Të dyshosh do të thotë të kesh pasiguri në mendje për një gjë, të mendosh se je me faj, të jesh gati të besosh pa argumente të mjaftueshme, të hamendesh, të mos kesh besim në diç, të supozosh, të mos zësh besë, të mos jesh i sigurt, të dyshosh vërtetësinë e së vërtetës, të kesh besim të paqartë ose frikë për ekzistencën e dikujt.

Dyshimi nënkupton ndjenjë a gjendje e dikujt që dyshon ose që dyshohet. Ai është besim i pjesshëm ose i pasigurt, veçanërisht kur (mendohet se) diçka nuk është e saktë a që ndokush është me faj. Është mendim ose përshtypje se sipas të gjitha gjasave diçka nuk është në rregull, pa pasur ndonjë argument a dëshmi të qartë. Fjalë të ngjashme për dyshimin janë: Hamendja, pasiguria, mosbesimi, supozimi, skepticizmi e të tjera.
Islami nuk pëlqen t’u japim strehë mosbesimeve e dyshimeve rreth të vërtetave fetare, besimeve fetare, librave fetarë, të dërguarve të Zotit dhe për gjërat e çështjet për të cilat vetëm Zoti ka njohuri e që nuk dihen prej njerëzve. Islami po ashtu nuk pëlqen që pjesëtarët e tij t’u japin pritje mosbesimeve e dyshimeve të panevojshme e imagjinare (pa prova a dëshmi të qarta) vetëm në bazë të hamendjeve a supozimeve për sa i përket sjelljes, karakterit e veprimeve të shokëve të vet.

Argumente nga Kurani

1) “Ky është libri në të cilin nuk ka dyshim (sepse është nga Allahu), është udhëzues për ata që janë të devotshëm!” (Kuran, 2: 2).
2) “E në qoftë se jeni në dyshim në atë që Ne ia shpallëm gradualisht robit Tonë, atëherë sillni ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur'ani) dhe thirrni (për ndihmë) dëshmitarët tuaj (zotërat) pos Allahut, nëse jeni të sinqertë (në thëniet tuaja se Kur'ani nuk është prej Zotit)!” (Kuran, 2: 23).
3) “Shumica e tyre nuk ndjekin gjë, veçse hamendje. Nuk ka dyshim se hamendja nuk është asgjë përballë të vërtetës. Allahu di shumë mirë për atë që punojnë!” (Kuran, 10: 36).
4) “A nuk jeni të njoftuar me lajmin (ndodhinë) e atyre që ishin para jush, si populli i Nuhut, i Adit, i Themudit e edhe i atyre që erdhën pas tyre, që nuk di kush për ta, pos Allahut. Atyre u patën ardhur të dërguar me argumente, ata i vënin duart e tyre (në shenjë talljeje) në gojët e veta dhe thonin: “Ne e mohojmë atë me çka jeni dërguar dhe ne dyshojmë shumë në atë që ju na thërrisni”” (Kuran, 14: 9).
5) “Po ata, vetëm pasi që u erdhi e vërteta, nuk u përçanë për gjëkafshë, por nga zilia mes tyre. E sikur të mos ishte fjala (vendimi) e hershme nga Zoti yt për deri në një afat të caktuar, do të kryhej (dënimi) me ta. Nuk ka dyshim se ata që e trashëguan librin prej tyre (prej të parëve) janë në dyshim të thellë ndaj tij (ndaj librit, Tevrat e Inxhil)!” (Kuran, 42: 14).
6) “O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, meqë disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njëri-tjetrit, dhe mos përgjoni njëri-tjetrin! A mos vallë ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra e urreni! Kini frikë nga ndëshkimi i Allahut, e Allahu është mëshirues, Ai pranon shumë pendimin!” (Kuran, 49: 12).

Argumente nga Suneti

1. Ibën Mesudi [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se një njeri qe sjellë te Pejgamberi [alejhi selam]. Ai më pas pati informuar se një njeri kishte pirë (alkool) duke u bazuar në atë se mjekra e atij po kundërmonte atë aromë. Pejgamberi [alejhi selam] i tha: “Na është ndaluar t’ua gjejmë të metat të tjerëve. Mund ta ndëshkojmë dikënd vetëm nëse gabimi është i dukshëm, i hapur!” [Shënon ebu Davudi]
2. Ebu Hurejra [Allahu qoftë i kënaqur prej tij!] rrëfen se Pejgamberi [alejhi selam] ka thënë: “Kini dro nga dyshimi, sepse ai është gënjeshtra më e keqe! Mos gjurmoni pas të metave të të tjerëve! Mos përgjoni njëri-tjetrin, dhe mos u përvëloni pas asaj pas së cilës të tjerët tërbohen. Mos xhelozoni njëri-tjetrin dhe mos ushqeni armiqësi kundër të tjerëve! Mos mbani lidhje të ashpra me njëri-tjetrin! O adhurues të Allahut, vëllazërohuni!”
[Shënon Muslimi]



Përktheu nga anglishtja: Arsim Jonuzi, 11.01.2011
Shkëputur nga libri Kodi Social dhe Moral në Islam
Autor: Muhamed el-Kudri


Artikulli radhës
Leximi pas imamit

Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)