Feja dhe kultura, faktorë paqeje në shoqëri

Debati dhe shqetësimi i sotëm mbi përplasjen e qytetërimeve dhe pasojat e tij për shoqërinë njerëzore na nxit të futemi në thelbin e problemit për të dhënë një mesazh me zë të lartë, mesazh që t’i shërbejë popujve dhe kombeve të botës mbarë, besimeve dhe kulturave të tyre, sado të veçanta qofshin ato, por sidomos të rinjve, të cilët, të ndodhur në udhëkryqin dhe epiqendrën e informimit global, kanë nevojë, më shumë se kushdo të udhëhiqen drejt paqes, shpresës, mirëkuptimit e dialogut.

Bota e sotme karakterizohet nga rritja e ndërvarësisë dhe e kooperimit ndërmjet popujve, grupeve, institucioneve dhe kombeve. Në të njëjtën kohë, konfliktet etno–fetare dhe ndërfetare si dhe përdorimet e instrumentalizuara dhe politike të fesë apo të identitetit kulturor janë në rritje në shumë rajone të botës. Për këtë arsye, vlerësoj të rëndësishëm këtë takim, për të hedhur dritë mbi disa të vërteta që karakterizojnë harmoninë e raportit fetar e kulturor.
Kulturat, qytetërimet, ashtu si edhe shoqëritë, janë të pandara, janë të tjetërsueshme dhe të trashëgueshme. Asnjë qytetërim nuk ka lindur nga hiçi ashtu si asnjë qytetërim nuk është zhdukur tërësisht. Kalimi i kohës dhe i viteve, mungesa e dokumentacionit dhe e informacionit, na krijojnë përshtypjen e gabuar se kultura e qytetërime të veçanta janë zhdukur pa lënë gjurmë. Erërat globaliste po lëvizin furishëm. Ajo që ka rezultuar prej tyre është se globalizimi paraqet një sfidë të madhe të shekullit aktual pa marrë parasysh dallimet në pikënisjet, këndvështrimet dhe pikat e përqendrimit, qofshin ato politike, ekonomike apo kulturore.
Në këtë kontekst fetë duhet të jenë të vëmendshme që të mos identifikohen me pushtetet politike, me qëllim që t'i kenë duart të lira për të punuar për drejtësinë dhe paqen. Historia ka treguar se sa e rrezikshme është për fetë aleanca e altarit me fronin.
Eksperienca historike e dy shekujve te fundit ka treguar se në shumicën e rasteve karta e kulturës, nacionalizmit apo kombësisë është përdorur qëllimisht nga disa udhëheqës shtetesh kryesisht ateiste për të përqendruar pushtetin në duart e veta dhe për të kaluar në diktature.
Librat fetarë asnjëherë nuk kanë vlerësuar njeriun nga etnia, kombësia apo përkatësia kulturore, por nga shkalla e besimit tek Zoti dhe kontributi që jep në shoqëri. Megjithatë feja, kombi, kultura dhe identiteti janë çështje që bashkëveprojnë por të ndara njëra me tjetrën dhe nuk kanë kundërshti në mes veti. Po ashtu njëri nocion nuk mund ta zëvendësojë tjetrin, pasi që përmbajtja dhe kuptimet janë të ndara.
Në botë ka kombe më shumë se fe. Shumë kombe (etni) mund të kenë dhe praktikisht kanë një fe. Po ashtu brenda një kombi mund të ketë pjesëtarë të feve të ndryshme.
Mund të bëhet një pyetje tani. Përderisa Krijuesi i njerëzisë është Një i Vetëm, përse lindën popuj (kombe) të ndryshëm? Kësaj pyetje do t'i përgjigjemi në pjesë të veçanta sa i përket feve kulturave e kombeve.
Së pari krijimi i shumë kombeve, racave, gjuhëve etj.., nuk është rastësi. Gjithçka nga krijesat e Zotit është e krijuar në familje e lloje të ndryshme. Diversiteti është prej begative të krijimit të Zotit. Në Kur’an thuhet: "A nuk e sheh se Allahu lëshon nga qielli ujë, e Ne nxjerrim me të fruta, ngjyra (lloji) e të cilave është e ndryshme." (Fatir, 27)
Zoti i madhërishëm në vazhdim të fjalës së Tij të sipërpërmendur thotë: "Edhe nga njerëzit, nga gjallesat, nga kafshët po ashtu ka të ngjyrave të ndryshme." (Fatir, 28)
Së dyti: Kur’ani e justifikon ekzistencën e kaq shumë komuniteteve nga fakti se ato mund të hidhen në një konkurrencë aktive në kërkimin e të mirës morale. Nga fakti që njeriu vendos lirshëm për të mirën, ai mund t'ia dalë mbanë, dhe jo duke zbatuar në mënyrë të thjeshtë udhëzimet – si në një shoqëri totalitare. Kjo do të thotë se forca vendimmarrëse dhe vullneti ndodhen brenda tij dhe ato mund të zhvillohen në saje të një jete shpirtërore ku diversiteti kulturor është faktor pozitiv pasurimi. Kur’ani deklaron: “Në qoftë se Zoti do e kishte dashur, ai do të kishte bërë vetëm një popull; por ai ka dashur të provojë besnikërinë tuaj në vëzhgimin e asaj që ju ka dhënë. Vraponi kush e kush më shumë drejt veprimeve të mira” (Kur’ani, 5:53)
Pra Zoti ka dashur që njerëzit të jenë kombe të ndryshme me gjuhë dhe ngjyra të ndryshme duke mos favorizuar ndonjë komb mbi një tjetër. Kështu, të gjithë njerëzit janë të barabartë si krijesa të Zotit siç thotë dhe Profeti Muhamed (a.s,): “Të gjithë vini nga Ademi”.
Kjo do të thotë se diversiteti fetar dhe kulturor, në asnjë rast nuk duhet të bëhet shkak armiqësie ndërmjet njerëzve. Përkundrazi, duhet të shërbejë si nxitës i zhvillimit të njerëzimit, që përkthehet përmes tolerancës, respektit dhe fisnikërisë kundrejt të ndryshmëve. Historia na tregon se të gjitha kulturat e mëdha janë zhvilluar përmes shkëmbimeve me kulturat e tjera, përmes reciprocitetit të këtij shkëmbimi dhe jo përmes shtypjes dhe përbuzjes. Kur’ani shpall se një nga objektivat e krijimit është që popujt e ndryshëm të tokës të njihen ndërmjet tyre çka nënkupton dhe këmbimin e gjithçkaje të mirë që posedon secili. "O njerëz, padyshim Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise që të njiheni." (Huxhuratë, 13)
Feja islame mbron të drejtën e çdo kombi dhe zakonet e tij nëse këto zakone nuk kanë origjinë politeizmi por që shërbejnë për të mirën e njeriut. Feja e udhëheq njeriun drejt horizonteve të lirisë. Besimtari i devotshëm është i lirë sepse besimi e ka liruar shpirtin e tij nga keqbërja e padrejtësia. Njeriu lirohet nga atributet e urryera vetëm në rast kur në brendësinë e qenies së tij dominon drejtësia, mirësia dhe e vërteta, të cilat janë parametra të besimit.
Besimi islam predikon bashkim universal në lidhje me adhurimin, Zotin dhe ruajtjen e gjuhës dhe kulturës të çdo kombi, sepse kjo është natyrshmëria që Zoti i krijoi njerëzit. Kjo është dhe esenca e konceptit të paqes në Islam.
Në besimin islam, njeriu është plotësisht përgjegjës për aktet e tij. Ai mund të arrijë në një paqe gjithnjë e më të madhe në vetvete, në sajë të përpjekjeve të sinqerta që ai kryen për të vepruar si qenie e përgjegjshme. Këto përpjekje synojnë tre dimensionet e mëposhtme të cilat përcaktojnë sjelljen e të gjithë qenies sonë:
1. Paqen me vetveten.
2. Paqen me njerëzit e tjerë dhe tërë pjesën tjetër të krijimit.
3. Paqen me Zotin, që zotëron tërë pushtetin.
Jeta është një përpjekje e vazhdueshme e njeriut ndërmjet të mirës dhe të keqes, të drejtës dhe të gabuarës, trupit dhe shpirtit. Që ky i fundit të triumfojë duhet të shtohet forca shpirtërore tek njeriu e cila e edukon atë të zotërojë dëshirat e liga dhe e orienton kah logjika. Nëpërmjet zemrës dhe arsyes ka një relacion të drejtpërdrejtë. Ky relacion mund të jetë i suksesshëm nëse të dyja ndihmojnë njëra-tjetrën dhe nuk e refuzojnë atë, respektivisht nëse nuk ndërhyjnë negativisht tek njëra-tjetra. Arsyeja shumëdimensionale e bart njeriun në realitetet e larta të ekzistencës, ndërsa zemra e mbushur me besim e ndjenja fisnike, garanton vazhdimësinë e natyrshmërisë së tij, si një krijesë e përsosur, mëkëmbës i Zotit ne këtë planet, siç thotë Kur’ani: “Unë të kam bërë mëkëmbësin tim në tokë (o njeri).”
Krijuesi i Gjithësisë fton mbarë njerëzimin në krijimin e një shoqërie paqeje të përbashkët. Ky ishte misioni i të gjithë profetëve i cili përmendet edhe në këtë sentencë kur’anore:
“Thoni: Ne i besuam Allahut dhe atë që na zbriti ne, në atë që i zbriti Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe pasardhësve, në atë që ju dha Musait dhe Isait, ata që iu dha profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe vetëm Zotit i jemi bindur.” (Bekare, 136)
Kam kënaqësinë të sjell këtu të vërtetën e shoqërisë shqiptare, të vërtetën historike e aktuale, shembullin dhe modelin e realitetit shqiptar. Ne jemi një popull ballkaniko-mesdhetar, një komb i cili ka ndërtuar historinë e vet të lashtë, pranë dhe së bashku më qytetërime, kultura e besime të ndryshme shpesh të kundërvëna, që prej besimeve pagane në atë të krishterë, romak apo bizantin, deri në atë mysliman të Perandorisë Osmane. Ky rrugëtim përvetësimi i besimeve apo të kulturave të ndryshme pasuroi brez pas brezi identitetin shqiptar. Vizioni shqiptar liberal ndaj besimit plotësohet me shpirtin mirëpritës e tolerant për të pranuar tjetrin, me identitetin e tij dhe pa paragjykime. Ky shpirt i veçantë i vërtetuar në formën më të shkëlqyer, në shembullin e rrallë në historinë e njerëzimit, në qëndrimin e shqiptarëve ndaj hebrenjve.
Ka rëndësi krijimi i bashkëpunimit dhe koalicioneve ndërmjet grupeve fetare dhe bashkësive dhe liderëve fetarë si mjet për të parandaluar konfliktet, ose konfliktet e mundshme në botë, por edhe në realitetin tonë multifetar. Parakushti për këtë bashkëpunim është toleranca, respekti për besimin dhe bindjet fetare të tjetrit. Nga pikëpamja e qeveritarëve, kërkohen përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar të drejtën për lirinë e fesë si një e drejtë themelore si dhe garantimin ligjor të elementeve kulturorë për secilin komunitet.
Do ta mbyllja me një varg kur’anor i cili thotë: “Bashkëpunoni mbi bazën e respektit reciprok dhe devotshmërisë”.



Bujar Spahiu (nënkryetar i KMSH-së)
Fjala e mbajtur në Ohër në Konferencën për Dialog Ndërfetar me 7 Maj 2010