Bibliotekat e kohës së epokës së artë islame nuk janë hasur në ndonjë qytetërim apo kulturë tjetër.
Ato ishin të shtrira në të gjitha pjesët e territorit islam. Të dhënat historike dëshmojnë se gjurmë të këtyre bibliotekave janë gjetur kudo, duke filluar nga pallatet e princave myslimanë e për të vazhduar me institucione të tjera të rëndësishme kulturore e arsimore. Prania e tyre në qendra të mëdha administrative ashtu si edhe në zona tepër të izoluara, është një nga dëshmitë e forta për interesin e veçantë që popullata islame ushqente për dijen dhe fjalën e shkruar.
Llojet e Bibliotekave
Për rëndësinë dhe kapacitetin e tyre bibliotekat e periudhës civilizuese islame mund t’i rendisim si vijon:
Bibliotekat akademike: Këto janë bibliotekat më të famshme në qytetërimin islam, më e rëndësishmja e tyre konsiderohet Bejtul Hikma (Shtëpia e Urtësisë) në Bagdad e themeluar prej kalifit Me’mun er Rrashid.
Bibliotekat private: Këto biblioteka patën një shtrirje të gjerë në pothuajse të gjithë hartën e shtetit islam.
Ndër këto biblioteka përmendim: bibliotekën e kalifit Al-Mustansir, të El-Fet’h bin Hakan dhe bibliotekën e Ibn el Amijd, i cili, sikundër besohet, zotëronte një fond të çmuar që përfshinte një numër të madh veprash letrare e shkencore. Një bibliotekë tjetër e pasur gjatë kësaj kohe ishte ajo e gjyqtarit Ebul Mutrif, i cili kryesonte listën e elitës myslimane në Andaluzi sa i përket literaturës së grumbulluar.
Bibliotekat publike: Këto ishin qendrat që ruajtën në vazhdimësi trashëgiminë e njerëzimit dhe ekspertizën e tij historike, kulturore e shkencore. Ato ishin në dispozicion të masave pavarësisht shtresës apo statusit social.
Prej tyre përmendim: bibliotekën e madhe të Kordobës, e themeluar nga kalifi umejad Al-Mustansir (350 h / 961 e.r.). Ajo kishte një numër të konsiderueshëm punonjësish e hulumtuesish shkencorë që kujdeseshin për përkthimin e botimeve të vjetra dhe klasifikimin e tyre sipas rëndësisë. Ishte njëkohësisht vendi ku tuboheshin mendjet e ndritura të Andaluzisë, si dhe mjaft studiues evropianë që vinin e hulumtonin aty për shkak të dendësisë së botimeve dhe listës së gjatë të autorëve. Një bibliotekë tjetër e kësaj natyre ishte ndërtuar në Damask. Kjo bibliotekë kishte agjentët e saj në të gjithë botën myslimane. Ata kishin si detyrë evidentimin e kryeveprave të reja dhe grumbullimin e tyre pranë kësaj qendre.
Biblioteka numëronte 85 përkthyes që punonin vazhdimisht për përkthimin e botimeve të vjetra nga gjuhët e tyre origjinale në arabisht.
Bibliotekat e institucioneve arsimore: Shteti islam qysh në hapat e parë i dha rëndësi primare hapjes së shkollave publike, pasi me themelimin e tyre sigurohej edukimi dhe arsimimi i individit e i shoqërisë. Shkollat e para që u hapën në Irak, Siri, Egjipt, kurse më vonë edhe në vende të tjera, kishin bibliotekat e tyre brenda ambientit mësimor. Thuhet se shkolla Fadilijjeh në Kajro koleksiononte një fond prej 200.000 njësish librare. Sipas historianit Jekut el Hamaui, institucionet e para arsimore të njohura në botën islame posedonin biblioteka me një larmi titujsh dhe dyert e tyre ishin të hapura për të gjithë.
Bibliotekat e xhamive qendrore: Janë bibliotekat e para në historinë islame, pasi krijimi i tyre filloi paralel me ngritjen apo shtrirjen e objekteve të kultit.
Ndër to veçojmë: Bibliotekën e xhamisë së Az’harit në Kajro, bibliotekën e Xhamisë së Madhe në Kajravan etj.
Për kapacitetin e madh të dijes dhe qendrave hulumtuese në botën myslimane Gustav le Bon shkruan: “Në kohën kur librat dhe bibliotekat për evropianët nuk paraqisnin kurrfarë rëndësie, kalifati islam dispononte një numër të madh qendrash dhe bibliotekash madhështore.
Për ilustrim do të përmendim “Shtëpinë e Urtësisë” së Bagdadit, e cila numëronte 4 milion libra, biblioteka e Sulltanit në Kajro kishte 1 milion, biblioteka Tripoli (në Damask) kishte 3 milion libra, ndërsa në Spanjën myslimane për çdo vit publikoheshin rreth 80 mijë libra”.
Ky vështrim i shkurtër mbi historikun e bibliotekave në kulturën civilizuese islame, dëshmon qartë për rëndësinë dhe konsideratën që myslimanët si shoqëri kishin ndaj librit dhe dijes në përgjithësi.
Gerti Tabaku