Intervistë me Nexhat Ibrahimin të bërë nga revista “El-Ahnaf”

Nexhat Ibrahimi u lind në fshatin Zgatar të Opojës, rrethi i Prizrenit, më 10. 06. 1959, në një familje autoritative hoxhallarësh me ndjenja fetare dhe atdhetare. Shkollën fillore e kreu në Opojë e Prizren, kurse Medresenë e Mesme “Alauddin” në Prishtinë gjatë viteve 1974-1979.

Gjatë viteve 1980-1984 i kreu studimet në Fakultetin e Shkencave Islame në Sarajevë.
Krahas mësimeve angazhohej edhe me aktivitete politike ilegale, kështu që më 03. 12. 1981 u burgos në Sarajevë, por Shërbimi Sekret Jugosllav nuk arriti të tubojë prova të duhura, kështu që pas 60 e disa ditëve në Burgun Qendror të Sarajevës u lirua nga dënimi i mëtutjeshëm.

Akuzohej për pesë vepra klero-nacionaliste e irredentiste. Si pasojë e burgosjes ishte çregjistrimi nga Fakulteti i Orientalistikës në Prishtinë, ku ishte regjistruar me korrespondencë. Edhe disa herë të tjera është marrë në biseda informative nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav, sikur më 1983 me rastin e arrestimit të grupit të Alija Izetbegoviqit në Sarajevë, pastaj disa herë gjatë viteve 1987-2002 etj.
Pas përfundimit të shërbimit ushtarak të Kroaci, në vitin 1987 u punësua si sekretar në Bashkësinë Islame në Prizren. Më vonë u delegua në Kuvendin e Bashkësisë Islame të Kosovës, u zgjodh anëtar i Rijasetit të Bashkësisë Islame të Jugosllavisë në Sarajevë dhe u zgjodh për kryetar të Kryesisë së Shoqatës së Ulemave të Kosovës në Prishtinë. Në këto funksione edhe u arrestua më 14. 12. 1992 nga Sigurimi Shtetëror Jugosllav, për t’u dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prizren me tetë vjet burg. Këtë dënim Gjykata Supreme në Beograd ia zbriti në shtatë vjet. Dënimin e vuajti në burgun e Prizrenit, të Dubravës së Istogut dhe atë të Zajeçarit në Serbi. Më 15. 12. 1999 u kthye në gjirin familjar. Sërish punon në Bashkësinë Islame të Prizrenit. Merret edhe me shkrime dhe përkthime. Ka përkthyer mbi 70 vepra islame të zhanreve të ndryshme dhe ka shkruar mbi 20 vepra autoriale islame, ka shkruar dhe përkthyer disa qindra artikuj në dhjetëra gazeta e revista në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje, ka marrë pjesë në disa simpoziume e tribuna shkencore, ka shkruar disa dhjetëra recensione kritike. Kontaktet e para të Islamit me popujt ballkanikë në periudhën paraosmane, Shkup, 1997, fq. 102; Shkolla juridike hanefite dhe karakteristikat themelore të doktrinës së saj, Shkup, 1998, fq. 162; Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998 fq. 300; Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (shek. IX-XIV), Shkup, 2003/1424, 145 faqe; Dimensione kur’anore, Shkup, 1424/2003, fq. 75; Islami dhe kriza e identitetit, mbi 200 fq., Islami si provokim global, etj.
Nexhat Ibrahimi jeton në Prizren. Është i martuar dhe prind i tre fëmijëve.

El-Ahnaf: zotëri Nexhat, keni qenë student i Sarajevës. Në ç’situatë e keni gjetur zhvillimin e mendimit islam në Sarajevë në atë kohë?
Nexhat Ibrahimi: Po, kam qenë në Sarajevë gjatë viteve 1980-1984, por edhe më vonë deri në fillim të luftës. Sarajeva (BH-a) atë kohë, në aspektin fetar, por edhe nacional, ishte në dalje nga një udhë pa krye, pas një katrahure që kishte përjetuar gjatë disa dekadave të fundit. Mbretëronte një qetësi relative dhe ishin në dukje filizat e parë, behari i ri…, por me shumë pasiguri.

El-Ahnaf: Kush ishin udhëhëqesit e mendimit islam në Bosnjë në kohën tuaj të studimeve dhe në ç’frymë e drejtonin ata këtë mendim? Si mund të kenë lënë mbresa në zhvillimin e mendimit tuaj islamik ato personalitete?

Nexhat Ibrahimi: Mendimi islam në Bosnjë në vitet e 80-ta udhëhiqej nga disa qendra, thënë kushtimisht: 1) Bashkësia Islame me Husein Gjozon në krye dhe asistentët e tij: Hilmo Neimarlija, Mehmedalija Haxhiq etj., dhe me shumë hoxhallarë brenda dhe jashtë BI-së dhe kohëve të fundit me Ahmed Smailoviqin dhe rrethin e tij; 2) Muslimanët e Rinj (Mladi Muslimani) me Alija Izetbegoviqin në krye dhe; 3) Plejada e intelektualëve të lirë në krye me Nerkez Smailagiqin etj. Ka edhe aktivistë të tjerë. Të gjithë këta, në rafshin fetar, shkencor, politik bërën shumë që Bosnja të merrë këmbët e veta.
Unë kam bashkëpunuar me shumë personalitete: Husein Gjozon, Ahmed Smailoviqin, Alija Izetbegoviqin, Hasan Çengiqin etj. Ata kanë ndikuar tek unë pa dyshim në aspekt të metodave të punës dhe të vullnetit për punë. Çdo herë u jam borxhli. Edhe sot mbaj kontakte elektronike me ata që janë gjallë. E lexoj literaturën e tyre dhe mendoj se është ndër krijimet më origjinale dhe me nivel më të lartë interpretues në tërë botën islame.

El-Ahnaf: Vepra juaj shkencore është e gjerë. Kush është preokupimi kryesor i veprës tuaj shkencore, veçanërisht në lemin e islamistikës – shkencat islame?
Nexhat Ibrahimi: Deri tash nuk kam ndjekur prirjen time dhe dëshirat e mia. I kam dhënë përparësi nevojave të masës muslimane dhe rrethanave politike-shkencore. Megjithatë, më flejnë më tepër temat akaidologjike dhe ato të sociologjisë-filozofisë politike islame. Për fat të keq, deri tash këto dëshira, për shumë shkaqe, kanë mbetur në fillim.

El-Ahnaf: Cili është mendimi juaj lidhur me ixhtihadin modern, mundësinë dhe lidhjen e tij me ixhtihadin e muxhtehidët në shekujt e mëhershëm?
Nexhat Ibrahimi: Më duke se për ixhtihadin më tepër flitet se punohet. Mungon një platformë e përgjithshme e botës muslimane. Vetëm pas hartimit të një programi, vetëm pas identifikimit të problemeve, vetëm pasi ta kemi të qartë se nuk jetohet nga e kaluara, por me të kaluarën së bashku, do të mund të ecim përpara. Pa tjetër duhet t’i lidhim fijet e shkëputura nga koha e Imam Ebu Hanifes e Imam Maturidiut dhe të tjerëve dhe të vazhdojmë me punë të specializuar. Muslimanët mund t’i prijnë botës sërish vetëm nëse punojnë sikur në fillim. Metodat konservativiste, shterpe, anatemuese, nuk çojnë para. Ato janë numërim në vend.

El-Ahnaf: Cila është pikëpamja juaj për një zhvillim përparimtar islamik të popullates shqiptare dhe mundesitë e tij?
Nexhat Ibrahimi: Bashkësitë Islame në tokat shqiptare (dhe në diasporë) duhet së pari të islamizohet, ashtu siç kërkon Z. Serdar dhe I. R. Faruki (jo të arabizohen, turqizohen, shqiptarizohen, boshnjakizohen …). Me këtë nënkuptoj edhe reformat kualitative, urgjente, në mësim-besim, medrese, fakultete. Duhet të hapen Institute Islame për hartimin e projekteve për zhvillim fetar, ekonomik, politik etj. Tash për tash bashkësitë islame në tokat shqiptare udhëhiqen me metoda ad-hok, aty për aty, me mënyra diletante. Individët e vyeshëm deri tash janë asfiksuar. Vazhdimi me metoda të deritashme është kundërproduktiv. Jam me Ebu Hanifen, Imam Maturidiun, M. Ikballin, Attasin, Nasrin, e jo me ata që e vdesin islamin. Punëtorë të mirë ka në tokat shqiptare dhe duhet t’u japim rastin.

El-Ahnaf: Falëmnderit.
Nexhat Ibrahimi: Edhe unë Ju falënderoj për intervistë. Zoti ju ruajtë dhe ju ndihmoftë. Mendoj se keni nisur një punë të mirë. Edhe kjo është në frymën e Imam Ebu Hanifes: Të punohet me bindje në Zotin, diturisht dhe objektivisht. Ardhmëria do t’i takojë Islamit!