Pjesa e Zekatit, të cilën e marrin të varfrit, shton dhe rrit fuqinë e blerjes, e kjo do të reflektonte edhe tek të pasurit, për arsye se rriten kërkesat dhe duhet të shtohet edhe prodhimi i tyre, dhe po të mos ishte e dedikuar ajo pasuri, kërkesat do të ishin më të vogla. Ajo pasuri e dedikuar tek të varfrit, kalon përsëri tek të pasurit, për shkak se ata e kanë fuqinë prodhuese dhe të varfrit harxhojnë shumën e dedikuar për gjëra të domosdoshme.
Hyrje
Çështjes së Zekatit do t'i përkushtohemi me disa tema që do të publikohen njëra pas tjetrës, për shkak se ky obligim, që njëherazi është shtylla e tretë e islamit, është anashkaluar dhe është harruar nga myslimanët, ndonëse, për nga vlera, nuk është hiç më pak sesa namazi, po praktikimi i tij është shumë larg nga ai i namazit.
Mosnjohja e masës me këtë obligim, mosinformimi i mjaftueshëm nga ana e atyre që janë përgjegjës, apo mosgatishmëria e njerëzve për të nxjerrë zekatin, - mund të jenë disa prej shkaqeve dhe arsyeve për mos-aplikimin e këtij obligimi. Prandaj, një trajtim i detajuar për dhe rreth Zekatit, shpresoj se do të ishte i mirëseardhur dhe i nevojshëm.
Përkufizimi i Zekatit
Fjala zekat në kuptimin etimologjik ka disa kuptime: 'shtim', 'pastrim', 'lavdërim' dhe 'begati'.(1) Të gjitha kuptimet e Zekatit në kuptimin etimologjik, i përmban ky ajet: "Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë, që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat)..." (Et-Tevbe, 103). Zekati e pastron nga mëkatet atë që e jep, dhe ia shton shpërblimin dhe pasurinë atij që e jep. Ndërsa në kuptimin terminologjik, ka këtë kuptim: Pronësia e një pjese të caktuar të pasurisë për atë që e meriton t'i jepet, me kushte të caktuara (të veçanta).(2)
Obligimi i Zekatit
Zekati u bë obligim në vitin e dytë të hixhretit, dhe ky obligim vërtetohet me ajete kuranore, me thënie profetike dhe me konsensus të dijetarëve myslimanë. Për sa i përket Kur'anit, për Zekatin thuhet: "Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar. Për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp". (El-Mearixh, 24-25). I Dërguari i Allahut kishte thënë se Islami është ngritur mbi pesë shtylla, njërën prej tyre e kishte përmendur Zekatin. Në një rast tjetër kishte theksuar: "Jam urdhëruar të luftoj njerëzit derisa të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se unë jam i Dërguari i Allahut, derisa ta falin namazin dhe të japin zekatin, e nëse këtë e bëjnë, atëherë ata kanë të garantuar prej meje gjakun dhe pasurinë e tyre".(3)
Dijetarët janë pajtuar që zekati është njëri nga obligimet e fesë islame, i cili duhet të kryhet domosdo nga ai që i plotëson kushtet.
Roli i Zekatit në Islam
Zekati është shtylla e tretë në Islam, pas dëshmisë dhe namazit, që njëherazi është prej pesë themeleve të Islamit, bazuar në hadithin: "Islami është ngritur mbi pesë shtylla; dëshmia se nuk ka Zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, falja e namazit, dhënia e zekatit, shkuarja në haxh dhe agjërimi i Ramazanit".(4)
Obligimi i Zekatit është i ngjashëm me obligimet e tjera, si, fjala vjen, namazi, agjërimi apo haxhi, prandaj roli dhe pozita e tij është sikurse e adhurimeve thelbësore të sipërpërmendura.
Shokët e të Dërguarit të Allahut ia kishin dhënë atij betimin se do ta kryenin këtë obligim të rëndësishëm. Ndërsa mohuesve të Zekatit Ebu Bekri u kishte shpallur luftë të hapur duke thënë: "Për Allahun, do të luftoj kundër atyre që kanë bërë dallim ndërmjet namazit dhe zekatit".
Obligimi i Zekatit është kategorik. Ai që e mohon, është jobesimtar. Ai, pas namazit, është ibadeti më i vlefshëm. Mëkati i atij që nuk jep zekat, është i madh.(5)
Në 82 vende krahas namazit
Në Kur'an, Zekati ka ardhur krahas namazit, në një numër të konsiderueshëm të ajeteve, dhe kjo lë të kuptohet se vlera e Zekatit është sikurse ajo e namazit. Zekati, krahas namazit, ka ardhur në Kur'an i përsëritur hiç më pak se 82 herë, saqë nganjëherë lexuesin e bën të mendojë sikur këto dy obligime të rëndësishme të jenë një tërësi. Mjafton të sjellim ndonjë argument që e dëshmon për këtë: "Kryeni faljen (namazin) dhe jepeni zeqatin...". (El-Bekare, 110).
Gjërave që janë me rëndësi, Krijuesi u ka kushtuar vëmendje të posaçme në librin e Tij, e kjo vërehet qartë në përsëritjen e atyre gjërave në vende të shumta në Kur'an. Prej tyre është edhe Zekati, të cilin (këtë obligim) Krijuesi e përsërit shpesh, me qëllim që njerëzit të mos e harrojnë dhe as të mos anashkalojnë këtë obligim madhor e sublim.
Urtësia e Zekatit
Dallimet në furnizime, punë e fitime në mes njerëzve janë çështje normale. Këtë e përmend edhe Kur'ani: "Allahu favorizoi disa prej jush mbi disa të tjerë në furnizim". (En-Nahl, 71). Allahu na dalloi ne në furnizime, mirëpo të pasurve ua bëri obligim që t'ua japin të varfërve të drejtën e tyre të përcaktuar, bazuar në fjalët e Krijuesit: "Dhe në pasurinë e tyre kishin përcaktuar të drejtë për lypësin dhe për të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp)." (Edh Dharijat, 19)
Obligimi i zekatit është prej metodave më të mira për eliminimin e favorizimeve të ndryshme dhe për të zhdukur barrierat e ndryshme në mes shtresave të njerëzve. Me zekat arrihet një lloj baraspeshe në mes shtresave të ndryshme në furnizime, kështu që të varfrit dhe skamnorët nuk mbesin në gjendjen e tyre të mjerueshme, po statusi i tyre ndryshon, e kjo kontribuon në luftimin e varfërisë dhe eliminimin e saj.
Zekati është një ndihmë modeste ndaj të varfërve dhe nevojtarëve, që u ndihmon dhe u ofron atyre kushte më të mira jetësore, e kjo do të kontribuonte në ruajtjen e shoqërisë nga sëmundja e varfërisë dhe në ruajtjen e shtetit nga degradimi e dobësia.
Zekati është pastrim i shpirtit nga sëmundja e koprracisë, e mëson besimtarin të japë e të shpenzojë kurdo që të jetë e nevojshme, e kjo ndikon në realizimin e një ekuilibri shoqëror në mes të varfërve dhe të pasurve, sikurse që ndikon edhe në realizimin e një dashurie vëllazërore në mes kolektivit dhe për një afrimi në mes shtresave të njerëzve.(6)
Synimet e Zekatit
Zekati është lidhje fetare në mes robit dhe Zotit të tij, nga njëra anë, dhe në mes tij dhe shoqërisë që jeton në të, nga ana tjetër. Zekati paraqet një falënderim të posaçëm ndaj Allahut për dhuntitë dhe të mirat që i janë dhuruar njeriut nga Krijuesi i tij. Përmes nxjerrjes së Zekatit, njeriu e kupton se ai është një pjesë e shoqërisë, gëzohet për gëzimin e shoqërisë dhe hidhërohet për hidhërimin e saj; ai i ngjan një trupi të vetëm, që, nëse një pjesë e tij ankohet, atëherë ankesën e bart i tërë trupi, kështu që nëse ndokush ankohet, ai s'mund të jetë i lumtur, prandaj, përmes Zekatit, shoqëria bëhet si një trup i vetëm, i bashkuar dhe i solidarizuar.
Zekati ka synime të shumta, qofshin ato synime personale apo shoqërore, e ne këtu do të paraqesim disa prej tyre:
Synimet fetare të Zekatit
Kur'ani e përshkroi shumë mirë synimin e Zekatit në vetëm dy fjalë, që janë: pastrimi dhe shtimi i të mirave. I Madhërishmi tha: "Merr prej pasurisë së tyre (të atyre që pranuan gabimin) lëmoshë, që t'i pastrosh me të dhe t'u shtosh (të mirat)..." (Et-Tevbe, 103). Zekati është pastrim për mëkatet, shtim për të mirat e atij që e nxjerr atë, dhe pastrim nga koprracia.(7)
Zekati konsiderohet ilaç i çmuar për dëshira dhe sëmundje që janë në vetë njeriun, si koprracia, lakmia e asaj që posedon, dëshira e tij përballë të tjerëve për shtimin e pasurisë. Në këtë kontekst Kur'ani ka theksuar: "...njeriu është dorështrënguar". (Kur'ani, Isra, 100) "... koprracia është e pranishme ndër njerëz..." (En Nisa, 128)
Dhënësi i Zekatit e largon veten nga koprracia në shpëtim, siç ka thënë i Madhërishmi: "...Kush është i ruajtur prej lakmisë së vet, të tillët janë të shpëtuar." (Hashr, 9) "...e kush i ruhet lakmisë së vetvetes, të tillët janë të shpëtuarit". (Et-Tegabun, 16).
Dijetari i njohur Jusuf Kardavi thotë: "Zekati, siç realizon pastrimin e shpirtit, realizon edhe lirinë e vetë njeriut, për faktin se ai e liron nga robërimi, nga lidhja me pasurinë dhe nënshtrimi ndaj saj, e nga prangat e kësaj robërie është lidhja e tij me dinarin dhe dërhemin, e Islami kujdeset me tërë potencialin që myslimani të jetë rob ndaj Allahut të vetëm, e jo rob ndaj diçkaje tjetër".(8)
Synimet shoqërore
Njeriu si krijesë shoqërore, është i privilegjuar nga nderimet e Zotit për të. Krijuesi thotë: "Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne krijuam". (El-Isra, 79). Nëse njeriu në Islam e ka këtë nder dhe këtë pozitë, atëherë nuk do të ishte e çuditshme që ky legjislacion të kujdeset për nevojat dhe detyrimet e njeriut, duke realizuar kërkesat e tij.
Kur e jep pjesën e tij të pasurisë së kërkuar, i pasuri ndien se ai është pjesë e shoqërisë ku jeton, dhe e kupton rolin e tij të rëndësishëm në lumturinë e të tjerëve; e marrësi i zekatit e kupton se edhe ai është anëtar i shoqërisë dhe gëzohet që nuk është anashkaluar nga shoqëria. Kjo, përveç ndihmës, ndikon edhe në solidarizimin dhe vëllazërimin në mes njerëzve, pa marrë parasysh shtresat e tyre, sikurse që ndikon në shuarjen e urrejtjes dhe zilisë në mes të varfërve nevojtarë dhe të pasurve në bollëk. Islami bën vëllazërimin e tyre, pa shikuar pikëpamjet e tyre shoqërore: "S'ka dyshim se besimtarët janë vëllezër..." (El-Huxhurat, 10). Përmes Zekatit, i varfri dëbon varfërinë, borxhliu lirohet nga borxhi i tij, e ai që s'ka mundësi të punojë, mund të jetojë një jetë të qetë. Kështu, skamnorët, të varfrit dhe nevojtarët mund të ndiejnë se një pjesë e të pasurve (zekati) është pjesë e tyre në kushte nevojës dhe domosdoshmërisë.
Synimet ekonomike
Zekati është pastrim i pasurisë së atij që e nxjerr atë, dhe njëkohësisht është shtim. Në këtë kontekst i Dërguari i Allahut thoshte: "Nëse e nxjerr zekatin e pasurisë tënde, tashmë ke larguar dëmin nga vetja jote". Pasuria duhet të pastrohet, e zekati i nxjerr dhe e pastron atë, e pasuria e dedikuar për Zekat, nëse nuk nxirret, ajo është peng.
Pjesa e Zekatit, të cilën e marrin të varfrit, shton dhe rrit fuqinë e blerjes, e kjo do të reflektonte edhe tek të pasurit, për arsye se rriten kërkesat dhe duhet të shtohet edhe prodhimi i tyre, dhe po të mos ishte e dedikuar ajo pasuri, kërkesat do të ishin më të vogla. Ajo pasuri e dedikuar tek të varfrit, kalon përsëri tek të pasurit, për shkak se ata e kanë fuqinë prodhuese dhe të varfrit harxhojnë shumën e dedikuar për gjëra të domosdoshme. Kjo, në aspektin ekonomik, do t'i afronte shtresat e shoqërisë dhe do t'i zhdukte barrierat e mëdha në mes shtresës së pasur dhe asaj të varfër.
________________________________
(1)Zuhejli, Vehebeh, El-Fikh'ul Islamij ve edil-letuhu, bot. IV-të, Dar'ul Fikr, Damask-Siri,vëll. III, f. 152.
(2)Xhezairi, Abdurrahman, El-Fikh'u ale'l Medhahibi'l Erbeati, El Mektebu'th Thekafij, Kairo-Egjipt, vëll. I, f. 451.
(3)Buhariu në Sahihun e tij, nr. 25; Muslimi në Sahihun e tij, nr. 22.
(4) Buhariu në Sahihun e tij, nr. 7; Muslimi në Sahihun e tij, nr. 21; Tirmidhiu në Sunenin e tij, nr. 2534. Hadithi është autentik.
(5)Tuhmaz, Abdulhamid Mahmud, Fikhu Hanefi, Sira Prishtinë, 2008, f. 425.
(6)Zuhejli, Vehebeh, El-Fikh'ul Islamij ve edil-letuhu, vëll. III, f. 154-155.
(7)F. 17-18.
(8)Kardavi, Jusuf, Atharu'z Zekati fi'l Efradi ve'l Muxhtemiat. Ebhath Mu'temeru'z Zekat, el-Mexhmuatu'th Thanijetu, bejtu'z zekat, Kuvejt,1984, f. 115.
Dituria Islame 257