Gruaja dhe familja janë dy institucione të cilat drejtpërsëdrejti e kushtëzojnë ekzistencën e njëra tjetrës.
Gruaja e arrin vlerën e vetë të plotë në familje, kurse familja as që mund të ekzistojë dhe të ketë kuptim pa praninë e femrës.(siç kemi rastet kohëve të fundit në civilizimin perëndimor, legalizimi i martesave mes gjinive të njëjta).
Këto dy elemente janë bazë e një shoqërie njerëzore të cilat kanë aq shumë rëndësi, sa që prej tyre në masë të madhe ndikohet niveli moral, kulturor, arsimor e edukativ i një populli në tërësi. M’u për shkak të kësaj rëndësie që ka, emri “nënë” pas emrit “Zot”, është fjala dhe koncepti më i bukur që ekziston. Prej saj buron butësia e ndjenja e fortë e besnikërisë. Është himni i bukurisë së jetës dhe dashurisë. Ajo në këtë mënyrë paraqet dashurinë hyjnore në përbërje trupore.
Mirëpo për fat të keq kjo qenie (gjysma e shoqërisë njerëzore, shpesh bie ne grackën e pështjellimeve dhe pasioneve), bëhet shkak të ndërhyjnë elemente që e zhvlerësojnë atë, duke e nxjerr nga rruga e detyrave që ka së pari ndaj qenies së saj dhe ndaj atyre me të cilët lidhet ligjërisht, duke e privuar kështu nga të mirat morale e hyjnore.
Se në çfarë pozite shoqërore ka qenë në të kaluarën e largët dhe të afërt si dhe në ditët e civilizimit bashkëkohor mund ta mësojmë po qe se i referohemi historisë së popujve në vende dhe kohë të ndryshme.
Po fillojmë qe nga kohët antike: Femra në kohën e romakëve ishte thjeshtë pronë e kryetarit të familjes(vjehrrit ose burrit) me statut birësor. Gratë dhe vajzat nuk kishin asnjë të drejtë dhe trajtoheshin si plaçkë tregtie. Babai mund t’i shiste, t’i jepte hua ose edhe t’i mbyste.
Në kohën e Greqisë, para kohës kristiane nuk ekzistonte martesa e zakonshme. grekët jetonin në grupe dhe fëmijët nuk e njihnin nënën e tyre. Çdo njeri sipas gjendjes ekonomike, mund të mbante në shtëpi një numër gra jashtë martesës. Ajo mbahej si pronë siç mbaheshin skllevërit dhe kafshët dhe mund të falej e huazohej kur të dëshironte burri i saj.
Midis popujve më të qytetëruar të Azisë gjendja e femrës nuk ishte e barabartë as edhe me një kafshë barreje. Në Kinë nuk kishte të drejtë të ulet në tavolinë e të hante bukë me bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Vajzat nuk kishin të drejtë trashëgimie. E njëjta gjë ishte edhe në Indokinë, ku dëshmia e saj nuk kishte asnjë vlerë. Ajo nuk mund të hynte në gjykatë dhe mund të shkëmbehej për larjen e ndonjë borxhi nëse do ta pranonte kreditori.
Në Indi femrat mbaheshin në tutelin e bashkëshortit, të djalit, familjes së burrit, ose ajo ishte e varur nga mbreti. Gjatë periudhës së menstruacioneve ajo mbyllej në një vend, ndërpritej çdo kontakt me të dhe ushqehej nëpërmjet një sporteli, për arsye se gjatë kësaj kohe konsiderohej si e ndyrë.
Në Australi gjendja ishte katastrofale. Ajo, jo vetëm që shërbente për shafitjen e pasioneve të mashkullit, por ç’është më e keqja, në periudhën e zisë dhe thatësisë, mishi i saj konsumohej për të plotësuar mungesën në ushqim. Një grua e ve pas vdekjes së të shoqit, bëhej pronë e vëllait të të vdekurit. Ajo rrallë vdiste në shtratin e saj. Nëse e kaplonte ndonjë sëmundje, ajo lihej në mëshirën e fatit deri sa të largohej nga kjo jetë. Njerëzit e këtyre anëve shfaqnin dashurinë ndaj prindërve në mënyrë të çuditshme. Për të mos i parë vuajtjet e tyre të pleqërisë, ata i varrosnin për së gjalli prindërit e tyre, posa të arrinin moshën dyzet vjeçare.
Edhe në Afrikë ishte pothuajse e njëjta situatë. Një shkrimtar anglez në reportazhet e tij gjatë udhëtimeve shkruante se kishte parë të servirohej mishi i femrave dhe fëmijëve nëpër banketet e ndryshme. Shumica e ushqimeve ishin të ndaluara për femrën.
Në popullsinë e egër të Amerikës Veriore femrat ishin të detyruara të sigurojnë ushqimin e familjes. Përkundër shërbimeve të shumta të bëra nga femrat, burrat i mbysnin ato, sidomos plakat që nuk kishin fuqi për të punuar. Gjithashtu përdornin edhe një metodë tjetër, duke ua futur kokën në një vrimë të mbushur me tym karboni deri sa të asfiksohen. Poashtu, edhe lehonat nuk kishin të drejtë të pushonin as edhe një ditë, por, ato detyroheshin të fillonin menjëherë me punë.
Në Arabi, para ardhjes së Islamit, lindja e një vajze konsiderohej si një kob. Familja që i çonte Zoti këtë dhuratë fshihej prej miqve dhe të afërmve sikur t’u kishte ndodhur ndonjë ngjarje e turpshme. Babai, kur merrte lajmin e lindjes së vajzës, skuqej nga turpi dhe në shumicën e rasteve i varrosnin ato për së gjalli. Tregohen raste të tilla të prekshme , në momentin kur babai groponte varrin e bijës së vet, bija e tij ia fshinte pluhurin që kishte kapluar fytyrën dhe mjekrën e tij. E bija nuk dëshironte ta sheh prindin e pluhurosur, ndërsa prindi groponte gropën për ta varrosur atë të gjallë. Pa dyshim se akti i tillë paraqet krim të paparë, krim i injorancës ndaj njeriut.
Kjo ishte një pasqyrë e gjendjes së gruas nëpër shekujt më të largët, por athua a ka ndryshuar ndonjë gjë në shekujt e mëvonshëm, apo më mirë të themi në dy shekujt e fundit XIX dhe XX, në ditët e sotshme . Le t’i referohemi disa citateve të atyre që vunë bazat e marksizmit, komunizmit dhe do ta kuptojmë më mirë.
Sipas Marksit, zhdukja e familjes paraqet shoqërizimin e njeriut, avancimin e tij “në qenie totale shoqërore”. Të gjitha bazat e ekzistencës së tij – sociale, materiale dhe morale- nga familja kalojnë në shoqëri.
Shkrimtarja franceze Simone Bouvoire, veprimtare e dalluar e lëvizjes feministe në Francë edhe në botë është kategorike: “përderisa të mos shpartallohet miti për familjen, për amësinë, dhe për insitktin amtar, femrat do të eksploatohen edhe më tej”.
Derisa të gjitha religjionet e himnizojnë familjen si fole të njeriut dhe nënën si edukatore të parë dhe të pazëvendësueshme, të gjitha utopitë e sidomos ato socialiste, përkundrazi flasin me entuziazëm për edukimin shoqëror, për foshnjore, për çerdhe fëmijësh, për konvikte. Pa marrë parasysh se si quhen këto ente, të përbashkët e kane mungesën e nënës dhe dorëzimin e fëmijëve në duart e mëditësve.
Civilizimi nuk e heq vetëm parimisht familjen. Ai këtë e bën gjë edhe praktikisht. Së pari nga familja doli burri, pastaj gruaja dhe së fundi fëmijët. Shkatërrimi i familjes manifestohet në shumë aspekte: numri gjithnjë e më i vogël i martesave, përqindja gjithnjë e më e madhe e shkurorëzimeve, rritja e vazhdueshme e grave të zëna me punë, rritja e numrit të fëmijëve jashtëmartesor etj.
Vlen të përmendet edhe një dukuri e lidhur ngushtë me daljen apo “ lirimin” e gruas nga familja, ajo është shtimi i shpejtë i personave psiqikisht të sëmurë. Dukuri kjo që e shtyri parlamentin suedez që ta vërë në rend dite, vend ky ku shkalla e vdekshmërisë së fëmijëve është më e ulta, mosha mesatare e njeriut më e larta, ku shkollimi është falas për të gjitha nivelet, ku ka paqe afër dyqind vjet, ku s’ka probleme stërpopullzimi, ku është shënuar produktiviteti më i lartë i punës në botë dhe vend ku të ardhura nacionale janë nga më të lartat për krye banori në botë.
Dr. Hans Loman psikiatër i njohur, të cilit parlamenti suedez ia besoi hulumtimin e shkaqeve të kësaj dukurie, është mbështetur kryesisht në konstatimin se në Suedi shumica e grave të martuara janë në marrëdhënie pune dhe se ky fakt ç’rregullon në mënyrë serioze një fushë aq vitale të jetës siq është familja. Mbi 50 përqind të nënave me fëmijë deri në tre vjeç janë të zëna me punë dhe 70 përqind të nënave me fëmijë deri në 17 vjeç janë të zëna me punë. “ Kemi arritur që për fëmijët tanë të formojmë një shoqëri tejet të ftohtë, shoqëri anti fëmijë”, thuhet në një raport të Lomanit.
Civilizimi nga femra bëri objekt adhurimi e përdorimi, ia morri personalitetin që mund të jetë i vetmi bartës i vlerave dhe nderimit. E vuri në skenë si lodër dëfrimi për të kënaqur dëshirat e burrave me anë të gjithfarë modash, sfilatash ekstravagante, me reklama e “miss”-e, duke e inkurajuar nudizmin si një mjet për tërheqjen e mashkullit. Këtu gruaja s’është më personalitet e të mos themi njeri. Në këtë rast ajo më shumë është diç më tepër se “shtazë e bukur”.
Në lidhje me pozitën dhe rolin e femrës në ditët e sodit mendimet e tyre i kanë shprehur edhe studiues dhe udhëheqës të ndryshëm, siç janë: Anatole France I cili shprehet: “Nëse femra nuk do të mbulonte pjesët më tërheqëse të trupit të saj, ajo nuk do të kishte asnjë vlerë të tillë. Po kështu duke e lejuar të lakuriqësohet e të mbajë lidhje të lira me burrat, këta të fundit nuk duhet ta quanin më me emrin femër”.
Poashtu edhe pedagogia franceze Madam H. Launey thotë: “Femra është si një valixhe plot me kuriozitete, sa më tepër qe hapet, aq më shumë vijnë duke u shuar këto kuriozitete dhe kështu përfundon nga një krijesë me vlerë shoqërore, në një zero”.
Edhe Charlie Chaplin, artist i madh i kinematografisë, i shkruante vajzës së tij Geraldine, të cilën e kritikonte për lakuriqësinë e saj me këto fjalë: “Vajza ime nuk ka në botë asnjë njeri që duhet ta shohë trupin tënd lakuriq, përveç atij që dëshiron të marrë pjesë në jetën tënde”.
Gandi, në lidhje me femrën thotë: “Do të doja më shumë të shkatërrohej në tërësi raca njerëzorë, se sa ta kthenim në një objekt dëfrimi e poshtërimi femrën, krijesën më delikate të Zotit. Për këtë qëllim u drejtohem të gjithë burrave të botës që me veprimet e tyre të mos e ulin femrën, për të cilën gjithmonë kanë ëndërruar të fitojnë një liri të vërtetë.
O femra, nëse ju grimoheni vetëm për të tërhequr burrin dhe për të nxitur epshin e tij, hiqni dorë e mos iu nënshtroni këtij poshtërimi”.
Nudizmi është një lloj nënshtrimi ndaj instiktit, siç veprojnë kafshët pa norma ligjore e morale.
Pjellë e civilizimit të vonshëm është edhe poshtërimi i amësisë. Ky civilizim e shpalli amësinë robëri dhe femrës i premtoi ta lirojë. Me mburrje ai i jep të dhënat se sa nëna i ndau (i liroi-thotë ai) nga familja dhe fëmijët, për t’i bërë nëpunëse.
Përkundër kësaj e tërë kultura që nga lashtësia e gjerë më sot është në shenjë të apologjisë së nënës. Ajo nga nëna bëri simbol, mister, shenjtëri. Vargjet më të bukura, pikturat e skulpturat më të bukura ajo ia kushtoi nënës.
Si fenomen tjetër, përveç çerdheve për fëmijë, në civilizim janë paraqitur edhe shtëpitë për pleq. Ato i përkasin rendit të njëjtë të gjërave dhe në themel janë dy etapa të një rruge. Çerdhet dhe shtëpitë e pleqve të përkujtojnë lindjen dhe vdekjen artificiale. Të dyjat karakterizohen me praninë e komoditetit dhe në anën tjetër me mungesën e dashurisë dhe ngrohtësisë, të dyja janë opozitë e familjes dhe rezultat i ndryshimit të rolit të femrës në jetën e njeriut. Premisa e tyre e përbashkët është eliminimi gradual i marrëdhënies prindërore: në çerdhe janë fëmijët pa prindër, në shtëpitë për pleq- prindërit pa fëmijë, të dyja janë “mrekullitë” e civilizimit dhe ideal i çdo utopie.
Nga ana tjetër Krijuesi i ka caktuar femrës një mision të veçantë në këtë jetë duke e ngarkuar me përkujdesje, rritje dhe edukim të shoqërisë njerëzore. Detyrë kjo qe mund të kryhet vetëm nga një nënë, pasi që Zoti ishte Ai, i cili e pajisi me cilësi të cilat i korrespondojnë në mënyrën më të mirë për kryerjen e këtij roli të veçantë.
Prandaj, mund të themi me plot përgjegjësi se vetëm gruaja me familje e gjen veten e saj, vetëm me familje e jep më së miri atë me çka e posedon, vetëm kështu e ngrit veten e vet, e fiton epitetin e vërtetë të femrës dhe vetëm në këtë mënyrë e meriton të quhet femër, grua dhe nënë me plot kuptimin e fjalës.
Literatura e konsultuar:
“Islami në mes Lindjes dhe Perëndimit” Alija Izetbegoviq
“Gruaja në Islam” Jusuf Kardavi
“Femra shikuar me syrin e historisë” pjesë e shkëputur nga interneti përgatitur nga Ismail H. Muqej.
Ardian Lama