Mënyrat e frymëzimit hyjnor të Profetit a.s.

 


"Tregon Aishja r.a., nëna e besimtarëve, se Harith bin Hishami r.a. e pyeti të Dërguarin e Allahut: "O i Dërguar i Allahut! Si të shfaqet frymëzimi hyjnor"? I Dërguari i Allahut iu përgjigj: "Disa herë më shfaqet si kumbimi i ziles dhe kjo (formë frymëzimi) është më e rënda. Dhe pastaj kjo gjendje kalon pasi të kem kuptuar atë që më është shpallur. Nganjëherë meleku më vjen në formë njeriu dhe më shprehet mua dhe unë kap çdo gjë që ai më thotë". Aishja r.a. shtoi se e kishte parë vërtet Profetin a.s. duke u frymëzuar dhe kishte vënë re se si i pikonin djersët nga vetullat në një ditë shumë të ftohtë, pasi i kishte përfunduar frymëzimi".(1)


Njohuri për transmetuesin e hadithit. Aishja r.a. kishte lindur katër vjet pas fillimit të Shpalljes dhe ishte e bija e Ebu Bekrit. Ajo ishte martuar me Profetin a.s. pas hixhretit. Ajo konsiderohet nga ashabët që kanë transmetuar shumë hadithe. Ka transmetuar 2210 hadithe. Për respekt dhe për ndalesë të kurorëzimit pas Profetit a.s., i thuhet - Nëna e besimtarëve. Vetë Aishja ka përmendur disa favorizime të saj. Ajo tha: "Allahu kishte zbritur pafajësinë time me ligjërim qiellor dhe, kur Profetit i kishte zbritur frymëzimi hyjnor, ishte me mua; unë dhe Profeti a.s. laheshim nga e njëjta enë me ujë; Profeti a.s. falej e unë gjendesha para tij; ai vdiq në duart e mia, në dhomën time; isha gruaja më e dashur për të". Aishja r.a. ishte gruaja më e vlefshme në dije dhe famë. Mesruki thotë: "I kam parë ashabët e vjetër duke e pyetur Aishen për çështje të trashëgimisë ". Sipas Ataut ibn Ebi Rebahut, Aishja ishte më e ditura në çështje të fikhut (jurisprudencës) dhe në çështje të tjera, ajo kishte mendimet më të sakta në çështje të përgjithshme. Transmeton Musa El Esharij:"Vlera e Aishes ndaj grave në tërësi është si vlera e bukës me mish ndaj ushqimeve". Aishja ka vdekur në vitin 58 h., gjegjësisht më 17 Ramazan (në një version thuhet më 27 Ramazan). Është varrosur në Bekije, në Medinë.(2) El-Harith Ibn Hishami ishte ashab, vëllai i Amr bin Hishamit apo Ebu Xhehlit. Vinte nga fisi El-Mahzumij. Nofka e tij është Ebu Abdurrahman El-Mekij. Islamin e ka pranuar në ditën e çlirimit të Mekës, prandaj llogaritet nga myslimanët e çlirimit të Mekës . Është bërë i njohur për pyetjen drejtuar Profetit a.s.: "Si të shfaqet frymëzimi hyjnor"? Ka rënë dëshmor në ditën e çlirimit të Shamit (Sirisë) në kohën e Omerit r.a..(3)


Shpjegimi i hadithit


Folja në hadith - e ka pyetur, në kohën e shkuar, sipas Ibn Haxherit (El-Hafidh) është transmetuar në këtë formë nga shumica e transmetuesve nga rruga e Hisham bin Urves.(4) Në bazë të kësaj mund të thuhet se Aishja ishte e pranishme kur i është bërë kjo pyetje Profetit a.s., prandaj edhe autorët e shumë librave të hadithit e kishin nxjerrë apo regjistruar këtë hadith në pjesën e transmetimeve të Aishes. Pra, Buhariu e kishte marrë nga dijetari i tij Abdullah bin Jusufi, ky nga Maliku, Maliku nga Hisham bin Urve. Ky nga babai i tij - Urve bin Zubejri, e ky nga Aishja, e Aishja kishte qenë e pranishme kur El-Harith bin Hishami e kishte pyetur Profetin a.s.. Varianti tjetër është se El-Harith bin Hishami e kishte informuar Aishen më pastaj, kështu që hadithi është mursel i ashabit (Aishja nga Profeti a.s.). Shumica e dijetarëve e gjykojnë të ngjitur, por varianti i parë mbetet më i qëndrueshëm dhe më i njohuri.


Thënia në hadith: Si të shfaqet frymëzimi hyjnor?


Nocioni - el-vahju në aspektin leksikor ka kuptimin dëftim, shkresë, mesazh, frymëzim, inspirim, bisedë e fshehtë. Çdo gjë që përcjell tek tjetri . Thuhet: I përcolla fjalët, ia thashë fjalët, d.m.th. me mënyrën e ligjërimit të fshehtë.(5) Nocioni el-vahju në terminologjinë fetare ka kuptimin e shpalljes, frymëzimit hyjnor, dërgatës së fshehtë të zbritur nga Allahu xh.sh. tek Profeti i Tij.(6) në këtë kontekst Allahu xh.sh. thotë: "ne të frymëzuam ashtu siç e patëm frymëzuar Nuhun dhe Profetët pas tij ..".. (En-Nisa, 163). Në këtë kuptim metaforik, el-vahju mund të përdoret në kontekst të bartësit të tij, Xhibrilit a.s..


Vahji ose Shpallja është dy llojesh:


1. Me ndërmjetësimin e melekut, e kjo ka dy forma:
a) Nganjëherë meleku i paraqitet me frymëzim hyjnor në pamjen e tij të vërtetë, e kjo ndodhte rrallë. E nganjëherë i paraqitet në pamjen e personit dhe i shprehet atij;
b) Nganjëherë gjatë dërgatës meleku është i padukshëm, nuk shihet, përveçse gjatë ardhjes së melekut dëgjohej një shushurimë, kumbim i ziles.


2. Pa ndërmjetësimin e melekut, e kjo ka dy mënyra:
a) Me frymëzimin që nënkupton mbjelljen e dërgatës në formën e kuptimit në shpirtin e Profetit, siç janë ëndrrat e vërteta, besnike e të pastra tek Ibrahimi a.s. dhe Muhamedi a.s.;
b) Me ligjërim prapa perdes, d.m.th. pa parë asgjë. Siç ndodhi kur Allahu xh.sh. i fliste Musait a.s. në Turi Sina, apo sikur i foli Allahu xh.sh. Muhamedit a.s. në Natën e Miraxhit. Pra, frymëzimi hyjnor me të gjitha llojet e tij është i shoqëruar me dërgatën nga frymëzuesi - Allahu xh.sh., i Cili me të drejtë e ruan atë. Ky frymëzim nuk është kurrsesi pjellë e mendjes dhe ndërhyrjes njerëzore, dhe as nxitje e djallit. Dërgata është frymëzim me bindje të domosdoshme, në të cilën nuk mund të depërtojë dyshimi. Dërgata nuk vjen si frymëzim nga rrethanat dhe vendi ku gjendesh, por ajo ndihet tek Profeti siç ndihen çështjet instiktive, si uria, ngopja, dashuria, zemërimi etj.. Nëse i njeh këto gjëra të dërgatës fetare, atëherë nuk do të kesh problem të bësh dallimin në mes asaj dhe llojeve të frymëzimit natyror, ëndrrave të mira që u ndodhin jo vetëm Profetëve, po edhe njerëzve të rëndomtë. Në hadith thuhet: "Ëndrrat besnike (të vërteta) janë një pjesë e dyzet e gjashtë pjesëve të profetësisë".(7) ky hadith mund të kuptohet në këtë mënyrë: kohëzgjatja e profetësisë tek Profeti a.s.. ka qenë njëzet e tre vjet. E nëse një vit e ndajmë në dy gjysma, atëherë çdo gjysmë viti përbën një pjesë, dhe kështu gjithsej njëzet e tre vjet përbëjnë dyzet e gjashtë pjesë. Në fakt gjashtë muajt e parë (apo një pjesë) të profetësisë kanë qenë ëndrrat besnike dhe të vërteta. Pra, këtu është edhe kuptimi se ëndrrat besnike janë një pjesë prej dyzet e gjashtë pjesëve të profetësisë për nga vërtetësia dhe dëlirësia, e jo diçka tjetër, dhe e kundërta, çdo person që sheh ëndrra të tilla mund të pretendonte për profetësi, por kjo në realitet nuk ndodh.
Ajo që ndodh prej frymëzimeve natyrore, qoftë edhe të melekut tek njerëzit e drejtë, nuk është prej dijes bindëse, por më tepër janë supozime, ku mund të mjegullohet frymëzimi i melekut me atë të djallit. Kështu, personi i frymëzuar në ëndërr, ka nevojë për sqarime jashtë ëndrrës, për të vërtetuar nëse është ëndërr prej melekut apo është ëndërr prej djallit. Kështu ndodh edhe me ëndrrat që mund t'i shohin mëkatarët, jobesimtarët etj.. Ëndrrat e tyre janë vetëm supozim dhe nuk kanë të bëjnë aspak me të vërtetën, kurse ëndrrat e profetëve kanë qenë frymëzim dhe janë me njohuri bindëse.


Vahji - shpallja në kuptimin leksikor


Të emërtuarit e frymëzimit të vërtetë si shpallje, me përjashtim të profetëve, është emërtim gjuhësor, sipërfaqësor, leksikor, ngase aspekti gjuhësor shpallje quan çdo ligjërim të fshehtë, pavarësisht a është nga Allahu xh.sh. ose jo, a është për ndonjë profet apo jo. Përdorimin gjuhësor të fjalës shpallje mund ta ilustrojmë edhe me shembuj nga Kur'ani:"... Ai (Zekerijai) u tregoi atyre me shenjë që të lavdërojnë madhështinë e Allahut mëngjes e mbrëmje". (Merjem, 11). Në këtë ajet të Kur'anit nocioni - evha (frymëzim) është përdorur në kontekstin leksikor, që ka kuptimin e dëftimit, shenjës, sinjalizimit. "Dhe ne e frymëzuam nënën e Musait". (El Kasas, 7)
Fjala - e frymëzuam ka kuptimin - e kemi frymëzuar me frymëzim të natyrshëm, që nuk është i njëjtë me frymëzimin hyjnor. "Dhe Zoti yt e frymëzoi edhe bletën". (En-Nahl, 68)
Po ashtu edhe në këtë ajet fjala 'evha" e ka kuptimin e - udhëzimit për t'u ushqyer apo për të ndërtuar shtëpinë e saj në male, pemë, në vendbanime të sigurta me ushqime të bollshme. Ky udhëzim i përngjet udhëzimit të fëmijës për të thithur në gjirin e nënës.
Fëmija në embrion gjatë disa muajve vë në gojën e tij gishtin e madh. Me këtë bën një stërvitje për thithje dhe, menjëherë posa lind, kërkon thithjen e gjirit të nënës. Ky është një udhëzim i Allahut xh.sh. si lehtësim për fëmijën dhe nënën.
Këto ajete tregojnë qartë se fjala - frymëzim është përdorur në kuptimin gjuhësor leksikor e jo në kuptimin e frymëzimit hyjnor.
Bazuar në këtë përmbledhje ajetesh, patjetër duhet të bëjmë një dallim në mes frymëzimit hyjnor dhe talentit apo gjenialitetit.(8)
Talenti është dije e përfituar si produkt motivimesh të mëparshme, është dije e mprehtë që gjërat të kuptohen shpejt e me mendjehollësi dhe është motiv i përvojës së mëhershme.
Frymëzimi është dije e dhuruar, që mbillet në shpirt përnjëherë, pa pasur nevojë për motivim dhe shkas të mëparshëm.
Pra, frymëzimi hyjnor nuk arrihet dot me punë, dëshirë dhe vullnet personal, as me arsimim, dije, shkencë, kulturë dhe sjellje humane.
Ai dallon nga frymëzimi natyror i poetëve dhe nxitjet periferike të rrethanave dhe vendit. Është ligjërim hyjnor i mbinatyrshëm, sekret, i veçantë dhe i kuptueshëm vetëm për Profetin, që ka për qëllim udhëzimin e njerëzve në rrugë të drejtë dhe të saktë.


Shprehja e hadithit: - si të shfaqet frymëzimi?


- Pyetja është bërë për të zbuluar vetë cilësinë e dërgatës, si është dërgata, çfarë cilësie ka, d.m.th. përshkruaje përmbajtjen, mënyrën dhe esencën e saj.- Varianti tjetër nënkupton se pyetja është bërë për të mësuar, për të ditur cilësitë e bartësit të dërgatës (Xhibrilit a.s.) dhe në bazë të të gjitha përcaktimeve dhe pavarësisht prej kësaj, çështja se si shfaqet dërgata në aspektin e jashtëm, është metaforike, ngase dërgata nuk shfaqet, veçse ai që shfaqet, është Xhibrili a.s. me cilësitë e tij.(9) kështu shfaqja e vërtetë e dërgatës nënkupton bartësin e saj, ngase dërgata është ligjërim i frymëzuar që nuk shfaqet vetë, po shfaqet përmes bartësit - melekut. Përgjigjja e Profetit a.s. përfshin që të dyja çështjet: edhe frymëzimin hyjnor edhe bartësin e tij - Xhibrilin a.s..


Fjalët e hadithit dhe kuptimi më i gjerë i tyre


Shprehja në hadith: disa herë. Është shumës i fjalës - nganjëherë, d.m.th. - kohë pas kohe. Kjo shprehje përdoret për shumë kohë dhe për pak kohë. Qëllimi në hadith është vetëm përmendja e kohës, d.m.th. - më shfaqet në disa kohë.
Shprehja në hadith: - si kumbimi i ziles Fjala salsale në thelb është tingull që lirohet nga fërkimi i hekurit me hekur, pastaj është vënë në përdorim për çdo zë që kumbon.
Hatabiu thotë: "Ai është një zë që arrihet me të dëgjuar, po që nuk vërehet me dëgjimin e parë, por vetëm pasi ta kuptosh(10), atëherë edhe e ndien me të dëgjuar. Thuhet se është një zë i lehtë i krahëve të melekut".
Shprehja në hadith - zile është diçka që ndihet, hetohet. Në të kaluarën ka qenë një mjet që u është varur bagëtive në qafë. Sot e gjen kudo në jetën dhe nevojat e njerëzve, nëpër shtëpi, shkolla, organizata etj., në shërbim të njeriut.
Në një hadith të Profetit a.s. zilja është diçka e ndaluar, ngase nga zëri i saj largohen melekët. Pra, në aspektin fetar zilja është diçka e urryer dhe e nënçmuar.
Por mendoj se zilja që sot përdorin njerëzit në shtëpi, shkollë, etj., për nevojat e tyre, nuk është si qëllim në këtë hadith, aty është shprehur në formën metaforike, që mendja jonë ta perceptojë më lehtë dhe më shpejt.
Atëherë, si është e mundshme që Profeti a.s. ta ngjasojë dërgatën me zilen, që është e urryer dhe melekët largohen prej saj?
Përgjigjja është në disa mënyra:
1. Nuk është e domosdoshme që gjërat e krahasuara t'i përngjajnë njëra-tjetrës në të gjitha cilësitë, mjafton të përngjajnë në një cilësi që i bashkon. Qëllimi me këtë përngjasim është të sqarohet lloji i ziles, në mënyrë që për dëgjuesin të bëhet më e afërt për ta kuptuar. Këtu përngjasimi ka ndodhur për nga fuqia e zërit, jo për nga tingulli dhe kumbimi i ziles.(11)
Për ta ilustruar më mirë këtë krahasim, do të sjellim një shembull të një poeti, i cili me poezinë e tij lavdëronte njërin nga udhëheqësit: "Ti je si qeni në besnikëri, dhe si cjapi në trimëri".
Me këtë poezi poeti nuk kishte për qëllim t'i atribuonte udhëheqësit cilësi nënçmuese, por e lavdëronte duke theksuar dy cilësi: besnikërinë dhe trimërinë, të cilat i posedojnë - njërën qeni dhe tjetrën cjapi. Edhe krahasimi i dërgatës me zilen ka të bëjë me fuqinë e zërit dhe jo me tingullin dhe cilësitë e tjera.
2. Ndalesa për zërin e ziles në hadith ka mundësi të ketë ndodhur shumë më vonë pas kësaj pyetjeje që i ishte parashtruar lidhur me formën dhe mënyrën e dërgatës hyjnore.
3. Është bërë krahasimi i dërgatës me zilen, ngase tingulli i ziles nuk perceptohet, përveçse pasi të kuptohet a të ndihet. Ky është një veçim i ziles kundrejt mjeteve dhe veglave të tjera. Paraqitja e tingullit të ziles është një urtësi për Profetin a.s.., në mënyrë që tringëllima e saj të jetë përqendrim për të, në shpirt dhe zemër, se një paraqitje e tillë është vetëm e melekut dhe e askujt tjetër.(12)
Shprehja në hadith: - dhe kjo formë e frymëzimit për mua është më e rënda, do të thotë se kjo mënyrë është më e rëndë dhe më e vështirë sesa format e tjera të shfaqjes së dërgatës, njëherazi kjo formë është e vështirë që nga fillimi deri në mbarim.
Urtësia e kësaj vështirësie qëndron në shkakun se ligjërimi hyjnor është i rëndësishëm dhe me vlerë të veçantë e madhështore. Ai ka shenjat hyrëse, që tregojnë për madhështinë dhe rëndësinë e tij. Këtë e konfirmon edhe hadithi i transmetuar nga Ibn Abasi r.a.: "Gjendja e tij (Profetit) gjatë marrjes së dërgatës ishte e rëndë".(13)
Ky hadith me shprehjen e lartpërmendur tregon se frymëzimi në formë zileje ishte ngarkesë shpirtërore dhe trupore. Kjo formë ishte e vështirë, ngase zemra e Profetit a.s. më tepër përqendrohej në të kuptuarit sesa në të dëgjuarit. Profeti a.s. shihej i lodhur, i skuqur dhe i djersitur.
Disa dijetarë mendojnë se kjo gjendje mbretëronte kur i zbritej dërgata me ajete që përmbanin kërcënim dhe ndëshkim hyjnor.
Prej dobisë së kësaj gjendjeje të vështirë që kaplonte Profetin a.s., ishte shtimi i afërsisë dhe ngritjes në shkallë më të lartë tek Allahu xh.sh.(14) për nga pozita dhe shpërblimi. Shprehja në hadith: - pastaj kjo gjendje kalon, tregon se kjo folje në hadith është theksuar si folje e rregullt, aktive dhe folje pasive. Në esencë fjala ka kuptimin e ndarjes, krisjes, çarjes, prishjes, këputjes. Themi që do të thotë është ndarë pa paralajmërim, e ka këputur lidhjen e mëhershme. Në Kur'an është përmendur si nyjë që nuk këputet: - "nuk ka këputje" (El Bekare, 256) Pra, fjala el infisam ka kuptimin el inkita - ndarje, shkëputje.


Ku qëndron dallimi midis dy nocioneve el -fasmu dhe el-kasmu?


El-fasmu është ndarje pa paralajmërim, ndërsa - el-kasmu është ndarje me paralajmërim. Këtu qëndron edhe shkaku pse Profeti a.s. e ka cekur ndarjen me nocionin el-fasmu. Kjo është shenjë se meleku ndahej prej tij për t'u kthyer sërish. E sikur ta lajmëronte meleku Profetin për ndarje apo shkëputje, atëherë meleku nuk do të kthehej përsëri. Pra, nocioni el-fasmu nënkupton se meleku do të kthehej përsëri, prandaj Profeti zgjodhi këtë fjalë në paraqitjen e dërgatës dhe nuk përdori nocionin - el-kasmu, që nënkupton shkëputjen dhe moskthimin e melekut.
Shprehja në hadith: - nganjëherë meleku më personifikohej në formë personi, do të thotë se Xhibrili merrte formën e njeriut dhe transmetonte shpalljen. Në këtë shprehje kemi edhe një fakt tjetër - që melekut i mundësohej të personifikohej në formën e njeriut. Një gjë e tillë i kishte ndodhur Profetit a.s. kur meleku i vinte në fizionominë e Dihjetul Kelbiut. Aishja r.a. e kishte parë këtë njeri dhe nuk e kishte njohur se ishte melek, derisa i kishte treguar Profeti a.s. se ishte melek dhe jo njeri. Po ashtu meleku i personifikohej Profetit a.s. në fizionominë e fshatarit , siç ndodhi në hadithin që transmeton Omeri r.a.: Përderisa ata ishin të ulur pranë Profetit, kur papritmas iu paraqit një njeri me rroba tepër të bardha ".(15)


A nënkupton shkrirje të qenies së tij personifikimi i Xhibrilit?


El Bulkinij thotë: "Ai që ia solli dërgatën Profetit a.s., është vetë Xhibrili në formën e tij origjinale, por Xhibrili, kur takon Profetin a.s., futet në veten e vet (duke u zvogëluar) dhe shndërrohet në fizionominë e njeriut. Posa largohet, kthehet në formën e tij origjinale. Shembulli i tij është si pambuku, kur shtrydhet a tkurret, ndryshon pamjen, por jo edhe qenien e tij".(16) mund të themi se kjo çështje i është nënshtruar vullnetit dhe dëshirës së Allahut xh.sh., i Cili e ka në dijen sekrete të Tij. Allahu xh.sh. bën ç'të dojë dhe si të dojë:"Sigurisht që urdhri i Tij, kur Ai do një gjë, është vetëm që Ai t'i thotë asaj: "Bëhu"! - dhe ajo është e bërë (në çast)"! (Jasin, 82)
Ibn Haxheri thotë: "E vërteta e personifikimit të melekut si njeri nuk ka kuptimin se është shndërrim plotësisht në njeri, porse meleku është paraqitur në atë formë për të qenë i afërt, i përshtatshëm dhe i kapshëm nga ai me të cilin komunikonte. Gjërat apo gjymtyrët që meleku i posedon si krijesë në formën e tij origjinale, gjatë personifikimit si njeri nuk humbin e as shkrihen, por mbeten të fshehura për shikuesin".(17)
Shprehja (me foljen brenda) - dhe më shprehet mua është transmetuar kështu nga shumica. Ndërsa tek Bejhekiu është theksuar shprehja (me foljen brenda) - dhe më mësonte mua. Ky transmetim, sipas Bejhekiut, vjen nga Maliku, mirëpo këtu kemi të bëjmë me devijim - të shprehjes.
Et-tas'hif nënkupton devijimin e shprehjes në hadith nga forma kuptimore në një formë pa kuptim, nga forma e njohur në një formë tjetër të saj.(18) Këtu, në vend të - Kef është përdorur shkronja - Ajn, që ka ndryshuar kuptimin.
Në të vërtetë transmetimi në "Muveta" të Malikut është me Kef, gjithashtu edhe Darekutnij e ka transmetuar me Kef. Të gjitha këto rrugë janë të konfirmuara nga transmetuesi El-Ka'nebij. Në hadith bazë kemi shprehjen - tashmë e kam kuptuar, ndajfolje që përdoret me folje në kohën e shkuar, ndërsa më pas kemi foljen e kohës së tashme - dhe unë e kuptoj. Pse ky ndryshim?
E para: Folja në kohën e shkuar tregon se të kuptuarit e dërgatës ka ndodhur para ndarjes (së melekut nga Profeti a.s.), ndërsa në foljen në kohën e tashme tregohet se të kuptuarit e dërgatës ka ndodhur gjatë kohës së bisedës a komunikimit.
E dyta: Folja në kohën e shkuar tregon se Profeti a.s. ishte i veshur me cilësi melekësh dhe, kur kthehej në gjendjen e tij njerëzore, ai tashmë e kishte memorizuar atë që i ishte komunikuar, prandaj Profeti a.s. këtë e shprehu me kohën e shkuar. herën e dytë, ai e shprehu të kuptuarit e dërgatës me kohën e tashme, ngase ishte vetëm në gjendjen e tij njerëzore.(19) Në një transmetim, që konsiderohet shtojcë nga Ebu Avane, paraqitja e melekut në formë të personifikuar konsiderohej më e lehtë për Profetin a.s.:- "Dhe më shprehet mua meleku dhe unë e kuptoj çdo gjë që ai më thotë dhe kjo formë (frymëzimi) është më e lehta për mua".(20)
Përse Profeti a.s.. nuk ka përmendur forma të tjera të dërgatës, si:
- paraqitja e dërgatës në formën e shushurimës së bletëve;
- mbjellja e frymëzimit hyjnor në shpirt;
- ëndrrat e vërteta dhe të mira;
- biseda e drejtpërdrejtë apo të folurit Natën e Israsë pa ndërmjetësim?


Përgjigjja për këto pyetje është si vijon:


- Frymëzimi në formën e shushurimës së bletëve nuk bie në kundërshtim me kumbimin e ziles, ngase shushurima e bletëve ka të bëjë me ata që janë në afërsi të Profetit a.s.. Omeri r.a. e transmeton në këtë mënyrë: "Pranë Tij (Profetit) dëgjohej si shushurima e bletëve".(21)
Ndërsa kumbimi ka të bëjë me vetë Profetin a.s.. Kështu Omeri r.a. këtë kumbim e kishte krahasuar me shushurimën e bletëve për sa u përket dëgjuesve të pranishëm, që ishin në afërsi të Profetit a.s.. Njëherazi mund të themi se kjo shushurimë i ngjan zërit të telefonit të sotëm celular. Këtu ka dallim ndërmjet dëgjuesit të drejtpërdrejtë dhe atij që është fare afër. Ai që është afër nuk është si ai që e dëgjon drejtpërdrejt zërin. Ky që është fare afër, mund të dëgjojë zërin, por nuk mund ta veçojë se kush është dhe çfarë flitet. Kështu Profeti a.s. e dëgjonte si kumbim zileje, ndërsa njerëzit afër Tij e dëgjonin si shushurimë bletësh.
- Frymëzimi duke mbjellë dërgatën në shpirt, ka mundësi që ndodh kur meleku i vjen në formë kumbimi të ziles dhe pastaj i fryn në shpirt dhe ia mbjell frymëzimin
- Sa i përket frymëzimit dhe bisedës së drejtpërdrejtë në Natën e Israsë, mund të themi se në këtë hadith pyetja nuk ka të bëjë me to, por pyetja në hadith ishte për cilësinë e bartësit të dërgatës (Xhibrilin a.s.). - sa u përket ëndrrave të vërteta dhe të mira, mund të themi se qëllimi i pyetësit ka qenë që të merrte sqarim për atë çështje që është specifike për Profetin a.s. dhe është e fshehtë për ne e që nuk mund të dihet, përveçse nga sqarimi i Profetit a.s.. Ndërkaq, ëndrrat janë të njohura për secilin dhe nuk ka nevojë për hollësi dhe përshkrim.
Në këtë hadith Profeti a.s. nuk kishte përmendur dy cilësi të melekut, që janë paraqitja e melekut në formën e vërtetë engjëllore dhe mbulimi i horizontit në mes Tokës e qiellit nga ana e melekut. Profeti a.s. nuk i kishte theksuar këto, sepse këto cilësi të melekut ishin fare të rralla. Sipas hadithit të Aishes r.a.: - "Ai, Profeti, me këto cilësi (Xhibrilin) e kishte parë vetëm dy herë". Ose në këtë gjendje meleku nuk i kishte ardhur me dërgatë, ose, nëse i kishte ardhur me dërgatë, i ishte shfaqur në formën e kumbimit të ziles.(22)
Shprehja në hadith: "Aishja r.a. shtoi se vërtet e kam parë Profetin a.s. duke u frymëzuar". Në shikim të parë shihet se kjo shprehje e hadithit i takon grupit të haditheve të varura - që nënkupton se i mungon senedi (lidhja e transmetuesve) në fillim të transmetimit. Këtë lloj hadithi Buhariu e ka paraqitur në fillim të kapitujve, në hyrje dhe në parathënie. Këto hadithe nuk e kanë trajtimin e shkallës autentike, përveçse nëse janë me sened të ngjitur në një rrugë tjetër transmetimi.(23) E vërteta e këtij hadithi është se ky hadith me të njëjtin sened është i ngjitur , e nuk është i varur, ngase, kur Buhariu dëshiron ta lërë hadithin në formë të varur - , atëherë në fillim të hadithit vjen me pjesëzën lidhëse waw - , gjë që nuk ka ndodhur në këtë hadith. këtë hadith edhe muslimi e kishte regjistruar me sened të ngjitur nga Ebi Usame, nga Hishami, nga babai i tij, nga Aishja, e cila tha: "Kur i zbriste (dërgata) Profetit a.s. në mëngjesin e ftohtë, atëherë balli i tij mbushej me djersë".


Shtrohet pyetja: Përse Buhariu e kishte theksuar hadithin të këputur?


Përgjigjja është se një shkak i tillë është i varur nga mënyra e ndryshme e bartjes (memorizimit) së hadithit. Herën e parë Aishja ishte informuar për pyetjen apo çështjen e Hishamit, ndërsa herën e dytë ajo tregoi se çfarë kishte parë vetë, si përforcim të versionit të parë. Sikur këtu na shfaqen dy versione të hadithit.Thënia- në një ditë shumë të ftohtë, tregon sfidën, vështirësinë e madhe, lodhjen gjatë zbritjes së dërgatës. Këtu duhet të kemi në konsideratë edhe ndryshimin e gjendjes, kur djersët pikojnë nga vetullat në kohë të ftohtë. Zakonisht djersët pikojnë nga balli në ditë të nxehta ose në temperatura të larta. Pra, Ai a.s., në vetvete ndiente një gjendje të jashtëzakonshme, jashtë natyrës njerëzore. Thënia: - i pikonin djersët apo ishte i mbushur me djersë, - El-fasdu, nënkupton ndërprerjen e djersëve nga rrjedhja e gjakut. Këtu shprehja "vetullat e tij të mbushura me djersë" tregon për djersët e shumta që rridhnin nga balli i Profetit a.s..


_____________________________________
(1) "Sahihul Buhari", Kitab bed'il vahji, vëll. 1, f. 25, nr. 2". Sahihu Muslim, bi sherh Nevevij", Kitab El-Fedail, vëll. 15, f. 88.
(2) Ibn Haxher, "Temjizus-sahabe", vëll. 7, f. 86.
(3) Ibn Haxher, "Tekribut-tehdhib", f. 148, nr. 1055.
(4) Ibn Haxher, "Fet'hul Bari, bi sherh Sahihul Buharij", vëll. 1, f. 26.
(5) Ibn Mendhur, "Lisanul areb", vëll.15, f. 379.
(6) "Fet'hul Bari", vëll. 1, f. 14-15.
(7) "Sunen Et-Termidhij", vëll. 4, f. 462, nr. 2271.
(8) Sulejman Tomçini, "Fjalori arabisht shqip", f. 690. "AIIT", Tiranë, 2009.
(9) "Fet'hul Bari, bi sherh Sahihul Buhari", vëll. 1, f. 27.
(10) "Sahihu Muslim, bi sherh En-Nevevij", vëll.1 f 15.
(11) "Fet'hul Bari", vëll. 1 f. 27.
(12) "Sahihu Muslim, bi sherh Nevevij", vëll.15 f. 88.
(13) "Sahihul Buharij", vëll. 1, f. 18, nr. 5.
(14) "Fet'hul Bari, bi sherh Sahihul Buhari", vëll. 1 f.. 28.
(15) "Sahihu Muslim", Kitabul Iman, vëll. 1, f. 36, nr. 8.
(16) "Fet'hul Bari", vëll. 1, f. 29.
(17) Po aty.
(18) Mr. Musa Vila, "Kritika shkencore në hadith", f. 120. Prishtinë, 2004.
(19) Ibn Haxher, "Fet'hul Bari", vëll. 1, f. 29.
(20) "Sahih Ebi Avane", vëll.1, f.42.
(21) "Sunen Et-Tirmidhij", vëll.I, fq.80.
(22) "Sahihu Muslim bi sherh En-Nevevij", vëll. 15, f. 89.
(23) Mr. Musa Vila, "Bazat e Hadithit", f. 128, Prishtinë, 2009.


 



Dituria Islame 268


Nuk ka artikull pas ketij.

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Shkolla Verore mirëpret fëmijët nga data 6 korrik