Fjala e Reis-ulemas së BeH-së dr. Mustafa Cerić në Potoqar

Allahu i madhërishëm në Kuranin fisnik thotë:

“Thuaj: "Sikur të ishte deti ngjyrë për t'i shkruar fjalët e Zotit tim, deti (uji i tij) do të shterej para se të përfundojnë fjalët e Zotit tim, e edhe sikur të sillnim shtesë edhe një si ai (deti).” (El - Kehf, 109)
Dhe thuaju sot, këtu në Potoqar, djali im - thuaj sikur Drina, Sava, Una dhe Neretva të ishin ngjyrë dhembja ime, vuajtja ime, pikëllimi dhe dëshpërimi im ndaj jush, do të thaheshin lumenjtë e Bosnjës para se ju të mund ta kuptoni vuajtjen time, para se ju t’i kuptoni plagët e mia, para se të doni t’i mënjanoni gjurmët e gjenocidit kundër popullit tim dhe të mundësoni që të kthehen në shtëpinë time, në jetën time, fenë, lirinë, pasurinë dhe nderin tim.
Dhe thuaj, djali im, ngase ju më keni tradhtuar se ju më keni lënë, dhe ju nuk më keni lejuar të mbrohem, nuk më keni mbrojtur nga gjenocidi për arsye se jam Boshnjak mysliman.
Qoftë i lavdëruar dhe falënderuar Allahu i cili thotë në Kuranin fisnik:
“Sikur të gjithë drutë në tokë të jenë lapsa dhe sikur detit t'i shtohen edhe shtatë dete (e të jenë me ngjyrë), nuk do të mbaronin fjalët e All-llahut (do të shteroheshin detet, do të soseshin lapsat, e jo mrekullitë e Zotit). All-llahu është ngadhënjyesi i urtë.” (Llukman, 27)
Dhe thuaj, djali im, edhe njëherë sikur drunjtë në tokën e Bosnjës të jenë lapsa, dhe në lumin e Bosnjës të derdhen edhe shtatë lumenj për të shkruar fjalët e mia të dhembjes dhe pikëllimit për më të dashurit e mi, që i ëndërroj, për të cilët shpresoj të cilëve sot në Potoqar ua fal xhenazen dhe pyes deri kur do të jem në duart e pamëshirshme dhe të padrejta të vrasësve të baballarëve, axhallarëve, dajës, vëllait, dhe shokut tim. Deri kur fëmijët e popullit tim do të mësojnë në shkolla që vrasësit e tyre janë heronj, e që vëllezërit e tyre për shkak të fesë dhe kombit janë të padëshirueshëm që nuk kanë kurrfarë të drejta.
Nuk ka qenie të kuptueshme njerëzore, nuk ka njeri moral në botë i cili mund të kuptojë që të vdekurit në Srebrenicë duhet të luten për mëshirë atyre për të cilët dihet se u kanë vrarë prindërit.
Nuk ka kurrfarë arsyetimi që njerëzit e viktimizuar të gjenocidit në Srebrenicë duhet të frikësohen nga ajo se kush do t’u caktojë fatin dhe sigurinë në qytetin e tyre, në shtëpinë e tyre.
Nuk ka shpjegim moral përse varret e dëshmorëve këtu në Potoqar dhe tërë qyteti i Srebrenicës nuk shpallet vend i shenjtë, ku gjeneratat e ardhshme të Evropës dhe tërë botës duhet të mësojnë që asnjëherë më mos të përsëritet Holokausti dhe gjenocidi në tokën e Evropës.
Të dashur vëllezër dhe motra, mos thuani se është rëndë me qenë i mirë, dhe se është vështirë të jetosh me nder. Rëndë është me qenë i keq dhe të jetosh pa nder. E mira është e thjeshtë, sepse është e natyrshme dhe njerëzore. E keqja është e gjerë, sepse nuk është e natyrshme. Nevojitet shumë përpjekje për t’u bërë i keq se sa njeri i mirë. Njeriu i keq nuk është i qetë. Njeriu i mirë është i qetë dhe stabil. Kur mendon se fiton, njeriu i keq humb. Kur mendon se humb, njeriu i mirë ngadhënjen.
Për këtë, popull po e bëjmë një lutje:
Të lutemi Zot,
që pikëllimi të bëhet shpresë,
që hakmarrja të bëhet drejtësi,
që loti i nënës të bëhet lutje,
që asnjëherë dhe askujt mos t’i përsëritet Srebrenica!
O Zot, bëhu me ne, e jo kundër nesh!
O Zot, me lumturi na përfundo jetën tonë, rriti shpresat tona, me shëndet ditët dhe netët tona dhe pritjet tona regjistroji në mëshrën Tënde, ujiti mëkatet tona me faljen Tënde, na mundëso t’i përmirësojmë të metat tona, na rrit adhurimin tonë, na dhuro dituri që të lexojmë shenjat e rinj, ne te Ti shpresojmë dhe te Ti mbështetemi!
O Zot, na forco në rrugën e drejtë, na shpëto prej mëkateve për të cilat do të pendohemi ditën e Gjykimit, na lehtëso vështirësitë e dynjasë, na furnizo me jetën e të ndershmërve dhe njerëzve fisnik, na liro dhe na largo nga e keqja e zullumçarëve, mos na largo nga mëshira prindërit tanë, nënat, vëllezërit dhe motrat tona. Na ruaj nga zjarri, o i Përsosuri, Gjithëmbrojtësi, o i Gjithëdijshëm dhe i Plotfuqishëm.
Për hir të këtyre shehidëve këtu të lutemi, o Zot, na fal mëkatet tona, që brenga të ndërpritet, që frika të largohet, që varfëria mos të na përcjellë, që skamja mos të na sheh, që të mos na përfshijë përtacia, që miqtë tanë mos të na harrojnë, që armiku ynë të mos na dëbojë, që tradhtarët mos të na shesin, që njeriu ynë të jetë i lirë, që atdheu ynë të jetë krenar, që vatrat tona të jenë të sigurta, që shoqëria të jetë e ndershme, që kthimi ynë në shtëpi të jetë i suksesshëm, që lufta për të vërtetën dhe drejtësinë të jetë e vazhdueshme, që bashkimi në fe të jetë me dëshirë me fqinjët.
O Allah, o Allah, o Allah, o i Gjithëmëshirshëm, Ti që je fillimi për të gjitha fillimet dhe i fundit për të gjithë fundet, Ti je i Plotfuqishëm, Ti që je i mëshirshëm ndaj të pafuqishmëve, të mjerëve, Ti që je më i mëshirshmi nga gjithë mëshiruesit, Ti je Allah, nuk ka zot pos Teje, qoftë lavdia për ty, ne jemi të padrejtë ndaj vetes, o Zot.
Qoftë paqja dhe bekimi mbi Muhammedin a.s., mbi familjen e tij dhe shokët e tij, dhe lutja ynë e fundit të jetë: Falënderimi qoftë për Zotin e botëve.



Përktheu dhe përshtati:
Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi