Privimi i femrës nga e drejta e saj në trashëgimi

Edhe pse kohëve të fundit është arritur një lloj progresi gjatë përpjekjeve për avancimin e femrës në pozitën e saj të merituar, dhe të drejtat që i takojnë, megjithatë nuk janë të rralla rastet kur objekt dhe shënjestër diskriminimi bëhet femra.

Një diskriminim i saj, me pasoja jo të vogla, vërehet se është evident më tepër në aspektin e trashëgimisë, ku në të shumtën e rasteve ajo privohet nga e drejta e saj për të trashëguar. Në shumicën e rasteve në Kosovë pasurinë e prindërve e trashëgojnë vetëm djemtë (ose trashëgimtarët meshkuj), ndërsa për këtë dukuri arsyet janë të ndryshme. Të tillët që veprojnë në këtë mënyrë nisen nga bindjet – zakonet e trashëguara me vjet se trashëgimtarë duhet të jenë vetëm djemtë dhe jo vajzat, pasi që të njëjtat martohen dhe krijojnë pasuri në shtëpinë e burrit.
Nganjëherë djemtë nuk pajtohen që motrat e tyre ta marrin pjesën-hisen e vet pasi që konsiderojnë se ato martohen dhe më vonë atë pasuri mund ta trashëgojë dhëndëri, gjegjësisht transferohet në pronësinë e një fisi të huaj. Është evidente dukuria tjetër që ndoshta nuk është shprehje e vullnetit të tyre të plotë, kur gjatë procedurës së trashëgimisë trashëgimtaret vajza deklarojnë se heqin dorë nga trashëgimia që u takon në favor të vëllezërve të tyre.
Sido që të jetë, në shumicën e rasteve në Kosovë, e sidomos në zonat rurale , edhe pse trashëgimia është një institucion shumë i rëndësishëm juridiko fetar, prindërit i anashkalojnë vajzat duke anuar kah djemtë dhe duke i favorizuar vetëm ata në trashëgimi. Këto zakone dhe dukuri negative me të cilat edhe sot ballafaqohet shoqëria jonë, Feja Islame i ka flakur qysh para 14 shekujve.
Trashëgimia, sipas Islamit është një institucion shumë i rëndësishëm juridiko-fetar, duke marrë parasysh çështjet të cilat trajtohen e të cilat kanë të bëjnë me pasurinë që e disponojnë trashëgimlënësit. Mënyra e ndarjes së pasurisë pas vdekjes së tij është rregulluar me ligj të veçantë nëpërmjet të cilit përcaktohet kush dhe sa ka të drejtë të trashëgojë pas vdekjes së trashëgimlënësit.
Normat dhe dispozitat e Sheriatit janë ato të cilat kanë përcaktuar në mënyrë të prerë dhe të hollësishme sistemin e trashëgimisë, si dhe kanë identifikuar në mënyrë të qartë përfituesit nga ky sistem, i quajtur në gjuhën e Sheriatit “mirath”. Kjo duhet të rregullohet pa ndërhyrjen e trashëgimlënësit ose pasardhësve të tij. Së këndejmi, trashëgimia është i vetmi institucion- përcaktimin, sqarimin dhe detajizimin e të cilit e bëri (e mori për sipër) Allahu xh.sh. Vetë në Kur’an, dhe nuk e la në vullnetin e njerëzve, sepse kjo ishte një nga çështjet më të rrezikshme dhe shumë të ndjeshme, pasi e ndërlidhet me anën materiale, që mund ta devijonte njeriun shumë lehtë, sepse dihet që natyrshmëria e njeriut është që ta dojë pasurinë, e cila, së bashku me fëmijët, është stoli e jetës. Prandaj as Synetit, si burim i dytë i Sheriatit, roli i të cilit zakonisht ishte sqarimi dhe shpjegimi i Kur’anit, nuk iu la hapësirë për të ndërhyrë në këtë çështje (mirathin), me përjashtim të rasteve shumë të rralla. Kështu, për t’iu pamundësuar armiqve të tij- të Muhamedit a.s. dhe të Islamit, që të paragjykonin dhe të akuzonin atë-Muhamedin a.s., se gjoja ndarjen e pasurisë e kishte bërë e urdhëruar sipas dëshirës dhe interesit të tij. Kjo ishte urtësia, për hir të së cilës Syneti nuk e luajti rolin qenësor në këtë çështje, porse përqendrimi dhe fokusimi i tij mbeti në shpjegimin e vlerës dhe rëndësisë së tij-mirathit, si dhe në inkurajimin për mësimin e kësaj çështje.
Transmetohet nga Muhamedi a.s.,. se ka thënë: ”Mësojeni Kur’anin dhe mësonju atë njerëzve, mësoni detyrimet (në trashëgimi) dhe mësonju ato njerëzve, mësojeni-merrni diturinë dhe mësonju atë njerëzve, vërtet unë jam njeri që do të vdes, edhe dituria do të shuhet, do të shfaqen fitnet, sprovat, derisa dy vetë nuk pajtohen në detyrim-trashëgimi, nuk do të ketë kush t’i ndaj ata”(1)
E drejta e trashëgimit nga ana e vajzës, sipas Islamit, është çështje e pakontestueshme dhe e mbrojtur me norma dhe dispozita të Sheriatit. Nuk ka fe, parim ose ligj më decidiv dhe më të përkushtuar, që t’i japë femrës të drejtën e trashëgimisë, siç ishte dhe është Islami. Kjo përkujdesje manifestohet qartazi në përcaktimin e së drejtës së saj për të trashëguar, duke përcaktuar sasinë që ajo meriton në të gjitha rastet, në mënyrë të hollësishme dhe të kristalizuar, që bën Kur’ani.
Allahu i Madhërishëm thotë:”Meshkujve u takon pjesë nga pasuria që e lënë prindërit e të afërmit (pas vdekjes), edhe femrave u takon pjesë nga ajo që lënë prindërit e të afërmit, le të jetë pak ose shumë ajo që lënë, u takon pjesë e caktuar (nga Zoti).” (En-Nisaë, 7)
Imam Kurtubiu, gjatë përpjekjeve për të komentuar këtë ajet, na rrëfen shkaqet e zbritjes së tij. Ajeti zbriti pas ndodhisë, kur Evs bin Thabit el-Ensari kishte vdekur, dhe kishte lënë pas vetës gruan e tij që quhej Ummu Kuxh xhetu, si dhe tri vajza që kishte me të. Pastaj dy djemtë e axhës së tij-Evsit, të quajtur Suvejd dhe Arfexhetu, kishin marrë tërë pasurinë e tij, duke mos iu dhënë atyre asgjë nga ajo, as gruas e as vajzave të tij, ngase asokohe (në kohën e injorancës), femra ishte e privuar nga trashëgimia, pasi që e njëjta sipas tyre nuk ishte kalorëse (nuk luftonte), e as nuk qëllonte me shigjetë. Për ngjarjen e ndodhur Ummu Kuxh-xhetu e kishte lajmëruar Pejgamberin a.s., i cili më pastaj i kishte ftuar që të dytë (Suvejdin dhe Arfexhen). Pasi nga ata kishte dëgjuar të njëjtat arsye, ju kishte thënë: Shpërndanu derisa Allahu t’më lajmëron diç për to-femrat. Menjëherë pas kësaj kishte zbritur ajeti, i cili ua anuloi ato tradita dhe zakone të padrejta, dhe femrën, ligjërisht e bëri pjesëtare në trashëgimi. Urgjentisht pas zbritjes së këtij ajeti Pejgamberi a.s., i kishte lajmëruar ata (Suvejdin dhe Arfexhen) që të mos ndajnë asgjë nga pasuria e Evsit, duke ju kumtuar atyre të drejtën e vajzave të tij në trashëgimi. Përderisa Pejgamberi s.a.v.s priste udhëzimin e radhës nga Allahu i Lartësuar në lidhje me përcaktimin e hises së tyre, zbriti ajeti Kur’anor: ”Allahu ju urdhëron për (çështjen e trashëgimit) fëmijët tuaj: për mashkullin hise sa për dy femra; nëse janë (trashëgimtare) vetëm femra, dy e më shumë, atyre ju takojnë dy të tretat e pasurisë që trashëgohet…” (Sureja - En-nisa, Ajeti .11), atëherë Pejgamberi s.a.v.s i lajmëroj ata (Suvejdin dhe Arfexhen) për t’i dhënë Ummu Kuxh-xhetus një të tetën nga ajo që kishte lënë Evsi, dy të tretat për vajzat e tij, dhe pjesa e mbetur e pasurisë të jetë për ta.(2)
Kështu Islami, duke legjitimuar të drejtën e femrës në trashëgimi, e nxori atë nga ajo gjendje, në të cilën ajo konsiderohej e denigruar dhe e nënçmuar, për ta ngritur atë në pozitën e saj të merituar.
Feja islame trashëgiminë e ndan në proporcion dy me një, pra dy hise për djalin dhe një për vajzën. Kjo ndarje,në këtë mënyrë,është në përputhshmëri të plotë me natyrshmërinë e saj. Shpeshherë, na bie të dëgjojmë nga disa (që nuk e duan Islamin), duke thënë se: Islami ka diskriminuar femrën, dhe i ka bërë të padrejtë asaj, kur ai përcaktoi pjesën- hisen e saj në trashëgimi, sa gjysma e pjesës-hises së mashkullit.
Këto dyshime, parimisht nuk kanë vend, dhe nuk ngjallen në zemrën e asnjë muslimani apo muslimaneje, pasiqë thellësisht jemi të bindur dhe besojmë, se Allahu i Lartësuar në asnjë mënyrë nuk i bën të padrejtë asnjë qenie njerëzore, apo ndonjë krijese të Tij. Allahu xh.sh., thotë: “…e Zoti yt nuk i bën padrejtë askujt”. (El-Kehf, 49).
Pastaj, para se të shpalosim arsyet e këtij dallimi që shprehet në ndarje të trashëgimisë, në mes të mashkullit dhe femrës, vlen të theksohet se, proporcioni dy me një në favor të mashkullit, nuk është gjithherë kriter për ndarjen e trashëgimisë në mes trashëgimtarëve dhe trashëgimtareve. Dallimet në pjesët, hiset e trashëgimisë janë çështje që vihen në dukje qartazi në jurisprudencën islame. Nuk ndryshojnë pjesët-hiset në trashëgimi në shkallë sipas llojit-përkatësisë gjinore -, por vlerësimet në përgjithësi ndryshojnë sipas tre kritereve:
1. Sipas shkallës së afërsisë në mes të trashëgimtarit dhe të vdekurit: meshkuj qofshin ose femra. Sa më e afërt të jetë lidhja e afërsisë, aq më e madhe është pjesa-hiseja në trashëgimi, dhe sa herë që lidhja largohet ndajnë më pak nga trashëgimia, pa marrë parasysh përkatësinë gjinore të trashëgimtarëve. Kështu që një vajzë e vetme trashëgon gjysmën e pasurisë së nënës së saj (edhe pse është femër), ndërsa babai i saj trashëgon një të katërtën e pasurisë (edhe pse është mashkull), sepse e bija është më e afërt sesa bashkëshorti, dhe për këtë arsye ajo ka më shumë të drejtë në trashëgimi.
2. Sipas brezit trashëgimtar:Brezat që jetën e tyre e kanë përpara, dhe përgatitën për të bartë barrën dhe përgjegjësitë e saj, zakonisht pjesa-hiseja e tyre në trashëgimi, është më e madhe, sesa pjesa-hiseja e gjeneratave që kanë kaluar pjesën më të madhe të jetës së tyre, dhe që iu është lehtësuar barra dhe përgjegjësia e saj, pavarësisht nga gjinia e atyre trashëgimtarëve. Kështu që vajza e të vdekurit trashëgon më shumë se nëna e tij (edhe pse të dyja janë femra).
3. Barra financiare: Ky është kriteri i vetëm, i cili paraqet një diferencim në mes të meshkujve dhe femrave, por ky diferencim assesi nuk ngërthen në vete padrejtësi ndaj femrës apo nënçmim të saj, madje saktësisht e kundërta është e vërtetë. Në rast se, trashëgimtarët ishin të barabartë në dy kriteret e para (shkallën e afërsisë dhe brezin trashëgimtar) - siç janë fëmijët e të vdekurit meshkuj dhe femra, atëherë barra financiare është arsyeja për avancim në pjesët-hiset e tyre në trashëgimi. Prandaj, Kur’ani i shenjtë, nuk e përgjithësoi këtë diferencim në mes të mashkullit dhe femrës në të gjitha rastet në trashëgimi, por e përkufizoi në rast të veçantë. Urtësia e
këtij dallimi, në këtë rast të veçantë, është se mashkulli mban përgjegjësinë për të siguruar mirëmbajtjen e femrës (bashkëshortes së tij së bashku me fëmijët e tyre), ndërsa femra nuk ka përgjegjësi materiale, sepse përkujdesja ndaj saj dhe fëmijëve të saj, është një detyrim për mashkullin e lidhur me të (bashkëshortin e saj gjatë kohës së bashkëshortësisë ndërsa mbi vëllanë e saj nëse ajo është e pamartuar dhe jeton në shtëpi të vajzërisë në mungesë të prindit.(3)
Pastaj, obligimet e mashkullit (barra financiare) nuk përkufizohen vetëm në familjen e tij të ngushtë, mirëpo ato vazhdojnë më tej për të përfshirë prindërit dhe të afërmit e tij ndaj të cilëve ka obligim dhe përgjegjësi, si dhe obligime tjera të ndryshme që janë paraqitur me kalimin e kohës si: qiraja, pagesa të ndryshme etj.
Prandaj, edhe kur femra trashëgon sa gjysma e pjesës, hises së vëllait të saj, ajo nuk është e diskriminuar, madje ngjan të jetë me më shumë fat dhe më e privilegjuar sesa vëllai i saj, kur kemi parasysh lirimin e saj nga shpenzimet e jetës, si dhe pjesën e pasurisë së saj nga trashëgimia, e cila ekskluzivisht i takon vetëm asaj, mirëpo kjo urtësi hyjnore ende nuk iu është bërë e qartë për shumë prej njerëzve. Krejt në fund, gjithherë duhet ta kujtojmë se favorizimi i mashkullit ndaj femrës, në raste të veçanta, në trashëgimi, nuk është epërsi që konsiston me përuljen dhe nënvlerësimin e femrës, porse është epërsi sistematizuese dhe rregulluese që precizon rendin-sistemin shoqëror, si dhe stabilizon jetën bashkëshortore, duke i ditur secili obligimet dhe përgjegjësitë e veta me të cilat janë të ngarkuar nga Ligjvënësi i Gjithëdijshëm.



(1) Synen Ed-darimi 1/72-73, dhe Bejgekiu 6/208.
(2) El-xhamiu el-ahkam el-Kur’an, Imam Kurrtubi (f.45-46, vëll.5) bot. i pestë. 2003. Dar el-kitab el arabijj. Bejrut.
(3) Shih: Ahkam el-mevarith bejne el-fikh ve el-kanun, Muhamed Mustafa Shelebi (f.23-25) bot. i parë.1978.Dar en-nehdatu el-arabijjetu. Bejrut.



Mr. Fitim Gashi


Na ndiqni

Lexoni lajmet më të fundit nga rrjetet tona sociale!

Video

Në Gjakovë u bë përurimi i dorëshkrimit “Sahihu i Buhariut” – kopja e Juninit (Video)