Rendi botëror po kalon nëpër një fazë të re zhvillimore dhe bashkë me të edhe risitë e njëpasnjëshme janë duke e dominuar çdo kulturë, traditë e zakon. Kemi filluar të hyjmë me një rrugë të re, duke mos e ditur se ku është destinacioni ynë, e as stacioni i parë i kësaj rruge. Parimet kryesore të këtij civilizimi janë dy: faktorizimi i materies dhe mospërfillja totale e anës shpirtërore.
Më herët është paralajmëruar se ideologjia e materializmit nuk njeh tjetër pos të prekshmes, të gjithë ne myslimanët kemi qenë të kujdesshëm që të mos krijojmë mani e të bëhemi robër të anës materiale e të mos ecim në rrugën e atyre që u mahnitën me botën materiale e harruan atë fizike.
E arsyeja që po e bëjmë këtë lloj hyrjeje është mjaft soditëse, ngase para vetes kemi një personazh që jeta e tij prej një asketi e një njeriu të virtytshëm na rrëfen se njerëzit e mëdhenj në histori balancuan aspektin shpirtëror me atë material. Apo edhe më tepër, ata iu përkushtuan më tepër anë shpirtërore se sa asaj materiale. Personazhi ynë që është në fokus të trajtesës sonë është i mirënjohuri tabin, Uvejs el Karni.
I Dërguari ynë i fundit, Muhamedi a.s., na ka treguar për Uvejs el Karnin. Nje tabin modest, i devotshëm dhe i panjohur për njerëzit ne tokë.
Transmetohet nga Usejr ibën Amëri, e i thuhet se Ibën Xhabiri ka thënë: Umer ibën el Hatabi ka thënë: "E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut a.s. se do t'iu vjen juve Uvejs ibën Amiri nga Jemeni, i cili ka qenë i sëmurë nga lebrosa (sëmundja e lëkurës) e pastaj është shëruar, e ka një nënë ndaj së cilës sillet shumë mirë, nëse i lutet Allahut për diçka, Allahu menjëherë ia pranon."(1)
Hadithi i Pejgamberit a.s. është më i gjatë dhe qëllimi nuk është të nxjerrim çaste historike apo personalitete, mirëpo e rëndësishme është që ne të përfitojmë nga ky mesazh, dhe të kuptojmë se çka ishte ajo që e ngriti këtë tabin të devotshëm, saqë është përmendur nga goja e bekuar e Pejgamberit a.s.. Pra kemi të bëjmë me një personalitet, i cili për atë kohë ishte i panjohur për rrethin e tij (familjar, fisnor) dhe i cili ishte i nënçmuar po nga rrethi i tij.
Është e çuditshme se sot shumë pak përkujtohet jeta dhe vlera e këtij njeriu nëpër ligjërata e minbere. Ndoshta sepse kemi filluar të heqim dorë nga ana shpirtërore dhe nga kërkesa për t'iu afruar Zotit tonë nëpërmjet veprave të sinqerta dhe qëllimeve te pastra.
Uvejs el Karni, siç njihet në historinë islame, jetoi në kohën e Pejgamberit a.s., mirëpo pamundësia që ta shihte Pejgamberin a.s., bëri që ai të mbetej prej brezit të dytë të myslimanëve, tabinëve.
Ky njeri, bëri që me veprat e tij të ngritët fama e tij deri te banorët e qiejve, saqë çfarëdo lutje që ia bënte Allahut xh.sh., Ai ia pranonte. Pa asnjë dilemë, Uvejsi, Allahu qoftë i kënaqur me të, mbetet prej brezit të tij në gradën më të lartë dhe më të ndritur, sepse përmendet me emër e mbiemër në hadithin e Pejgamberit a.s..(2)
Do të ishte shumë e ndershme, e rëndësishme dhe shumë e vlefshme për kohën tonë aktuale që të mbaheshin ligjërata, seminare dhe hytbe për këtë njeri dhe për veprën e tij, si dhe të analizohej rreth asaj se edhe ne sot mund të jemi çdo njeri Uvejs el Karni, e pastaj cilat ishin ato virtyte që i kishte, nga e trashëgoi atë potencial të karaktereve të larta. Do të na shërbente pas një studimi psikologjik, shkencor, ndoshta edhe social të rregullimit tonë shoqëror, për t'i zgjidhur shumë probleme psikologjike-sociale.
Si u bë që Uvejsin mos ta njihte familja e tij, rrethi i tij, vendi, ndërsa ta njihte Allahu lart në qiell, engjëjt e Tij dhe krejt banorët e qiellit!?
Një njeri i thjeshtë, i panjohur në tokë, por shumë i rëndësishëm në qiell. Një njeri që të gjithë e nënçmonin dhe e përqeshnin, mirëpo i lavdëruar nga fjalët e Pejgamberit a.s.. Kur ta analizojmë jetën e tij, themi se Uvejsi u ngrit tek Allahu xh.sh. mes të tjerash, nëpërmjet tri cilësive - veçorive që i kishte dhe të cilat e kanë bërë model për ne sot.
Tri cilësitë që e ngritën lart këtë tabin të ndershëm dhe që bënë që ky njeri të jetë i njohur tek Allahu xh.sh. ishin:
1. Respekti, dashuria dhe përkujdesja ndaj nënës së tij,
2. Altruizmi,(3)
3. Derti i tij ishte: "Çfarë pozite kam unë tek Allahu xh.sh.?"
Tiparet e tij na e rikthejnë vëmendjen tonë te cilësitë e munguara në shoqëritë bashkëkohore njerëzore, por edhe ato myslimane. Virtyti i respektimit të prindërve si një vlerë e munguar në epokën e tanishme është kryefjala e personalitetit të këtij njeriu të shquar. Ai na e rikthen vëmendjen në madhështinë e porosive kuranore dhe të haditheve profetike që trokasin në vëmendjen tonë e tërheqin vërejtjen për mosrespektimin e prindërve ose moskujdesin ndaj të moshuarve.
Kjo dukuri tani vërehet se ka tendencë rritjeje te brezi i ri, dhe ne duhet inkurajuar ata që të marrin modele të tilla si shembuj e jo ata që kanë harruar çdo vlerë e etikë në familje e shoqëri. Kjo e rikthen vëmendjen te kërkesat e habitshme të gruas që në aktin e kurorëzimit ndoshta kërkon nga burri i saj që ai të jetojë jetën larg prindërve të tij. Kjo bëhet me pretekste nga më të ndryshmet, por që të gjitha në fund kanë një rezultat, braktisjen e prindërve dhe kthimin e shpinës për ata në moshën kur ata më së shumti kanë nevojë për kujdesin e fëmijëve të tyre.
A thua vallë çfarë islami e përfaqësojmë ne? Nga kush po informohemi ne rreth fesë sonë?
A e kemi kuptuar ne më mirë islamin apo Ebu Bekri, Othmani e Aliu dhe të tjerët, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata, që ishin njerëz të ngritur tek Allahu, jetuan së bashku me Pejgamberin a.s., kohën e artë, të përgëzuar me Xhenet, me kushte të rënda sociale/ekonomike, dhe asnjëherë nuk u ndalën në humanitet, bamirësi dhe punë të dobishme.
Pra cilësia e parë që e ngriti Uvejsin ishte respekti ndaj nënës së tij: e ushqente, e veshte dhe nuk e la të vetmuar asnjëherë.
Cilësia e dytë ishte altruizmi. Në kohën tonë moderne, ky tipar gjendet shumë rrallë dhe me keqardhje themi se më shumë gjendet te popujt e tjerë jo islam se sa te ne myslimanët.
Allahu në Kuran, në suren Hashr, në ajetin e 9, i përmendi altruistët që i dhanë përparësi kërkesave të vëllezërve të tyre më shumë se vetvetes, duke i quajtur ata të shpëtuarit.
Pra, dhënia përparësi tjetrit përpara vetes tënde në çdo aspekt të mundshëm: në ushqim
- duke i afruar anëtarit të familjes përpara vetes; në punësim
- duke i dhënë përparësi shokut/kolegut; në komunikim etj..
Kjo cilësi është e vështirë për t'u arritur, mirëpo ajo bëri që Uvejsi, i cili ishte prej fukarenjve më të mëdhenj të rrethit të tij, nga të ardhurat që merrte të gjitha i shpërndante te nevojtarët, saqë edhe fukarenjtë u çuditën me të, duke i thënë: O Uvejs, po ti ke nevojë më shumë se ne, mirëpo ai e ndante vetëm një pjesë gote qumësht gjatë ditës për ta ushqyer nënën e tij dhe veten.
I tillë ishte Uvejsi.
Cilësia e tretë ishte një brengë e tij: A thua vallë, çfarë pozite kam unë tek Allahu?
Kur e kërkonte Umeri r.a. në mesin e jemenasve Uvejsin, fisi i tij që e njihnin u munduan ta fshehin Uvejsin, duke i thënë Omerit se çka po të duhet ty Uvejsi, i cili është njeri i gjorë, i nënçmuar, fukara etj.
Ja ku na ke ne, njerëz me pushtet me pozitë me pasuri. Ndodhi e papritura për ta, përkundër kësaj, këmbëngulja e Omerit r.a. ishte më e madhe, sepse Uvejsi ishte përmendur në hadithin e Pejgamberit a.s..(4)
Për këtë arsye, turma të mëdha njerëzish filluan të shkojnë drejt tij për t'i kërkuar që Uvejsi ta luste Allahun për falje. Mirëpo kjo nuk i pëlqeu Uvejsit, sepse këtu kishim të bëjmë me famën e popullaritetin, veti këto që Uvejsi nuk ishte mësuar me to dhe ai i urrente. Madje ishte pikërisht urrejtja që kishte për famën e pozitën, që e kishin ngritur kaq lart tek Allahu dhe që e inspiruan të ikte për të mos u dukur më kurrë.
Mësimet e nxjerra nga rrëfimi për Uvejs el Karnin
-Nuk ka rëndësi se si të shohin njerëzit, se si të vlerësojnë, apo se si nuk të respektojnë. Rëndësi ka se si je ti tek Allahu, Zoti yt.
-Brenga e njerëzve sot është tejet shqetësuese. Kjo brengë e gabuar te ne sot, se a thua vallë si po dukem përpara njerëzve, para publikut. A thua vallë a do t'ju pëlqej veshja ime të tjerëve, vetura apo shtëpia ime, këto pyetje e shmangin njeriun nga brenga kryesore që duhet të na brengoste të gjithëve: a thua vallë çfarë pozite kam unë tek Zoti im?!
-Do të ishte një përmirësim i raportit prind - fëmijë, rritja e respektit për të moshuarit, kujdesi ndaj tyre, ngritja e vlerës së familjes, pastaj shërimin e shumë sëmundjeve psikologjike, si vesveset zilinë, lakminë, stresin, depresionin e shumë probleme të tjera.
Mbesim me shpresë se ajo që ekziston në teori, në porositë e marra nga rrëfimi i Uvejs el Karnit, do të na kalojnë edhe në praktikë.
___________________________
1 Muslimi, Sahih Muslim, nr: 2542.
2 Dr. AbdulBarij Davud , Uvejs el Karni, Kajro, Dar El Ahmedij, 1999, 24-32.
3 Heqja dorë nga dëshirat individuale dhe dhënia përparësi kërkesave dhe nevojave të të tjerëve.
4 Muslimi, Sahih Muslim, nr: 2542.
Florim Zejnullahu
Dituria Islame 390