Huadhënia konsiderohet dhënia e ndonjë malli për t'u shfrytëzuar pa kurrfarë kompensimi.(1) Huadhënia mund të realizohet me këto shprehje: "po ta jap në shfrytëzim ty këtë"; "po ta jap ty këtë rrobë për ta shfrytëzuar", e të ngjashme. Në të drejtën islame, ekziston dallimi në mes borxhit dhe huadhënies. Dallimi është se borxhi mund të kthehet në vlerën e mallit, ndërsa huaja është që të kthehet malli i njëjtë që është dhënë.
Ligjshmërinë e huas e gjejmë në ajete kuranore, në hadithe dhe në konsensusin e dijetarëve (ixhma). Allahu i Lartësuar ka thënë: "O besimtarë, kur merrni hua prej njëri tjetrit për një afat të caktuar, shkruajeni atë. Dhe nga gjiri juaj le të shkruajë një shkrues i drejtë dhe të mos ngurrojë nga të shkruarit ashtu siç e ka mësuar Allahu. Le të shkruajë, e atij le t'i diktojë ai që pranon borxhin, le t'i frikësohet Allahut, Zotit të tij, e të mos lërë mangët asnjë send nga ai. E në qoftë se ai që ngarkohet me borxh është i paaftë mentalisht, është i mitur ose nuk është në gjendje të diktojë, atëherë le të diktojë drejt kujdestari i tij. Kërkoni të dëshmojnë dy dëshmitarë burra nga mesi juaj, e në qoftë se nuk janë dy burra, atëherë një burrë e dy gra, nga dëshmitarët që i pëlqeni. (Dy gra në vend të një burri) Për atë se nëse njëra prej tyre gabon, t'ia rikujtojë tjetra. Dëshmitarët të mos refuzojnë kur të thirren. Dhe mos përtoni për ta shkruar atë dhe afatin e tij, i vogël qoftë ose i madh, sepse kjo është më e drejtë tek Allahu, më e fortë për dëshmi dhe më afër mos dyshimit. Vetëm nëse është tregti e menjëhershme (dora-doras) që e praktikoni midis jush, atëherë nuk është ndonjë mëkat të mos e shënoni. Por, kur bëni shitblerje, dëshmojeni. E ai (pronari i pasurisë) nuk dëmton as shkruesit as dëshmitarët, e nëse bëni (dëmtimin), ai është mos respekt juaji (ndaj dispozitave të Allahut). Kini frikë Allahun se Allahu ju dhuron dituri (të jashtëzakonshme), Allahu është i gjithëdijshëm për çdo send." (El Bekare, 282), dhe në ajetin: "Huazoni (jepni sadaka) për hir të Allahut hua të mirë." (El Muzemil, 20). I Dërguari a.s. ka thënë: "Në natën e Israsë e kam pa në derë të Xhenetit ku shkruante: lëmosha shpërblehet me dhjetëfish, ndërsa dhënia e huas (borxhit) shpërblehet me tetëmbëdhjetë fish, e unë i thash Xhibrilit a.s.: "Për çfarë arsye huaja është më e vlefshme se lëmosha?" Ai më tha: "Arsyeja është se lypësi lypen edhe kur ka, ndërsa ai që kërkon hua kërkon vetëm atëherë kur është i nevojshëm." Ndërsa sa i përket ixhmait (konsensusit të dijetarëve) është se të gjithë janë të mendimit se lejohet marrja e huas dhe se shoqëria do të veprojë duke marrë hua prej kohës së të Dërguarit a.s. e deri në fundin e kësaj jete. Pra, të gjithë myslimanët janë të pajtimit për ligjshmërinë e huas, se lejohet të kërkohet hua dhe se nuk ka kurrfarë mëkati ai i cili kërkon hua. Dhënia e huas konsiderohet vepër e rekomanduar për atë që e jep dhe lejohet ta marrë huamarrës për nevojat e jetës së tij.
Norma e huadhënies
Huadhënia është vepër e lejuar në sheriatin islam.(2) Ky lejim bazohet në hadithin e të Dërguarit a.s., i cili transmetohet nga Safvan bin Jala, e ky nga babai i tij, se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: "Kur të vijnë tek ti të dërguarit e mi jepi atyre tridhjetë mburoja dhe tridhjetë deve." Ai tha: unë thash: "O i Dërguari i Allahut, a është kjo hua që duhet pasur kompensim apo hua që nuk duhet kërkuar kompensim?" Ai tha: "Hua pa kompensim."(3)
Huadhënia nëse nuk ka kohën e caktuar është një marrëveshje e rekomanduar, si ndihmë vullnetare dhe huadhënësi e ka të drejtë që të kërkojë kthimin e mallit kur të dëshirojë.
Malli i dhënë hua është amanet në dorën a atij që e ka kërkuar mallin hua dhe nëse shkatërrohet ky mall nga ndonjë shkak, por jo nga moskujdesi i huamarrësit nuk duhet të kompensohet.
Llojet e huadhënies
Huadhënia ndahet në dy lloje:(4)
Huadhënie e pakushtëzuar,
Huadhënie e kushtëzuar,
Huadhënie e pakushtëzuar është atëherë kur jepet ndonjë gjë që ta përdor tjetri pa i kushtëzuar ndonjë kusht për përdorimin e saj dhe as që i shpjegohet mënyra se si të përdoret ajo gjë. Norma e kësaj huadhënie është se lejohet dhe përdorimi i saj bëhet lirshëm, sikur që mund ta përdor vetë pronari i saj, si p.sh. nëse dikush e merr hua për ta përdorur veturën, atij i lejohet ta përdore atë sikur që e përdor vetë pronari, dhe po ashtu mund të ngarkojë me mall veturën nëse nuk e dëmton atë.
Huadhënie e kushtëzuar konsiderohet dhënia hua e ndonjë gjëje me kushtëzime të cilin kusht duhet respektuar ai i cili e merr mallin apo atë gjë hua. Po që se ndodh që huamarrësi nuk e respekton kushtin dhe e dëmton atë që e ka marr hua duhet ta bëjë kompensimin.(5) Si p.sh. nëse dikush e merr lapsin për një orë e më pastaj kalon ora dhe nuk e kthen ngase e ka humbur apo thyer, atëherë marrësi e ka për obligim ta kthej të ngjashëm ose të paguaj vlerën e tij. Ose tjetra, nëse dikush e merr hua veturën, por i kushtëzohet që të mos barte dru me të, atëherë atij nuk i lejohet ta thyej këtë kusht.(6)
Dhurata në rastin e dhënies së huas
Sipas hanefitëve, nëse kushtëzohet dhënia e dhuratës është vepër shumë e urryer (mekruhi tahrimen), e nëse nuk kushtëzohet, atëherë lejohet. Ndërsa malikitët janë të mendimit se është e ndaluar rreptësishtë të jepet dhuratë huadhënësit. Këta, mendimin e tyre e mbështesin në hadithin e të Dërguarit a.s., i cili ka thënë: "Kur ndokush prej jush jep hua, mos të marr dhuratë." Po ashtu, shënohet se i Dërguari a.s., e ka ndaluar që të merret dhuratë në rastin e dhënies së borxhit, ngase veprimi i tillë është i afërt me kamatën. Umer bin Abdulazizi, dhënien e dhuratës huadhënësit e ka konsideruar si ryshfet.
Rregulla të përgjithshme për huan
Huadhënia nëse nuk ka kohën e caktuar është një marrëveshje e rekomanduar, si ndihmë vullnetare dhe huadhënësi e ka të drejtë që të kërkojë kthimin e mallit kur të dëshirojë.
1. Nuk lejohet që malli i dhënë hua t'i jepet dikujt tjetër me qira apo të lihet peng. Nëse ndodhë që huamarrësi e bën një veprim të tillë dhe malli dëmtohet, atëherë huamarrësi është i detyruar për të bërë kompensimin.
2. Nuk i lejohet huamarrësit që t'ia jep dikujt tjetër mallin që e ka marrë hua nëse i është ndaluar një veprim i tillë nga huadhënësi. E po që se nuk i është kushtëzuar që të mos e japë hua, atëherë lejohet t'i jepet tjetrit hua me kusht që përdorimi të jetë i njëjtë sikur që e përdor vetë ai apo pronari i mallit. Si p.sh. nëse e merr veturën hua, atëherë mund t'i jepet tjetrit ta përdor me kushte që edhe ai të ketë kujdes sikurse huamarrësi, ngase vozitja dallon prej njëri-tjetrit. E po që se e jep librin e marrë hua tjetrit lejohet.
3. Po që se merret toka në formë të huas për të ndërtuar në të apo për të mbjell atë, lejohet. Nëse ndodh që në atë tokë që është ndërtuar apo është mbjell, atëherë huadhënësi dëshiron ta rikthejë, atëherë lejohet të rikthehet. Në këtë rast, huadhënësi mund të urdhërojë për shkatërrimin e asaj që është ndërtuar apo mbjell dhe nuk bënë kurrfarë kompensimi. E nëse ndodh që toka e dhënë hua e ka afatin e caktuar, atëherë huadhënësi po që se shkatërron para afatit së caktuar, atëherë është i detyruar të bëj kompensimin.
4. Gjësendet e çmuara duhet t'i kthehen personalisht huamarrësit, se nëse kthehet gjësendi i çmuar deri te shtëpia e huadhënësit pa iu dorëzuar atij në dorë, nëse ndodh që humbet apo shkatërrohet gjësendi, atëherë duhet bërë kompensimi nga huamarrësi.
5. Kur ndodh që të merret si hua shtaza dhe huamarrësi e kthen atë në ahur të pronarit, nëse ndodhë që të dëmtohet apo ngordh shtaza, në këtë rast nuk obligohet huamarrësi për ta kompensuar.(7)
Shënim: Pagesa e shërbimit për rikthimin e huas është obligimi i huamarrësit.
Dhurata dhe dispozitat e saj
Dhuratë konsiderohet pronësimi i një gjëje pa kurrfarë kompensimi. Shtyllat kryesore të dhuratës janë dy(8) oferta dhe pranimi. P.sh. nëse ndodhë që dhuruesi i dhuratës thotë: "unë po ta dhuroj këtë dhuratë", ndërsa marrësi e pranon, atëherë dhurata është e pranuar dhe marrësi e merr në posedimin e vet edhe pa lejen e dhënësit, por nëse ndahen dhuruesi dhe marrësi i dhuratës, atëherë marrësit nuk i lejohet ta posedojë dhuratën, pos me lejen e dhuruesit.
Kushtet e vlefshmërisë së dhuratës
Për t'u konsideruar dhuratë legale, duhet të plotësohen këto kushte:
1. Që dhuruesi të jetë i mençur, në moshën madhore dhe pronar i dhuratës. Nuk konsiderohet e vlefshme dhurata e dhënë nga fëmija, i çmenduri dhe ai që nuk e posedon dhuratën.
2. Që marrësi i dhuratës të marrë dhuratën, ngase nuk konsiderohet pronë e tij përderisa të fus në dorë.
3. Që dhurata të jetë e ndarë, nëse ajo është mall që duhet të përpjesëtohet me të tjerët si p.sh., toka është pronë që përpjesëtohet, atëherë duhet të caktohet se cila pjesë është dhuratë. E po që se ndodhë që dhurata nuk pranon përpjesëtim si p.sh. pusi, shtëpia që është shumë e vogël e të ngjashme, në këtë rast nuk ka nevojë përpjesëtim, por dhurata i takon atij që i është dhuruar. Nuk konsiderohet e vlefshme dhurata e dhënë nga fëmija, i çmenduri dhe ai që nuk e posedon dhuratën.
4. Që malli i dhuruar të mos ketë kurrfarë lidhje me dhuruesin. Si p.sh., nuk është e vlefshme të jepet lisi i pemës dhuratë ku frutat janë pronë e dhuruesit. Po ashtu konsiderohet e pavlefshme dhënia dhuratë vetëm e frutave e jo edhe e lisit, apo dhënia dhuratë e të mbjellave, por jo edhe e tokës. Po ashtu nëse jepet dhuratë shtëpia, por orenditë shtëpiake janë të dhuruesit, atëherë atij që i është dhënë dhurata nuk i lejohet marrja e tyre, ngase pasuria ende është në pronësi të dhuruesit.
5. Dhurata duhet që të jetë prezentë. Po që se ndodh të jepet mielli duke qenë ende në kallinj apo vaji i lulediellit ende pa u përpunuar, kjo dhuratë është e pavlefshme për arsye se dhurata ende nuk është prezentë.(9)
Shënim: Nëse ndodhë që babai i jep birit tij dhuratë, ku vetë prindi në këtë rast është pronar i asaj që i jepet të birit, në këtë rast mjafton vetëm oferta pa kërkuar që i biri ta pranojë dhuratën. E po që se ndodh që një i huaj i jep diçka dhuratë fëmijës, atëherë dhurata duhet të merret nga kujdestari i fëmijës apo dikush i familjes së tij. E nëse ndodh që fëmija vetë e merr dhuratën, atëherë nëse fëmija është i mençur, dhurata konsiderohet legale, e përndryshe duhet ta marrë dhuratën ai cili kujdeset për fëmijën.
Norma e dhuratës
Vërtetohet pronësia e atij që është dhënë dhurata si pasuri jo e domosdoshme që d.m.th. është legale që të rikthehet apo anulohet dhënia e dhuratës nëse i është dhënë të huajit, por rikthimi nga dhënia e dhuratës konsiderohet veprim shumë i urryer (mekruhi tahrimen). Për këtë, i Dërguari a.s. ka thënë: "Ai që kërkon të rikthej dhuratën është i njëjtë me atë që e rikthen vjelljen e tij."(10)
Nuk lejohet rikthimi i dhuratës pasi që është dhënë dhe e ka pronësuar marrësi, përveç me dy kushte: nëse të dy palët si dhënësi dhe si marrësi janë dakord ose me vendim të gjykatësit.
Shënim:
Dhënësi i dhuratës nuk mund të marrë kompensim nga personi që i ka dhënë dhuratën.
Nuk mund të revokohet dhurata nëse ndodhë që në pasurinë e dhënë dhuratë është bërë ndonjë shtesë si p.sh. të bëhet ndërtim në tokë, apo të shtohet si ndërtim diçka në shtëpi, e të ngjashme.
Nëse ndodh që dhurata është shitur apo i është dhuruar dikujt tjetër, atëherë nuk ka mundësinë e revokimit të saj.
Po që se ndodh që i jepet dhurata dikujt që është i afërm, atëherë nuk lejohet revokimi i saj, si p.sh. nëse i jepet dhuratë babait, vëllait etj.
Po ashtu nëse jepet dhuratë në mes të bashkëshorteve, atëherë nuk ka revokim të dhuratës.
Nuk pengohet revokimi i dhuratës nëse ndodh që është bërë ndonjë shtesë jashtë bazës së dhuratës si p.sh. fryti që është në lisin e dhënë dhuratë.
Po që se ndodh që të jepet dhurata me kushte të pavlefshme në aspektin juridik islam, atëherë dhurata nuk mund të revokohet si p.sh., të thuhet po ta japë dhuratë këtë shtëpi me kusht që t'u kthehet pas vdekjes së tij trashëgimtarëve të dhuruesit. Në këtë rast dhurata është legale, por kushti është i pavlefshëm dhe se nuk duhet t'u rikthehet trashëgimtarëve të dhuruesit.
Kur ndodhë që dhuruesi e jep një copë ari me kusht që për t'ia shitur pastaj prapë atij, në këtë rast dhurata është e vlefshme, ndërsa kushti i pavlefshëm.
Kur ndodh që të jepet delja apo lopa si dhuratë, por jo edhe i vogli i tyre, në këtë rast dhurata është e vlefshme dhe nuk merret parasysh përjashtimi. Nuk konsiderohet e vlefshme dhurata nëse i jepet mundësia e zgjedhjes së marrjes apo mos marrjes, pos nëse e vendos marrjen e dhuratës para se të ndahen mes vete.(11)
__________________________________________
1. Es Serhasiu, "Kitabul Mebsut", Darul Mearifeti, Liban-Bejrut, pa vit botimi, vol XI fq. 133, Ibnul Humam el Hanefij, "Fet'hul Kadir", boton Darul Kutub el Ilmijjeti , Liban-Bejrut, 1424 h 2003 m, vol. V fq. 99. El Kasani, "Bedaiu-s-Sanai", Darul Kutub el Ilmijjeti, Bejrut, 1424 h 2003m, vël. VI fq. 214.
2. Ibnul Humam el Hanefij, "Fet'hul Kadir", vëll. V, fq. 117. El Kasani, "Bedaiu-s-Sanai", Darul Kutub el Ilmijjeti, Bejrut, 1424 h 2003m, vël. IX fq. 6.
3. Transmeton Ebu Davudi (3568).
4. Ibnul Humam el Hanefij, "Fet'hul Kadir", vëll. V, fq. 117.
5. Maxhid el-Itr, El Mufassal fil Fikhil Hanefij el Emval, boton, Mektebetu Daril Mustakbel, Halep, pa vit botimi fq. 69.
6. Po aty.
7. Maxhid el Itr, El Mufassal fil Fikhil Hanefij el Emval, boton, Mektebetu Daril Mustakbel, Halep, pa vit botimi fq. 67.
8. Ibnul Humam el-Hanefij, "Fet'hul Kadir", vël. V, fq. 113.
9. Ibnul Humam el-Hanefij, "Fet'hul Kadir", vël. V, fq. 121.
10. Transmeton Buhariu dhe Muslimi.
11. Ibnul Humam el Hanefij, "Fet'hul Kadir", vëll. VII, fq. 121. El Kasani, "Bedaiu-s-Sanai", vëll. IX, fq. 6. Maxhid el Itr, El Mufassal fil Fikhil Hanefij el Emval, fq. 79.
Dituria Islame 399