Gruaja shqiptare - si gratë tjera apo ndryshe nga të tjerat?
Gruaja shqiptare, e vuajtur si të tjerat, më shumë a më pak?
Gruaja shqiptare, më e vlerësuar apo më e nënvleftësuar se gratë tjera të botës?
Nuk ka statistika, nuk ka një analizë, por janë shumë perëndimorë që po kërkojnë të marrin një grua shqiptare.
Pse, i pyesim? Pse? Sepse, na thonë, janë gra që kanë vlerësim për familjen, janë gra që i edukojnë mirë fëmijët e tyre, që kanë respekt për bashkëshortët dhe njerëzit e familjeve të tyre. Po. Kjo është e vërtetë, sepse me shekuj gruaja shqiptare ishte dhe mbeti faktori më i rëndësishëm i konsolidimit të familjes, përçuesja e traditave me të mira të popullit dhe vlerave të tij. Ishin ato, që lindën dhe mbajtën në prehrin e tyre kombin shqiptar, që ushqyen bijtë dhe bijat e tij me ndjenjat patriotike për të dashur vendin dhe tokën amtare, ato që "idhnim n'armikun nepër gji u qisnin” ato që me qumësht të pastër andjen e shpirtit diktojshin, që kobin e zvetnimit nga votra lurgojshin”, "ato të urtat deri në amshim, ato të thjeshtat deri në madhështi” - ato ishin dhe janë nderi dhe lavdia e kësaj toke.
Po pse gruaja shqiptare është faktor i rëndësishëm i konsolidimit të familjes shqiptare?
1. Së pari, gruaja shqiptare gjithmonë, gjatë shekujve, ka shfaqur vetinë me të mprehtë altrocentriste të gruas në përgjithësi, duke vënë në qendër të vëmendjes kënaqësitë që asaj i dha ndjenja për të bërë për të tjerët, gëzimi për t'u përkujdesur për fëmijën, familjen, komshiun, sakrificën për t'u shtyrë për të bërë një nder, zbutjen e vuajtjes së të tjerëve, nëpërmjet kujdesit të saj. Ajo nuk ka ditur t'ia bëjë qejfin vetes, por veç të tjerëve. Ajo s’ka ditur t'i shërbejë kaq shumë vetes, por të tjerëve, ajo në shumë raste ka mohuar veten për sakrificat e pakufishme që ka bërë për të tjerët.
2. Ato kanë mbështetur idealet e djemve dhe bashkëshortëve të tyre, duke i ndihmuar në luftë e në paqe, në vështirësi dhe sakrifica, në idetë dhe në qëllimet e tyre, Ato lindën dhe edukuan kokat më të mëdha të kombit shqiptar të luftës, kulturës, shkencës. Dhanë për vendin loçkat e zemrës, dhjetëra dëshmorë të atdheut, heronj të lirisë e Rilindjes Kombëtare, të luftës kundër fashizmit, demokracisë dhe pluralizmit. Por, ato luftuan edhe vetë; dhanë jetën për këtë vend, për këtë komb. Nënëloket dhanë të parat bekimin, kur i nisën fëmijët në luftë, dhuruan të parat urimin, kur martuan dhe lëshuan kujën, kur ata u ikën nga jeta. I nisën djemtë dhe vajzat në luftë kundër çdo pushtuesi, por gjithmonë në mbrojtje të trojeve amtare dhe jo për të pushtuar a sulmuar ndonjë vend tjetër. I ndihmuan në idealin e tyre, duke i bërë shtëpitë vende ku strehoheshin, ku mjekoheshin, ku kishin bazat luftëtarët e lirisë.
Sipas Faik Konicës, në kombin tonë duke! se tërë hollësia e mendjes dhe e zemrës, tërë bukuria e karakterit dhe e sjelljes, kanë rënë në anën e gruas - sepse ato ditën edhe të jepnin edukatën e kulturën, ato ishin arsimdashëset e para të arsimimit në shqip të kombit tonë, lindën artistët më të shquar të këtij kombi, duke ushqyer ndjenjën e një të ardhmeje të bukur e të ndritshme për vendin. Nënat shqiptare, që dërguan të parat jo vetëm djemtë, por edhe vajzat në shkollat shqipe, do të mbeten pishtare të përjetshme të përhapjes së arsimit dhe diturisë. Ato i dërguan fëmijët për t'u shkolluar brenda e jashtë vendit, duke u dhënë këshillën:”U bëfshi për vendin tuaj, të ktheheni e të punoni për të”.
Në luftërat e ndryshme që bëri populli ynë, nënat shqiptare përkrahën masivisht bijtë e tyre kundër armikut, duke kthyer shtëpitë, pasuritë dhe çdo gjë që kishin, në përkrahje të idealit të tyre. Ato ranë vetë dëshmore, por i dhanë kombit me mijëra dëshmorë, duke treguar një shembull të lartë të qëndrimit burrëror karshi humbjes së madhe që pësuan. Kishte nga ato që i dhanë luftës edhe dy e tre djem. Ato të papërkulurat, gratë më fisnike të botës, mbas luftës së 1944, do të ballafaqoheshin me një rrebesh të paparë komunist, ku bijat dhe bijtë e tyre, burrat dhe vëllezërit, ndër më të shquarit intelektualë të ndritur të kombit, arsimdashës, patriotë, guximtarë, shkencëtarë, do t'i vrisnin, do t'i varnin, do t'i burgosnin dhe internonin duke kaluar një vuajtje që vetëm ato dinin ta përballonin me stoicizëm, e bashkë me to, do të ngrysnin netët pa mbarim në dyert e burgjeve, në kampet e internimeve, ku kulmonte varfëria, poshtërimi dhe urrejtja. A nuk krijuan ato vlera të ruajtjes së familjes dhe mosprishjes së saj? Ato nuk u ndanë nga burrat e tyre edhe kur u thanë të divorcoheshin, por për të ruajtur familjen shkuan e i ndoqën burrat e tyre, fëmijët, kunetërit, vëllezërit burg më burg, internim më internim, pa iu ndarë, pa iu shkëputur trungut familjar për të edukuar tek fëmijët e tyre një vlerë të madhe: Familja është e shenjtë, ajo nuk duhet prishur, ajo duhet mbajtur edhe atëherë kur ndodhin fatkeqësi, edhe atëherë kur të tjerët përpiqen ta rrënojnë atë. E kush më shumë se gratë shkodrane, krijuan traditën morale të durimit të një sakrificë të pashembullt, të një vuajtjeje të papërshkruar dhe të një lufte për mbrojtjen e nderit të familjes, fisit dhe kombit. E ato pra, ishin gra, nëna, motra dhe bija të familjeve më të mira shkodrane, ato që kishin të stampuara në dyert e konaqeve, nderin, burrërinë, besën e mikpritjen. Ato që i kishin dhënë këtij vatani jetën e njerëzve më të dashur, u kishin dhënë pasurinë e shpirtit të tyre. Por dikush tentoi t'i damkoste me forcën e urrejtjes, me mizorinë satanike, duke u vrarë, internuar, burgosur dhe syrgjynosur, njerëzit më të dashur; u morën shtëpitë, pasuritë e fituara me djersën e ballit dhe deshën t'u merrnin edhe nderin dhe besën. Por deri këtu nuk arritën, nuk mundën
t'i zhduknin ato virtyte, që u ishin ngulitur brez pas brezi në edukatën e tyre, në ndjenjat dhe gjakun e tyre. Ato nuk i mohuan njerëzit e tyre, por me një krenari të paepur, me një durim stoik dhe me një guxim të rrallë, i ndoqën dhe u kujdesën edhe atëherë kur i çuan në skajet mê të largëta të Shqipërisë, në miniera, këneta, zona të thella malore, në burgjet më të tmerrshme.
Ja si i përshkruan një psikologe italiane, Xhina Lombrozo, gratë superiore: "Nuk është pra vetëm në fushën e kulturës, të artit, të shkencës vendi ku duhen kërkuar gratë superiore. Sepse janë superiore edhe gratë bujare e të panjohura, që kanë krijuar me përpjekjet e tyre traditat morale që sot na drejtojnë, gratë që kanë fituar me vuajtjet e tyre, me sakrificat e tyre prestigjin dhe respektin që përfitojnë akoma edhe sot; gratë që kanë arritur të gdhendin burrat e t'u frymëzojnë atyre veprime bujare e qëllime fisnike.”
Heroizmi, besnikëria, mbështetëse të përjetshme të familjeve të tyre, janë virtytet më fisnike që shfaqën gratë kosovare në luftën e Kosovës, të viteve 1998-1999, ku shumë prej tyre u organizuan dhe u rreshtuan në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shumë gra dhe vajza u përfshinë edhe vetë në luftë, duke dhënë edhe jetën e tyre si dëshmore të atdheut. Rasti më heroik ka qenë i femrave të familjes Jashari, që megjithëse iu kërkua të dilnin nga rrethimi, ato pranuan më mirë të vdisnin me burrat dhe fëmijët e tyre, sesa të jetonin nën serbin. Pra, jo vetëm Oso Kuka u dogj në kullë të barotit për të mos u dorëzuar dhe për të u kënduan kaq këngë trimërie, por janë 12 gra të familjes Jashari me fëmijët e tyre, që janë djegur dhe vrarë brenda kullës, ngjarje tepër e rrallë botërore, që do të mbahet mend gjatë për sakrificën, burrërinë dhe besën shqiptare të gruas së këtij kombi. Ato nuk e bënë këtë gjest për t'u dukur, as për t'u mburrur, por për të ngritur lart vetinë më të shenjtë të familjes shqiptare: luftën përkrah burrave dhe bijve të tyre, për të mos iu dorëzuar armikut.
Ana Di Lellio, sociologe italiane, ish komisionere për mediat në Kosovën e pasluftës, do të shprehej, për t'i bërë të njohur botës atë çfarë nuk dihej për trimëritë e gruas kosovare: "Të gjithë e dinë se kush ka qenë Adem Jashari, por askush nuk di se kush ka qenë gruaja e tij dhe si e ka pasur emrin. Askush nuk flet për këtë grua, për Adilen, e cila, në kohën kur Ademi po luftonte bartte municione, nga një vend në tjetrin dhe luftonte.
3. Gruaja shqiptare ka qenë kundër gjakmarrjes. Ajo ka pajtuar familje të tëra, duke mos e nxitur këtë plagë të keqe të shoqërisë, duke u përpjekur të shuajë grindjet, mosmarrëveshjet, ato që sjellin kobin. Ajo është lutur të mos ketë gjak midis shqiptarëve, sepse shqiptarët kanë armiq më të mëdhenj për t'u hakmarrë dhe jo njëri- tjetrin.
4. Gratë shqiptare për të mos prishur familjen, kanë duruar dhunën e të tjerëve, fyerjen dhe poshtërimin. Kanë suportuar strese, paragjykime, patriarkalizma që i ndalonin të zhvilloheshin dhe ashtu të urta deri në amshim, nuk e prishën familjen. Ishin të ndershme dhe shpesh duruan edhe tradhtitë e bashkëshortëve, duruan pijet alkoolike, ndoshta edhe bixhozin dhe nuk e prishën familjen. Ato e humbën jetën e tyre në emër të një sakrificë: ‘Familja nuk duhet prishur’.
5. Gratë shqiptare besuan fort te Zoti. Ishin besimtare dhe shpresonin te fuqia e Tij, në momentet më të vështira, kur u kërcënohej familja, kur ndaloheshin ritet fetare dhe ato i kryenin në fshehtësi të plotë, kur shumë gjëra thuheshin kundër të Plotfuqishmit dhe në shpirtin e tyre forcohej edhe më tepër besimi, shpresa për një ditë më të mirë, ku Ai do të merrte vlerësimin që i takonte.
Këto pra janë nënat dhe vajzat shqiptare, nderet e fiseve në mikpritje, duarartat në punë dore, gojëmblat në gëzime, këshillueset në mendime, punëtore, të pastra e të urta, që kudo kanë vulosur kulturën e lashtë shqiptare, duke e përcjellë brez pas brezi deri në ditët e sotme.
Të dashura nëna dhe motra, ju vajza të reja që do të krijoni familje! Bota ka çfarë të marrë prej gruas dhe familjes shqiptare. Jo ne të marrim shembullin e tyre, se si çdo ditë degjenerohen familjet, duke kultivuar gjithfarë perversitetesh. Ju gra, ju nëna dhe motra e keni shumë në dorë familjen. Kultivoni traditat tona më të mira, kultivoni me durim respektin ndaj tjetrit, ndaj të dobëtit, të varfrit, dashurinë për njerëzit, nxitni veprimet e ndershme, kultivoni besnikërinë, siç e kemi pasur traditë, ashtu si na mësuan nënat tona. E keni të vështirë? Po, e keni të vështirë, sepse fëmijët tuaj sot rriten me një informacion të bollshëm që ka edhe elementë të dëmshëm, që merret nga televizionet, interneti, diskot, por edhe shoqëria etj., por kurrë mos harroni që e para është familja. Ju lutem, mos u lodhni, mos thoni që hoqa dorë nga djali dhe vajza, sepse nuk më vë vesh, por punoni me dashuri dhe durim. Ne nuk kemi nevojë të marrim shembullin e familjeve perëndimore, brenda të cilave ka shumë gjëra që nuk na pëlqejnë, edhe pse duken moderne, sepse ne kemi familjen tonë shqiptare. Të vijnë të huaj e të marrin shembull nga ne. Atyre iu duhet ky shembull. Ata kanë nevojë për modelin tonë. Të mos mendojnë se familja jonë nuk është moderne. JO. Familja jonë është moderne, se ka në bazë idealet më të pastra, nuk e ka harruar besimin te Zoti, e do shumë vendin, kombin e mbi të gjitha, as është asimiluar dhe kurrë nuk do të asimilohet në këto virtyte.
Zenepe Dibra