Lazarat: familjet muslimane, të vetmet që nuk mbollën bimë narkotike

Të gjithë menduan se nuk ka banorë në Lazarat që nuk ka kultivuar bimë narkotike, por pas ndërhyrjes së forcave policore doli se dhjetëra familje nuk kishin mbjellë asnjë rrënjë kanabis, madje në shtëpitë e tyre nuk u gjet asnjë armë.

Këtë nuk e kanë bërë nga frika e shtetit, por nga besimi i tyre në Zot. Bëhet fjalë për 40 familje muslimane, që nuk mbjellën asnjë rrënjë të bimës narkotike. Ata nuk u tunduan, e as nuk xhelozuan fqinjët e shumtë që fitonin miliona nga këto bimë fitimprurëse.
Këtë nuk e thonë ata, apo fqinjët e tyre, por vetë forcat e policisë që kryen kontrollin shtëpi më shtëpi.
“Nuk u kemi gjetur asgjë të jashtëligjshme. Ndryshe nga fqinjët, këto familje muslimane, në vend të kanabisit kishin mbjellë qepë, domate e perime të tjera”, thanë disa prej oficerëve të forcave speciale që kanë kryer kontroll në shtëpitë e tyre.
Të gjithë banorët e Lazaratit kultivonin drogë, por pasi policia u fut në fshat, u përballën edhe me njerëz që kishin zbatuar ligjin. Madje një besimtar musliman, që sapo kishte krijuar familjen e tij të re, kishte preferuar të jetojë në një shtëpi përdhese modeste, duke refuzuar vilën dykatëshe që ia kishte dhuruar i ati, sepse kjo pasuri ishte ndërtuar nga paratë e drogës.