Ky aktivitet u organizua nga qendra Islame Ballkan në bashkëpunim me Unionin e Bashkësive Islame Shqiptare në Gjermani (UIAZD). Morën pjesë disa imamë dhe rreth 50 te rinj nga xhami të ndryshme nga Bayern dhe Baden-Wüttenberg. I ftuar i nderit ishte Salahuddin ef. Ibra, kryetar i UIAZD dhe imam i xhamisë “Drita” në Duisburg.
Tubimi i mysafirëve filloi para namazit të drekës. Seminari u hap me recitimin e ajeteve kuranore nga Hafiz Avni Bekiri , imam i xhamisë shqiptare të Augsburgut. Fjalën përshëndetëse e mbajti Jakub ef. Muhamedi, imami i xhamisë Balkan i cili iu uroi mirëseardhjen të gjithë të ftuarve.
Ligjërata e parë u mbajt nga Salhuddin ef. Ibra, i cili shtjelloi rëndësinë e besimit në një Zot dhe impaktin që ka ky besim në jetën e individit si dhe në shoqërinë muslimane. Ai ilustroi, me shembuj nga jeta e Profetit Muhamed si dhe nga aktualiteti i sotëm, gjurmët që lë besimi i pastër në jetën e muslimanit.
Pas një pushimi të shkurtër dhe namazit të Ikindinsë, seminari vijoi me workshopin, ku të rinjtë diskutuan mes tyre rreth besimit dhe rrugën e afrimit tek Zoti. Diskutimet u zhvilluan në gjashtë grupe të ndryshme, ku të rinjtë mes të tjerash patën mundësinë të njihen më afër me njëri-tjetrin.
Imami i xhamisë së Ulmit, Kamber ef. Xhemaili si dhe imami i xhamisë së Nürnbergut Muhamed ef. Sulejmani ishin relatorët e radhës, të cilët ligjëruan mbi vlerat morale dhe rëndësinë e tyre në konsolidimin e shoqërisë. Ata theksuan rolin kyç që luajnë adhurimet dhe ritet fetare si p.sh. namazi, agjërimi dhe haxhi në vënien në jetë të parimeve morale dhe etike. Duke pasur si referencë thënien profetike: “Zoti më dërgoi të plotësoj vlerat morale”, imamët dhanë shembuj të shumtë rreth karakterit dhe sjelljes model të profetit Muhamed.
Mbi rëndësinë e diturisë dhe rolin e saj jetik në njohjen e së vërtetës si dhe mbi vlerën e kërkimit të dijes foli imami mysafir nga Tirana, Abedin ef. Musallari. Ndër të tjera ai theksoi vëmendjen që i kushton Islami diturisë dhe formimit intelektual të individit. Një besim i shëndoshë arrihet vetëm në sajë të një edukimi të mirëfilltë .
Në vijim të rinjtë zhvilluan workshopin e radhës ku u diskutua rreth njohurive që ka rinia muslimane mbi Islamin, Kuranin si dhe jetën e Muhamedit a.s. Në përmbyllje të rinjtë shpalosën konkluzionet e workshopeve dhe diskutimeve. Nga mysafirët janë dalluar për pjesëmarrje masive dhe aktive: xhamia Augsburg , xhamia Ulm dhe Xhamia Stuttgart. Performanca e hoxhallarëve është vlerësuar shumë nga pjesëmarrësit të cilit me anë të pyetësorit kanë përshëndetur idenë e organizimit të këtij seminari. Në mënyrë unanime shrehet dëshira që aktivitete të tilla të organizohen edhe në të ardhmen.
Ishte një kënaqësi e veçantë të shikoje ata dhjetëra të rinj besimtarë të cilët i bashkoi një qëllim i vetëm, fitimi i kënaqësisë së Zotit. Në fund të aktivitetit u shtrua një darkë për të gjithë pjesëmarrësit nën përkujdesjen e kryesisë së qendrës islame Ballkan.
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/1_1388650129.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/2_1388650143.jpg[/img]
[img]http://www.islamgjakova.net/uploads/3_1388650157.jpg[/img]
Asllan Tahiraj