Islami në Amerikë

Thomas A. Tweed



Nga skllevërit afrikanë deri te Malkolm X

Shumica e rrjedhave të historisë mbulojnë imigrantët që ndryshuan popullsinë e Amerikës gjatë gjithë shekullit XIX. Por, jo të gjithë imigrantët ishin evropianë apo të krishterë.

Kur të mendojmë për Islamin, nëse e bëjmë, mund të fitojmë imazhin e Denzel Washingtonit duke luajtur Malkolmin X të ashpër dhe të apasionuar në filmin e vitit 1992 të Spike Lee, apo mund të imagjinojmë Luis Farrahan në platformën e folësit në filmin Marshimi i një milion njerëzve, të vitit 1995. Disa mund të kenë hasur myslimanë të Lindjes së Mesme në lajmet e mbrëmjes, kryesisht si “fundamentalistë” dhe “terroristë”.

Disa mund të kenë takuar imigrantë myslimanë në lagjet e tyre. Por, myslimanët janë shumë më të ndryshëm se sa i tregojnë imazhet e përhapura, dhe historia e myslimanëve amerikanë është më e gjatë sesa mendohet, duke u shtrirë që nga dita kur anija e parë me skllevër zbarkoi në bregdetin e Virxhinias më 1619. Ajo mbartte dy grupe myslimanësh nga vende të tjera, që kishin imigruar në Amerikë me forcë apo me zgjedhje, dhe afro-amerikanët që krijuan sektet myslimane në shekullin XX.

Kështu, interesimi për praninë e Islamit në Amerikë ofron një perspektivë të re mbi disa çështje të rëndësishme (dhe të njohura) që do të përdoren për të organizuar këtë artikull:

1. Cila është historia e skllavërisë në SHBA?
2. Si i kanë rezistuar dhe si i janë përshtatur imigrantët kulturës amerikane?
3. Cilat ishin eksperiencat e afro-amerikanëve në qytetet veriore pas kësaj Shpërnguljeje të Madhe?
4. Si u është drejtuar Islami afro-amerikan marrëdhënieve racore që nga viti 1960?
5. A është tani Amerika një komb i krishterë?

Islami është një fe e larmishme dhe e vjetër në Amerikë, një fe që ka pasur prani të rëndësishme në SHBA

Në botë jetojnë mbi një miliard myslimanë, shumica prej tyre në Azi dhe jo në Lindjen e Mesme, ashtu si supozojnë shumica e amerikanëve. Ashtu si në Krishterim dhe Judaizëm, Islami (që është e dyta pas Krishterimit sipas numrit të pasuesve në gjithë botën), përfshin një numër të komuniteteve apo degëve. Dy grupet kryesore janë myslimanët suni, të cilët përbëjnë rreth 85% të myslimanëve, dhe myslimanët shi’i (apo shi’itët), të cilët vlerësohen në rreth 15% të popullsisë myslimane në gjithë botën. Të gjitha grupet tradicionale janë të përfaqësuara midis 5 milionë myslimanëve të SHBA-së, së bashku me disa lëvizje të reja që janë kultivuar në tokën amerikane.

Skllevërit myslimanë në Amerikë

Një përqindje e vogël po e rëndësishme, e skllevërve afrikanë, disa e kanë vlerësuar 10%, - ishin myslimanë. Një ngjarje interesante është ajo e Omer ibn Seid-it (gjithashtu “Sejdi” 1770-1864), i lindur në Afrikën Perëndimore në shtetin mysliman të Futa Toros (në bregun jugor të lumit Senegal, i njohur në ditët e sotme si Senegal). Ai ishte dijetar mysliman dhe gjithashtu tregtar, i cili për arsye të cilat historianët nuk kanë arritur t’i njohin, e gjeti veten të robëruar dhe u skllavërua. Pas një udhëtimi gjashtë javësh, Omeri arriti në Charleston, në Karolinën Jugore, rreth vitit 1807. Afro katër vjet më vonë, iu shit Xhejms Owenit në regjionin Cape Fear të Karolinës Veriore. Më 1819, një protestant i Karolinës Veriore i shkroi Francis Skot Key-t, një kompozitori, duke i kërkuar një përkthim të Biblës në gjuhën arabe për Omerin, dhe, si duket, Key ia dërgoi. Historianët debatojnë rreth faktit se në çfarë shkalle myslimani afrikan anoi nga Krishterimi në vitet e fundit të tij, por shënimet e Omerit në Biblën në gjuhën arabe, ku shpesh lavdërohej Allahu, na bëjnë të kuptojmë që ai ruajti një pjesë të madhe të identitetit të tij mysliman, siç bënë gjeneratat e para të skllevërve, emrat e të cilëve nuk i njohim ne. (Bibla në gjuhën arabe e Omerit, e cila është restauruar kohët e fundit, ruhet në bibliotekën e kolegjit Davidson (Davidson College), në Karolinën Veriore.

Myslimanët dhe emigrimi, 1878-1924

Shumica e rrjedhave të historisë përfshijnë emigrantët, të cilët ndryshuan popullsinë e Amerikës gjatë gjithë shekullit XIX. Por jo të gjithë emigrantët ishin evropianë apo të krishterë. Shumë ishin imigrantë kinezë dhe japonezë, të cilët praktikonin budizmin dhe tradita të tjera aziatike. Gjithashtu erdhën edhe me qindra myslimanë, dhe shumica e këtyre emigrantëve të parë myslimanë ishin arabë, nga ajo që më vonë u quajt Siria e Madhe.

Këta emigrantë sirianë, jordanezë dhe libanezë ishin punëtorë shumë pak të arsimuar, të cilët erdhën duke kërkuar stabilitet më të madh ekonomik. Shumë prej tyre u kthyen të zhgënjyer në vendlindjen e tyre. Ata që qëndruan, vuajtën izolimin, megjithëse disa prej tyre arritën të themelonin komunitete islame, zakonisht në vende të pashpresë.

Më 1920, imigrantët arabë kryenin lutjet në një sallë të marrë me qira në Cedar Rapids, në Iowa dhe 15 vjet më vonë ndërtuan xhaminë e tyre. Komunitetet libanezo-siriane bënë të njëjtën gjë në Ros, në Dakotën Veriore, dhe më vonë në Detroit, Pitsburg e Michigan City, në Indiana. Islami kishte ardhur në zemrën e Amerikës. Vala e parë e emigrimit të myslimanëve përfundoi më 1924, kur Akti për Përjashtime Aziatike dhe Akti për Emigrim Xhonson – Reed lejoi vetëm një rrymëzë të “aziatikëve”, siç ishte përcaktuar që arabët të hynin në SHBA.

Islami afro-amerikan në Veriun urban

Muhamed Aleksandër Web (1847-1916), një euro-amerikan, e shpalli veten si mysliman në Ekspozitën Botërore të Kolumbias në Çikago, më 1893, por konvertimet qenë më dominuese në mesin e amerikanëve me prejardhje afrikane, veçanërisht të atyre që ndoqën shpërnguljen e madhe të zezakëve jugorë në qytetet veriore, duke filluar në dekadat e hershme të shekullit XX.

Nobel Droe Ali themeloi një komunitet islamik të zezakëve nacionalistë, Tempulli Shkencor Murish, në Newark, Nju-Xhersi më 1913. Pas vdekjes së tij, më 1929, një prej fraksioneve e gjeti veten të joshur nga i mistershmi Wallace D. Fard, i cili u shfaq në Detroit më 1930 duke predikuar nacionalizmin zezak dhe besimin islam. Fardi themeloi Kombin Islam atje në të njëjtin vit.

Pas zhdukjes së pashpjegueshme të Fardit, më 1934, Elija Muhamed (1897-1975) mori udhëheqjen dhe i joshi të zhgënjyerit dhe afro-amerikanët e varfër nga Veriu urban. Ata u konvertuan për shumë arsye, por për disa, varfëria dhe racizmi në këto shtete e bënë mesazhin e Kombit të Islamit bindës rreth “djajve të bardhë” (dhe “superioritet zezak”).

Marrëdhëniet racore që nga 1960

Elija Muhamed fitoi një të konvertuar të rëndësishëm kur Malkolmi i Vogël (1925-1965) përqafoi fenë në një qeli burgu. Malkolm X, emri që e mori për të treguar trashëgiminë e humbur të tij afrikane, u bë një figurë publike gjatë viteve 1960, megjithëse u nda nga Kombi i Islamit para vdekjes së tij.

Pas vdekjes së Elija Muhamedit, më 1975, lëvizja u nda. Një degë, nën udhëheqjen e djalit të pestë të Elija Muhamedit, lëvizi më pranë besimeve dhe praktikave të Islamit, ashtu siç praktikoheshin në shumicën e botës. Ky grup, i cili më vonë do të ndryshonte emrin në Misioni Mysliman Amerikan, është lëvizja më e madhe islamike afro-amerikane. Shumë më i vogël, Kombi i Islamit, të cilin Misioni Mysliman Amerikan dhe grupet e tjera islamike e dënojnë si raciste dhe joortodokse, është shumë më i njohur për shumicën e amerikanëve.

Shumë myslimanë amerikanë pohojnë që Kombi i Islamit, i udhëhequr nga Luis Farrahan, nuk është përfaqësues i imigrantëve apo të konvertuarve në Islam në SHBA.

Myslimanët dhe emigrantët e rinj pas 1965

Pas vitit 1965 ndodhën ndryshime të rëndësishme demografike në Amerikë, në lidhje me myslimanët. Erdhën refugjatët palestinezë pas krijimit të Izraelit, më 1948.

Gjëja më e rëndësishme për historinë e Islamit amerikan, Akti MekKari-Walter i vitit 1952, lehtësoi sistemin e kuotës të vendosur më 1924, duke lejuar emigrim më të madh të myslimanëve.

Portat u hapën edhe më shumë pas rishikimeve të Ligjit për imigracionin në vitin 1965. Që atëherë, imigrantët myslimanë kanë nisur të iknin nga regjime tiranike në Egjipt, Irak e Siri dhe myslimanët nga Azia Jugore, si nga Pakistani, kërkonin mundësi më të mirë ekonomike. Deri në vitin 1990, myslimanët kanë ndërtuar më shumë se 600 xhami dhe qendra në gjithë SHBA-në.

A është Amerika një komb i krishterë?

Islami së shpejti do të jetë feja e dytë më e madhe në Amerikë, pas Krishterimit, nëse nuk është bërë tashmë.

Vlerësimet ndryshojnë shumë, dhe një vlerësim i matur është - 5 milionë myslimanë amerikanë më 1997, më shumë se Episkopalianët, Kukerët dhe Dishepujt e Krishtit.
Ashtu si reflektojmë mbi Islamin në Amerikë dhe risjellim historinë e skllevërve myslimanë dhe debatet e hershme rreth Amendamentit të Parë, ne pyesim nëse është Amerika komb i krishterë, ashtu siç e kanë deklaruar disa. A mund të zgjedhim një President mysliman? Nëse po, a do ta shohë këtë tokë si Jerusalem të Ri apo
do të bëjë betimin presidencial mbi Biblën e Krishterë, siç është traditë?




Përktheu nga anglishtja: Fuad Morina


Artikulli i kaluar
Islami në Haiti