Kosova me 742 xhami

Shtëpitë ku besimtarët myslimanë i luten Zotit po shtohen. Sipas statistikave të këtij viti të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), në Kosovë ekzistojnë 742 xhami. Numri i objekteve fetare islame arrin në gjithsej 798, nëse llogaritet edhe Presheva, Medvegja e Bujanoci, të cilat komuna aktivitetin e tyre fetar e zhvillojnë nën ombrellën e BIK-ut.

Shumë kërkesa janë adresuar edhe në BIK për ndërtim të xhamive të reja. Por, ndërtimi i xhamisë qendrore, i përfolur si një nga kërkesat më të mëdha për të plotësuar kërkesat e besimtarëve të këtij komuniteti në kryeqendër, ende nuk dihet nëse do të përfundojë sivjet. Madje, një përgjigje të saktë për këtë nuk e ka as BIK-u. Ndërkaq, në vend ekzistojnë 24 xhami pasive, për shkak të shpërnguljes së banorëve nga vendbanimet.
Ahmet Sadria nga BIK-u thotë për gazetën Zëri, se është preokupim i vazhdueshëm i BIK-ut çështja e xhamisë qendrore.
“Prandaj pikërisht për këtë arsye, kemi dashur që çdo gjë që ka të bëjë me këtë objekt madhështor, të jetë transparente. Fillimisht kemi shpallur konkurs ndërkombëtar, gjë të cilën nuk e ka bërë asnjë institucion i Kosovës më parë, kemi angazhuar edhe një komision vlerësues të ekspertëve më të njohur botërorë, të cilët kanë analizuar me kujdes secilin projekt veç e veç”.
Pritshmëritë e BIK-ut, ai thotë se, kanë qenë më të mëdha se ajo që iu është ofruar në konkurs.
“Në lidhje me këtë kemi biseduar me Bashkësinë Islame të Turqisë, dhe kemi bërë përzgjedhjen e një projekti, i cili është tradicional dhe përkon me arkitekturën e këtij nënqielli. Investimi i kësaj xhamie është marrë përsipër nga po kjo Bashkësi Islame, pra ajo e Republikës së Turqisë (DIYANET-i), ndërkohë që ne aktualisht jemi duke u marrë me procedurat administrative me Komunën e Prishtinës, për të shikuar mundësinë e fillimit të punëve, në një kohë sa më optimale”, thotë Sadria.
Sipas statistikave më të fundit të BIK-ut, (qershor 2015), ai thotë se në Republikën e Kosovës ekzistojnë 742 xhami (pa e përfshirë në këtë numër Kosovën Lindore). “Prej tyre 24 xhami janë pasive, për shkak të shpërnguljes së banorëve nga ato vendbanime. Ndërsa nëse llogarisim edhe Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, të cilat komuna aktivitetin e tyre fetar e zhvillojnë nën ombrellën e BIK-ut, atëherë numri i objekteve fetare islame arrin në gjithsej 798”.

Dhjetëra kërkesa për ndërtim të xhamive

Sadria thotë se zakonisht dhe tradicionalisht xhamitë janë ndërtuar dhe vazhdojnë të ndërtohen bazuar në kërkesat e qytetarëve të Kosovës, në ato vende ku, sipas tij, vërtet ndjehet nevoja për ndërtimin e tyre. “Ashtu sikur një komuniteti të caktuar në një lokacion të caktuar, i takon ta ketë një institucion shkollor, një qendër të mjekësisë familjare, apo një çerdhe për fëmijë, ashtu kanë të drejtën ta kenë edhe një objekt fetar ku do të mundë t’i kryenin me përkushtim adhurimet ndaj Krijuesit. Sa i përket kërkesave të qytetarëve për ndërtim të xhamive të reja, vërtet ato janë të shumta”.
Sadria thotë se tash për tash në Drejtorinë Fetaro-Arsimore, të cilën e udhëheq kryeimami, janë disa dhjetëra kërkesa për ndërtim të xhamive. Mirëpo, pavarësisht kësaj, ai thotë se kryesia e BIK-ut jep leje dhe pëlqim për ndërtim të tyre, vetëm pas daljes së komisionit të Kryesisë së BIK-ut, në vendin e ngjarjes dhe verifikon plotësimin e kushteve dhe dokumentacionit të duhur për ndërtim të një xhamie të re.
“Fillimisht shikohet nëse realisht është paraqitur nevoja për një objekt të ri, apo nëse objekti i vjetër nuk i plotëson nevojat e xhematit, dhe pastaj Këshilli i BI-së të asaj komune, pajiset me dokumentacionin e duhur, si fjala vjen: kopjen e planit, plan-situacionin, lejen e ndërtimit nga ana e organeve komunale, dhe sigurisht edhe lejen me shkrim nga Kryesia e BIK-ut”. Ndërtimi i xhamive, për kryerjen e adhurimeve ditore, Sadria thotë se është po ashtu një preokupim parësor i BIK-ut, me të gjitha degët e saj nëpër Komunat e Kosovës.
Por, investimet kryesore thekson se i bën xhemati. “Zakonisht, investimet bëhen me shumicë nga vetë popullata, sepse një gjë e tillë është traditë shekullore. Kryesia e BIK-ut intervenon me shuma më të vogla, atëherë kur ngecin punët në mungesë të mjeteve materiale”. Ai thotë se ndërtimi bëhet dhe nga donatorët e ndryshëm, të cilët shpeshherë ndihmojnë në përfundimin e ndërtimit të tyre. Madje, e quan hap pozitiv që në restaurimin e disa prej xhamive kryesore, sidomos në Pejë, Deçan dhe Gjakovë, kanë marrë pjesë Shoqata të ndryshme nga Perëndimi, saktësisht nga Italia, ShBA dhe Suedia.

Xhamia e parë në Kosovë, e parestauruar

Një nga xhamitë që sot ekzistojnë në Kosovë, Xhamia e Sulltan Muratit (xhamia e Çarshisë përballë Parlamentit të Kosovës), llogaritet të jetë xhamia më e vjetër në këto anë, ndërtimi i së cilës ka filluar në vitin 1389, dhe ka përfunduar në vitin 1440. “Instituti për mbrojtjen e monumenteve e ka marrë përsipër restaurimin e saj, tash e sa vite më parë, me mjete të KK Prishtinë. Për fat të keq punimet janë ndërprerë, në mungesë të mjeteve financiare siç ata shprehen”, thotë Sadria. Ai thotë se xhamia dita ditës po dobësohet.
“E pambuluar, në ekspozim të të reshurave atmosferike, dhe çdo ditë e më shumë po rritet nevoja për një restaurim tjetër të dyfishtë për shkak të lënies në mëshirë të kohës, përkundër ankesave dhe kërkesave të shumta që i kemi drejtuar tek institucionet përkatëse për mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore”, thotë ai.