Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër: Terrorizmi nuk ka ngjyrë, fe dhe përkatësi kombëtare

“Kjo që ndodhi në Francë, në redaksinë e revistës "Charlie Hebdo" në Paris është tragjedi, vepër makabre dhe e papranueshme për ne si përfaqësues të myslimanëve shqiptarë në Zvicër por edhe si prijës fetarë islamë”, thuhet në reagimin e Unionit të Imamëve Shqiptarë, të nënshkruar nga kryetari, Nehat Ismaili.

“E ndiejmë për obligim moral të reagojmë dhe do të reagojmë çdo herë kur të shkelen të drejtat e njeriut, cenohet liria e të menduarit, e manifestimit të fesë dhe bindjeve, kur rrezikohet siguria e njerëzve, e aq më tepër kur këto vepra bëhen në emër të Islamit dhe myslimanëve paqedashës që jetojnë në Perëndim. Vepra që mund të jenë të individëve apo grupeve të vogla ekstremiste që as vetë nuk dinë kujt i shërbejnë dhe në emër të kujt veprojnë, e sigurisht kurrsesi në emër të myslimanëve dhe islamit”.

“Ekstremizmi dhe terrorizmi nuk kanë ngjyrë, fe dhe përkatësi kombëtare, dhe janë të papranueshme si mjete për zgjidhjen e problemeve, konflikteve dhe diversitetit në të menduar”, thuhet më tutje në reagimin e imamëve shqiptarë. Ata u kanë bërë thirrje të gjitha mendjeve të shëndosha, si intelektualëve, politologëve, përfaqësuesve të mediumeve dhe masave te gjera, që të ruajnë gjakftohtësinë, siç thonë ata dhe të mos fusin të gjithë myslimanët në një thes, por këtë çështje t`ia besojnë organeve të sigurisë dhe drejtësisë, ndërsa aktorët të marrin dënimin e merituar.

“Tolerancën ndërfetare shqiptarët do ta përcjellin deri në pafundësi”

Unioni i Imamëve Shqiptarë në Zvicër në këtë deklaratë thotë se është përcaktuar që të ndjekë vetëm një rrugë, dialogun ndërkonfesional, tolerancën, respektimin e diveristetit kulturor, fetar dhe etnik duke i kontribuuar çdo herë paqes, dashurisë, altruizmit, larg urrejtjes, përçarjes dhe intolerancës.

“Këtë porosi paqedashëse shqiptarët do ta përcjellin deri në pafundësi, këtë tolerancë dhe bashkëjetesë ndërkonfesionale shqiptarët më së miri e kanë kultivuar dhe duhet kultivuar, dhe ne shprehim ngushëllime dhe ndjejmë keqardhje nga kjo tragjedi që preku Francën e veçanërisht myslimanët e Francës”, thuhet në deklaratën e Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës, të cilët kanë ngushëlluar familjarët e viktimave në sulmin terrorist në Francë. / albinfo.ch/