Në Gjermani, që nga vitet e 80-ta mbi 25.000 njerëz janë konvertuar në Islam. Familjet e tyre nuk reagojnë gjithmonë pozitivisht në këtë vendim. Teologët thonë se bindja është motivi kryesorë për ndërrimin e fesë.
Nikol kishte pak më shumë se 20 vjeç kur ka vendosur të bëhet muslimane. Nëna e dy fëmijëve thotë se „është rritur pa religjion, por me 14 vjeç kishte vendosur të kryqohet, sepse kishte filluar të interesohej për religjionin.“ Me kalimin e kohës, Nikol (28), nuk ishte më në gjendje të identifikohej me krishterimin. „Përgjigjet e priftit në të gjitha dilemat gjithmonë ishin: ’Kjo është thjesht ashtu’. Në Islam është e kundërta, çdo gjë është e shpjeguar. Njeriu për çdo gjë ka një përgjigje dhe një rregull.” Prindërit e respektojnë vendimin e saj. „Derisa nuk janë të detyruar të më shohin me shami, gjë të cilën nuk e durojnë, vendimi im është në rregull”, thotë Nikol. Ajo ndihet shumë mirë në atë që bën, sepse „kur njeriu di pse e bën një gjë, atëherë edhe mund t’i përmbahet rregullave”.
Martesa me musliman
Edhe Tulia (35) është konvertuar në Islam, por vetëm pas disa vite martese me një musliman. „Edukimi im nuk ka pasur kurrfarë kontaktesh me religjionin. Vetëm pasi që takova bashkëshortin, i cili vjen nga Siria, dhe i cili edhe vetë ngadalë filloi të interesohej për islamin dhe ta praktikoj atë, fillova të kuptoj se çfarë në të vërtetë do të thotë Islami.” Shumë nga vlerat që i predikon Islami, Tulia i njeh nga vetë familja e saj: „Sinqeritetin, edukatën, tendencën që tek njeriu gjithmonë ta shoh të mirën, këto vlera i kam mësuar nga prindërit qysh kur isha e vogël”.
Megjithatë, kjo grua në fillim e kishte vështirë ta kuptojë religjionin e bashkëshortit të saj. „Një herë, më tregoi për mrekullitë shkencore në Islam. Isha plotësisht e fascionuar. Nuk kisha mundësi që këtë t’ia shpjegoj vetës, në atë moment vendosa të bëhem muslimane”. Tulia ishte e befasuar me atë se si Kur’ani para 1400 viteve në mënyrë precize shpjegon zhvillimin e embrionit dhe atë pa pajisjet dhe njohuritë e sotme mjekësore.
Kalimi në fenë tjetër nga bindja
Monir Azaui nga Aheni në dhjetë vitet e fundit ka parë 300 raste të ndryshimit të fesë. Përvoja e tij tregon se njerëzit në Gjermani kalojnë në Islam, para se gjithash nga bindja. Kontaktet vendimtare vijnë nga shkolla, punë apo rrethin privat. Aty krijohen kushtet që të njihet më afër Islami, thotë Azaui. Ka edhe të tillë që konvertohen nga dashuria ndaj një muslimani, dhe kështu i pranon familja e tyre e ardhshme. Megjithatë, shumica e njerëzve konvertohen për shkak të bindjes. Nuk është i njohuri numrin i saktë i konvertuesve në Gjermani. „Për t’u konvertuar në Islam, nuk keni nevojë të regjistroheni askund”, thotë Azaui.
Salim Abdulah, ekspert për Islam, gjithashtu nuk mund t’i përmend numrat e saktë. Vlerësohet se në Gjermani rreth 25.000 persona janë konvertuar në Islam. Ai nuk mund të konfirmojë supozimin se femrat konvertohen për shkak të martesës me muslimanë: „Nga përvoja mund të them se femrat jetojnë 10-15 vjet në martesë me meshkujt e besimit musliman, dhe tek pastaj shkojnë në xhami dhe dëshirojnë të konvertohen në Islam.” Këtë e bëjnë, jo se janë të detyruara nga meshkujt, por nga bindja, sepse „feja islame lejon që muslimani të martohet me femrën e cila nuk është muslimane”, shpjegon Abdulah.
Konvertuesit si urë lidhëse
Megjithatë, ndodh që familja e ndonjë konvertuesi të ndërpres çdo kontakt me të.
„Kur dikush e ndërron fenë, shpesh ndodh që të jetë i vetmi në familje dhe kështu, normalisht, fillojnë grindjet. Prandaj ka shumë njerëz, të cilët kur konvertohen në Islam, në fillim e mbajnë për vete dhe gradualisht e përgatisin familjen për të vërtetën”, thotë Azaui. Klerikët muslimanë i mbështesin personat e konvertuar që t’i ruajnë kontaktet me prindërit e tyre. Në islam është shumë e rëndësishme që prindërit të respektohen dhe të vlerësohen. Monir Azaui nuk e sheh konvertimin vetëm si një kalim në një religjion tjetër. Pikërisht, roli i muslimanëve gjermanë është i rëndësishëm: „Personat e konvertuar mund të jenë urë lidhëse mes bashkësisë muslimane dhe shoqërisë. Ata shumë mirë flasin gjermanisht dhe e njohin kulturën gjermane”.