me sjellje shembullore. Për këto cilësi, ai gëzonte dashurinë dhe respektin e të gjithëve. Madje, burra me emër thoshin:
"Nëse ka sot burrë 'katërqind dërhem' në këtë dynja, ai, pa dyshim, është Mulla Xhemajli Efendija."
Prejardhja familjare
Mulla Xhemajli Efendi Bytyqi ishte një ndër hoxhallarët më të respektuar në territorin e Hasit, në kuadër të Këshillit të Bashkësisë Islame të Gjakovës. Ai ishte djali i Mulla Adem Efendi Bytyqit dhe nënës Rrahime, me prejardhje nga rajoni i Bytyqit, pjesë e Malësisë së Gjakovës - djep i atdhedashurisë.
Babai i tij, Mulla Adem Efendiu, kishte përfunduar Medresenë e Shkupit dhe shërbeu si imam në xhaminë e fshatit Nishor, ndërsa gjatë muajit të Ramazanit edhe në fshatin Llozicë (Komuna e Malishevës). Fshati Nishor ndahet në tri lagje: Kosterc, Breshancë dhe Nishor. Xhamia e vjetër ndodhet në Breshancë, por fatkeqësisht është e rrënuar dhe jo funksionale, ndërsa xhamia e re u ndërtua në vitin 1991.
Mulla Ademi kishte edhe një vëlla, Mulla Qerim Efendi Bytyqin, i cili shërbeu si imam dhe mual-lim në mejtepin e fshatit Breshancë, ku edukoi breza të tërë nxënësish. Ai arriti të nxjerrë edhe shtatë hafizë, të cilët provimin e dhanë në Medresenë e Prizrenit.
Si shumë familje me traditë fetare e intelektuale, edhe familja Bytyqi përjetoi presione e persekutime nga pushteti i kohës. Ata mbaheshin vazhdimisht nën vëzhgim, merreshin në pyetje dhe përballeshin me detyrime të rënda ekonomike.
Megjithatë, Mulla Adem Efendiu mbeti i palëkundur në shërbim të fesë dhe popullit, duke qenë mbështetje shpirtërore dhe morale për komunitetin e tij, në një nga periudhat më të vështira për shqiptarët.
Lindja, shkollimi dhe shërbimi
Mulla Xhemajli Efendiu u lind më 13 shtator 1929 në fshatin Nishor, Komuna e Suharekës, nga babai Adem dhe nëna Rrahime.
Mësimet e para fetare i mori në mejtepin e Breshancës nga babai i tij, ndërsa më pas vazhdoi studimet në Medresenë "Mahmud Pasha" të Prizrenit, te muderrisi Hasan Efendi Nahi, gjatë viteve 1944-1947. Ai i përkiste gjeneratës së fundit të kësaj medreseje, e cila u mbyll nga pushteti komunist me arsyetimin formal se nuk plotësonte kushtet higjienike.
Pas përfundimit të medresesë dhe marrjes së ixhazetit, në vitin 1949 u emërua imam në fshatin Nishor, ku shërbeu deri më 10 tetor 1978. Më pas u emërua imam, mual-lim dhe hatib në xhaminë e fshatit Rogovë të Hasit (Komuna e Gjakovës).
Gjatë shërbimit në Rogovë, ai u dallua si një ndër imamët më aktivë në territorin e KBI-së në Gjakovë. Mori pjesë në të gjitha aktivitetet fetare, në shpërndarjen e literaturës islame, në grumbullimin e Sadekatul Fitrit dhe Zekatit, si dhe në mësimin e besimit për fëmijët. Ishte shumë i përpiktë në detyrë dhe kujdesej vazhdimisht për mirëmbajtjen dhe pastërtinë e xhamisë, e cila është monument kulturor-historik dhe vizitohet nga shumë besimtarë e mysafirë.
Me urtësinë, drejtësinë dhe maturinë e tij, arriti të bashkojë dhe të forcojë unitetin e xhematit të Rogovës.
Hoxha i nderuar njihej për mikpritjen dhe zemërgjerësinë e tij. Në odën e shtëpisë së xhamisë, ai priste mysafirë pa dallim, me buzëqeshje, respekt dhe fjalë të mira. Për të, mikpritja ishte shprehje e besimit dhe e fisnikërisë njerëzore.
Kushdo që e vizitonte, largohej me ndjenjën e ngrohtësisë dhe të respektit. Kjo cilësi e rrallë e bëri të dashur dhe të paharruar për të gjithë ata që e njohën.
Mulla Xhemajli Efendiu la pas pesë djem dhe pesë vajza. Njëri prej djemve, Mulla Adnan Efendi Bytyqi, vazhdon rrugën e tij si hoxhë, ndërsa edhe nipi mban emrin e gjyshit, duke trashëguar traditën familjare fetare.
Të ndjerin Mulla Xhemajlin do ta kujtojmë gjithmonë për urtësinë, përkushtimin dhe fjalën e drejtë që e ndante me njerëzit. Ai jetoi me besim, shërbeu me zemër dhe la pas vepra që flasin më fort se çdo fjalë.
Zoti e mëshiroftë dhe e shpërbleftë me Xhenet, ndërsa familjes dhe të gjithë atyre që e njohën u dhëntë durim e forcë.
Kujtimi i tij qoftë i përhershëm.
Esat ef. Rexha