Kontributi i përkthimit të Kur’anit në kulturën shpirtërore islame dhe tradicionale shqiptare

“Ne nuk kemi dërguar asnjë pejgamber, që ai, për t’ia shpje­gu­ar të mos ketë folur me gjuhën e popullit të vet.” (El-Kur’an, Ibra­him: 4)

“Shqiptari do të mbesë shqiptar, edhe nëse është be­sim­tar mu­sliman” (F. Mehdiu)

Hyrje

Në traditën[1] islame të komentimit të Kur'anit (tef­si­rit) ështe e pranishme teza se Zoti duke e larguar njeriun nga xhenneti në tokë, bijtë e Ademit (Benu Adem) nuk i pri­voi nga përudhja dhe mëshira hyjnore. Ai nga am­shu­esh­mëria e Tij çdo populli ia zbriti (tenzil) në gjuhën e tyre fjalën e vet (kelimetu’ll-llah) nëpërmjet të të dërguarve (ru­sul) të tij[2]. Ngjashëm me shumë shpallje të më­par­shme, Kur'ani iu shpall Muhammedit a. s. në gjuhën e pas­­tër arabe për mba­rë njerëzinë. Kjo njëherit ishte mby­llje përfundimtare e cik­lit të shpalljeve të de­ri­a­të­her­shme.[3]
Me daljen në botën fenomenale, në hapësirë e kohë, Kur'a­ni inicoi transformimet më të mëdha në historinë e de­ria­tëhershme njerëzore. Ai ishte bosht i çdo lëvizjeje në rrafshin fetar, moral, politik, ekonomik e social si ndër arabët ashtu edhe më gjerë. Po ashtu, ai ishte faktor inte­grues në botën arabe, arabo-islame dhe islamo-isla­me duke marrë parasysh tërë heterogjeninë e diversitetin po­litik, ekonomik, social e fetaro-kulturor. Kur'ani kër­kon përparim të vazhdueshëm cilësor, sasior e dinamik. Mirë­po, përkundër kërkimeve të shumta, ndikimi i Kur'a­nit në zhvillimin e mendimit njerëzor është i pahu­lum­tueshëm sa duhet dhe së këndejmi edhe i pavlerësuar në më-nyrë meritore.
Aspekte të perceptimit të Kur’anit
Historiku i Kur'anit nga shekulli VII e deri në she­ku­llin XXI ofron një trashëgimi mjaft të pasur, e cila në thelb karakterizohet me tri pikëpamje morfologjike të dife­ren­cuara qartë në aspekt të perceptimit të tij.
Këto janë:
a. Shkathtësia e recitimit të Kur'anit (kiraeti)
apo përkthimi i Kur'anit për veshin njerëzor
Perceptimi i Kur'anit nëpërmjet shqisës së të dëgjuarit pa dyshim është më i vjetri. Meqë etimologjikisht fjala Kur’an do të thotë recitim, pasi që Kur’ani është libër që re­citohet dhe libër që dëgjohet[4] ai para së gjithash i drej­tohet veshit, dëgjuesit e jo lexuesit.[5] Aftësia dë­gju­e­se e njeriut në rrëfimet kur’anore është glorifikuar më shu­më se çdo shqisë tjetër e njeriut.[6] Edhe mësimet antro­pologjike në Islam në përgjithësi e kanë lavdëruar shqi­sën e të dëgjuarit. Orientalisti D. Tanaskoviq aspe­k­tin e ‘recitimit’ e përshkruan në këtë mënyrë: “Është men­dim i përgjithshëm se pjesa më e madhe e magjisë kur’anore buron pikë­risht nga gjuha, më saktësisht nga organizmi i veçantë i gjuhës së diskursit profetik të Muhammedit. I potencuar me rregullat e për­punuara dhe në mënyre precize të përcaktuara të ‘leximit’ (recitimit ritual), ky organizim fonik bën që edhe fjalia më e thje­shtë të fitojë oreolë çudibërëse në perceptimin auditiv, që ftesa pesë herë në ditë e përsëritur stereotipe nga minarja çdoherë bën te njeriu efek­­te rrëqethëse.”[7] Ky është aspekti i parë i veçuar mor­fo­lo­gjik i perceptimit të Kur’anit, si në kohë ashtu edhe në ha­pë­sirë. Ai është më i përhapuri dhe është inherent për re­li­gji­o­zi­te­tin popullor, …me efekte të fuqishme emo­ci­o­na­le, me va­riabilitet të fuqishëm të zanoreve, e herë-herë edhe të bashkëtingëlloreve[8], apo siç e pohon këtë inte­lek­tuali mu­sliman S. H. Nasr “Muxhizja (mrekullia) e Kur’a­nit zë fill në posedimin e gjuhës i cili në mënyrë efikase prek shpir­trat e njerëzve deri në ditët e sotme …”.[9]
b. Shkathtësia e shkrimit të Kur’anit
apo përkthimi i Kur’anit për syrin njerëzor
Aspekti i dytë i perceptimit të Kur’anit është të shkru­arit e Kur’anit. Qysh në fazën boshtore, formative të Isla­mit, krijohen vepra interesante artistike në papirus, rra­sa (pllaka) guri, lëkurë të përpunuar e të tjera. Shkrimi i Kur’anit në Islam konsiderohet i shenjtë, akt devotsh-më­rie.[10] Nga kjo traditë është krijuar arti islamik i cili ka mani­festuar karakterin e vet të mono-teizuar. Kon­si­de­ro­het se të shkruarit e Kur’anit si akt artistik ka arritur që në­përmjet formave poli-forme të ngjyrave, dritës dhe hijes, ta paraqesë monoteizmin kur’anor në mënyrë vizuele (Kul huva’ll-llahu ehad).[11]
Kur’ani në diskursin e tij e quan veten libër “të dri­tës” (nur), që ka ndikuar në krijimin e lojërave të ndrysh­me të dritës dhe hijes në artin islam, si edhe në shpër­fill­jen e funksionit statik në arkitekturën e tij. Pasi që drita nuk është statike, por vazhdimisht lëviz, funksioni statik nuk mundi të mbijetojë më gjatë në arkitekturën lindore isla­me, sepse kjo artitekturë paraqet materializimin e shkro­njave kur’anore dhe të formave të tyre të ndrysh­me.[12]
Po ashtu, arti islam në përgjithësi dhe arti i shka­thtë­si­së së shkrimit të Kur’anit apo të përkthimit të Kur’anit për syrin njerëzor karakterizohet edhe me abstraktivitet. Kjo karakteristikë mbështetet në konceptin kur’anor mbi Zo­tin, siç paraqet arabeska fotografinë pa figurë dhe një-ko­hësisht paraqet negacionin e fotografisë në “kuptimin evro­pian”.[13]
c. Shkathtësia e komentimit të Kur’anit
Aspekti i tretë i perceptimit të Kur’anit i shënuar me fja­lën komentim, duke mbetur në tezën traditio inter­pr­e­ta­ti­va, sa i përket Kur’anit, është përkthimi i Kur’anit në his­to­ri dhe anasjelltas, përkthimi i historisë në arketipin kur’a­nor.[14]
Kur’ani si libër i hapur, i përshtatshëm për inter­po­lim, ekstrapolim, deduktim (te’mim), induktim (tahsis) dhe për aktivitetet tjera të frymës dhe shpirtit njerëzor gja­të historisë 14-15 shekullore, është kuptuar si litera­tu­rë mitike[15], historike[16], filozofike[17] dhe më së shpeshti si literaturë teologjike, sipas së cilës diskurs i saj është Fja­la e Zotit, shpallja, Ligji i Zotit dhe Fjala dërguar Mu­ham­medit si instrument i shpalljes i cili e kishte për obli­gim ta komunikonte shpalljen e Zotit.[18]
Disa këtë konceptim të Kur’anit e kanë klasifikuar në: tradicional, dogmatik, mistik, sektar dhe moder­nist[19], kurse disa të tjerë në: narrativ, juridik, tekstual, re­to­rik, alegorik[20] e në shumë lexime tjera.[21]
Në këtë mënyrë, veshi, syri dhe mendja në të per­cep­tuarit kur’anor gjatë historisë 14 sheku-llore kanë dhu­­ruar trashëgimi interesante, që mund të krahasohet me mu­zikën, pikturën, ekzo-gjezën dhe hermeneutikën në kul­turat tjera, thënë kushtimisht, jashtë traditës mu­sli­ma­­ne.[22]
Kur’ani, ndonëse vetë nuk është vepër letrare ngja­shëm me shumë vepra letrare kulminante, ka pasur mi­jë­ra përkthime, që kanë provuar të marrin nga ai sa më te­për dhe të lënë nga ai të papërkthyer sa më pak”.[23]
Popujt evropianë, ku bëjnë pjesë edhe shqiptarët, me­sazhin kur’anor e lexojnë nëpërmjet dhjetëra për­kthi­me­ve në anglisht, gjermanisht, frengjisht, shqip[24], në­për­mjet përkthimeve të vjetra e të reja, nëpërmjet për­kthi­me­ve nga origjinali apo tërthorazi, nëpërmjet për­kthi­me­ve të bëra nga muslimanë apo nga jomuslimanë, nëpër­mjet përkthimeve të suksesshme apo përkthimeve he­re­ti­ke etj.
Nga pikëpamja e teorisë së perceptimit mbetet e ha­pur çështja se sa janë të ndryshëm e të llojllojshëm të gji­tha ato përkthime të shumta, pasi që ofrojnë vetëm disa as­pekte të Kur’anit: veçoritë e tij poetike apo magjike, the­llësinë teologjike apo filozofike, proveniencën kon­ser­vative apo moderniste, mesazhin determinist apo in­de­terminist, shi’it-imamologjik, ehli-sunnetik/tradici­o­na­list, mu’tezilist/racionalist ose ndonjë shkollë tjetër filo­zo­fiko-teologjike të leximit dhe të komentimit të Kur’a­nit.[25]
Çdo përkthim i Kur’anit fikson vetëm disa dome­thë­nie dhe kuptime për të cilat përkthyesi e konsideron se duhet afirmuar, aktualizuar dhe përcjellë në gjuhën e vet. Po ashtu, çdo përkthim është edhe eksterierizimi i Kur’a­nit, bashkëkohëzimi i tij dhe historicizimi i arke­ti­pit (mus’haf’ul-imam) të tij. Së këndejmi, është inte­re­sant të përcillet rezistenca kundrejt përkthimit dhe ko­men­timit të Kur’anit nga gjuha e origjinalit në gjuhën e për­kthyesit.[26]
Përkthimi i Kur’anit në kulturën
shpirtërore islame shqiptare
Në trojet shqiptare kërkesa për përkthim të Kur’anit dhe rezistenca kundrejt përkthimit të Kur’anit është pa­ra­qitur mjaft vonë, kah fundi i shekullit XIX me Naim Fra­shërin[27] në fillim të shekullit XX e më vonë. Dis­ku­ti­met e polemikat që janë zhvilluar e që po zhvillohen edhe tash më tepër janë jehonë e polemikave të zhvi­llu­a­ra në botën islame (arabe, turke e boshnjake) e herë-herë edhe polemika per se, kurse më pak për ndonjë interes fetar, kulturor dhe shkencor.[28]
Mirëpo, në këtë vorbull debatesh, polemikash e dis­ku­timesh, nuk shtrohet më pyetja: a të përkthehet apo jo Kur’a­ni, por diskutimi zhvillohet në drejtim të pyetjes si të bëhet kjo punë më mirë e më me sukses. Ndonëse për­kthi­met e para të Kur’anit në gjuhën shqipe u paraqitën në fund të shekullit XIX, ai i pjesërishëm i Naim Fra­shë­rit me titull “Thelb i Kur’anit” në librin “Mësimet”, Bu­ku­resht, 1894[29] dhe në fillim të shekullit XX,[30] megjithatë deri për përkthimin e parë të plotë, që deri sot e dimë, pri­tëm deri më 1985, kur u botua përkthimi i Feti Meh­di­ut[31]. Ishte ky çast me rëndësi si për autorin ashtu edhe për vetë përkthimin, për bashkëpunëtorët, botuesin, si edhe për tërë kulturën islame shqiptare dhe kulturën në për­gjithësi, sepse me këtë botim populli shqiptar hyri në ra­dhën e rreth 80 gjuhëve botërore që e kanë përkthyer Kur’anin në gjuhën e tyre.
Siç e dimë, Kur’ani në trojet tona, që nga koha para­os­mane joinstitucionalisht, por shpesh edhe ilegalisht,[32] e deri në ditët tona ka ndërtuar e ngritur një kulturë të ve­çantë në sferën e besimit, edukimit, arsimimit, në kul­tu­rën e ushqimit, banimit e të veshmbathjes, në raportet ndaj njeriut në përgjithësi, ndaj Krijuesit, gjallesave të duk­shme e të padukshme, botës së faunës dhe florës e të ngja­shme. Kjo kulturë apo ky botëkuptim specifik ka ndi­kuar që populli shqiptar të mbrohet e të ruhet nga asi­milimi sllavo-ortodoks, heleno-bizantin dhe romano-ka­tolik.[33] Ndonëse këto fakte janë të qarta edhe për të ver­bëtit, qarqe të caktuara intelektualësh dhe thuajse tërë hie­rarkia kishtare katolike ndër ne këtë realitet përpiqen ta injorojnë dhe ta paraqesin gjendjen krejtësisht tjetër, pra të kundërt.[34]
Krahas kontributit të lartpërmendur, Kur’ani dhe për­kthimi i tij në gjuhën shqipe paraqet çështje me rën­dë­si edhe në disa rrafshe të tjera:
- Kur’ani si fjalë e All-llahut me mesazh gjithënjerëzor u dedikohet të gjitha shtresave të popullit: intelektualit, nxë­nësit, studentit, luftëtarit, bujkut, tregtarit, pra të gjitha gjinive, moshave, racave e strukturave sociale. Ai i inte­groi këto shtresa në besim, në rituale, si dhe në rraf­shin social e kulturor me shumë popuj të botës. Populli shqip­tar me përkthimin e Kur’anit hyri në gjirin e një tra­shëgimie madhështore që e krijuan popujt muslimanë në të kaluarën;
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe letrare stan­dar­de, kontribuoi fuqishëm në integri-min e popullit shqip­tar në aspektin fetar, kulturor e shkencor. Ai di­a­lek­tet e shqipes i shkriu në tërësi me sukses dhe ndihmoi edhe më në standardizimin e gjuhës së shkruar e të folur (li­gjëratave - vazeve, këshillave - hutbeve etj.). Po ashtu ai ndikoi edhe në frymëzimin dhe shkrimin e shumë kri­ji­meve në prozë, poezi, dramë dhe gjini tjera letrare gjatë she­kujve. Shembulli më i mirë është krijimtaria e bej­te­xhi­njve (alhamiade) e rilindasve dhe më vonë deri në di­tët tona;[35]
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe popullin shqip­tar dhe kulturën e gjuhës së tij e futi në analet ndër­kom­bëtare, si në Lindje ashtu edhe Perëndim. Me këtë u dëf­tua se gjuha shqipe është e denjë për përkthimin e vep­rave më të mëdha njerëzore, pra edhe për përkthimin e Kur’anit. Hyrja e përkthimit shqip të Kur’anit nëpër ka­talogë, doracakë e enciklopedi botërore është një ngja­rje e llojit të vet;[36]
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe ka luajtur dhe po luan rol shumë të rëndësishëm për studimet islame në gjuhën shqipe. Disa dhjetëra vepra origjinale nga au­to­rët tanë dhe disa qindra përkthime në gjuhën shqipe për­dorin kryesisht njërin prej tre përkthimeve[37] ekzis­tu­e­se te ne. Në këtë mënyrë është lehtësuar puna në për­kthim, janë unifikuar sadopak qëndrimet dhe janë zvo­gë­luar mundësitë për të gabuar gjatë përkthimeve të aje­te­ve kur’anore;
- Përkthimi i Kur’anit në gjuhën shqipe, më në fund kon­tribuoi edhe në një pikëpamje tjetër - sepse e hoqi fri­kën se a ka potencial leksikor-semantik gjuha shqipe për t’i përkthyer veprat kapitale botërore (si p. sh.: Kur’a­nin, Biblën, Epin e Gilgameshit, etj.). Po ashtu, për­kthi­mi i tij e hoqi frikën se, siç e shprehu këtë intelektuali dhe përkthyesi Feti Mehdiu, shqiptari do të mbesë shqiptar, edhe nëse është besimtar musliman.[38] Këtë e pohojmë për ar­sye se shumë intelektualë muslimanë të tokave shqiptare, të shtypur e të ndrydhur nga kompleksi i inferioritetit si pa­sojë e mosnjohjes së fesë së vet, ndonëse intimisht e ndi­ejnë veten muslimanë, publikisht shtiren tjetërfare.[39]
Shtojcë:
Disa teza rreth përkthimit dhe
përkthyeshmërisë së Kur’anit në gjuhë të tjera
1. Përkthimi i Kur’anit nuk mund t’i përcjellë sy­ni­met qenësore të fjalëve të origjinalit kur’anor për shkak të konvencioneve religjioze, mitologjike, socio-kulturore e të tjera në të kuptuarit e leximit të Kur’anit në gjuhën ara­be dhe botën islame. Për këtë arsye, para përkthimit as nuk mund të shtrojmë kërkesa përfundimtare;
2. Përkthimi i Kur’anit në gjuhë të tjera mund të për­cjellë shumë ide të origjinalit. P. sh.: Një Zot (All-llahu ehad) është togfjalësh që mund të përcillet pa shumë vë­shti­rësi në shumë gjuhë;
3. Përkthimi i Kur’anit është i pamundur të lexohet si origjinal për shumë arsye: teologjike, etimologjike etj.;
4. Përkthimi i Kur’anit bën të lexohet pikërisht si për­kthim e jo si origjinal, sepse përkthimi, pos tjerash, ësh­të dialog i Kur’anit dhe i situatës historike (ekzistenciale) të përkthyesit dhe medoemos bart në vete gjurmët e këtij ballafaqimi. Sikur që nuk ekziston lexim për­fun­dim­tar, ashtu nuk ekziston as përkthim korrekt për­fun­dim­tar;
5. Përkthimi rrallëherë mund ta arrijë sugjestivitetin e origjinalit kur’anor, ritmicitetin, onomatopenë dhe bu­ku­rinë e tij. Veçanërisht rima humbet edhe në për­kthi­met më të suksesshme;
6. Pasi që ekzistojnë përkthime të ndryshme të Kur’a­nit, ata dëftojnë edhe stilet e ndryshme të për­kthy­es­ve. Përkthimi i Kur’anit gjithnjë e përmban dhe e ema­non stilin e përkthyesit.
7. Përkthimi i Kur’anit duhet lexuar si bashkëkohës i për­kthyesit e jo si bashkëkohës i Urtexit të shekullit VII. Sikur që tefsiret e Kur’anit i kuptojmë si bashkëkohës të mu­fesirit, ashtu edhe përkthimet e Kur’anit duhen kup­tu­ar si bashkëkohës të përkthyesit.
8. Përkthimi i Kur’anit megjithatë duhet lexuar edhe si vepër e vetë përkthyesit. Stilizimet e gjera të Kur’anit ofroj­në shumë mundësi që ndonjë fjalë e tyre të spe­ci­fi­ko­het, të reduktohet dhe të fiksohet në zgjidhjen një­ka­hë­she përkthyese, por me këtë nuk përcillet tërë kuptimi. Ësh­të problem i shpeshtë si të veprojmë atëherë kur një term kur’anor ta përkthejmë me zgjidhjen përkthyese që ka “shtrirje më të gjerë kuptimore”, përkatësisht si të vep­rojmë kur nuk kemi zgjidhje ekuivalente.[40]
Këto dhe shumë pyetje të tjera janë të hapura, sikur edhe vetë çështja e përkthyeshmërisë së Kur’anit, por e shoh të arsyeshme ta them atë që e kanë thënë edhe të tjerët para meje, se Kur’ani nuk mund të përkthehet, por ai pa­tjetër duhet provuar të përkthehet. Mrekullia e Kur’anit qën­dron edhe në atë që fton ta imitojmë, por na bën të ditur se nuk mund t’ia kalojmë gjithanshmërisë së tij.


________________________
[1] Kumtesë e lexuar në Tryezën e rrumbullakët të mbajtur në Bibliotekën Po­pu­llore Universitare të Kosovës në Prishtinë më 27. 04. 2000, e organizuar nga Shoqata Humanitare Bamirëse “Urtësia” me rastin e promovimit të për­kthi­mit të Kur’anit në gjuhën shqipe nga prof. dr. Feti Mehdiu, botimi II, me titull: Kur’ani dhe hija e tij shqip, Shkup – Stamboll, 1999. Këtu botohet me disa plotësime.
[2] “Ne nuk kemi dërguar asnjë pejgamber që ai, për t’ia shpjeguar të mos ketë folur me gju­hën e popullit të vet…” (El-Kur’an, XIV, 4); “…dhe çdo popull ka një udhë­rrë­fy­es.” (El-Kur’an, XIII, 7); “Çdo popull ka pasur një pejgamber…” (El-Kur’an, X, 47); Gjerësisht shih: Enes Karič, Semantika Kur’ana, Sarajevë, 1998, fq. 556-559.
[3] Muhammedi a. s. është përfundim i pejgamberëve dhe Kur’ani është për­fun­dim i shpalljes hyjnore : “Muhammedi …është i dërguar i All-llahut dhe vulë e pej­gamberëve….” (El-Ahzab, 40); “…Sot jua kam përsosur fenë tuaj dhe e kam plo­tësuar dhëntinë time ndaj jush, dhe jam i kënaqur që feja Islame të jetë fe e juaj…” (El-Maidetu, 3).
[4] Enes Karič, Tefsir, Uvod u tefsirke znanosti, Sarajevë, 1995, fq. 17 e pas.
[5] Darko Tanaskovič, Kur’an, në: Mogučnosti – časopis za književnost, umje­t­nost, i kulturne probleme, nr. 8-9/1979, Split, Kroaci, fq. 880.
[6] Shih disa ajete kur’anore që favorizojnë dhe glorifikojnë shqisën e të dë­gju­arit në krahasim me shqisën e të parit dhe zemrën: “…Ai është që juve ju pa­jis edhe me dëgjim, me të parit e me zemër,…”. (Es-Sexhdeh, 9); “…Ai është që ju kri­joi, ju dhuroi të dëgjuarit, të parit dhe mendjen…”. (El-Mulku; 23 e ajete të tjera.)
[7] Darko Tanaskovič, op. cit., fq. 880.
[8] Më gjerësisht: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, Zagreb, 1990, fq. 17 - 20.
[9] Sejjid Husein Nasr, The Qur’an – the Word of God, the source of knowledge and ac­tion, (Kur’ani – fjalë e Zotit, burim i dijes dhe i veprimit), në: Enes Karič, Kur’an u savremenom dobu, I, Sarajevë, 1997, fq. 67 – 92.
[10] Ajo që në kristianizëm konsiderohet me pikturimin e ikonave, në Islam ësh­të shkrimi i Kur’anit … Shih: S. H. The Qur’an …, op. cit., fq. 78 - 79.
[11] Ibid., fq. 19 - 30.
[12] Sipas: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 20 –21.
[13] Husref Redžič, Islamska umjetnost, Zagreb, 1982, fq. 20, sipas: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 21. Arti islam me abstraktivitetin e tij zë fill me Zotin, i cili nuk mund “as të mendohet as paraqitet me çfa­rë­do vije të përbashkët me njerëzit apo me qeniet tjera të gjalla. Andaj synimi që të mos pikturohet, vizatohet, të punohet figurë, e as të fiksohen qeniet, qof­shin ato konkrete dhe reale apo nga imagjinata dhe të gjallëruara nga mi­ti, sepse sipas filozofisë pereniale kur’anore detyra e njeriut nuk është ta kri­jo­jë bukurinë, por që ta përkthejë, ta çlirojë dhe ta bëjë evidente, apo, siç e shpreh këtë Titus Burkhart “Në koncepcionin islam, në kuptimin më të gjerë, arti ësh­të metodë e fisnikërimit të materies.” (Titus Burkhart, Osnove muslimanske umjet­no­sti, Delo – časopis za teoriju, kritiku i poeziju, Beograd, nr. 7/ 1978, fq. 46.
[14] Edhe shkrimtari i madh botëror gjerman (disa thonë se në heshtje e ka për­qafuar islamin) J. V. Gëte ka vërejtur se Kur’ani gjithnjë ka qenë në fo­kus të interesimeve më të ndryshme dhe se traditio interpretativa ka ecur kra­has traditio constitutiva: “Posa u paraqit, Kur’ani u bë objekt i komentimeve të pafun­dta. Ai ka dhënë shkas për mendjemprehtësi më subtile dhe, pasi që ka nxitur çdokën në përsiatje, janë krijuar mendime të pafundta të ndryshme, kombinime të pamenduara mirë e për më tepër, janë bërë aplikime absurde të çdo lloji, kështu që çdo njeri i mençur, e i arsyeshëm është dashur gjithnjë të angazhohet me vetëmohim që sërish të kthehet në ba­za të tekstit të pastër, korrekt. Së këndejmi në historinë islame hasim se komentimi, apli­kimi dhe përdorimi i Kur’anit shpesh është për mallëngjim.” (J. V. Gete, Spisi o knji­ževnosti i umetnosti, Beograd, 1982, fq. 111, sipas: Enes Karič, Her­me­ne­u­ti­ka Kur’ana, op. cit., fq. 30.
[15] Walter Beltz, Mitologija Kur’ana – čežnja za rajem, Zagreb, 1982.
[16] Noldeke, Emin el Huli e të tjerë si promotorë të kësaj ideje. Shih: Enes Ka­rič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 32-34.
[17] Ibn Arebiu, Ihvan’us-safa, El-Farabi, Ibn Sina, Ibn Rushdi e filozofë të tje­rë arketipit kur’anor i japin dinjitet të literaturës filozofike, që mund të le­xo­het në disa mënyra. Shih: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 34.
[18] Sipas: Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 36.
[19] I. Goldziher, sipas: Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 36.
[20] Andrew Rippin, Historiku i tefsirit të Kur’anit, Prizren, 2002, fq. 13 – 18.
[21] Sipas: Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 37 - 38.
[22] Enes Karič, Hermenutika Kur’ana, op. cit., fq. 30 - 39.
[23] Deri më 1980 në botë ka pasur 1380 përkthime komplete të Kur’anit dhe 1292 përkthime jokomplete të Kur’anit, të botuara në rreth 70 gjuhë. Shih: Is­met Binark & Halit Eren, World bibliography of translations of the meanings of the Holy Qur’an, printed translations 1515 - 1980, Istanbul, 1986. Vetëm në gju­hën urde ekzistojnë mbi 300 përkthime të Kur’anit e disa janë edhe si ko­men­te. Rudi Peret and J. D. Pearson, Translation of the Kur’an. The En­cy­clo­pe­dia of Islam, V. Leiden, 1981, pp. 429. Po ashtu: A. T. Welch, Al-Kur’an, Sa­ra­jevë, 1986, fq. 162-177. Shih: S. Kutub, Et-Tasvir’ul-fenni fi’l-Kur’an, Kai­ro, 1976. Përkthimi i parë (i pabotuar) i Kur’anit në latinisht është në vitin 1143, sipas: Nerkez Smailagič, Leksikon Islama, Sarajevo, 1990, fq. 464; dhe: A. T. Welch, Al-Kur’an, Sarajevë, 1986, fq. 171.
[24] Feti Mehdiu, Përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe, Prishtinë, 1996.
[25] Shih: Enes Karič, op. cit., fq. 40. Shih: Andrew Rippin, Historiku i tefsirit të Kur’anit, Prizren, 2001/1422.
[26] Shih: Enes Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 40.
Për këtë çështje shih: A. L. Tibawi, Da li je Kur’an prevodiv?, në: Enes Karič, Kur’an u savremenom dobu, Sarajevo, 1991, fq. 305 – 324; A. T. Welch, Al-Kur’an, Sarajevë, 1986 dhe burime tjera.
[27] Shih: Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, vëll. II, Shkup, 2000, fq. 39 - 79.
[28] Shih shkrimin tonë me titull “Mbi përkthimin e Kur’anit”.
Për­kthyes i parë (jokomplet) i Kur’anit është Naim bej Frashëri me titull ‘Thelb’ i Kur'anit’ që është botuar në veprën e tij ‘Mësime’ në vitin 1894, Bu­ku­resht.
[30] Ilo Mitko Qafzezi, Ploeshti, Rumuni, 1921, Feti Mehdiu, Përkthimet e Kur’a­nit në gjuhën shqipe, Shkup, 1996, fq. 13 e tj.
[31] Profesor i Orientalistikës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Pri­shti­nës.
[32] Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mes­jetar, Shkup, 2002.
[33] Shih: Muhamet Pirraku, Kultura kombëtare shqiptare deri në Lidhjen e Pri­zre­nit, Prishtinë, 1989.
[34] Nexhat Ibrahimi, ibid..
[35] Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987; Hasan Kaleshi, Kon­tri­bu­ti i shqiptarëve në dituritë islame, botimi II, Rijad, 1992/1412 etj.
[36] I këtij mendimi është edhe intelektuali i mirënjohur Gazmend Shpuza. Shih: Kur’a­ni në gjuhën shqipe, në: www.shirazi.org.al/gazmend1htm, fq. 3. Mi­rë­po, de­ri­sa pajtohemi me vërejtjen e G. Shpuzës se a mund të kon­sta­toj­më se përkthimet shqi­pe janë të denja të qëndrojnë krahas përkthimeve në gjuhë të tjera, nuk mund të pajtohemi me pjesën tjetër të vërejtjes së G. Shpu­zës se kriter për të kon­statuar vlefshmërinë dhe nivelin e përkthimit janë gjuhëtarët (Gazmend Shpu­za. Shih: Kur’ani në gjuhën shqipe, në: www.shirazi.org.al/gazmend1htm, fq. 3). Mendoj se mbi të gjitha në për­kthi­min e suksesshëm të Kur’anit nuk ësh­të faktor kryesor gjuha, por as­pek­ti shumëdimensional i konceptimit dhe per­ceptimit të tij, ku edhe njohja e gjuhës shqipe, krahas asaj arabe, ka rën­dë­si të pakontestueshme.
[37] Mendoj në përkthimin e Feti Mehdiut, përkthimin e Hasan Nahit dhe për­­kthimin e Sherif Ahmetit.
[38] Kur’ani – bosht i literaturës islame, intervistë e Faik Mustafës me prof. dr. Feti Mehdiun në: Flaka, e datës 11 - 12. 12. 1999, Shkup.
[39] Kompleksi i inferioritetit nuk vjen vetëm nga mosnjohja e fesë. Ka edhe shka­qe tjera politike, ideologjike, shoqërore, kulturore, psikologjike etj. Po bë­het një propagandë e fuqishme ballore dhe tërthorazi kundër islamit, që i to­pit njerëzit dhe u servon pamje joreale për fenë e tyre, gjë që shton dy­shi­met, mëdyshjet e luhatjet, si dhe e dobëson burrërinë për t’u afirmuar e dësh­muar idetë dhe politikat e veta.
[40] Parafrazim i tezave nga: E. Karič, Hermeneutika Kur’ana, op. cit., fq. 220 - 221.



Nexhat Ibrahimi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)