Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, përmes një letre zyrtare drejtuar Shkëlqesisë së Tij, Princit të Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, Muhamed bin Selman, ka dënuar ashpër sulmin ndaj qytetit të shenjtë të Medinës nga grupi terrorist "Huthi".
Në letër, Myftiu Tërnava e cilëson sulmin si akt terrorist që i kalon të gjitha vijat e kuqe. Ai e konsideron këtë sulm provokim të hapur ndaj ndjenjave të myslimanëve në mbarë botën dhe shkelje të rëndë të shenjtërisë së vendeve të shenjta islame.
Myftiu ka shprehur solidaritetin e plotë me Mbretërinë e Arabisë Saudite, me udhëheqjen, Qeverinë dhe popullin e saj. Ai ka shprehur gjithashtu mbështetjen për të gjitha masat dhe hapat që autoritetet saudite po ndërmarrin për t'u përballur me çdo veprim që cenon sigurinë, stabilitetin, sovranitetin dhe vendet e shenjta të Mbretërisë.