Më 07. 09. 2013 rrugës për në spitalin e Surdulicës vdiq papritmas, pas një sëmundje të gjatë me dhembje por pa e munduar askënd, Sylejman Lutfi Ahmedi, mësues i shumë gjeneratave në Preshevë, sekretar dhe referent e veprimtar me nam e me zë në shkollën e Mesme “Skënderbeu” në Preshevë.
Varrimi i rahmetliut është bërë më 08.09.2013 me namazin e drekës.
U lind më 6 Korrik 1936 në Preshevë nga babai Hafëz Lutfi ef. Ahmedi dhe nga e ëma Hafëz Emine Aliu – Ahmedi. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, ndërsa shkollën e mesme e vazhdoi në Prishtinë. Në Preshevë punoi me vite të tëra mësues dhe edukator i shumë brezave që nuk do ta harronin më pas kurrë. Së pari punoi si mësues i shkollës fillore “15 Nëntori”, e më pas ishte shumë vite profesor i Edukatës Fizike në Gjimnazin “Skënderbeu”. Edukoi shumë gjenerata dhe ishte shumë vite kujdestar klase i shumë nxënësve. Pastaj kaloi në administratën e shkollës së mesme “Skënderbeu”, ku punoi si sekretar dhe referent i kësaj shkolle. Gjatë gjithë detyrës së tij ai ishte i shquar si një burrë me një trup të rrallë muskuloz, i gjatë dhe shumë i ushtruar por me një shpirt dhe karakter shumë të butë dhe të durueshëm.
Nxënësit e tij e kujtojnë me admirim sjelljen e tij të mahnitshme, dhe me fjalë të mira. Pas pensionimit ata vazhdonin dhe i vinin gjithmonë në vizitë. Gjatë festimit të pesëdhjetë vjetorit të maturës nga nxënësit e tij, Sylejman Ahmedi mori pjesë në këtë manifestim por kësaj radhe i plakur dhe i kërrusur me shkop në dorë, por gjithmonë duke mos ia prishur atyre qefin. Kur u kthye në shtëpi na tregoi se sa nxënësi i kishte thënë: “Oh zotni mësues me qefin tënd kam ardhë, ti ke qenë shkaktar që unë kam mbaruar shkollë, kam jetuar me hijen tënde gjithë jetën!” Sa herë do të na tregonte këto ngjarje, do ta përcjellin lotët në sy. Nxënësit e tij si harronte kurrë, çdo ditë na tregonte nga një histori të jetës së tij me nxënësit.
Pas pensionimit ai filloi shërbimin e tij në jetën shpirtërore, filloi të shërbente në një punë që do ta merrte përgjithmonë me vete. Falte namazin dhe shërbente për gjithçka që kishte nevojë Xhamia “Ibrahim Pasha – Xhami-i Atik” qoftë për ndihmën apo edhe për shërbimin e tij. Në këtë xhami ai ishte një xhemat i rregullt dhe që tridhjetë vite me radhë hapi derën e xhamisë para namazit, u kujdes që të jetë i përpiktë dhe asnjëherë xhemati të mos ngelen pa e falur namazin e sabahut. Mbaj mend kur zgjohej një orë para sabahut për ta hapur derën e xhamisë, edhe atë çdo ditë pa u lodhur dhe pa munguar asnjëherë. Sabahun e potencoj sepse është namazi që është në kohën kur duhet të prishet gjumi, ndërsa të njëjtën gjë do ta vepronte për secilin namaz të ditës gjatë verës dhe gjatë dimrit. Në Periudhën e Luftës ai ishte në Qabe për ta kryer obligimin e pestë të besimit Islam Haxhin. Pas kryerjes së këtij obligimi iu përkushtua edhe më shumë zbatimit të riteve fetare.
Pas një sëmundje dhe operimi të rëndë në zemër vazhdoi të mos dorëzohej, ishte një njeri që plotësisht ishte i dorëzuar në Kada – Kaderin (Vendimin dhe Caktimin) e Allahut xh.sh. Çdo gjë e përballonte lehtë, madje dhe për vdekjen ishte i përgatitur shumë, e priste në çdo moment atë.
Gjersa shkoi në spital shkoi i gëzuar dhe me shumë shpresë se do t’i përmirësohej shëndeti, e përcollëm por fytyra e zbehur e tij na plagosi të gjithëve.
Sa herë kthehesha në shtëpi ose shkoja diku gjithmonë përshëndetja ime e fundit ishte me axhën, sa herë do t’i leja ndonjë porosi që të ma kryente, me një fjalë e kisha këshilltare dhe mbështetës shumë të madh në çdo aspekt. Sa herë dilja të shkoja më pyeste se kur do të kthehesha por edhe kur vija më pyeste se kur do të udhëtoja, kur i thosha se këtë ditë ose atë gëzohej se do të qëndronim bashkë dhe do të çmalleshim. Qanim hallet e jetës së bashku, tregonim sekretit dhe dertet e njëri tjetrit.
Ishte burrë i madh, trim, orator, i ditur, inteligjent me shumë gjuhë të huaja, i dalur dhe i njohur me shumë kultura botërore. Çifti i tij gjendet shumë rrallë, madje mund të them se fare. Ishte një njeri që kurrë nuk ia kishte kthyer fjalën prindërve të tij. Ishte djali që tërë pagën ia kishte dorëzuar deri në vdekje nënës së tij, gjest shumë i rrallë që nuk e bën askush.
Ne i kemi hak, vdiq duke na lënë shumë të përmalluar me sjelljet dhe virtytet e tija pozitive, për të mos e harruar gjer sa të vdesim lapidarin e sjelljeve të tija të urta dhe të qeta pa bërë zë në asnjë aspekt. Kur humbet njeriu del në mejdan mungesa dhe vepra e tij edhe më shumë.
“Ka qenë burrë dhe vdiq si burrë”, tha motra ime, e plotësova duke i thënë se: “Mbi të gjitha ai ishte sabërli i madh dhe Allahu ia solli të vdiste në këmbë të veta, pa e munduar askënd, pa u bërë nevojtar as edhe për një pikë të ujit, por vetëm duke vrapuar dhe duke ndihmuar të tjerët”.
Nuk kishte fëmijë, por ishte baba i të gjithë neve. Lusim Allahun ta shpërblejë me Xhennet si dhe neve dhe të afërmve, nxënësve, shokëve dhe miqve të tij të na dhurojë sabrin, sepse përcollëm një njeri shumë të dashur që bëri shumë për ne, andaj në të ardhmen do ta hetojmë shumë mungesën e tij.
Ishte njeriu që kishte fizik shumë të bukur por pasurinë më të madhe e dinte dhe i kishte njerëzit rreth vetes së tij, sepse ai i donte njerëzit. Allahu i Madhëruar e pati pajisur me një cilësi sa që në zemrën e tij e kishte futur dashurinë ashku e shërbimit dhe ndihmës ndaj të tjerëve, këtë e vepronte ngase i donte shumë ata. Këtë e dëshmoi deri në frymën e tij të fundit.
Kurrë nuk do ti harrojmë ndihmën, këshillën, sakrificën dhe flijimin si dhe ndarjen e brengave mes nesh, ato janë fryti që do të na mbajnë të fortë.
Ty të deshëm shumë dhe vazhdojmë të të duam, dashuria jote është shndërruar në një listë ë fortë në zemrat tona, ajo gjithmonë do të ripërtërihet, dashuria dhe ndihma jote që ke treguar për ne sa ishe në këtë botë nuk do të na shuhet kurrë. Dashuria jote ishte shumë e madhe ndaj neve dhe ndaj të gjithë njerëzve. Kjo dashuri gjithmonë do të na bëjë krenare dhe të forte neve. Ne të dashurit dhe miqtë tuaj mbetemi me shpresën më të madhe se ti do të prehesh në Xhennet dhe atje do të takohemi së bashku në mëshirën e Allahut xh.sh.
Dr. Hatixhe Ahmedi, Preshevë, 07. 09. 2013.