Intervistë me Sabri ef. Bajgorën, në numrin ekskluziv të jubilarit të katërt (1986-2026) të Diturisë Islame

 


Intervistë me Sabri ef. Bajgorën, në numrin ekskluziv të jubilarit të katërt (1986-2026) të "Diturisë Islame"


 


Kjo intervistë sjell jo vetëm kujtimet e një kryeredaktori, por një rrëfim të gjallë mbi rolin e "Diturisë Islame" në ngritjen e vetëdijes në kohë krize e lufte shfarosëse, pasqyrimin e zërit të qëndresës e të rezistencës gjithëpopullore shqiptare asokohe dhe mbi mësimet që ajo periudhë i lë brezave që vijnë.


Pas 40 vjetësh, si do ta përkufizonit vlerën dhe rolin që ka pasur "Dituria Islame" në shoqërinë tonë?


Kur flasim për katër dekada të revistës "Dituria Islame", nuk flasim thjesht për historinë e një botimi periodik, por për historinë e një institucioni të mendimit, kulturës dhe vetëdijes islame ndër shqiptarë. Që nga numri i saj i parë në qershor të vitit 1986 e deri më sot, revista ka qenë një tribunë e dijes, e edukimit dhe e formimit intelektual e shpirtëror të brezave të tërë, jo vetëm në Kosovë, por gjithandej në trojet shqiptare në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi, Luginë të Preshevës, më pas edhe në Shqipëri dhe pa dyshim, në diasporë.
Vlera e saj qëndron para së gjithash në faktin se ajo arriti të krijojë një urë të qëndrueshme ndërmjet traditës sonë islame e kombëtare dhe sfidave bashkëkohore. Nëpërmjet faqeve të saj janë trajtuar tema fetare, kulturore, historike, arsimore dhe kombëtare, duke ndihmuar në formimin e një vetëdijeje të shëndoshë fetare dhe kombëtare. Për shumë lexues, veçanërisht në vitet kur qasja në literaturën islame ishte e kufizuar, për shkak të mungesës së saj, "Dituria Islame" ishte dritarja kryesore për t'u njohur me vlerat e Islamit, me historinë tonë dhe me zhvillimet intelektuale në botën myslimane.
Roli i saj bëhet edhe më i rëndësishëm kur kujtojmë periudhat e vështira që kaloi populli ynë. Në vitet e represionit, të përjashtimit institucional dhe më pas gjatë luftës së viteve 1998-1999, revista nuk u kufizua vetëm në trajtimin e temave fetare, por u bë një zë i fuqishëm i dinjitetit njerëzor, i mbrojtjes së identitetit kombëtar dhe i shpresës kolektive.
Pas 40 vjetësh mund të them me bindje të plotë se "Dituria Islame" ka qenë më shumë se një revistë. Ajo ka qenë një kujtesë kolektive, një tribunë e dijes dhe një dëshmi e gjallë se fjala e mençur, kur i shërben të vërtetës dhe vlerave, mund mbijetojë kohëve më të vështira dhe të mbetet udhërrëfyese edhe për brezat e ardhshëm.


Çfarë e ka bërë "Diturinë Islame" të mbijetojë dhe ta ruajë relevancën e saj për katër dekada?


Mbijetesa e një reviste për katër dekada të plota, sidomos në rrethana të tilla historike siç i ka përjetuar Kosova, nuk mund të shpjegohet vetëm me përkushtimin profesional të redaksisë apo me mbështetjen institucionale. Unë mendoj se në rastin e "Diturisë Islame", kemi të bëjmë me një ndërthurje të disa faktorëve që e kanë bërë atë jo vetëm të mbijetojë, por edhe ta ruajë autoritetin dhe relevancën e saj përgjatë gjithë këtyre viteve.
Së pari, forca e saj ka qenë misioni. Që nga themelimi në vitin 1986, "Dituria Islame" nuk është konceptuar si një revistë e zakonshme informative, por si një mjet, edukimi, ndriçimi dhe vetëdijesimi për mendjet dhe zemrat. Ajo ka pasur një vizion të qartë: t'i shërbejë fesë, dijes, kulturës dhe shoqërisë. Institucionet dhe botimet që mbështeten mbi misione afatgjata zakonisht arrijnë t'u rezistojnë më mirë ndryshimeve politike, ideologjike dhe shoqërore.
Së dyti, revista ka ditur të qëndrojë çdo herë besnike pranë lexuesve të saj, Në çdo periudhë historike ajo ka trajtuar temat që kanë preokupuar shoqërinë tonë.
Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm ka qenë po ashtu besueshmëria. Në një kohë kur informacioni shpesh është shpejtë, sipërfaqësor dhe i pakontrolluar, besueshmëria mbetet një nga pasuritë më të mëdha të çdo mediumi.
Mendoj se mbijetesa e saj lidhet edhe me faktin se ajo ka ruajtur identitetin e vet. Ka qenë e hapur ndaj ideve dhe zhvillimeve të reja, por pa u shkëputur nga parimet themelore mbi të cilat është ndërtuar. Ka ditur të ecë me kohën pa humbur rrënjët e saj.


Si e përjetuat marrjen e detyrës së kryeredaktorit në një kohë (1996) kur vendi po hynte në një periudhë trazirash të thella dhe paqartësie për të ardhmen e tij?


Marrja e detyrës së kryeredaktorit të "Diturisë Islame" në vitin 1996 ishte për mua një nder i madh, por njëkohësisht edhe një barrë e rëndë përgjegjësie. Ishte një kohë kur qielli mbi Kosovë po "errësohej" çdo ditë e më shumë. Tashmë kishte filluar të shpërthente fuqishëm ndjenja për lirinë e vendit nga robëria dhe okupimi serb, gati 100-vjeçar.
Kur pranova këtë detyrë, e ndjeva thjesht si amanet. "Dituria Islame"e cila tashmë i kishte mbushur 10-vjet që nga themelimi, kishte fituar emër, autoritet dhe besim te lexuesit e saj. Prandaj pyetja që më shoqëronte vazhdimisht ishte: si ta ruajmë këtë mision në kohën kur shumë gjëra rrezikonin të shembeshin përreth nesh?
Kujtoj se në takimet me bashkëpunëtorët dhe autorët e shkrimeve, shpesh bisedonim jo vetëm për temat që do të trajtonim, por edhe për fatin e popullit tonë. Në secilin prej nesh ekzistonte ndjenja se po jetonim në prag të ngjarjeve të mëdha historike. Demonstratat, represioni, arrestimet, dhuna sistematike dhe më pas lufta e hapur, e cila solli vrasje, masakra e gjenocid ndaj popullatës shqiptare, e cila u shoqërua me djegie të shtëpive, shkollave e të xhamive, po edhe vrasje të imamëve tanë, e vunë në provë çdo institucion shqiptar, përfshirë edhe institucionin e Bashkësisë Islame.
Personalisht, ajo periudhë më mësoi se përgjegjësitë e mëdha nuk zgjidhen duke pyetur nëse je gatshëm për to, por duke u përpjekur t'u përgjigjesh me ndershmëri dhe përkushtim. Kishte net pa gjumë, kishte ankth. për fatin e familjes, të kolegëve dhe të popullit tonë, por kishte edhe një besim të palëkundur se Allahu nuk e lë pa ndihmë një popull që qëndron i lidhur me të vërtetën, me lirinë dhe me drejtësinë.
Do të ishte e pandershme nga ana ime, që në këtë rast të mos i falënderoja të gjithë bashkëpunëtorët e atëhershëm si dhe stafin teknik, të cilët nuk u ndalën e as nuk u thyen shpirtërisht për asnjë çast. Më kujtohet se në ato vite të luftës, në mungesë të kompjuterave dhe të stafit profesional, thyerjen teknike të revistës e bënim në shtëpinë e mulla Sejdi Simnicës, përkatësisht te djemtë e tij, Nysreti, Nuhiu dhe Fetiu. Na ka ndodhur disa herë të qëndrojmë në shtëpinë e tyre për 2-3 ditë pandërprerë, sepse natën nuk guxonim të sidomos jo nga mëhalla e Muhaxherëve, ku këta e kishin shtëpinë, sepse shumë afër tyre ndodhej edhe stacioni famëkeq i policisë serbe.


Në çfarë mënyre arriti "Dituria Islame" të mbijetojë dhe të botohet në rrethanat e luftës?


Kur flasim për vazhdimësinë e botimit të "Diturisë Islame" gjatë viteve të luftës, ndoshta dikujt, sot mund t'i duket si një çështje teknike ose organizative. Mirëpo, për ata që i kanë jetuar ato vite, e dinë se çdo numër i botuar në atë periudhë përfaqësonte një fitore të vogël kundër frikës, pasigurisë dhe represalieve të pushtetit serb, kundër popullit tonë.
Vitet 1998-1999 ishin vite të vështira e të rënda në çdo kuptim. Kosova po përjetonte njërën nga periudhat më tragjike të historisë së saj moderne. Unë atëbotë, me detyrë zyrtare isha edhe kryeimam i Kosovës, ligjërues në FSI dhe po ashtu i angazhuar në një detyre tepër delikate dhe të ndjeshme për atë kohë, si sekretar i Këshillit të Emergjencës së BIK-ut, ku kryetar i këtij Këshilli ishte myftiu aktual Naim ef. Tërnava, atëbotë drejtor Medresesë "Alaudin". Kur një pjesë e kolegëve tanë, anëtarë të Këshillit emergjent, nga pasiguria dhe frika për familjet e tyre, kishin hequr dorë nga këto përgjegjësi, vetëm Myftiu dhe Unë, kishim qëndruar të palëkundur, duke qenë të vetëdijshëm se në çdo moment na priste arrestimi e mbase edhe torturimi deri në vdekje. Nëpër duart tona kanë kaluar mjete të shumta materiale, të cilat i përcillnim deri te Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Zonat e UÇK-së gjithandej Kosovës. Krahas kësaj, unë vazhdoja me zell të madh dhe me përkushtim edhe botimin e përmuajshëm të revistës "Dituria Islame", sepse e dinim se heshtja nuk ishte alternativë. Pikërisht në. kohë lufte, fjala e përgjegjshme bëhet edhe më domethënëse. Pothuajse çdo numër "Diturisë Islame", nëpërmjet lidhjeve dhe rrugëve tona, depërtonte edhe në mesin e luftëtarëve të lirisë.
Nuk ishte e lehtë. Kishte periudha kur komunikimi me bashkëpunëtorët bëhej jashtëzakonisht i vështirë, sepse atëherë nuk kishte internet e as celularë. Shumë autorë shkrimesh dhe imamë ndodheshin në zona të rrezikuara, disa ishin të zhvendosur, ndërsa të tjerë përballeshin drejtpërdrejt me represionin. Çdo informacion që vinte nga terreni bartte me vete lajme të dhimbshme për familje të shpërngulura, për shtëpi, shkolla e xhami të djegura apo për kolegë që nuk mund të kontaktoheshin më.
Pas përfundimit të luftës, kur filluam të shihnim përmasat e plota të shkatërrimit, e kuptuam edhe më qartë rëndësinë e dokumentimit. Shumë prej atyre që kishin humbur jetën nuk mund të flisnin më. Shumë xhami ishin shndërruar në rrënoja. Shumë familje po kërkonin ende më të dashurit e tyre. Në ato momente, "Dituria Islame" mori edhe një mision shtesë: të ruante kujtesën historike të asaj që kishte ndodhur, në mënyrë që sakrifica e popullit tonë dhe e njerëzve të fesë të mos harrohej kurrë.
Prandaj, kur më pyesin se si arriti revista të mbijetojë gjatë luftës, përgjigjja ime është e thjeshtë: ajo mbijetoi sepse mbijetoi shpresa. Ajo mbijetoi sepse kishte njerëz që besonin se edhe në ditët më të errëta fjala e së vërtetës nuk duhet të shuhet. Dhe mbi të gjitha, mbijetoi me ndihmën e Allahut, i Cili u dha forcë zemrave tona të vazhdonin misionin edhe atëherë kur rrethanat dukeshin ta pafavorshme për Ne.


A ishte revista, në atë kohë, thjesht një revistë e rëndomtë, apo një formë rezistence e palëkundur kombëtare, shpirtërore dhe kulturore?"


Nëse do t'i referoheshim vetëm formës së saj, "Dituria Islame" ishte një revistë e përmuajshme fetare, shkencore dhe informative, me rubrikat, artikujt dhe përmbajtjen e saj të rregullt. Mirëpo, kushdo që i ka jetuar vitet e fundit të shekullit XX në Kosovë, e di se ajo përfaqësonte shumë më tepër se kaq. Në rrethanat e okupimit, të shtypjes sistematike dhe të luftës, ajo u shndërrua në një formë të veçantë të rezistencës shpirtërore, kulturore dhe kombëtare.
"Dituria Islame" nuk ishte revistë politike dhe as nuk kishte për qëllim të zëvendësonte rolin e institucioneve Misioni i saj ishte tjetër: ta ruante moralin, ta forconte besimin, të edukonte dhe ta kultivonte vetëdijen historike e kulturore. Por, pikërisht ky mision e bëri atë një faktor të rëndësishëm të rezistencës. Sepse pushtuesi, sado që mund të kontrollojë një territor, megjithatë nuk mund të sundojë lehtë mbi mendjen dhe shpirtin e një populli që e njeh identitetin e vet dhe nuk heq dorë prej tij.
Në faqet e revistës përpiqeshim të përcillnim mesazhin se besimi nuk është arratisje nga realiteti, por forcë për ta përballuar atë. Shkruanim për durimin, shpresën, drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe përgjegjësinë ndaj atdheut e shoqërisë.
Kujtonim figurat e mëdha të historisë sonë fetare dhe kombëtare, të cilët me gjakun dhe jetën e tyre i dolën zot atdheut, sepse popujt që humbin kujtesën e tyre historike, rrezikojnë të humbin edhe të ardhmen.
Prandaj, po të më kërkohej ta përkufizoja me një fjali rolin e saj në ato vite, do të thosha se "Dituria Islame" nuk ishte thjesht një revistë që botohej gjatë kohës së luftës; ajo ishte një zë i ndërgjegjes kolektive që refuzonte të heshtte përballë padrejtësisë dhe që përpiqej të mbante gjallë shpresën, besimin dhe dinjitetin e një populli të tërë.


"Si e balanconit mesazhin fetar me atë kombëtar; por edhe me realitetin e dhimbshëm që po përjetonte populli shqiptar në trojet e okupuara në fund të shekullit XX?"


Kjo ishte ndoshta njëra nga sfidat më të ndjeshme dhe më të rëndësishme me të cilat jemi përballur gjatë asaj periudhe. Në rrethana të zakonshme, një revistë fetare merret kryesisht me edukimin shpirtëror, moral dhe intelektual të lexuesit. Mirëpo, në fundin e ne nuk jetonim në rrethana të zakonshme. Populli ynë po përjetonte dhunë sistematike, mohimin e të drejtave themelore, dëbime, burgosje dhe më pas luftën me të gjitha pasojat e saj tragjike. Në një realitet të tillë, ishte e pamundur të flisje vetëm për fenë duke e injoruar vuajtjen e njerëzve dhe gjenocidin që po ndodhte para syve të krejt botës.
Në traditën tonë fetare dhe kombëtare, dashuria për atdheun, mbrojtja e identitetit dhe e dinjitetit, kundërshtimi i padrejtësisë dhe solidariteti me të shtypurit, nuk janë nocione të huaja. Përkundrazi, ato janë pjesë e etikës islame. Prandaj nuk e kemi parë kurrë identitetin fetar dhe atë kombëtar si dy rrugë që përplasen me njëra-tjetrën. Në historinë shqiptare ato shpesh kanë ecur krah për krah. Imamët tanë kanë qenë jo vetëm mësues të fesë, por edhe edukatorë, mbrojtës të gjuhës, të kulturës dhe të ndërgjegjes kombëtare.
Nganjëherë sfida më e madhe nuk ishte çfarë të shkruanim, por si ta shkruanim. Si të flisje për masakrat që po ndodhnin anekënd Kosovës? Si të shkruaje për padrejtësitë pa e ushqyer urrejtjen? Si të mbroje të drejtën e popullit tënd pa rënë në grackën e fanatizmit dhe ekstremizmit? Këto ishin pyetje që na shoqëronin vazhdimisht.
Sot, kur e shikoj atë periudhë nga distanca e kohës, mendoj se balanca më e mirë që arritëm të ruanim ishte kjo: nuk e sakrifikuam mesazhin fetar për hir të rrethanave politike, por as nuk e mbyllëm fenë brenda mureve të një diskursi të shkëputur nga jeta reale e njerëzve. Përpiqeshim ta bënim fenë burim force, urtësie, qëndrese dhe shprese për një popull që po kalonte nëpër një sprovë historike.
Në fund të fundit, misioni ynë ishte t'ua kujtonim njerëzve se edhe kur humbet shumëçka në këtë botë, nuk duhet të humbësh kurrë besimin te Zoti, dinjitetin njerëzor dhe shpresën për drejtësi. Pikërisht këto tri vlera na ndihmuan të mbijetonim si popull dhe si institucion në vitet më të vështira të historisë sonë të afërt.


Cili ishte vendimi më i vështirë që ju është dashur të merrni si kryeredaktor gjatë asaj periudhe?


Kur e kujtoj sot atë periudhë, e kam të vështirë të veçoj vetëm një vendim, sepse pothuajse çdo numër i revistës bartte me vete dilema, përgjegjësi dhe rreziqe të veçanta. Megjithatë, nëse do të duhej ta përmbledh në një vendim themelor, do të thosha se vendimi më i vështirë ishte të vazhdonim të flisnim dhe të shkruanim në një kohë kur shumëkush mendonte se heshtja ishte më e sigurt.
Në vitet e luftës dhe të represionit, çdo fjalë e shkruar peshohej ndryshe. Nuk ishte fjala vetëm për cilësinë e një apo për korrektësinë e një qëndrimi editorial. Çështja ishte shumë më e thellë: si të thuhej e vërteta pa i ekspozuar njerëzit ndaj rrezikut? Si të dokumentoheshin padrejtësitë pa rrezikuar mbylljen e mundshme të hapësirave që ende na kishin mbetur?
Vendimi më i vështirë ishte pikërisht ruajtja e kësaj balance. Të mos heshtnim, por as të mos lejonim që dhimbja e ligjshme të shndërrohej në gjuhë urrejtjeje. Të mos lejonim që revolta ndaj padrejtësisë të na largonte nga parimet që na mësonte feja jonë.
Me kalimin e viteve kam arritur në përfundimin se vendimet më të vështira nuk janë gjithmonë ato që shihen nga jashtë. Nganjëherë vendimi më i rëndë është të mbetesh besnik ndaj parimeve tua kur rrethanat të shtyjnë t'i braktisësh ato. Në atë periudhë, sfida jonë më e madhe ishte ta ruanim të vërtetën pa e humbur urtësinë, ta ruanim guximin pa e humbur maturinë dhe ta ruanim shpresën pa e mohuar realitetin.


Çfarë roli luajti fjala e shkruar në ruajtjen e shpresës dhe identitetit në atë kohë?


Kur një popull kalon nëpër trauma të mëdha, ekziston rreziku që përditshmëria e dhimbshme ta largojë nga kujtesa e vet historike. Fjala e shkruar e pengon këtë harresë. Ajo krijon lidhje dhe vazhdimësi ndërmjet së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes.
Sot, pas shumë vitesh, jam i bindur se një pjesë e rezistencës sonë kolektive është zhvilluar edhe nëpër faqet e librave, gazetave dhe revistave. Aty u ruajtën idetë, vlerat, kujtimet dhe shpresat e njerëzve. Aty u dokumentuan vuajtjet, por edhe qëndresa, Aty u dëshmua se një popull mund të plagoset rëndë, por nuk mund të mposhtet për sa kohë që ruan besimin, kujtesën dhe fjalën e lirë.
Për këtë arsye, besoj se fjala e shkruar nuk ishte thjesht një mjet komunikimi në atë kohë. Ajo ishte një strehë shpirtërore, një dëshmi historike dhe një urë shprese ndërmjet një të tashmeje të dhimbshme dhe një të ardhmeje që ende nuk shihej, por në të cilën ne vazhdonim të besonim.


Me distancën e sotme, cili është mësimi më i madh që ajo periudhë ju ka lënë juve personalisht dhe institucionit?


Koha ka një veçori të veçantë: ajo nuk i ndryshon ngjarjet që kemi përjetuar, por e ndryshon mënyrën se si i kuptojmë ato. Kur jeton brenda një stuhie, përpiqesh kryesisht të mbijetosh. Kur kalojnë vitet dhe e shikon atë periudhë nga distanca, fillon të kuptosh më qartë mësimet që ajo të ka lënë.
Personalisht, mësimi më i madh që kam nxjerrë është se forca e vërtetë e njeriut nuk matet në kohët e rehatisë, por në kohët e sprovës. Vitet e represionit dhe të luftës më mësuan se njeriu është shumë më i fortë sesa mendon, kur mbështetet te Zoti, te parimet dhe te përgjegjësia që ndien ndaj të tjerëve.
Një mësim tjetër i madh ka qenë vlera e institucioneve. Në kohë normale, ndonjëherë nuk e kuptojmë sa të rëndësishme janë ato. Mirëpo, kur vijnë kohët e krizës, kuptohet se institucionet serioze janë shtyllat që e mbajnë shoqërinë të qëndrueshme, Përvoja e "Diturisë Islame" më ka bindur se institucionet nuk ndërtohen vetëm me ndërtesa, me rregullore apo me buxhete. Ato ndërtohen me njerëz që besojnë në misionin e tyre dhe që janë të gatshëm të sakrifikojnë për to.
Për vetë institucionin, mendoj se mësimi më i madh ishte se misioni i tij është shumë më i rëndësishëm se rrethanat në të cilat vepron. Vlerat mbi të cilat ishte ndërtuar revista - dija, besimi, edukimi dhe shërbimi ndaj shoqërisë mbetën të njëjtat.
Një nga mësimet më të çmuara që kemi nxjerrë si institucion është se fjala e përgjegjshme ka jetë më të gjatë sesa zhurma e momentit.


Çfarë duhet të mësojë brezi i ri nga përvoja e "Diturisë Islame" gjatë viteve të luftës?


Brezi i ri ka sot një realitet krejt tjetër nga ai që kemi përjetuar ne në vitet e represionit dhe luftës. Jeton në një kohë lirie, zhvillimi teknologjik dhe qasje të pakufizuar në informacion. Pikërisht për këtë arsye, mendoj se mësimi nga ajo periudhë nuk duhet parë si nostalgji historike, por si një busull vlerash për të ardhmen.
Së pari, brezi i ri duhet ta kuptojë se liria nuk është një dhuratë që merret një herë e përgjithmonë dhe mbetet e garantuar pa përpjekje, Përvoja e "Diturisë Islame" në vitet e vështira tregon se liria e besimit dhe e identitetit është diçka që kërkon përgjegjësi, kujdes dhe mbrojtje të vazhdueshme. Ajo nuk ruhet vetëm me institucione formale, por edhe me vetëdijen e individëve që e çmojnë dhe e përdorin atë në mënyrë të drejtë.
Së dyti, është shumë e rëndësishme që brezi i ri ta kuptojë vlerën e fjalës së shkruar dhe të dijes së mirëfilltë. Në kohën tonë, informacioni qarkullon me shpejtësi të madhe, por jo gjithmonë me cilësi dhe përgjegjësi. Përvoja e "Diturisë Islame" na mëson se ka peshë, ka ndikim dhe mund të ndërtojë ose të shkatërrojë. Prandaj, çdo brez duhet të mësojë të dallojë mes informacionit të shpejtë dhe dijes së thellë, mes opinionit të çastit dhe të vërtetës së verifikuar.
Së treti, një mësim i madh është rëndësia e identitetit dhe e kujtesës historike. Një shoqëri që harron rrënjët e saj rrezikon të humbasë orientimin në të ardhmen.
Brezi i ri duhet ta kuptojë se moderniteti dhe identiteti nuk janë në konflikt me njëri-tjetrin, por mund të ecin së bashku nëse ndërtohen mbi dije dhe vetëdije të shëndoshë.
Prandaj, përvoja e "Diturisë Islame" gjatë viteve të luftës nuk është vetëm histori për t'u kujtuar, por një amanet për t'u ruajtur. Amanet që të mbetet e përgjegjshme, dija të mbetet e ndershme dhe identiteti të mbetet i gjallë në çdo kohë dhe në çdo brez.


Në një fjali: çfarë përfaqëson sot "Dituria islame" pas 40 vjetësh ekzistence dhe dinamike të shpejtë në trojet shqiptare?


Sot, pas 40 vjetësh ekzistence, "Dituria islame" përfaqëson një institucion të gjallë të dijes dhe kujtesës islame ndër shqiptarë, një tribunë të qëndrueshme të mendimit fetar, kulturor dhe shoqëror, që ka ruajtur vazhdimësinë e vlerave në kohë sfidash dhe ndryshimesh të mëdha historike, duke mbetur një referencë e besueshme për edukimin shpirtëror dhe intelektual të brezave.


 



Intervistoi: Mr. Driton Arifi


Nuk ka artikull pas ketij.