Komentimi i kaptinës “Edh-Dharijat” - (5)


Shpërblimi për të devotshmit dhe cilësitë e tyre


"Pa dyshim se të devotshmit (ata që i druajnë Allahut) do të jenë në kopshte dhe burime, duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë (në dynja) ishin mirëbërës. Ata flinin pak natën, ndërsa në agim (para përfundimit të natës) kërkonin falje (nga Allahu). Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësin dhe të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp). Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje, po edhe në veten tuaj - a nuk e shihni vallë?! Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar. Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj!" (Edh Dharijat, 15-23)


Lidhshmëria e këtyre ajeteve me ata paraprakë


Ndërlidhja e këtyre ajeteve me ata paraprakë është mjaft evidente. Përderisa në ajetet përpara pamë qëndrimin injorues, tallës e përbuzës të idhujtarëve ndaj Kuranit famëlartë, ndaj Muhamedit a.s., ndaj Ringjalljes dhe Ditës së Gjykimit, pasojë e të cilit mosbesim do të jetë ndëshkimi i tyre në zjarrin e Xhehenemit, tash, në ajetet vijuese, shohim gjendjen e të devotshmëve në Xhenetet përrallore, duke shijuar kënaqësi e lumturi të papërshkrueshme.


Koment:


15. Pa dyshim se të devotshmit (ata që i druajnë Allahut) do të jenë në kopshte dhe burime, 16. duke marrë atë që ua ka dhuruar Zoti i tyre, meqë më parë (në dynja) ishin mirëbërës.


Njerëzit zemërdëlirë, të cilët me devotshmërinë më të madhe i besuan Allahut dhe i respektuan urdhrat e Tij, në jetën e asaj bote do të jenë banorë të xheneteve, bukuritë e të cilëve vështirë se mund të përfytyrohen nga mendja jonë, sado e bujshme qoftë ajo. Në këto parajsa që janë përgatitur enkas për besimtarët e Njëshmërisë, zemrat, shpirtrat dhe trupat e tyre do t'i përshkojë lumturia e papërshkrueshme. Burimet e ujit, që gurgullojnë në çdo anë të Xhenetit, zërat e ëmbël dhe cicërimat e zogjve që enden nga një kopsht në një tjetër, do të mbushin hapësirën e asaj bote. Në këto kopshte përrallore, të cilët do të jenë vend qëndrim i tyre i përhershëm, ata kurrë më nuk do të ndiejnë hidhësinë e vuajtjeve. Ato tashmë i përkasin të kaluarës. Para tyre ka vetëm kënaqësi dhe shijim të të mirave të Krijuesit të tyre të Gjithëmëshirshëm. Aty do të gostiten me ushqime e pije që nuk i kanë shijuar asnjëherë më parë në jetën e kësaj bote, si shpërblim për veprat e tyre të mira në këtë botë. Në lidhje me këtë I Gjithëmëshirshmi thotë: "(Besimtarëve në Xhenet u thuhet:) "Ju bëftë mirë, hani e pini, për atë që keni bërë në ditët e kaluara!" (El Hakkah, 24).


17. Ata flinin pak natën, 18. ndërsa në agim (para përfundimit të natës) kërkonin falje (nga Allahu).


Besimtarë e vërtetë e të sinqertë dallojnë nga të tjerët me namaz e lutje. Ata kanë cilësi dalluese, të cilat nesër në Ahiret, do t'i vendosin në pozita të larta nderi e fisnikërie. Ndonëse gjumi është një dhunti të cilën Allahu na e ka dhuruar, që të çlodhemi nga mundimet e ditës, megjithatë një grup njerëzish, duke ditur se jeta e kësaj bote është shumë e shkurtër, flenë shumë pak, dhe kohën më të madhe të natës e kalojnë në namaz e lutje.
Namazi i natës, është një prej shenjave dalluese të evlijave dhe të dashurve të Zotit. Namazi, përveçqë të jep ndjenjën e qetësisë shpirtërore, të bën të ndjesh thellësisht përulësinë dhe devotshmërinë ndaj Krijuesit Fuqiplotë. Në momentin kur zemra, trupi dhe shpirti bashkohen në thjeshtësinë e cila rrezaton dëlirësinë e çiltër, atëherë çdo gjë në këtë ekzistencë, vjen duke u shkrirë në një harmoni të përkryer kozmike.
Koha kur lutja i gjen gjithmonë të hapura dyert e qiellit është pjesa e fundit e natës, pak para agimit të mëngjesit. Në këtë kohë të bekuar lutjet nuk kthehen mbrapsht, nëse janë thënë nga thellësia më e skajshme e zemrës. Madje, edhe vetë i Dërguari i Allahut me sahabët e tij, e zgjidhnin këtë pjesë të bekuar të natës, pra për të kërkuar falje e mëshirë. Dihet se Allahu i Gjithëmëshirshëm e pranon pendimin e robërve të Tij dhe kërkimfaljen pikërisht në pjesën e fundit të natës, kur zakonisht shumica e njerëzve janë të kredhur në gjumë të thellë. Por, ata që zgjohen dhe e prishin rehat inë e gjumit të natës, duke iu drejtuar me lutje Krijuesit të tyre, ata I fal dhe I mëshiron.
Transmeton Tirmidhiu, në Sahihun e tij, nga Amër bin Abseh, se ai e kishte dëgjuar të Dërguarin e Alla hut të ketë thënë:"Koha kur Allahu është më së afërmi me robin e Tij është pjesa e fundit e natës, dhe nëse ke mundësi të jesh prej atyre që e përmendin Allahun në atë kohë, atëherë bëje!"(1)


19. Në pasuritë e tyre ka pasur pjesë për lypësin dhe të ngratin (që ka nevojë por nuk lyp).


Këta njerëz vepërmirë, gjatë jetës së tyre në këtë botë, duke respektuar atë që kishte zbritur nga Allahu i Plotfuqishëm, dhe duke qenë të prirë nga ndjenjat humane e njerëzore që u vlonin në qenien e tyre, kishin ndarë nga pasuria e tyre një pjesë për të varfrit, të vobektit dhe të ngratët. Ata ishin të vetëdijshëm se pasuria që Ua kishte mundësuar Zoti xh.sh. ishte një lloj sprove për ta. Nëse atë pasuri nuk do ta mund ta menaxhonin siç duhej, kjo do t'i bënte të pandjenja dhe egoistë. Pikërisht për këtë arsye ata, në mënyrë vullnetare, kishin hapur zemrën dhe dorën e tyre, duke iu ndihmuar të varfërve, pra me një pjesë të pasurisë që kishin. E sahabët e Resulullahit s.a.v.s. ishin shembulli më i përkryer i kësaj fisnikërie. Zaten, ky edhe është qëllimi kryesor në jetë, që të pasurit të pajisen me ndjenjën dhe virtytin e solidaritetit ndërnjerëzor, duke ndihmuar ata që nuk kanë.
Sipas dijetarëve të jurisprudencës islame fjala "Es Sailu" në këtë ajet nënkupton të varfrin, apo lypësin, që nuk e fsheh varfërinë e tij por kërkon nga të tjerët që t'i ndihmojnë, ndërsa me fjalën "El-Mahrum" nënkuptojmë të varfrin, apo të ngratin, që nuk kërkon lëmoshë e as ndihmë nga njerëzit, për shkak të krenarisë së tij. Prandaj, për këtë arsye, duke menduar se ai nuk ka nevojë, askush nuk i ofron ndonjë ndihmë.
Në lidhje me fjalën "hakkun"-"detyrim", disa nga dijetarët kanë anuar nga mendimi se fjala është për zekatin obligativ. Këtë mendim e ka përzgjedhur edhe Kurtubiu,(2) nga Ibën Arabiu, i cili për ta argumentuar atë sjell si shembull edhe ajetet 24-25 të sures "El-Mear ixh", ku thuhet: "...e që caktojnë një pjesë të pasurisë së tyre për lypësin dhe për nevojtarin", duke thënë se fjala "hakun ma'lum", nënkupton zekatin obligativ.
Mirëpo, duke pasur parasysh faktin se kjo sure është mekase, kurse zekati është bërë obligim në Medinë, atëherë mendimi më i pranuar është se këtu nuk është fjala për zekatin obligativ, por për sadakanë dhe lëmoshën vullnetare, të cilat myslimanët e sinqertë ia kishin bërë obligim vetvetes, nga fisnikëria e tyre shpirtërore.(3)
Ky mendim bazohet edhe në atë që është transmetuar prej Ibën Umerit, Hasanit, Sha'biut, Katades dhe Ibën Sirinit, të cilët thonë se fjala "hakkun ma'lum" nënkup ton lëmoshën dhe sadakanë, dhe në asnjë mënyrë nuk nënkupton zekatin obligativ.(4) E kjo lëmoshë, përveçqë është e lavdëruar fetarisht, është një virtyt i çmueshëm njerëzor, sepse nëpërmjet saj ruhen dhe përforcohen lidhjet familjare, fisnore brenda një shoqërie të caktuar në përgjithësi.


20. Në Tokë ka shenja për ata që besojnë me bindje,


I Lartmadhërishmi, duke dashur që idhujtarëve mekas t'ua ofrojë ndjenjën për besimin-imanin e mirëfilltë, mendjet e tyre i nxit që t'i hedhnin një shikim Tokës. Po ta bënin këtë, ata do të vërenin qindra shenja e argumente për ekzistimin e Allahut Fuqiplotë. A nuk u mjaftonte për meditim e vrojtim bukuria mahnitëse e qiellit sipër tyre, që këta idhujtarë t'i bindte se prapa krijimit të tyre ishte Zoti i Madhërishëm?! A nuk i shihnin mekasit vendbanimet e shkatërruara të popujve të kaluar, të cilët pësuan si shkak i mosbesimit, si vendbanimin e Themudit, pastaj të Sodomës dhe Gomorës, pak më larg tyre, etj.?! A nuk i shikonin kodrat, detet, shtazët dhe bimësitë e llojllojshme? A nuk i vërenin dallimet gjuhësore, dallimet në ngjyrë dhe racë me popujt përreth tyre, për t'u bindur se të gjitha këto i kishte krijuar Allahu i Gjithëpushtetshëm...?!


21. po edhe në veten tuaj - a nuk e shihni vallë?!


Nëse gjithë këto argumente ndijore e lëndore, të natyrës dhe hapësirës që i rrethonte, nuk arritën t'i lëviznin mendjet e errësuara injorantëve, atëherë Allahu i Gjithëmëshirshëm Ua dha edhe një mundë si, për t'u çliruar nga vargonjtë e kësaj paditurie: që të meditonin pak rreth vetë konstruktit të tyre trupor. Po të logjikonin vetëm pak dhe me arsyen e shëndoshë, dhe të studionin trupin e tyre, kokën, sytë, veshët, shqisat, këmbët, duart dhe gjymtyrët e tjera, duke analizuar lëvizjet dhe ritmin e trupit të tyre, do të bindeshin thellësisht se janë krijuar nga një Krijues Suprem, I Cili nuk ka rival por është Një, I Vetëm, pa Fillim dhe pa Mbarim, Mbikëqyrës i çdo procesi në këtë ekzistencë...
Në konstelacion të këtyre dy ajeteve që janë përpara, e sidomos këtij të fundit të kësaj sureje, vjen edhe ajeti i 53 i sures "Fussilet", ku I Madhërishmi thotë: "Ne do t'ua dëftojmë atyre shenjat Tona në horizonte, (të kësaj gjithësie), si dhe në vetveten e tyre, derisa t'u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!"


22. Në qiell është furnizimi juaj dhe gjithçka që ju është premtuar.


Edhe përkundër mohimit të tyre kryeneç, për të pranuar dritën e udhëzimit, megjithatë, Allahu xh.sh. Ua bën me dije se furnizimi i Tij për ta nuk do të mungojë për asnjë çast. Çështja e besimit është e lirë. Ai në asnjë mënyrë askujt nuk ia imponon besimin. Ai që beson, beson nga bindja dhe dashuria, e jo nga dhuna apo imponimi.
Nëpërmjet këtij ajeti mësojmë se çdo risk vjen nga qielli. Kjo hapësirë e pakufishme që na rrethon, qielli, zbret kohë pas kohe shi, me të cilin ujit tokën, dhe pastaj prej saj mbijnë bimësitë, pemët dhe perimet të cilat nje riu i shfrytëzon për ushqim. Dielli, përveçqë na dhuron dritën dhe nxehtësinë, ai është edhe një burim energjie, që mund të llogaritet si burimi jetës, së bashku me ujin që rrjedh nga thellësitë e tokës, dhe ai që bie nga qielli, si proces i një avullimi të deteve dhe oqeaneve.
Pjesa e fundit e ajetit: "...dhe gjithçka që ju është premtuar ", do ta shohim se si ndërlidhet fuqishëm me ajetin vijues, dhe nënkupton se çdo gjë që është premtuar do të ndodhë, prandaj edhe ajeti në vazhdim fillon pikërisht me betim, për ta përforcuar këtë premtim hyjnor...


23. Betohem për Zotin e qiellit dhe të Tokës, se kjo (që ju premtohet) është e vërtetë, ashtu siç është të folurit tuaj!" (Edh Dharijat, 15-23)


Ky grup ajetesh përfundon me betim hyjnor, ashtu siç edhe kishte filluar kjo sure. Qëllimi i këtyre betimeve, po edhe i këtij të fundit, kur Allahu Fuqiplotë betohet në Qenien e Vet supreme, si Krijues i qiellit dhe i tokës, pra është vënia në dijeni e idhujtarëve, e pas tyre edhe e të gjithë jobesimtarëve, se çdo gjë që është premtuar, që nga momenti i Kiametit, i Ringjalljes dhe i Llogarisë, vërtetë do të ndodhë, pa kurrfarë dyshimi.
Ajeti përfundon më sjelljen e shembullit të të folurit, që nënkupton se, ashtu siç po komunikoni në mes vete, me fjalë/të folur, dhe këtë të folur e dëgjoni të gjithë, po ashtu edhe tërë ajo çka ju është premtuar se do të ndodhë, patjetër se edhe do të ndodhë.
Përgjatë një analize më të thukët të ajeteve që përmbajnë betime hyjnore, mund të shohim se shumë prej tyre, në njëfarë mënyre, janë në funksion të udhëzimit të njerëzve të humbur në pellgun e injorancës së tyre të verbër. E, nëse njerëzit nuk dëshirojnë të përudhen, atëherë ata i pret ndëshkimi, që u është premtuar edhe në këtë botë por edhe në Ahiret.
Në lidhje me këtë konstatim flet edhe një hadith i Pejgamberit a.s., të cilin e transmetojnë Ibën Xheriri, Ibën Hatimi dhe Ibën Ebi Adijj, nga Hasan El Basriu, të ketë thënë: "Më ka arritur lajmi se i Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: "Allahu i ka shkatërruar ata popuj (njerëz) të cilëve u është drejtuar me betim e ata nuk i kanë besuar."(5)


Porosia e këtyre ajeteve: (15-23)


- Për dallim nga vepërkëqijtë, që në Ahiret do të ndëshkohen për ligësitë e tyre, tash shohim pamjen tjetër, ku njerëzit e devotshëm, që ia kishin dronë Allahut, do të jenë në kënaqësitë e papërshkrueshme të Xhenetit. Këta njerëz, që në jetën e kësaj bote u për poqën të jenë sa më afër kënaqësisë së Tij, shpeshherë duke e privuar veten nga të mirat e kësaj bote, tash do të jenë të privilegjuar e të rrethuar nga begatitë e Xhenetit, e ndër to edhe me gurgullimën e lumenjve dhe burimeve të Xhenetit, të cilat dhunti do t'ua mbushin me kënaqësi e lumturi tërë qenien e tyre.
- Allahu xh.sh. në këto ajete i përshkruan tri cilësi të këtyre besimtarëve të dëlirë, që janë në parajsat e Ahiretit. Cilësia e parë e tyre ishte falja e namazit të përshpirtshëm të natës; e dyta, lutja e tyre për falje nga i Gjithëmëshirshmi, dhe; e treta, dhënia e zekatit, e sadakasë dhe e lëmoshave të tjera për të varfrit.
- Nga argumentet e fuqisë së Allahut për Ringjalljen dhe Llogarinë është krijimi i qiellit dhe i planetëve që lëvizin nëpër hapësirën kozmike, duke ndjekur secili prej tyre orbitën e vet të përcaktuar. Përveç argumenteve në qiell, edhe në Tokë kishte shenja e argumente të mjaftueshme që ata të besonin. Por, edhe nëse gjithë këto argumente nuk iu mjaftonin, atëherë do t'u mjaftonte vetëm t'ia hidhnin një shikim konstruktit të tyre trupor, për t'u bindur në ekzistencën e Zotit të Gjithëpushtetshëm.
- Risku i njeriut vjen nga qielli, në kuptimin që shiu, dielli, fryma etj. vijnë nga lart nesh, dhe kur këta komponentë bashkëdyzohen me dheun e tokës, nga jemi krijuar, atëherë ne, me lejen e Allahun, i vjelim apo i korrim të mirat e kësaj natyre.
- Në betimet e kësaj sureje shohim se në fillim të sures Allahu është betuar në erërat, pastaj më vonë në qiellin, e tash po betohet në Qenien e vet Supreme, se çdo gjë që është premtuar do të vijë dhe do të ndodhë, dhe për këtë në fund e paraqet edhe shembullin më praktik të mundshëm-të folurit.
Duke analizuar e medituar rreth këtyre betimeve, përgjatë ajeteve të deritashme të sures "Edh-Dharijat", i vërejmë tri nivele të betimit. Niveli i parë ishte betimi në erërat, retë, anijet, që janë betime "tokësore"; pastaj kemi betimin në engjëjt dhe në qiellin plot rrugë yjësish, që janë betime "qiellore", dhe; krejt në fund kemi betimin në Qenien e vetë Allahut, që është forma më e lartë e betimit. Kjo u bë në mënyrë që t'i ofrojë këta jobesimtarë drejt dritës së udhëzimit e të shpëtimit. - Vijon -


__________________________________
(1) Imam Tirmidhiu, Es-Sunen, Kapitulli i lutjeve, hadithi nr. (2833). Isnadi i këtij hadithi është sahih.
(2) Imam Kurtubiu në këtë rast e citon, dhe në një mënyrë edhe e përzgjedh mendi min e Imam Ibën Arabiut, njërin prej juristëve më të mëdhenj të shkollës së malikinjve, pra si mendimin më të fortë e më të pranueshëm, duke pohuar se me këtë fjalë "hakun ma'lum", nënkuptohet zekati obligativ. Shih më gjerësisht: El-Xhamiu li Ahkamil Kuran nga Kurtubiu, vëll. XIX, f. 482! Për çdo rast, kthehu edhe tek Ibën Arabiu, në Ahkamul Kuran, vëll. IV, f. 1718.
(3) Hadaiku-r-rrevhi ve-r-Rrejhan, vëll. XXVII, f. 514.
(4) Ebu Bekr El-Xhessas, Ahkamul Kuran, Bejrut, 1992, vëll. V, f. 294. (5) Et-Tefsirul Munir, vëll, XXVII, f. 21.


 


Sabri Bajgora


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjakovë bën thirrje për ndihmë në ndërtimin e xhamisë