Gjurmëve të mbishkrimeve mbi varre të periudhës osmane në fshatin Xërxe të Opojës


"Mbishkrimet turko-arabe na japin të dhëna me vlerë historike, të cilat edhe kur nuk përmbajnë diçka të re, japin material plotësues që konfirmon të dhënat e burimeve tjera, përforcojnë ndonjë hipotezë të mundshme..." (Vexhi Buharaja, orientalist)


Hyrje


Nga të parët personalitete shqiptare që nuk e njihnin gjuhën osmane, por që kishin vlerë sime pozitive për mbishkrimet mbi varre të periudhës osmane te ne, ishte shkrimtari dhe poeti ynë i njohur Mitrush Kuteli. Sado që vlerësimi i tij për këto mbishkrime ishte letrarë, megjithatë vlerësimi nga një poet siç ishte Kuteli flet mjaftueshëm. Ai në një vizitë që do t'i bënte Prizrenit, në maj të vitit 1943, i mahnitur me bukuritë e Prizrenit, përveç tjerash, shkruan arti kullin: "Në Prizren midis të vdekurve dhe të gjallëve", ku në mes tjerash për mbishkrimet mbi varret osmane në Prizren shkruan: "Do dëshiroja fort të lexoj mbish krimet, me nj'ato fantastike kaligrafi arabe, që asnjë nga alfabetet e ngurta evropiane nuk mund t'iu afrohet nga bukuria. Po nuk di, dhe jam i dëshpëruar se ndofta nuk do di kurrë. Megjithëkëtë më pëlqen t'i vështroj e t'i prek me gishtërinj. Sepse më duket se kur i prek me gishtërinj këto veprat e artit skulptural, i afrohesh shpirtit të artistit që i punoi"(1). 
Përderisa M. Kuteli kishte dhënë vlerësim artistik-letrare për mbishkrimet mbi varre të periudhës osmane te shqiptarët, në botën shqiptare nuk munguan studiuesit me qasjet e tyre shkencore, sado që ky numër i studiuesve është mjaft simbolik krahasuar me numrin e mbishkrimeve që gjendet në terren. Ndër studiuesit që u morën më këto problematika te ne janë: Vexhi Buharaja(2), Hasan Kaleshi(3), Mehmet Mujezinović(4), Mux hait Asimov(5), Raif Virmiça(6), Sadik Mehmeti(7), Nehat Krasniqi(8), Hatixhe Ahmedi(9), dhe ndonjë tjetër që do të ketë botuar ndonjë nishan. Duhet theksuar se në vitin 2007 në gjuhën turke publikohet një botim për rajonin e Gorës, i cili flet për artin popullor të këtij rajoni, duke përfshirë edhe deshifrimin e monumenteve mbi varret osmane që gjenden në këtë rajon.(10) Gjithashtu, duhet potencuar se kohët e fundit është botuar edhe një libër nga një grup studiuesish turq dhe shqiptarë, për disa mbishkrime të periudhës osmane në disa monumente të kësaj periudhe në Kosovë.(11)


Fshati Xërxe


Është fshat në trevën e Opojës. Llogaritet si fshati me më pak banorë në këtë trevë, dhe gjendet 5 km në verilindje të qendrës komunale, me 280 banorë, 3,5 km2, 36 shtëpi dhe me një lartësi mbidetare 1220m. Një pjesë e konsiderueshme e banorëve janë shpërngulur në disa qytete të Kosovës, por pjesa më e madhe janë vendosur në Komunën e Sharrit dhe në Prizren.(12)
Studiuesi S. Gashi ofron dëshmi se Opoja si emër përmendet në vitet 1276-1281 në një shkresë të sundim tarit serb Dragutin, por në këtë studim, duke analizuar toponiminë nga secili fshat i trevës së Opojës, lihet hapësirë që ky fshat të jetë përmendur edhe në këto vite, e ndoshta si vendbanim do të ketë ekzistuar edhe më herët.(13) Më 1326 thuhet se ky fshat përmendet në dokumentet kishtare si Zerzovo. Ndërsa sipas defterëve kadastralë osmanë të viteve 1571 dhe 1591, ky fshat na del me emrin Zirzova me 7-9 familje, 2 benak të martuar pa tokë, 6-8 beqarë.(14) Nga vitet 1865 e deri më 1991, numri i shtëpive në këtë fshat ndryshoi nga 25 deri më 42, kurse numri popullsisë nga 118 në 304 banorë.(15) Ardhja e fesë islame në këtë fshat gjithsesi se lidhet me ardhjen e Perandorisë Osmane në tokat tona, e rrjedhimisht edhe ardhjen e Islamit në trevën e Opojës. Ardhja e fesë islame në Opojë lidhet edhe me një personalitet vendor të kësaj perandorie, me personalitetin kryesor për ardhjen e Islamit në këtë trevë, Mehmet Kuklibegun, në shek. XVI, i cili ka merita të veçanta për zhvillimin e kësaj treve si në aspektin, "ekonomik dhe kultur-arsimor në shek. XVI"- potencon studiuesi N. Krasniqi.(16)
Nga ajo kohë në trevën e Opojës ruhen monumente mbi varre, të cilat mund të hasen në çdo fshat. Mirëpo ne në këtë punim kemi për objekt monumentet mbi varre të periudhës osmane në fshatin Xërxe, një nga 19 fshatrat e trevës së Opojës dhe jo i vetmi që ruan këso nishanesh. Të gjithë nishanet në këtë fshat janë në gjuhën osmane me alfabet arab. Nga të dhënat që sot ruan kujtesa e disa banorëve të këtij fshati, thuhet se ka pasur edhe më shumë nishane në këtë vend, e që kanë qenë në forma të ndryshme. Sigurisht se do të ketë pasur ndoshta edhe më shumë familjarë të varrosur aty pranë, por sot nuk janë më, përjashtuar disave që i kanë qëndruar kohërave e që ne i kemi prezantuar në këtë punim.


Nishanet


Epitafi i Hoxhës, apo siç njihet ndryshe nga të moshuarit e fshatit "Vorri i Hoxhës". Ky monument mbi varr mban datën 1315/1898. Ka qenë i vendosur në oborrin e xhamisë së vjetër të fshatit. Pas prishjes së kësaj xhamie guri është vendosur në varrezat e fshatit, të cilat gjenden në hyrje të fshatit, nga vendi i quajtur "Rudi na". Guri është kristalor, i quajtur si "sheqer-tash", apo "guri i Shkupit", sepse ky lloj i gurit është porositur dhe përpunuar kryesisht në Shkup.(17) Është i shkruar me shkrimin arab, nes'h-t'alîk. Guri ka edhe disa zbukurime-ornamente në formë reliefi. Dimensioni i epitafit është: 59 x 20 cm. Trashësia është 10 cm. Diametri i kokës së gurit është 33 cm. Guri është i thyer.



Të dhënat e gjertanishme për personin të cilit i është ngritur ky nishan janë të bazuara vetëm në kujtesë, pra thuhet se emri i tij ishte Ibrahim, ndërsa në nishanin e lartpërmendur nuk e lexojmë emrin e tij. Nga kujtesa për këtë personalitet e hoxhë potencohet se disa familje në këtë fshat për ditë të caktuara kanë shpërndarë ushqime tradicionale për nder të veprës së tij, apo siç thuhet në masë me të gjerë "kanë shpërndarë ushqim për shpirt të Hoxhës"(18). Po që së do t'i referohemi të dhënave gojore të ofruara nga disa banorë të këtij fshati, atëherë na rezulton se ky njeri duhet të ketë qenë prej njerëzve të devotshëm, sjelljet e të cilit kanë imponuar respekt në masën ku ka jetuar dhe vepruar, dhe respekti për këtë njeri nisi të ruhet gjeneratë pas gjenerate, me një fjalë "ishte njeri i mrrimë".


El merhūm / Hoxha / Rūhuna / Sene 1315 Përkthimi: "I ndjeri, Hoxha(?) (një lutje-N.A.) për shpirtin e tij. Viti 1898.



Epitafi i Vaxhipit të birit të Mahmutit. Ky gur gjendet në varrezat e fshatit Xërxe, në hyrje të fshatit, nga vendi i quajtur "Rudi na", dhe mban datën 1314/1897. Dimensioni i gurit është 74 x 21 cm, diametri i kapelës 35 cm. Nuk ka zbukurime sikurse epitafet e tjera, por për nga përbërja është gur kristalor. Është i shkruar me shkrimin arab, nes'h të thjeshtë.


El merhūm / Vāxhib / bin Mahmūd / 1314 Përkthimi: "I ndjeri, Vaxhibi, i biri i Mahmudit. (Viti N.A.) 1897".


Edhe për këtë njeri të dhënat i kemi vetëm nga kujtesa, dhe ato vijnë shumë të pakta. Të dhënat që i kemi marrë nga pasardhësit e Mahmudit, flasin se vetëm kjo familje ka qenë e pasur në kohën kur kanë jetuar, ndërsa për Vax hipin nuk ka të dhëna. Ajo që dihet me siguri është se Mahmudi jetoi në këtë fshat, dhe kishte dy djem, Fejziun dhe Sadriun, pasardhësit e të cilëve edhe sot jetojnë në këtë fshat.



Sipas mbishkrimit rezulton se ky ishte djali i Mahmudit, që do të thotë se ishte vëllai i Fejzës dhe i Sadriut. Epitafi i Halilit, të birit të Sylejmanit. Ky gur gjendet në varrezat në perëndim të fshatit, rrugës Radesh Xërxe, dhe mban datën 1194/1780. Dimensioni i tij është 1.15x23 cm. Diametri i kapelës 77 cm. Nën kapelë, te qafa, guri ka një ornament në formë luleje. Është i shkruar me shkrimin arab, nes'h, me elemente të sulusit.


El merhūm /El magfūr / Hālīl bin Süleymān / Rūh-i çün / El Fātiha / Sene 1194 Përkthimi: "I faluri, i ndjeri, Sylejmani i biri i Halilit. Për shpirtin e tij (këndo) Fatihanë. Viti 1780".


Epitafi i Aliut, të birit të Halilit. Gjendet në varrezat e fshatit Xërxe, në perëndim të fshatit, rrugës Radesh-Xërxe, dhe mban datën 1222/1807. Ky gur fatkeqësisht është i thyer dhe i ndarë në dy pjesë. Megjithatë, pjesa e poshtme e mbetur tregon emrin, mbiemrin dhe vitin. Ne dyshojmë se pjesa që është shkatërruar ka pasur ndonjë mbishkrim shtesë, sepse edhe nga kapela shihet se bëhet fjalë për një njeri me pozitë. Pjesa e poshtme e mbetur ka këto dimensione 71x31 cm. Diametri i kapelës 83 cm. Është biri i Halilit, të birit të Sylejmanit, që e trajtuam më lart. Për nga format e nishanit, mund të konstatohet se të dy këta persona do të kenë qenë pjesëtarë të hierarkisë së ushtrisë osmane, me prejardhje ose nga ky fshat, ose që kanë shërbyer këndej. Shikuar për nga forma e jashtme, këto nishane janë karakteristike.



Deri më tani këto forma të kapelave të nishaneve i kam hasur vetëm për këtë fshat. Edhe nga përmbajta e shkrimeve na rezulton se Halili dhe Aliu janë baba e bir.


'Alī bin Halīl / Rūh-i çün / El Fāti ha /Sene 1222 Përkthimi: "Aliu i biri i Halilit. Për shpirtin e tij (këndo) Fatihanë. Viti 1807".


Përfundim


Nga të dhënat e terrenit na rezulton se monumente mbi varre të periudhës osmane në këtë fshat, siç tregojnë të moshuarit e fshatit, ka pasur me dhjetëra, por që ne fatkeqësisht kemi arritur t'i gjejmë vetëm katërsosh. Këto monumente, ndonëse të pakta në numër krahasuar me numrin që ka ekzistuar dikur, megjithatë janë një dëshmi e mirë për të kaluarën e fshatit, por edhe vendit tonë. Këto varreza janë edhe një tregues se në këtë fshat është zhvilluar një jetë shpirtërore islame, dhe se këtu kanë jetuar njerëz me kulturë të avancuar për kohën. Kjo pasuri materiale është nën mëshirën e kohës; ndoshta është momenti i fundit që të mendohet për ruajtjen e tyre, me qëllim që këto epitafe mos ta kenë fatin edhe të atyre monumenteve tjera që njerëzit i ruajnë vetëm në memorien e tyre. Këto epitafe pa dyshim se e plotësojnë kulturën materiale të trevës së Opojës, si dhe të kaluarën e kësaj treve dhe jo vetëm. Këto monumente pasurojnë edhe mozaikun e madh të trashëgimisë materiale nga Periudha Osmane në hapësirat shqiptare. Është momenti i fundit që kjo trashëgimi e vlefshme të evidento het, të përpunohet etj., dhe më e pakta të përmblidhet me një libër, sepse ka shumë monumente mbi varre në vendin tonë që ne shumë pak kemi njohuri për to, e ndoshta gjeneratat e ardhshme nuk do të dinë fare. Për këtë na tërheq vërejtjen poeti Mitrush Kuteli, kur konstaton se qysh para më shumë se shtatëdhjetë vitesh kjo trashëgimi ka mbetur pa përkujdesjen e askujt, se "asnjë dorë nuk sgjatet t'i përkujdesë, as varret as qoshkun që aty pranë, pllakat e mermerta kanë renë poshtë, ku i shkel këmba dhe i bluan koha"(19). Kjo thënie e Mitrush Kutelit prore tingëllon aktuale, dhe lirisht mund të thuhet se nëse ne nuk punojmë bashkërisht që këto epitafe të mos rrinë të fshehur përgjithmonë, të paktën të mos i shkelë këmba e të mos i tretë toka dhe koha.
Një mëndim pothuajse të ngjashëm si të Mitrush Kutelit kishte edhe poeti kombëtar turk me origjinë nga Peja, Mehmet Akif Ersoj, i cili në një poezi të tij thekson se "Historia, ajo gërmadhë e përgjakur që dimë ne, në miliona gurët e varreve, miliona epitafe fshihet"(20). Pa fije dyshimi, edhe toka jonë shqiptare fsheh epitafe, të mbuluara nga dallgët e ndryshme të kohës, e këtë fakt na e ka mësuar edhe puna në terren.


______________________________________________________
(1) Mitrush Kute li, Në Prizren, mid is te vdekurve dhe te gjallëve, në: "Jeta e Re", revistë letrare, nr. 5, shtator-tetor, Prishtinë, 1995, f. 661-662. (2) Vexhi Buharaja, Mbishkrimet turko-arabe të vendit tonë si dëshmi historike, në: "Konferenca e Dytë e Studimeve Albanolog jike II, Tiranë, 1969, f. 80 (3) Hasan Kaleshi, Do kumentet më të vjetra të vakëfeve në gjuhën arabe në Jugosllavi, (Përktheu Ismail Rexhe pi), BIK, Prishtinë, 2012; Hasan Kaleshi-Ismail Eren, Mahmud Pashë Rrotlla nga Prizreni- Përshpirtënimet dhe vakëfnameja e tij, në: " Edukata Islame", nr. 81, BIK, Prishtinë, 2006, f. 152-188. (4) Mehmet Mujezinović, Natpisi na natgrobnim spomenici ma Halil-bega iz 1545 i Defterdar hadži Muhamed efendije, iz 1628 godine u Peći, në: "Starine Kosova i metohije", kn. IV-V, Priština, 1968-1971; Natpisi na nadgrobnim spomenicima Su zi-Čelebija i Neharija u Prizren, në: " POF", XII-XIII, 1962-63, Sarajevo, 1965, f. 265-268. (5) Muxhait Asimov, Monumentet mbivarrore në gjuhën osmane në Kosovë, në: "Edukata Islame", nr. 103, BIK, Prishtinë, 2013, f. 167-183. (6) Raif Virmiça, Koso va'da osmanli mimar eserleri, Ankara, 1999. (7) Sadik Mehmeti, Mbishkrimet mbivarrore turko-arabe në Kosovë si dëshmi his torike, në: "Historia dhe kultura e Ballkanit", Kongresi Ndër kombëtare Ballkanik 10-16 maj 2009, UP- Sakarya Ünıversıtesi, Prishtinë, 2009,f. 955-962. (8) Nehat Krasniqi-Sadik Mehmeti, Një nishan i harruar i një personaliteti të shquar, në: "Takvim", nr. 46, BIK, Prishtinë, 2015, f. 245-269. (9) Hatixhe Ahmedi, Tri mbishkrime varresh në qytetin e Preshevës, në: "Kosova", nr. 39, IH, Prishtinë, f. 397-414. Hatixhe Ahmedi, Monumentet me mbishkrime osmane në Preshevë, në: "Vjetar", nr. 51, ASHAK, Prishtinë, f. 369-388. (10) Tülin Çoruhlu, Gora halk sanatları, Istambul, 2007, f. 234-237. (11) Grup autorësh, Kosova kitabel eri-mbishkrimet në Kosovë, Prishtinë, 2015. (12) Hajriz Meleqi, Opoja studim kompleks gjeografik dhe historik, Prishtinë, 2009, f. 167-168. (13) Skënder Gashi, Kërkime onomastike-historike për minoritete të shuara e aktuale në Kosovë, ASHAK, Prishtinë, f. 476, 485, 498, 499, 592. (14) Selami Pulaha, Popullsia shqiptare e Kosovës gjatë shek. XV-XVI, ASHSH-IH, Tiranë, 1984, f. 117. (15) Hajriz Meleqi, Opoja studim kompleks..., Vep. e cit., f. 167 168. (16) Nehat Krasnqi, Kontribute albanologjike, IAP, Prisht inë, 2011, f. 133. (17) Sadik Mehmeti, Kontribute për historinë e Opojës, IAP, Prishtinë, 2015, f. 65. (18) Informatë: Zenije Ahme ti-Qengaj e lindur më 1952 në Xërxe. Sharr, më 12 qershor 2014. (19) Mitrush Kuteli, Pun. i cit., f. 661. (20) Mehmet Akif Ersoj, Sa fahat-Fletët (Përktheu: Mithat Hoxha), botimi i tretë i plotësuar, Logos-A, Shkup, Prishtinë, Tiranë, 2016, f. 527.


 


 


Nuridin Ahmeti
Dituria Islame 309